Zërat
Mentor Nazarko
Mentor
Nazarko

Orteku i Urës…në Mal të Zi

Zërat March 07, 2022 - 11:24
Ditët e fundit, Presidenti malazez mandatoi për Kryeministër politikanin e ri me origjinë shqiptare, Dritan Abazovic. Mediat, të zëna me zhvillimet në Ukrainë rrjeti gjithashtu, nuk i dhanë vëmendjen e duhur ose të merituar këtij zhvillimi. Ato që u morën, e interpretuan cektësish, padrejtësisht, banalisht, në mënyrë krejtësisht të dëmshme si hapje dere për një Kryeministër të tretë shqiptar në Ballkan.

Kjo është shumë reduktive, e dëmshme dhe kundërproduktive. Në fakt, ardhja e Abazoviçit në krye të ekzekutivit të Malit të Zi ka lidhje me zhvillimet në Ukrainë. Është krejtësisht e qartë se Rusia do dëshironte ta sfidonte NATO-n dhe Perëndimin edhe në Ballkan, ku Veriu i Kosovës apo Bosnja, e pse jo në Malin e Zi. Vetëm imagjinojeni sikur në krye të Malit të Zi të ishin forca pro serbe dhe pro ruse.

Epo, me qeverinë e re, u ndërpre ky kurs zhvillimi, që kompaktësonte filorusizmin në Ballkan, duke krijuar vatra potenciale shpërthimi të njëkohshme me Ukrainën. Dhe krediti i takon Dritanit, i cili sot është shndërruar në bashkëbiseduesin kryesor të SHBA-ve dhe Perëndimit në Mal të Zi. Këshilla amerikane: jo vakum ekzekutivi në Mal të Zi, por funksionim të shpejtë të qeverisë së re.

Shqiptarët e krejt hapësirës sonë kombëtare kanë motiv të jenë krenarë me Dritanin, si duket nga trafiku i selfieve të të rinjve, por edhe i vizitorëve sllavë e shqiptarë në Ulqin. Ama, jo të presin prej tij produktet imagjinare të njëlloj ekstremizmi banal dhe vetëshkatërrues gjoja shqiptar. Ai është duke u shndërruar në një simbol afirmues edhe për brezin e ri të malazezëve, si duket në rrjet, në komentet serbisht, krah atyre shqip në postimet e tij në “Facebook” dhe “Instagram”.

Pse? Ai ngjan si dikush që mishëron qytetarin luajal të vendit të vet, që pavarësisht etnisë i shërben pajtimit të të gjithë ndjeshmërive politike dhe etnike të Malit të Zi. Pra, ai po afron një model të ri të shqiptarit, model referimi për joshqiptarët, duke avancuar kauza të dobishme për të gjithë- shqiptarë e sllavë. Këto kauza e modernizojnë shoqërinë, e rrisin kompaktësinë e saj, duke shëruar ndarjet, konfliktet ndërfetare, ndërkulturore, ndëretnike. Imagjinoni, një mysliman me mbiemrin Abazi, i cili firmos si Kryeministër marrëveshjen me Kishën ortodokse serbe, fakt i cili ka mbajtur të ndarë dhe ka ushqyer konfliktet e fundit në Mal të Zi.

Ai s’është modeli tipik i heroit tonë politik kombëtar, por arritjet e tij janë me karakter unik. Shqiptarët kanë bërë rrëmuja në Ballkan, por nuk janë parë të pajtojnë. Abazoviç ka imponuar me dy zhvendosjet e tij politike qarkullim cilësor të elitave. Ka nxjerrë jashtë loje të ashtuquajturit dinozaurë, duke imponuar shumë ministra teknokratë në qeverisjen e Krivokapiçit. Mali i Zi ka fituar kështu cilësi të re në elitën e vet. Të njëjtën formulë, të korrektuar pak me prani të pakicave ka imponuar dhe në qeverisjen e re që pritet të drejtojë. Ky kingmaker shqiptar nuk është ndalur vetëm këtu.

Ka goditur trafikun e cigareve, industria kryesore e një vendi si Mali i Zi, që mbështetet në kontrabandë. Ka rikthyer prona të mëdha në favor të banorëve shqiptarë të Ulqinit, dikur pronë e një baze ushtarake të luftës së ftohtë; ka rishikuar koncesione të dhëna më herët në favor të njerëzve të afërt me qeverinë, në kriporen e Ulqinit; ka vendosur falë bashkëpunimit me Ramën, në rrugën e përfundimit ndërtimin e urës së Bunës që lidh Shqipërinë me Malin e Zi. Këto operacione e fuqizojnë përbërësen shqiptare në Mal të Zi, e nxjerrin nga inferioriteti, por jo me rrugë tradicionale. Ka arritur të shndërrojë si problem në Vatikan, tek Ati i Shenjtë, gjendjen e vështirë të katolikëve shqiptarë në Mal të Zi, që falen në Kisha me dy altarë, për katolikë e ortodoksë, me gjurmët më të lashta në bregun Adriatik.

Po e riorienton pa komplekse Malin e Zi, me lidhje të fuqishme me Serbinë etnikisht, ekonomikisht kah Ballkani i Hapur. Abazoviç ka imponuar qarkullimin e elitës së drejtuesve dhe brenda partisë së Presidentit legjendar, Millo Gjukanoviç. Nga nevoja për të mundësuar koalicionin e ri me kundërshtarin e tij të fortë, Dritanin, shefi i shtetit të vogël që i reziston Serbisë, Gjukanoviç, po nxit brenda partisë së tij afirmimin e politikanëve të rinj teknokratë në ekzekutiv, por dhe në krye të partisë. Sipas një formule të komplikuar elektorale ku zgjedhjet lokale zhvillohen ndarazi, Ulqini pritet të zgjedhë kryekomunarin, që janë test popullariteti i shefit të një partie qytetare në komunitetin shqiptar.

Ky komunitet dikur e shihte me dyshim birin e vet, që vjen nga një familje autoktone e qytetit, por sot pritet rritje shumëfishe. Efekti ortek i krijuar prej konfirmimit të tij si kryeministër, pritet të ndikojë fuqishëm në këto zgjedhje. Duke nisur nga koalicioni më i madh në historinë e Ulqinit, ku Ura e tij luan rolin e lokomotivës, me vagona parti shqiptare dhe malazeze. Është koalicion që bashkon pothuajse krejt partitë shqiptare- zhvillimi tjetër ngjizur prej një politikani që për doktoraturë ka zgjedhur një temë shumë teorike mbi etikën e globalizmit. Modeli dominant i politikanit shqiptar ka patur shumë burime dhe pushtet dhe ka prodhuar pak suksese dhe shumë probleme. Dritani ka shumë pak burime, shumë pak vota dhe pushtet, por orteku u vu në lëvizje…

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK