Zërat
Prof. ass. Dr. Haxhi Ademi
Prof.
ass.
Dr.
Haxhi
Ademi

Serbia shpallet shtet gjenocidal nga OKB-ja: Një hap vendimtar drejt drejtësisë për shqiptarët

Zërat May 24, 2024 - 15:15
Shkruan: Prof. ass. dr. Haxhi Ademi - Instituti i Historisë

Serbia është shpallur shtet gjenocidial nga OKB-ja për krimet e kryera në Sarajevë dhe për shqiptarët është një akt që shënon një fitore të rëndësishme dhe mundësi për drejtësi për viktimat e krimeve të kryera përgjatë një shekulli të tërë nga shteti serb.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votojë për një rezolutë që propozon shpalljen e 11 korrikut si Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë. Pjesëmarrës në këtë gjenocid ishte edhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili, para masakrës, kishte deklaruar: "Për një serb, do të vrasim 1000 myslimanë të Bosnjës".

Historia e popullit shqiptar ka qenë një përpjekje e vazhdueshme për mbijetesë në trojet e veta etnike dhe është bërë objektivi kryesor i politikës hegjemoniste serbe. Programi i parë kombëtar serb, “Naçertanija” i Ilija Garashaninit, nga viti 1843 deri më 1852, përpunoi idenë e Serbisë së Madhe dhe u realizua përmes masakrave dhe dëbimeve të shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore në Nishi, Vranja, Toplica, Prokupla dhe Leskovci në vitet 1876-1878. Territori i sotëm i Kosovës është rezultat i ndryshimeve politike dhe historike. Lufta Ballkanike e vitit 1912, që shënoi fundin e Perandorisë Osmane në Ballkan, solli ndryshime të mëdha politike, ekonomike, sociale dhe demografike. Konferenca e Ambasadorëve në Londër në dhjetor të vitit 1912 përcaktoi kufijtë e rinj politik në Ballkan, duke krijuar një Shqipëri autonome, por jashtë saj mbetën më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare, nën sundimin e Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Vetëm në Serbi dhe Mal të Zi mbetën të paktën 900,000 shqiptarë në një territor prej 22,000 km², i cili përfshinte pjesën më të madhe të ish-vilajetit të Kosovës dhe iu nënshtrua riorganizimit administrativ sipas dispozitave administrative serbe dhe malazeze. Shqiptarët nën sundimin serb-malazez u përballën me dhunë fizike dhe psikologjike, shkatërrim të vendbanimeve, konvertim në ortodoksinë sllave dhe përpjekje për shkombëtarizim. Vetëm me ardhjen e trupave austro-hungareze dhe bullgare gjatë Luftës së Parë Botërore represioni ndaloi. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Kosova ra nën Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene (më vonë Jugosllavia), ku politika antishqiptare rifilloi. Nga viti 1918 deri më 1921, ushtria jugosllave vrau mbi 12,000 shqiptarë dhe shkatërroi mbi 6000 shtëpi.

Gjatë periudhës midis dy luftërave botërore, shqiptarët nuk u njohën si pakicë kombëtare dhe iu mohuan të drejtat politike, kombëtare dhe kulturore. Nga viti 1918 deri më 1941, mbi 250,000 shqiptarë u shpërngulën nga hapësirat shqiptare në Jugosllavi.

Pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1966, shqiptarët u përballën me persekutime dhe shpërngulje në Turqi, ku mbi 250.000 shqiptarë u dëbuan.

Gjenocidi i viteve 1998-1999 ishte kulmi i një shekulli pushtim, dhunë dhe agresion ndaj shqiptarëve. Masakrat dhe krimet ndaj shqiptarëve përfshinin përdhunime masive dhe dhunë seksuale si pjesë e një fushate të spastrimit etnik. Gjatë kësaj periudhe, mbi 20.000 gra dhe vajza shqiptare, përfshirë fëmijë, iu nënshtruan përdhunimeve të organizuara nga forcat ushtarake dhe policore serbe. Krimet e kryera në Kosovë nuk ishin veprime të izoluara, por pjesë e një plani për të shkatërruar popullin shqiptar dhe për të ndryshuar strukturën etnike të Kosovës. Strukturat e Sigurisë së Serbisë, përfshirë ushtrinë, policinë dhe shërbimin sekret, janë përgjegjëse për këto krime. Doktrina e gjenocidit ishte mbështetur dhe proklamuar nga qeveria serbe, Akademia e Shkencave dhe Kisha Ortodokse Serbe.

Krimet ndaj shqiptarëve përfshinin vrasje, keqtrajtime, përdhunime, dhe spastrime etnike, që synonin shkatërrimin e popullsisë shqiptare për shkak të përkatësisë së tyre etnike. Vetëm 26 serbë janë dënuar për krimet e kryera në Kosovë, një numër i vogël krahasuar me mbi 12.000 të vrarë dhe mbi 20.000 të përdhunuar shqiptarë.

Dënimi i krimeve serbe është një hap drejt drejtësisë për viktimat dhe një njohje e vuajtjeve të tyre të pafundme gjatë shekullit të fundit. Krimet e kryera gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë përfshinin masakra të tmerrshme, ku mijëra civilë të pafajshëm, përfshirë gra, fëmijë dhe pleq, u vranë brutalisht. Përdhunimet ishin gjithashtu një mjet i përdorur për të realizuar spastrimin etnik, me qëllim që të terrorizojnë dhe poshtërojnë popullsinë shqiptare dhe t'i detyrojnë ata të largohen nga trojet e tyre.

Në përpjekjet për të kërkuar drejtësi, është thelbësore që krimet të dokumentohen dhe dëshmitarët të mbrohen për të siguruar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë. Ndërkombëtarizimi i këtyre krimeve është një hap i rëndësishëm për të mbajtur përgjegjës ata që kanë kryer mizori dhe për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Historia e përpjekjeve të shqiptarëve për mbijetesë dhe të drejtën e tyre për vetëvendosje duhet të njihet dhe të respektohet. Përballja me të kaluarën dhe njohja e krimeve të kryera është e domosdoshme për të ndërtuar një të ardhme të paqes dhe bashkëjetesës në rajon.

Në fund, njohja e krimeve të kryera dhe dënimi i përgjegjësve janë të rëndësishme jo vetëm për të sjellë drejtësi për viktimat, por edhe për të siguruar që e ardhmja të ndërtohet mbi themele të drejtësisë dhe respektit për të drejtat e njeriut. Historia e përpjekjeve të shqiptarëve për mbijetesë dhe të drejtën e tyre për vetëvendosje duhet të njihet dhe të respektohet, duke siguruar që krimet e së kaluarës të mos harrohen kurrë dhe të mos përsëriten.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK