Zërat
Çağrı Sakar
Çağrı
Sakar

Fitorja e demokracisë: 15 Korriku - Dita e Demokracisë dhe unitetit kombëtar

Zërat July 15, 2022 - 08:10

Shkruan: Çagri Sakar, ambasador i Republikës Türkiye në Prishtinë

Sot Türkiye manifeston 15 Korrikun - Ditën e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar. Ndërsa në njërën anë përkujton dëshmorët e saj, nga ana tjetër feston fitoren e demokracisë së saj.

Fillimisht, lusim mëshirën e Zotit për 251 heronjtë tanë, që ranë dëshmorë për të ndalur tentativën tradhtare të grushtit të shtetit të Organizatës Terroriste Fetullahiste (FETO) natën e 15 korrikut 2016 dhe për të mbrojtur demokracinë tonë, kurse më shumë se 2000 veteranëve u shprehim mirënjohjen tonë.

Ne u premtojmë heronjve tonë që rrezikuan jetën e tyre dhe përmes kësaj dështoi kjo përpjekje e pabesë, që përbënte sulmin më të përgjakshëm terrorist ndaj Türkiye-s, se do të mbrojmë demokracinë tonë dhe vullnetin e kombit tonë. Edhe një herë si komb përkulemi përpara kujtimit të çmuar dhe sakrificës së tyre.

Gjatë tentativës së grushtit të shtetit të kryer nga militantët e organizatës FETO, të cilët ishin të infiltruar edhe në ushtrinë tonë, qytetarët e pafajshëm që dolën në rrugë për të mbrojtur demokracinë u qëlluan dhe u goditën nga tanket, ndërsa u bombarduan Parlamenti, Presidenca dhe Inteligjenca Kombëtare dhe Policia.

Terroristët e çoroditur dhe të robotizuar të FETO-s, të një rrjeti të ndyrë terrorist i kryesuar nga një i diplomuar nga shkolla fillore, i cili abuzon me fenë dhe ua shpërlan trurin e njerëzve me pretendimin se ai është “Mehdiu”, menduan se mund të rrëzonin qeverinë që erdhi në pushtet në mënyrë demokratike në Türkiye dhe t'i japin fund demokracisë sonë.

Kombi turk, me forcën që mori nga qëndrimi i mprehtë i liderëve tanë politikë, veçanërisht presidentit Erdogan, nuk e la grushtin e shtetit të triumfojë. Qindra mijëra qytetarë tonë civilë shkruan një epope demokracie kundër tankeve, avionëve luftarakë dhe helikopterëve natën e 15 korrik 2016, me mbështetjen e ushtarëve dhe policëve tanë që refuzuan të bashkohen me tradhtarët me tru të shpërlarë. Dhe sulmi tradhtarë dështoi. Kështu, një fitore që i takon demokracisë sonë, e cila na mundëson ta bëjmë Türkiye një nga vendet më të respektuara, më të fuqishme dhe me ndikim në botë sot, u arrit falë unitetit tonë kombëtar, ndonëse me çmimin e jetës dhe gjakut tonë.

Megjithatë, përpjekja për grusht shteti të 15 korrikut nuk është krimi i vetëm i kryer nga rrjeti i ndyrë FETO.

Në hetimet dhe proceset gjyqësore të nisura pas tentativës së grushtit të shtetit, u zbuluan të gjitha krimet e organizatës terroriste, grumbullimi i informacionit, ekzaminimi, korrupsioni gjyqësor dhe ekonomik, pastrimi i parave, rekrutimi i paligjshëm i personelit kritik në institucionet shtetërore, falsifikimi i dokumenteve dhe shumë krime të tjera të rënda janë kryer nga ky rrjet. Në fakt, pas deshifrimit të sistemit të koduar të komunikimit të quajtur “Bylock”, i cili kishte 250 mijë përdorues, kjo organizatë terroriste, e cila prej vitesh ka fshehur fytyrën e saj të pistë pas maskës së një lëvizjeje të pafajshme arsimore dhe humanitare pas masave të marra kundër saj më 15 korrik tentoi në grusht shteti, sepse do të zbuloheshin edhe krimet që ajo kishte kryer në fshehtësi prej vitesh.

Organizata terroriste FETO, duke vjedhur pyetjet e provimeve rekrutoi militantët nga shkollat dhe konviktet në rrjetin e saj për vite me radhë, dhe kështu i infliltroi në të gjithë mekanizmat shtetërore në Türkiye kryesisht në ministritë, ushtrinë, policinë dhe gjyqësorin.

Kjo strukturë paralele brenda shtetit ka burgosur mijëra ushtarë, policë dhe burokratë të pafajshëm që kundërshtonin FETO-n, me prova të rreme që prodhonte dhe ka përgjuar në mënyrë të paligjshme zyrat, shtëpitë dhe telefonat e mijëra njerëzve, përfshirë zyrtarët e lartë të shtetit dhe i publikonte imazhet dhe bisedat e tyre, i regjistronte dhe kur ishte e nevojshme, i përdorte për t’i shërbyer qëllimeve të saj të pista.

Po kështu, duke bërë pagesa të padrejta nga burimet shtetërore për bankat, kompanitë, organizatat joqeveritare dhe mediat të krijuara nga organizata, financoheshin akte terroriste për krime të ndryshme, përfshirë pastrim parash dhe manipulim në tenderë.

Në gjashtë vitet pas tentativës për grusht shtet, një nga prioritetet kryesore të Türkiye-s ka qenë lufta kundër FETO-s, brenda dhe jashtë vendit.

Autorët e tentativës së grusht shtetit u vunë përgjegjës përpara drejtësisë përmes proceseve gjyqësore të zhvilluara me përpikëri mbi bazën e shtetit ligjor, u shkatërrua struktura shtetërore paralele e ndërtuar prej vitesh në fshehtësi të madhe dhe u eliminuan të gjitha mjetet me të cilat ata financonin akte terroriste, veçanërisht shkollat, institucionet private të mësimdhënies dhe spitalet.

Kështu, Türkiye e pastruar nga rrjeti i pistë i FETO-s, është bërë më e fortë, më e sigurt dhe më e qëndrueshme se kurrë më parë, me frymën e demokracisë dhe bashkimit kombëtar, që u bë e njohur natën e 15 korrikut 2016 në një gamë të gjerë, duke u nisur nga politika e jashtme, mbrojtja, transporti, teknologjia, aviacioni, arsimi dhe shëndetësia.

Rrjeti i rrënjosur i FETO-s në Türkiye vazhdoi aktivitetet e tij jashtë vendit dhe filloi një fushatë shpifëse kundër Türkiye me rrjetin e saj miliarda dollarësh të përbërë nga të ashtuquajturat shkolla, konvikte, spitale, kompani, organizata joqeveritare dhe mediatike në shumë vende, përfshirë Kosovën.

Ne e dimë shumë mirë me përvojën e keqe se si mundi FETO të fshihte për vite me radhë fytyrën e saj të vërtetë të pistë pas maskave të pafajshme, si militantët e saj që u infiltruan në të gjithë mekanizmat shtetërore mbuluan me mjeshtëri krimet e organizatës, si u trilluan dhe u zbuluan informacionet e inteligjencës për ata që kundërshtonin organizatën dhe u publikuan në media.

Për të gjitha këto arsye, ne e konsiderojmë se e kemi për detyrë të theksojmë se FETO, të cilës ne i referohemi si një organizatë terroriste e gjeneratës së re, përbën një kërcënim serioz për sigurinë për të gjitha vendet, ku ajo ruan ekzistencën e saj dhe të paralajmërojmë të gjitha këto vende që të marrin masat e nevojshme. Nuk ka asnjë garanci që perversët e radikalizuar brenda rrjetit të ndyrë por sekret të FETO-s nuk do të përsërisin krimet e kryera në Türkiye në vendet tjera, veçanërisht në Kosovë.

Si rezultat i këtyre përpjekjeve, tashmë në arenën ndërkombëtare kuptohet se FETO nuk është një lëvizje arsimore dhe humanitare, siç po përpiqet të tregohet, por një organizatë e errët dhe tinëzare. Vende të ndryshme monitoruan dhe hetuan nga afër aktivitetet e kësaj organizate dhe zbuluan shumë krime të fshehura të rrjetit FETO. Disa vende dhe organizata ndërkombëtare e kanë shpallur FETO-n si organizatë terroriste. Përveç atyre që u deportuan në vendet e treta, qindra militantë të FETO-s nga shumë vende u deportuan në Türkiye dhe ndaj tyre u krye procesi i duhur gjyqësor.

Deri më sot, aktivitetet e të ashtuquajturave shkolla të lidhura me FETO-n në 45 vende janë ndërprerë; në 20 vende këto janë transferuar në fondacionin turk “Maarif”. Fondacioni ynë “Maarif”, i cili është i vetmi institucion arsimor jashtë vendit me mbështetjen e Türkiye-s, ka hapur shkolla në 32 vende, përfshirë edhe Kosovën.

Siç e kemi theksuar në çdo rast, ne besojmë fuqishëm se armiku i Türkiye-s nuk mund të jetë mik i Kosovës. Me këtë mirëkuptim, e gjithë Türkiye është mirënjohëse për mbështetjen që Kosova i ka dhënë fitores së Türkiye në demokraci dhe masave që ka marrë kundër militantëve të FETO-s në të kaluarën.

Megjithatë, urojmë që autoritetet e Kosovës të nxjerrin mësimet e nevojshme nga përvoja e keqe e Türkiye me këtë organizatë dhe të ndërmarrin të gjitha hapat e duhur kundër kësaj organizate të pistë, e cila mund të fshihet me vite nën maskën e ligjshmërisë, për sigurinë e vendit të tyre dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre, para se të jetë tepër vonë. Türkiye, e cila do të vazhdojë me vendosmëri të punojë kundër strukturave të FETO-s jashtë vendit në periudhën e ardhshme, është e gatshme t’i japë të gjithë mbështetjen e saj Kosovës mike dhe vëllazërore në luftën kundër kësaj organizate.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK