Lugina, kjo plagë Kosove
Më shumë se kudo tjetër në tokat shqiptare, si në Luginë të Preshevës askund s’e ndjen veten më shqiptar.
Aty vjen era shqiptar. Edhe fryma bartet e rrokulliset nëpër shpatet e kodrat shqiptare. Çdo gjë frymon shqip. Dhe e duan shqiptarizmin, por vështirë ta mbajnë…
Kaq shqip, fatkeqësisht nuk mund të shprehen edhe njerëzit, që shqiptar të vërtetë janë. Aty vazhdohet vuajtja, njëjtë si në Kosovën e para luftës. Më e keqja, Kosova që vetë shpëtoi nga i njëjti zullumqar, e Shqipëria që e vazhdon bashkëpunimin me të, pak e hiq shqiptari po mbjellin në këtë tokë që ka mbet pa dashje matanë kufirit. Edhe kufiri është diskriminues aty, me ndalime e maltretime të përditshme, veç pse je shqiptar.
Veç pse janë të tillë, as flamurin shqip s’mund ta valëvisin mbi pullazet e vjetruara. Pluhuri, veç tjegullave, ka mbuluar edhe lumturinë. Si të jesh i lumtur kur po që se kthehesh nga kafiteria, ara, xhamia a tregu, e gjen veten të fshirë nga adresa. S’je më pronar i truallit tënd dem-baba-dem, veç pse në rrudhat tua dëshmohet djersa shqipe.
E ku mos me piku loti i pastër kur tentohet që as shqipja të mos mbetet e pastër. Në çdo 1 shtator, gjaku i ri shqiptar, që po rritet diskriminueshëm bankave të vjetruara e të pa riparuara nga autokratët racist, duhet të dëgjoj himnin e tyre. Kjo gjeneratë vetëm vjedhurazi mësojnë për trimërinë e njerëzve që ua kthyen tytën diskriminuesve të tillë viteve 90-ta. Në asnjë libër shkollor nuk e kanë lexuar kombinimin e tre shkronjave UÇK, e aq më pak për ata që ranë dëshmorë – veç pse deshën të mbesin shqiptar.
Më e keqja, vendi i heronjve që shpëtuan Kosovën “perëndimore”, dinë të jenë goxha diskriminues ndaj “Kosovës lindore”. Nëse ndonjëri nga ta dëshiron të pajiset me Letërnjoftim të Kosovës sovrane, i duhen minimumi pesë vite të trokas dyerve administrative të burokracisë që e ka harruar vuajtjen e vet. Sikur “kosovarët e lirë” që vuajtën para 99-ës, “kosovarët e burgosur” vazhdojnë me dy vuajtje. Dhimbje kanë pse mbetën andej kufirit. E pikëllim mbajnë, pse shteti 10 mijë kilometërsh katror, u jep veç nga një vit “leje qëndrim”. Dhe për secilin vit, duhen ngarendin sporteleve me një mori dokumentesh, e nga 100 euro pagesë, veç për ta vazhduar “leje qëndrimin” në shtetin me të cilin duan të bashkohen.
Duan leje-qëndrim në Kosovë, për të pasur mundësi punësimi. Dëshirojnë të punojnë këndej, sepse politika gjenocidiale ka qasje raciste për mundësinë e punësimit për njerëzit andej që flasin shqip.
Ah medet, as Kosova amë, as Shqipëria nanë, s’mendojnë për bijtë që qajnë.
Këtë qasje diskriminuese, nga afër e panë gjashtë gazetarë nga po kaq media të Kosovës, nga 7-9 gushti i 2023, në mesin e të cilëve, si pjesë e Klan Kosova, isha dhe unë. Ne ndjemë me shqiptarët shqip që flasin. Ndjemë dhimbjen nën organizimin e Këshillit Nacional Shqiptar, që udhëhiqet nga një djalë që ngjallë shpresë matanë. E shpresa e tyre, arrihet kur të tjerë shqiptarë shkojnë andej shpesh, për të parë nga afër vëllanë shqiptar.
Autori ka përfunduar masterin në Shkencat Politike dhe punon si gazetar.
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK