Zërat
Mehmet Prishtina
Mehmet
Prishtina

Agresionin rus në Ukrainë e prodhuan flirtet tinëzare të perëndimit me Putinin

Zërat February 26, 2022 - 14:58

Fuqia e Putinit burimin e ka pikërisht në qasjet joadekuate të Perendimit ndaj tij dhe ndaj problemeve që mund t’i shkaktonte ai. Nisur nga ky fakt mund ta kuptojmë edhe pakënaqësinë e presidentit ukrainas Zelensky për “vonesat e Perendimit” dhe për jounitetin e Evropës dhe Amerikës në arritjen e një qëndrimi koncenzual ndaj agresionit rus në Ukrainë. Për rrjedhojë mund të konstatohet se agresionin rus në Ukrainë e prodhuan flirtet tinëzare të Perëndimit me Putinin

Deri sa po e shkruajmë këtë koment (e shtunë, para dite) sulmet ruse në Ukrainë kanë hyrë në ditën e tretë. Trupat dhe tanket ruse vazhdojnë të depërtojnë deri në qendër të Kievit dhe betejat po zhvillohen gjithashtu në qytete anembanë Ukrainës.Siç raportojnë mediat botërore, shpërthimet, të shoqëruara nga sirenat e sulmit ajror, jehuan gjatë gjithë natës në Kiev.Shumica e banorëve të kryeqytetit ukrainas e kaluan natën në stacionet nëntokësore hekurudhore dhe nëpër bodrume.Zyra presidenciale raportoi se më shumë se 3,500 ushtarë rusë u vranë dhe pothuajse 200 u kapën. Ndërkohë, Presidenti ukrainas Zelensky u ka bërë thirrje qytetarëve që të mbrojnë kryeqytetin, ndërsa ushtria ukrainase ka konfirmuar se kanë arritur të mbrojnë bazën ushtarake pranë Kievit, e cila ishte cak i sulmeve ruse. Presioni ndërkombëtar po rritet ndaj Moskës për të tërhequr forcat e saj nga Ukraina.
 

Presidenti ukrainas Zelensky, një hero të cilit po i mungon mbështetja e duhur perendimore

Pushtimi rus i Ukrainës filloi me një “blitzkrieg” me pasoja të paparashikueshme.
Atmosfera luftarake që po mbretëron aktualisht na i kujton aksionet e ngjashme të Bashkimit Sovjektik gjatë Luftës së Ftohtëkur ndërhyri me tanke në Hungari në 1956, Çekosllovaki në 1968 dhe Afganistan në 1979.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u shfaq në një video para zyrës së tij në Kiev duke njoftuar mbi zhvillimet aktuale në terren luftën në një kohë kur forcat ruse po përparojnë drejt kryeqytetit.
“Ne nuk do t’i dorëzojmë armët, ne do të mbrojmë vendin tonë”, tha ai në një video të publikuar të shtunën në mëngjes, duke u kërkuar bashkëqytetarëve të tij të mos u besojnë “gënjeshtra” për dorëzimin e ushtrisë ukrainase.

Kjo deklratë e presidentit Zelensky erdhi pas thirrjes së Putinit drejtuar armatës ukrainase për dorëzimin e armëve dhe “marrjen e situatës nën kontrollë”.

Kjo aventurë ushtarake e Putinit i ka detyruar shumë ekspert perendimor të meren me profilin psikologjik të tij, ndonëse ai, siç po shihet, është një njeri misteriozqë bën veprime të paparashikueshme. Përderisa disa e shohin atë si një shahist të aftë në hartën politike globale, të tjerë e shohin si një aventurier që ndërmerr hapa me pasoja të frikshme.

Nëse iu referohemi këtyre analizave mund të vijmë në përfundimin se në kokën e Vladimir Putinitështë fiksuar rivendosja e lavdisë së Rusisë cariste. Prandaj ai jo rastësisht disa herë e ka kritikuar revolucionin bolshevik, e cili e kishte përmbysur Rusinë cariste, dhe tani ai është i fiksuar të bëhet car i ri i Rusisë.
Të njëtën akuzë Putini po e bën edhe për ata që kontribuuan në shpërbërjen e BRSS-së, sepse, sipas tij, ky proces i ka dëmtuar në palcë “interest vitale nacionale ruse”. Në përpjekje për të rikthyer lavdinë e dikurshme cariste dhe atë sovjektike, Putini këtyre ditëve ndërmorri këtë “operacion paqësor special” për të “shpëtuar” Ukrainën nga ndikimi perendimor, sidomos nga NATO dhe SHBA.
Zhvillimet dramatike në terren, flasin për një plan të menduar mirë të Putinit, të cilin si duket gjatë kohë e ka mbajtur në kokë. Por, askush nuk e ka menduar se ai kaq shpejt do të merr vendim për të okupuar tërë Ukrainën. Nga ajo çka raportojnë mediat ndërkombëtare mund të konkludohet se nëse do të ketë një rrethim të plotë të Kievit dhe invadim frontal të ushtarëve rusë në vetë kryqytetin, që do të nënkuptonte luftime në rrugë, atëherë Kievi do të mbetet plotësisht i shkëputur nga bota dhe ky, fundja, është edhe qëllimi i Putinit. Kjo do ta largonte Ukrainën nga synimi për t’u integruar në NATO dhe do ta paralizonte funksionimin normal të këtij shteti.

Sa do ta zbrapsin sanksionet Putinin?

Duke iu referuar këtyre zhvillimeve, të cilat nga çasti në cast po bëhen më të frikshme, shumë analistë botërorë mendojnë se e gjithë kjo histori nuk do të përfundojë në Ukrainë. Nëse dikush nuk e ndal Putinin, është vetëm çështje kohe se kur do të përhapen tendenca të tilla agresioni dhe separatizmi edhe në disa vende të tjera, paralajmërojnë analistët. Sipas tyre situata mund të do të përshkallëzohet aq shumë sa që pas Ukrainës mund të presim një sulm ndaj Moldavisë për shkak të Republikës së Moldavisë Transnistriane, e cila është një lloj vasali i Rusisë, dhe më pas ngjarje të ngjashme rreth kufijve në Ballkan.
I vetëdijshëm për fuqiinë ushtarake të vendt të tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është shprehur i gatshëm për negociata me Putinin, ndonëse ky i fundit e ka pranuar këtë kërkesë por me kusht që paraprakisht “armata ukrainase duhet t’i dorëzojë armët”.

Reagimi i Perëndimit ndaj pushtimit rus të Ukrainës tani për tani është kufizuar në fushën e sanksioneve financiare e ekonomike. Shumë banka e kompani ruse janë vënë në listen e aseteve të ngrira në SHBA dhe Europë, kurse personalitete të larta ruse, përfshi edhe Presidentin Putin dhe kryediploamtin Lavrov, gjithashtu janë përfshi në masat sanksionuese.

Nëse gjykojmë sipas përvojës historike, fuqitë e mëdha siçështë Rusia nuk mund të pengohen nga sanksionet, sado të forta të qofshin ato, për të arritur synimet e tyre invaduese, sepse në logjikën e tyre është “ndjekja e interesave thelbësore të sigurisë kombëtare”. Madje jo pak analistë shprehen se sanksionet mund të prodhojnë efekte me pasoja të rënda edhe për vet shtetet që i zbatojnë ato dhe sidomos për ato shtete me ekonomi të dobët dhe me qasje të pamjaftueshme në zinxhirin global të furnizimeve.

Sa për krahasim, të marrim Iranin, një fuqi shumë më pak e rëndësishme se Rusia dhe që ka treguar se sanksionet perëndimore mund ta dëmtojnë shumë, por japin pak efekte, përveçse kur përdoren si avantazh në negociata.

Formula e aneksimit rus a do të funksionojë në vendet tjera?

Pasojat e pushtimit rus të Ukrainës do të jenë inkurajuese për Kinën dhe lëvizjet e saj të ardhshme për të aneksuar Tajvanin. Referenca e Putinit për Ukrainën si një “shtet artificial” të kujton refuzimin e Kinës ndaj shtetësisë së Tajvanit.
Një formulë të tillë tash e disa vite po e përdor edhe Beogradi, duke pretenduar se “pavarësia e Kosovës e ka shkelur integritetin territorial të Serbisë”. Mbi këtë paradigmë po zhvillohen edhe politikat aktuale të presidentit serb Aleksandar Vuçiq ndaj shtetësisë së Kosovës, duke u munduar të nxisë procese destabilizuese në dëm të funksionalitetit të shtetit të Kosovës. Paraqitja e helikopterëve dhe avionëve serbë në afërsi të hapësirës ajrore të Kosovës para dy muajve kur u vendos masa e resiprocitetit për targat eautomjeteve, ishte një sinjal i qartë se Beogradi para se të mendoj diplomatikisht për ndonjë zgjidhje të qëndrueshme, mendon ushtarakisht për prodhimin e krizës së radhës, në mënyrë që projekti për “Kosovën pjesë të Serbisë” ta paraqes para botës si akt të kryer, siç po vepron aktualisht Putini në Ukrainë.

A do të përjashtohet Rusia nga sistemi SWIFT?

Kremlini po e shfrytëzon mosunitetin e Perendimit sa i përket qasjes ndaj krizës në Ukrainësi përparësi për të vazhduar me frymëne agresionit ndaj republikave ish-Sovjektike. Ky mosunitet po shfaqet sidomos ndaj disa masave drastike që do ta dëmtonin bukur shumë Rusinë. Por, siç njofton Rojteri, ditëve në vijim pritet përjashtimi i Rusisë nga sistemi SWIFT ((Society for Worldwide Interbank Financial Telecommunication), i cili u themlua në Belgjikë në vitin 1973 dhe lidh 11,000 banka dhe institucione në më shumë se 200 vende.Më e zëshmja në iniciativat për dëbimin e Rusisë nga SWIFT është Mbretëria e Bashkuar, ndërsa Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara nuk janë në favor të këtij opsioni.Përjashtimi i Rusisë nga sistemi SWIFTdo t'i jepte një goditje të rëndë sistemit bankar të Rusisë, duke u mohuar bankave aksesin në para.Qeveritë e shumë vendeve kanë frikë se kjo do të dëmtonte ekonominë dhe kompanitë e tyre, sepse do të shkaktonte ndërprerje të mëdha,bie fjala, në furnizimin me naftë dhe gaz rus.

Gjatë një konference për shtyp me kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidenti rus paralajmëroi Perëndimin për pasojat eventuale të zgjerimit të NATO-s në lindje. Putini beson se Perëndimi i ka shkelur premtimet e tij për të mos u shtrirë në lindje, as edhe një centimetër, duke iu referuar një deklarate të ish-sekretarit amerikan i shtetit James Baker në fillim të viteve 1990. Sipas Putinit SHBA ka përfituar më së tepërmi nga dobësitë e vendit të tij dhe kaosi që i ndodhi në fillim të shekullit të 21-të, duke stimuluar zgjerimin e NATO-n edhe në ish-republikat sovjetike dhe vendet e Evropës Lindore me të cilat Rusia ndan kufij të gjatë, sië është Polonia.

Kjo është kauzë personale Putinit, jo e popullit rus

Putini në emër të mbrojtjes së “interesave ruse” në Ukrainë po e zhvillon kauzën e tij personale të pushtimit, për arsye se jo të gjithë rusët pajtohen me ligjikën militariste të residentit të tyre. Pati edhe protesta në Moskë dhe në qytet tjera që kundërshtonin pushtimin e Ukrainës nga ana e ushtrisë ruse. Në ditët në vijim mbetet të shohim se sa këta zëra do të shtohen dhe sa do të ndikojnë që tehu i politikës agresive të Putinit të topitet.

Shpërthimi i konflikti në Ukrainë, ka nxitur shumë vëzhgues dhe analistë të flasin për ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor. Emërues i përbashkët i këtyre analizave është konstatimi se pa mbështetjen e Rusisë, do të ishte e pamundur të krijoheshin trazira dhe tendim për grusht-shtet në Mal të Zi dhe të mbahet Bosnja dhe Hercegovina në një gjendje paralize të përgjithshme për dekada me radhë. Madje në Podrgoricë u zhvilluan demonstrata proruse në mbështetje të agresionit rus në Ukrainë.

Pse Kosova duhet sa më parë të bëhet pjesë e NATO-s?

Eksponenti kryesor i politikës ruse në Ballkan është Serbia dhe të gjitha politikat rajonale "pro-ruse" mbështeten publikisht dhe fshehurazi nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.Që nga momenti kur kriza ukrainase u intensifikua në maksimum, e më pas u shndërrua në agresion të hapur të Rusisë ndaj fqinjit të saj, mediat shkruajnë se “fronti rus” i radhës mund të jetë Ballkani Perëndimor, dhe si problem kryesor potencial dhe aktor kyç në politikën destabilizuese mund të jetë lideri i serbëve të Bosnjes, Milorad Dodik.

Sipas disa parashikimeve ato vende që aktualisht nuk janë anëtarë të BE-së dhe NATO-s (Serbia, BeH, Kosova) mund të jenë cak i aksioneve destabilizuese proruse. Kur jemi te Kosova, do të duhej theksuar se ajo formalisht nuk është anëtare e NATO-s, por praktikisht për sigurinë e saj kujdeset KFOR-i. Megjithatë, kjo nuk mjafton, andaj Kosova duhet sa më shpejt të përfshihet në procesin e anëtarësimit në NATO. Ngjarjet në Ukrainë nuk lëjnë shumë hapësirë për hezitime edhe për faktin se çdo vonesë e Perendimit në marrjen evendimeve të duhura mund të prodhojë efekte të padëshërueshme, siç po ndodhë aktualualisht edhe në Ukrainë. Nëse tani për tani destabilizimi i Ukrainës nuk po konsiderohet si kanosje e madhe për sigurinë në Europë, e njejta nuk mund të thuhet edhe për Kosovën, nëse Serbia guxon ta destabilizojë atë.


Prandaj fuqia e Putinit burimin e ka pikërisht në qasjet joadekuate të Perendimit ndaj tij dhe ndaj problemeve që mund t’i shkaktonte ai. Nisur nga ky fakt mund ta kuptojmë edhe pakënaqësinë e presidentit ukrainas Zelensky për “vonesat e Perendimit” dhe për jounitetin e Evropës dhe Amerikës në arritjen e një qëndrimi koncenzual ndaj agresionit rus në Ukrainë. Për rrjedhojë mund të konstatohet se agresionin rus në Ukrainë e prodhuan flirtet tinëzare të Perëndimit me Putinin

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK