Zërat
The German Marshall Fund of the United States
The
German
Marshall
Fund
of
the
United
States

Serbia duhet të sanksionohet nëse nuk i zvogëlon lidhjet ushtarake me Rusinë

Zërat March 04, 2022 - 18:17

Çdo ndarje midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve dhe partnerëve të saj evropianë për çështje si shpenzimet e mbrojtjes, Nord Stream II, ose mbështetja për NATO-n është zhdukur shpejt pas pushtimit rus të Ukrainës.

Ata janë të vendosur të mbështesin vendin dhe të kundërshtojnë përpjekjet e Vladimir Putinit për të rikrijuar Bashkimin Sovjetik dhe kërcënimet e tij ndaj sigurisë evropiane. Ata po aplikojnë sanksionet më të ashpra kundër Moskës, Putinit dhe oligarkisë së Kremlinit, si dhe po furnizojnë me armë dhe ndihmë Ukrainën.

Duke pasur parasysh rreziqet, përpjekjet transatlantike për t’i bërë ballë Rusisë do të shkojnë përtej vetëm goditjes së Putinit dhe Kremlinit, duke u fokusuar gjithashtu në ndihmësit e tyre në mbarë botën. Në Shtetet e Bashkuara, në veçanti, Kongresi në vitin 2017 miratoi Aktin Kundër Kundërshtarëve të Amerikës Përmes Sanksioneve (CAATSA), një ligj gjithëpërfshirës që zgjeroi mjetet për trajtimin e vendeve që kanë marrëdhënie të gjera dhe të dëmshme sigurie me Moskën. Ai mandaton presidentin të vendosë sanksione ndaj çdo personi ose subjekti që përfshihet në një transaksion të rëndësishëm me ushtrinë ruse ose shërbimet e inteligjencës. Presidenti mund të heqë dorë nga sanksionet, por duhet të veprojë nëse një vend vazhdon të bëjë marrëveshje të rëndësishme armësh me Rusinë. Kështu, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksionet CAATSA ndaj Turqisë në dhjetor 2020 për importin e sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400.

Shumica e anëtarëve të NATO-s dhe vendeve partnere në Evropën Qendrore dhe Lindore kanë ndalur importet e tyre të armëve ruse ose janë tërhequr para luftës në Ukrainë, jo vetëm në përputhje me CAATSA-n, por edhe për të rritur rreshtimin dhe ndërveprimin e tyre me Perëndimin. Njëra, megjithatë, ka lëvizur në drejtim të kundërt: Serbia.

Marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë dhe Kinën

Serbia ka disa vite që po largohet nga Perëndimi dhe po i zgjeron lidhjet e saj politike, ekonomike dhe të sigurisë me Rusinë (si dhe me Kinën). Është koha që Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja të hedhin një vështrim të kujdesshëm ndaj qasjes së tyre akomoduese ndaj Beogradit dhe t’i tregojnë se ka pasoja serioze për vazhdimin në këtë rrugë, duke përfshirë sanksionet e mundshme.

Që nga miratimi i CAATSA-s, Serbia ka rritur ndjeshëm importet e saj të armëve të rënda nga Rusia. Ajo ka marrë 6 aeroplanë luftëtarë MiG-29 nga Rusia, si dhe 30 tanke T-72, 30 automjete të tjera të blinduara dhe sistemin e mbrojtjes ajrore “Pantsir S1”. Në janar, një ngarkesë me raketa antitank “Kornet” mbërriti nga Rusia. (Serbia ka blerë gjithashtu 4 MiG-29 nga Bjellorusia, e cila po merr pjesë në luftën e Putinit kundër Ukrainës.) Blerjet e saj të armëve janë bërë aq të mëdha dhe të rëndësishme për Moskën, sa që ajo hapi një zyrë mbrojtjeje në Beograd.

Lidhjet mes dy vendeve shkojnë përtej dërgesave të armëve. Sipas ministrit rus të Mbrojtjes, Sergey Shoygu, “Bashkëpunimi midis Rusisë dhe Serbisë është bërë dinamik dhe i shumanshëm vitet e fundit”. Vitin e kaluar, ushtria serbe kreu dy stërvitje të rëndësishme ushtarake me forcat e armatosura të Rusisë, stërvitjen “Joint Response 2021” në maj dhe “Slavic Shield 2021” në tetor.

Gjashtë shtete të NATO-s, duke përfshirë katër që janë gjithashtu anëtarë të BE-së, kufizohen me Serbinë dhe janë gjithnjë e më të kujdesshëm rreth asaj se si po forcohet ushtarakisht. Si përgjigje, për shembull, Kroacia ka shpenzuar 1 miliard euro për një blerje të madhe luftarake. Gjatë një mosmarrëveshjeje me Kosovën vjeshtën e kaluar për targat, Beogradi dërgoi tanke dhe aeroplanë luftarakë në kufi dhe prania e forcës së NATO-s në Kosovë ndihmoi që tensionet të mos vlonin.

Ndërsa politika e saj ndaj Serbisë nuk ka ndryshuar, Shtetet e Bashkuara e kanë vënë re. Një raport i vitit 2019 nga Departamenti i Mbrojtjes (DoD) shpjegoi se sa serioze është bërë situata. Sipas DoD-së, “Serbia ofron mjedisin më të favorshëm për ndikimin rus në Ballkan”.

Serbia ka intensifikuar lidhjet e saj të sigurisë dhe politike jo vetëm me Rusinë, por edhe me Kinën, në arenën ekonomike, politike dhe ushtarake. Sot, Kina e konsideron vendin si një pikë hyrëse kryesore në Evropë për Iniciativën e saj “Brez dhe Rrugë”. Duke folur vitin e kaluar për marrëdhëniet e Serbisë me Kinën, presidenti Aleksandar Vuçiq tha: “Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë mes vendeve tona dhe duam ta çojmë atë në një nivel më të lartë nëse është e mundur... Miqësia jonë është e sinqertë dhe e madhe dhe nuk është për t’u habitur që e quajmë atë ‘çelik’”. Duke evidentuar komponentin ushtarak të marrëdhënies, Beogradi ka blerë një sistem të mbrojtjes ajrore dhe drone ushtarake të armatosur nga Pekini.

Marrëdhëniet e Serbisë me SHBA-në dhe BE-në

Fotografia nuk është e gjitha e keqe. Megjithëse Serbia nuk dëshiron të anëtarësohet në NATO (siç kanë bërë shumica e fqinjëve të saj), ajo mbetet anëtare e Partneritetit për Paqe të Aleancës. Serbët janë trajnuar me Gardën Kombëtare të Ohajos, si pjesë e Programit të Partneritetit Shtetëror të Gardës Kombëtare, dhe vendi ka mbajtur më shumë se dyfishin e numrit të angazhimeve me Shtetet e Bashkuara se çdo vend tjetër. Serbia gjithashtu po ndjek anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe së fundi ka hapur disa kapituj të rinj në procesin e anëtarësimit.

Megjithatë, ato kontakte produktive tani janë në rrezik. Për të ruajtur neutralitetin e saj dhe për të shmangur marrjen e anëve midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj evropianë dhe Rusisë, Vuçiqi ka njoftuar se Serbia do të ndalojë të gjitha stërvitjet ushtarake me trupat e huaja. Serbia nuk i ka përafruar politikat e saj të sigurisë së jashtme dhe kombëtare me ato të BE-së. Sipas Komisionit Evropian, “rreshtimi” i Serbisë me deklaratat e Përfaqësuesit të Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë dhe me Vendimet e Këshillit ishte 61 për qind në vitin 2021. Në anën tjetër, Shqipëria dhe Mali i Zi ishin plotësisht në linjë, ndërsa rreshtimi i Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjës e Hercegovinës ishte përkatësisht 96 për qind dhe 70 për qind.

Në Ukrainë, Serbia është larguar edhe më dramatikisht nga konsensusi evropian, i cili po përqafon gjithnjë e më shumë një linjë më të ashpër kundër Kremlinit. Ndryshe nga çdo vend anëtar i BE-së dhe vend kandidat, Serbia kundërshton sanksionet ndaj Rusisë për pushtimin. Në dhjetor, Serbia votoi kundër një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila i kërkonte Rusisë që menjëherë “të tërheqë forcat e saj ushtarake nga Krimeja dhe t’i japë fund pushtimit të përkohshëm të territorit të Ukrainës”. Rezoluta u mbështet nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet anëtare të BE-së. Mosrreshtimi i Serbisë me BE-në nuk është vetëm në raport me fuqitë e mëdha. Vjeshtën e kaluar, ajo priti një konferencë të Lëvizjes së vendeve të Painkuadruara, në të cilën ajo është pjesëmarrëse aktive.

Ekzistojnë gjithashtu pyetje rreth asaj se sa është e përkushtuar qeveria e Serbisë për t’iu bashkuar BE-së, që është dëshira e shumicës së serbëve. “Ne ishim shumë entuziastë për procesin e pranimit – sot nuk jemi...Nuk na intereson më”, tha Vuçiqi në shtator 2021. Për ta kthyer veten në rrugën drejt demokracisë dhe pranimit në BE, vendi duhet të zbatojë menjëherë angazhimet që bëri në Samitin për Demokraci në dhjetor. Në vitin 2017, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Hoyt Yee paralajmëroi se Serbia duhej të bënte një zgjedhje midis Rusisë dhe Perëndimit dhe se nuk mund të “ulej në dy karrige në të njëjtën kohë, veçanërisht nëse ato janë kaq larg njëra-tjetrës”. Që atëherë, Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë qëndruar kryesisht në gjendje gatishmërie dhe kanë parë sesi Serbia po shkonte edhe më tej drejt Rusisë. Ata duhet t’i thonë qartë Beogradit se veprimet e tij dhe marrëdhëniet ushtarake me Moskën minojnë sigurinë rajonale dhe se mund të përballet me pasoja të rënda për këtë.

Megjithatë, tani që Putini ka nisur një luftë kundër Ukrainës dhe kërcënon paqen në të gjithë Evropën, Serbia ende po përpiqet të kapërcejë hendekun në rritje midis Rusisë dhe komunitetit transatlantik. Është koha që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët e saj evropianë të kërkojnë që liderët e Serbisë të zvogëlojnë lidhjet e tyre ushtarake me Rusinë (dhe Kinën) ose të përballen me sanksione. /Zëri

Autor: GMF – The German Marshall Fund of the United States

Përtheu dhe përshtati: Zeri.info

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK