Zërat

Paqja dhe demokracia kërkojnë mposhtjen e industrisë së gënjeshtrave të Putinit

Zërat February 15, 2023 - 12:47
Josep Borrell, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë / zëvendëspresident i Komisionit Evropian

Të martën e kaluar, EEAS organizoi në Bruksel, me shumë ekspertë ndërkombëtarë, një konferencë të rëndësishme për manipulimin e informacionit dhe ndërhyrjet e huaja. Me këtë rast, nënvizova rëndësinë e luftimit të “industrisë së gënjeshtrave” të Putinit për të ardhmen e paqes dhe demokracisë, jo vetëm në BE, por në mbarë botën.

Në kohën kur lufta është kthyer në Evropë, kur Ukraina numëron dhjetëra mijëra viktima dhe miliona refugjatë, ne bëjmë gjithçka mundemi për t’i ndihmuar Ukrainës të mbrohet dhe ta rifitojë sovranitetin e saj të plotë. Lufta e Ukrainës për liri nuk prek vetëm evropianët, ajo prek të gjithë njerëzit në mbarë botën. Kjo është një luftë në mbrojtje të së drejtës ndërkombëtare dhe vlerave themelore të pranuara nga gjitha shtetet në Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Putini jo vetëm që e filloi luftën, ai gjithashtu krijoi një industri të fuqishme të gënjeshtrave

Në këtë kontekst, na duhet të mbrojmë BE-në dhe botën nga industria e mashtrimit e Putinit. Putini jo vetëm që e filloi luftën, por ai ka krijuar gjithashtu një industri të fuqishme manipulimi që nuk ua lejon njerëzve të kuptojnë se çka po ndodh realisht, që t’i bëjë të dyshojnë për gjithçka dhe që t’ua hedhë fajin të tjerëve. Përpjekjet e Kremlinit për manipulimin e informacionit janë globale dhe funksionojnë në shkallë industriale. Ky është instrument krucial i kësaj lufte.

“Bombat e Putinit vrasin njerëz në Ukrainë, ndërsa industria e tij e manipulimit të informacionit sulmon mendjet e njerëzve në Rusi dhe në mbarë botën”.

Bombat e Putinit vrasin njerëz në Ukrainë, ndërsa industria e tij e manipulimit të informacionit

sulmon mendjet e njerëzve në Rusi dhe në mbarë botën, duke u përpjekur t’i mashtrojë që të mos ta kuptojnë se kush është përgjegjës për vrasjet, për faturat e energjisë elektrike që nuk mund t’i paguajnë, vështirësitë ekonomike me të cilat përballen dhe për urinë që është përkeqësuar për shkak të luftës që filloi Rusia. Putini po synon që në mënyrë cinike t’i mashtrojë njerëzit që të besojnë se ‘fuqia e bën drejtësinë’; dhe se autokratët mund të kryejnë mizori pa u hyrë gjemb në këmbë. Afrika është një nga caqet kryesore të kësaj “industrie të gënjeshtrave”, por këtë e shoh edhe kur shkoj në Amerikë Latine dhe Azi.

Këto çështje i diskutuam në konferencën “Përtej dezinformimit”, të cilën Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm e organizoi duke mbledhur ekspertët kryesorë ndërkombëtarë për të debatuar se si t’i përgjigjemi më mirë kërcënimit të manipulimit të informacionit dhe ndërhyrjeve të huaja.

Gazetaria e pavarur do të jetë gjithmonë e mbrojtur brenda BE-së Ne kemi ndërmarrë tashmë shumë hapa për t’u mbrojtur nga ky kërcënim. BE-ja vendosi masa kufizuese kundër industrisë së mashtrimit të Kremlinit që vepron brenda Bashkimit Evropian.

Mediat që Kremlini i zhvilloi dhe mobilizoi si pjesë e përpjekjeve të veta të luftës nuk veprojnë në përputhje me kodin etik ndërkombëtar të gazetarisë: ato janë mjete propagande. Gazetaria reale, profesionale, e pavarur është dhe do të jetë gjithmonë e mbrojtur brenda BE-së. Dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim atë kudo nëpër botë.

“Informacioni i saktë është karburanti i demokracisë, pa qasje në fakte dhe media të pavarura demokracia vyshket”

Informacioni i saktë është karburanti i demokracisë. Pa qasje në fakte dhe media të pavarura, demokracia vyshket dhe zgjedhjet pengohen. Kjo është arsyeja pse nuk duhet ta trajtojmë këtë si çështje komunikimi: kjo është çështje politike që duhet ta trajtojmë politikisht, në nivelin më të lartë, siç thashë në fjalimin tim.

Në konferencë, unë paraqita Raportin e parë të EEAS për kërcënimet e manipulimit të informacionit dhe ndërhyrjeve të huaja, të cilin sapo e kemi publikuar. Ai tregon saktësisht se si Rusia ka mobilizuar burime për ta shtrembëruar sistematikisht realitetin, për t’ua hedhur fajin të tjerëve dhe për ta hequr vëmendjen nga pushtimi i saj ushtarak në Ukrainë. Ai gjithashtu konfirmon se ka një valë të re të teknikave të dezinformimit dhe dokumenton bashkëpunim shqetësues mes akterëve si Rusia dhe Kina.

Na duhen analiza më të mira dhe përgjigje të përshtatura më saktë

Në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e BE-së, shtetet anëtare dhe partnerët ndërkombëtarë, Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm ka qenë mjaft aktiv që nga viti 2015 për këto çështje. Sidoqoftë, na duhen të shkojmë më tej me analiza më të mira dhe përgjigje të përshtatura më saktë. Për këtë, ne do të krijojmë Qendrën për Ndarje dhe Analizë të Informacionit për të mbledhur informacion rreth kërcënimeve të dezinformimit dhe manipulimit të huaj të informacionit. Ajo do të rrisë kapacitetet tona për shkëmbim të praktikave më të mira dhe do të sigurojë që t’i mbrojmë në mënyrë më efikase demokracitë tona.

Na duhet vërtet të punojmë edhe më nga afër me partnerët tanë anembanë globit dhe të jemi të pranishëm në mënyrë më aktive në gjuhët lokale në pjesë të ndryshme të botës. Unë jam duke kërkuar opsione për të siguruar që zëri i BE-së të dëgjohet më mirë.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK