Zërat
Nexhmedin Bunjaku
Nexhmedin
Bunjaku

Ajo që duhej të ndodhte shumë më herët, ndodhi tash

Zërat November 12, 2023 - 16:13

Futbolli i Kosovës është në një situatë të vështirë dhe shumë të rënduar, ndoshta edhe më të vështirë se gjatë kohës së okupimit, pra vitet ‘91-‘98 apo siç e quajmë vitet e sakrificës.

20 gushti i vitit 1991 ishte data kur u vu gurthemeli i Federatës së Pavarur (nga ai serb) të Futbollit të Kosovës, filloi trasimi i rrugës së pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës ku u derdh shumë djersë dhe gjak, u sakrifikua shumë për idealin e përbashkët që kishim që një ditë futbolli lirshëm të luhet edhe në Kosovë, e ky ideal u përmbush fal kontributit, mundit, djersës, gjakut të bijve dhe bijave më të mirë që pat atdheu dhe sakrificës të plejadës së asaj kohe.

FFK-ja vazhdoi të funksionoj pas luftës në etapa dhe me presidentë të ndryshëm, me ngritje dhe rënie deri në vitin 2016, atëherë edhe kur veç u pranuam në dy instancat më të mëdha të futbollit, pra UEFA dhe FIFA. Dhe nga ky moment mori hov edhe avancimi deri në vitin 2018 kur edhe iku nga kjo botë i ndjeri Fadil Vokrri, njeriu që mbi supet e veta mbante historinë e pranimit në UEFA dhe FIFA, ku dhe pozita e të parit të FFK-së mbeti e zbrazët, mbeti e zbrazët jo për shumë kohë sepse hienat që mezi kishin pritur rastin ku ende pa përfunduar varrimi i të ndjerit, filluan ofensivën tinëzare në krye me Agim Ademin për të mbledhur dhe manipuluar nënshkrime për t’ia siguruar postin e kryetarit, vet Agim Ademit.

Jemi dëshmitar të kësaj zgjedhjeje te manipuluar, të padrejtë dhe jashtë statutare dhe me gjitha dëmet dhe degradimet që i bënin Federatës dhe vetë futbollit të Kosovës.

A ishte ky person (Agim Ademi), i duhuri dhe zëvendësues i denjë i të ndjerit Fadil Vokrri?, natyrisht se JO, edhe atë për shumë arsye nuk ishte një person me karrierë brilante si i ndjeri, nuk gëzonte autoritetin që kishte Fadili, nuk njihej në botën e futbollit siç njihej Fadili, mënyra se si erdhi dhe e uzurpoi postin e të parit të FFK-së, etj, etj,.

Kishte shumë nga ata që e njihnin dhe kundërshtonin zgjedhjen e tij për kryetar, e kundërshtonin sepse e dinin se futbollit të Kosovës do i shkaktojë dëme të pa parashikueshme nga lakmia e interesit personal, nga mosdija dhe sjelljen e rrethit të vet në Federatë.

Të gjitha kundërshtimet dhe kritikat që u bënë në adresë të Agim Ademit dhe klanit të tij brenda dhe jashtë FFK-së gjate sundimit të tij këto vite nga opozita siç i quante ai, rezultuan që tashmë paskan qenë të drejta dhe me vend ku rasti i para treditësh ishte kulmi.

Opinioni futbolledashës tani kur kuptoi se më në fund e kjo duhej të ndodhte shumë më herët, futbolli i Kosovës po lirohet nga kthetrat shkatërruese, nga klanet uzurpuese dhe diktatura. Kjo ngrit shpresën se me hapa të shpejtë do i afrohemi futbollit evropian dhe atij botëror.

Largimi i shumë investitorëve që me vite të tëra investuan në futbollin e Kosovës, u detyruan të largohen shkaku i degradimeve që po i bëhen futbollit të Kosovës nga Agim Ademi dhe klani i tij. U larguan sepse nuk u pajtuan me politikën degraduese dhe shkatërruese të Agim Ademit dhe klanit të tij ndaj klubeve dhe futbollit të Kosovës në përgjithësi.

Tani së fundmi edhe futbollistët elitar të përfaqësueses së Kosovës kanë hetuar politikën shkatërruese dhe nuk po iu përgjigjen ftesave për ndeshjet kualifikuese.

Këta futbollistë, jo që nuk e duan Kosovën, por nuk po duan të jenë pjese e manipulimeve, degradimeve dhe fundosjes së futbollit të Kosovës nga Agim Ademi dhe struktura udhëheqëse (klani) në FFK.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK