Shkatërrimin e ekonomisë vendore nga privatizimi i egër do ta vazhdojë Fondi Sovran
Nuk jam në politikë dhe nuk i takoj asnjë partie politike në Kosovë.
E dua Kosovën mbi të gjitha dhe Republika e Kosovës është e arritura më e madhe në botën shqiptare për mua. Se Republika e Kosovës sot udhëhiqet nga ata që e mendojnë si shtet të përkohshëm e dimë. Se qeverisin ata që nuk e pranojnë flamurin e Republikës së Kosovës edhe ketë e keni ditur. Por se të njëjtit dëshirojnë me çdo kusht të e shkatërrojnë edhe atë pak ekonomi që ka mbetur, nuk e kam besuar.
Të paraqitet Fondi Sovran si e arritura më e madhe e Kosovës dhe si shpëtimi i Kosovës e dëshmon mjerimin që e ka kapluar Republikën e Kosovës.
Të thuash se Fondet Sovrane në Norvegji, Singapor, Kuvajt dhe Slloveni kanë qenë të suksesshëm dhe do t’i zbatojmë të njëjtat modele në Kosovë e dëshmon mjerimin e pa dijenisë komparative në mes të shteteve dhe parametrat ekonomik që i karakterizojnë ato. Me çka mund të krahasohet ekonomia e Kosovës me atë të Singaporit, Kuvajtit, Norvegjisë dhe Sllovenisë përveç emrit ekonomi.
Janë shtete dhe qytet – shtete të zhvilluara ekonomikisht me stabilitet politik, me ekonomi të zhvilluar, me eksporte të shumta, me inovacione, edukim modern, investime të huaja, pasuri natyrore dhe mbi të gjitha sundim të rendit dhe ligjit dhe pa probleme politike e dialog me Serbinë si Kosova.
Aty ku është lufta ekonomike, aty duhet të jetë ushtria e “ekspertëve” ekonomik e jo lufta në Kosovë e ushtria në Londër, Paris, Bruksel e Washington.
Republika e Kosovës është shumë më ndryshe sa ju përket parametrave ekonomik se sa që mendohet dhe duket duke qëndruar në metropolet evropiane.
Fondi Sovran nuk duhet të shihet vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në dimensione të tjera si politik, social dhe mbi të gjitha nga momentumi politik dhe raportet në dialog.
Analizoni ndërmarrjen “Trepça” dhe kërkesat për kthimin e borxhit që është mbi 1.5 miliard euro!?
Kush dëshiron të hap këtë Kuti të Pandorës në dëm të Kosovës dhe në favor të armiqve të saj!? Analizoni situatën aktuale ekonomike dhe mjerimin që i ka kapluar ndërmarrjet publike në çdo aspekt.
Ky projekt ligj do të dërgohet ne Gjykatën Kushtetuese, por deri kur kështu!?Miratohen e votohen ligje në Parlamentin e Republikës së Kosovës që paraprakisht dihet që do të përfundojnë në Gjykatën kushtetuese vetëm për ta sfiduar atë dhe që të dëmtohet imazhi i Republikës.
Në qoftë se mendohet se në këtë Fond Sovran do të futen mjetet e Trustit Pensional dhe ato të procesit të privatizimit eshtë një kalkulim sa i gabuar po aq edhe i rrezikshëm.
Pa stabilitet politik dhe mbyllje të problemeve të hapura me Serbinë, funksionimi i Fondit Sovran do të jetë sfidues dhe ndoshta temë e Gjykatave dhe Arbitrazheve ndërkombëtare.
Orientimi në ekonomi majtiste është rreziku më i madh i ekonomisë së tregut!?
A mos do të kërkohet edhe heqja e Nenit 10 nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Depolitizimi i ekonomisë dhe orientimi në profesionalizëm e jo vetëm në përkatësi politike e partiake është një ndër hapat e parë që duhet zbatuar.
Dialogu publiko-privat dhe orientimi pro biznes dhe pro sektorit privat është më se i nevojshëm në ketë situatë.
Eksperimente të tilla ekonomike pa stabilitet politik do të kenë pasoja edhe më shqetësuese në të ardhmen e Republikës së Kosovës.
Autori, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK