Zërat

Pse titulli “Rent a Car Superliga”?

Zërat May 23, 2023 - 10:00
Turpshëm u mbyll Rent a Car - Superliga e Basketbollit e Kosovës

Pse titulli “Rent a Car Superliga”?

Me sundimin 20-vjeçar të tre kryetarëve të kësaj Federate, duke filluar prej Fatmir Gashit, Erolld Belegut dhe Arben Fetahut, së bashku me bordin tregtaro-politiko turistiko-sportiv janë autorët e këtyre punëve të pista të basketbollit. Para luftës basketbolli në Kosovë ishte mburrja dhe krenaria jonë në të dyja konkurrencat me forcat tona ishim elitë e rangut evropian në konkurrencën e vajzave dhe ndër më të mirët në regjion në konkurrencën e meshkujve. Mirëpo pas çlirimit, me sundimin e këtyre tyxharëve në basketbollin tonë këta tregtarë na sollën 1345 lojtarë, 78 trajnerë dhe ndimëstrajnerë, 6 selektorë të kombëtares nga vendet e ndryshme të botës dhe me rregulloret e përpiluara të modelit “fontanë dëshirash” "këta lojtarë, trajnerë dhe selektorë qëndrojnë aq sa dëshirojnë” bosat “e klubeve dhe politbyroja”.

Ka ndodhur pikërisht në këtë kampionat që brenda pjesës së parë të garave shembulli konkret “Trepça” i ndërroi pesë trajnerë, Peja tre, Prishtina trajnerë me tre përkthyes, gati të gjitha skuadrat e Superligës bënë eksperimente që ligën dhe lojën e basketbollit e shndërruan në cic-mic, por ajo që në praktikën sportive nuk ndodh asnjëherë, ndodhi në ekipin e Trepçës, pas dy ndeshjeve finalen e play-offit e përzunë trajnerin turk Engin Gençoglu, me të cilin e fituan kupën e Republikës.

Në basketbollin e Kosovës ndodh edhe kjo: që lojtari të kthehet mbrapsht nga ka ardhur vetëm pas një loje të zhvilluar, sepse te ne blihen "macet në thes" nga ana e atyre që në basketboll janë për biznese personale dhe klanore.

Kjo i përngjan cirkut e jo garave që duhet të kenë frymë sportive dhe garuese me strategji të ndërtuar me një vizon largpamës, pikërisht nga Këshilli Profesional, i cili në çdo vend të botës është boshti i Federatës.

Edhe në këtë vit cilësia e lojës së demonstruar nuk ishte në përputhje me pagesat marramendëse ku shuma e tyre nuk është bërë kurrë transparente, sepse ekziston dyshimi se bëhet shpëlarja e madhe e parave. Prandaj këtu është qëllimi i luftës për sundim të Federatës, ku pas çlirimit të Kosovës basketbollin e sundojnë kryesisht njerëzit e politikës dhe të biznesit. Përveç hallakamës që ndodh gjatë kampionatit shtetëror, kampioni i cili e përfaqëson Kosovën në garat ndërkombëtare të rangut ma të ulët, (Kosova radhitet dobët në ranglistën e FIBA-s në vendin e 80-të) asnjë skuadër nga Kosova që nga viti 2015 pas pranimit ndërkombëtar nuk ia doli të kalojë xhiron e parë të garave të nivelit më të ulët ndërkombëtar të FIBA-s - Euroçelens, përkundër faktit që luajnë kryesisht me lojtarë të huaj, kjo dëshmon cilësinë e tyre. Prishtina si kampione vitin e kaluar u eliminua në xhiron e parë kundër përfaqësuesit të Polonisë.

Ndërsa Kosova me popullatën më të re në Evropë, potencialin e rinisë së vet e përjashtoi nga mundësia që të stërvitin dhe të luajnë, por të njëjtët i shndërruan dhe i manipuluan për përfitime politike dhe biznisore, duke krijuar prej tyre armatë vandalistësh.

Atëherë kush është duke përfituar këtu?

Vetëm bordi tregtaro-politiko-turistiko sportiv i "politbyrosë" plot dy dekada shpenzoi miliona euro jo të biznesit vetanak, por të taksapaguesve kosovarë për përsosjen e trajnerëve, referëve, zyrtarëve, delegatëve vendorë, kjo kërkon përgjigje:

Sa vijues prej tyre që u pajisen me diploma u angazhuan në klubet kosovare - ASNJË!

Kjo sipas tyre na qenka "strategji" jo, kjo e ka emrin hajni dhe tradhti. A e dini se KB Prishtina manipulon me katër xhirollogari, gati asnjë klub nuk i paguan shtetit tatim. Për klubet dhe Bordin e FBK-së vlen ajo thënia e Lujit 15, shteti jam unë. Prandaj: KB Prishtina ka tatim të papaguar në vlerë 409.712.12 €.

Atëherë si u licencua kjo federatë?! U licencua me vërtetim të falsifikuar, e cila u lëshua nga Zyra e FBK-së, saktësisht nga sekretarja e përgjithshme Elvira Dushku, e cila të ardhurat mujore i ka sa katër rroga të xehetarit, i cili futet në horizontin e shtatë për ta fituar bukën e gojës, e kjo me shkresë zyrtare mashtron dhe manipulon në mënyrë flagrante se gjoja KB Prishtina i ka të kryera të gjitha obligimet, duke përfshirë edhe llogaritë bankare.

A po bindni se qëndrimi 20-vjeçar i këtyre matrapazëve në këtë Federatë me vota të blera, manipulime, mashtrime, falsifikime, vepron dhe punon në emër të Kosovës kundër Kosovës?!

Deklarojnë se punojnë "vullnetarisht" dhe për dallim prej shumë federatave të tjera nuk i kanë zyrat në shtëpinë e sporteve, por ato i kanë larg syve të federatave të tjera ku qiraja paguhet nga paraja e taksapaguesve. E vetmja gjë e cila dominon si "spektakulare" është marketingu me xixa e dekore që i përgatisin para dhe pas ndeshjeve. Pra me mjeshtri bëjnë shpërlaje të trurit. Mjerimi i këtij spektakli u shpërfaq në ndeshjen suplimentare në Mitrovicë, ku shpallja e kampionit u bë si të ishte gjendje lufte.

Ata që dëshirojnë të binden se ky klan i "politbyrosë së ish-BRSS”-së manipulon, lexojeni historikun e FBK-së në sajtin zyrtar ku ka falsifikime, mohime, gjysmë të vërteta dhe në këtë historik potencohet se çdo gjë në basketbollin kosovar fillon dhe mbaron me tre kryetarët e lartpërmendur. Ky historik pjesërisht pasqyrohet edhe në sajtin e FIBA-s dhe ajo që është dëshpëruese karshi botës Kosova prezantohet si shtet i cili basketbollin e ka filluar në vitin 1990.

Si e manipuluan debaklin?

Pas disfatave të njëpasnjëshme në të gjitha garat ndërkombëtare ku humbjet ishin turpëruese, po jua rikujtoj një rezultat të garave kualifikuese për KE, në konkurrencën e femrave, i cili u fut në libër të Guinessit. Me javë ishte temë e talljes në shtypin e Vuçiqit.

Kosova pësoi kundër Sllovenisë me rezultat 100:12. Edhe në konkurrencën e meshkujve kombëtarja u korit dhe u bënë tema aktuale në shtypin e Serbisë.

Manipulatoret e “politbyrosë" për t’u shmangur nga debaklet e njëpasnjëshme ndërkombëtare shpikin mashtrimin e radhës, vendosen të luajnë me kartën e "patriotizmit" dhe e formojnë ligën unike mbarëkombëtare.

Dhe ndodhi ajo që e parashikuam, pasoi dështimi dhe liga u harrua. Mirëpo për këtë ngjarje “historike” MKRS-ja e Kosovës menjëherë në start të garave ia alokoi FBK-së 480.000 euro.

A thua e di Ministria se nga avulluan ato gjysmë milioni të taksapaguesve?

Mirëpo ajo që më së shumti habit është mosreagimi i propagandës së shtypit të Beogradit për këtë ligë të “Shqipërisë së Madhe" ishte heshtje absolute në shtypin dhe propagandën e Vuqiçit, pikërisht siç po heshtin tani me rastin e liberalizimit të vizave. Këtë e dëshiroi Serbia dhe me ndihmën e karateistëve tanë e realizoi në plotni qëllimin që rininë tonë ta eliminojë nga prezenca aktive në basketboll. Këtë më se miri edhe një herë e pasqyroi kampionati i sivjetmë i Superligës - Rent a Car u mbyll me faqe të zezë. Mirëpo "politbyrosë" dhe "bosave" të basketbollit as që u shkon mendja të largohen, tani deri në fillimin të shtatorit kur starton kampionati i radhës heshtin dhe sillen se goja asgjë s’ka ndodhur, ndërsa armata e tërë e lojtarëve, trajnerëve dhe ndihmëstrajnerëve të huaj kthehen në vendet nga kanë ardhur, bash si veturat që i marrim Rent a Car.

Pas gjithë këtyre mashtrimeve, dështimeve, "patriotizmave", shtrohet pyetja: edhe sa kohë ky populli i vuajtur i Bllacës do të dhunohet e të poshtërohet nga njerëzit zaptues të federatave sportive, sepse edhe në federatat e tjera (me disa përjashtime) gjendja është e ngjashme ku udhëhiqen nga tri dekada prej njerëzve të njëjtë dhe janë bërë oazë e hajnisë. Roli i pasluftës i shumicës së njerëzve të "elitës" sportive mund të cilësohet si katastrofik, tragjik, poshtërues dhe i turpshëm, madje me pasoja të rënda për shtetin. Edhe sa kohë na duhet që ne si federata sportive e si shtet t’i kthehemi rinisë sonë, e cila ka mbetur viktimë e këtyre klaneve banditeske? Kjo është pyetja që kërkon përgjigje.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK