Zërat
Iljaz Spahiu
Iljaz
Spahiu

8 Marsi dhe diskriminimi gjinor nga FFK-ja

Zërat March 08, 2022 - 19:01

Pikërisht me datën 8 mars para 114-vitesh ndodhi një tragjedi në një fabrikë ku gjetën vdekjen 129 gra nga një zjarr i cili shpërtheu në fabrikën e quajtur “ COTON ” në SHBA.

Kushtet e rënda të punës dhe diskriminimi ndaj punëtorëve të gjinisë femërore ishin shkaktar i atij zjarri i cili u bë shkak për të gjetur vdekjen gratë e pafat. Një vit më vonë më 28 shkurt u vendos në SHBA për datën e 8 marsit 1909- Dita Ndërkombëtare e Gruas, pikërisht kur atë ditë ishte edhe dita kur kërkohej e drejta e grave për të votuar. E ndërlidha këtë ngjarje për të rikujtuar historinë dhe vuajtjet e gjinisë së bukur.

Bota demokratike prej asaj kohe e respekton si të barabartë edhe gjininë femërore në çdo aspekt me atë mashkullore, por kjo nuk vlen vetëm në vendet ku zbatohet Sheriati. Kosova i takon botës demokratike dhe me kushtetutën e saj i garanton gjinisë femërore barazi me gjininë mashkullore dhe është e mbrojtur me ligj nga diskriminimi gjinor. Federata e futbollit të Kosovës sikur e ka mohuar të drejtën e votës për gjininë femërore e cila daton që nga vitit 1909.

Në kuadër të FFK janë 20 klube aktive të futbollit të vajzave të cilat nuk përfaqësohen në kuvendin e federatës dhe u është mohuar e drejta e votës. Futbollistët e 20 skuadrave përfaqësohen vetëm nga një femër në kuvend, e cila nuk përfaqëson asnjë klub por është e punësuar në administratën e FFK.

Andaj pikërisht sot në këtë datë të rëndësishme, po bëj thirrje të mos diskriminohen futbollistet tona, të cilat janë pa të drejt vote në kuvend. Për çudi 10 skuadra të super-ligës japin 20 delegatë nga klubet e meshkujve, ndërsa 20 skuadra të femrave nuk japin asnjë delegate të vetme. Shpresoj ky shkrim i imi të ndërgjegjësoj kreun e federatës dhe të veproj urgjent në barazinë gjinore. Mua si sportist dhe gjyqtar i futbollit para 2 dekadash më mbetet për fund të them ‘Gëzuar 8 marsin për të gjitha gratë shqiptare dhe për sportistet tona të cilat na kanë bërë krenar si shtet’ 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK