Zërat
Jusuf Thaçi
Jusuf
Thaçi

Betejën me UÇK-në e keni të humbur

Zërat June 13, 2022 - 15:08

Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), përveç organizatë konkrete e fakt historik, duke luftuar e kontribuuar për realizimin e të drejtës më themelore dhe vlerës më të rëndësishme njerëzore: LIRISË, është edhe vlerë qytetërimore e ideal njerëzor universal.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), para së gjithash e mbi të gjitha, është shkaktarja e meritorja kryesore për çlirimin e Kosovës dhe si pasojë edhe për pavarësinë e Kosovës (ky fakt as nuk e mohon e as nuk e zbeh rëndësinë e punës dhe sakrificës së gjithë shqiptarëve në përgjithësi që kanë kontribuuar në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, si dhe as nuk e mohon e as nuk e zbeh rëndësinë e gjithë kontributit të komunitetit ndërkombëtar për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës).

Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) është ndër momentet më të shndritshme të gjithë historisë shqiptare, duke e rikthyer pas dekadash dinjitetin e humbur e të nëpërkëmbur të shqiptarëve të Kosovës.

Kur Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës uron Ditën e Çlirimit të Kosovës duke mos e përmendur fare UÇK-në, përkatësisht duke e mohuar UÇK-në, ajo nuk e ofendon UÇK-në, por e ofendon veten dhe gjithë atë që ajo përfaqëson si qytetare e si zyrtare shtetërore, përfshirë edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Ta mohosh UÇK-në si simbol të lirisë, si vlerë qytetërimore e si ideal njerëzor dëshmon primitivizëm.

Ta mohosh UÇK-në për shkak të urrejtjes që ke ndaj disa individëve të caktuar dëshmon infantilizëm.

Ta mohosh UÇK-në duke qenë përfaqësues i shtetit që është rezultat i UÇK-së dëshmon hipokrizi.

Ta mohosh UÇK-në duke u fshehur pas mospërmendjes së saj dëshmon frikacakëri.

Sidoqoftë, një gjë duhet ta dinë mirë të gjithë ata që e relativizojnë, e mohojnë, nuk e duan apo e urrejnë UÇK-në: betejën me UÇK-në e keni të humbur! Ju jeni veç ca vdekatarë të përkohshëm, statistika të pavlera të njerëzimit, vizitorë të pagjurmë të kësaj bote. Ndërsa liria, dinjiteti e qytetërimi janë vlera e ideale njerëzore të përjetshme e të paçmueshme, do të rrojnë sa të ekzistojë njerëzimi. UÇK-ja është mishërim e simbol i këtyre vlerave e idealeve.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK