Zërat
Behxhet Shala-Bajgora
Behxhet
Shala-Bajgora

Krijim, shkrim dhe përpjekje për rishkrim të historisë së Kosovës

Zërat February 21, 2022 - 18:43

Kur të tjerët ta shkruajnë historinë: Shqiptarët, pavarësisht ku kanë jetuar dhe ku jetojnë kanë problem me historinë sepse asnjëherë nuk iu shkon për shtati prandaj lindin ngatërresat , sidomos gjatë interpretimit të saj. Historia e shqiptarëve është si lëkura e leopardit , në periudha të caktuara kohore është e ndriçuar apo pjesërisht e ndriçuar kurse në periudha tjera është krejtësisht e pandriçuar , errësirë informative dhe kjo errësirë zgjatë me shekuj të tërë. Historia jonë është kaq shekuj nën Perandorinë romake , nën Bizantin , nën Perandorinë Otomane , nën bullgarët , italianët , gjermanët , jugosllavët , kinezët dhe të tjerëve prandaj , më shumë apo kryesisht kemi qenë kontribues të historisë për ata që na kanë mbajtur në robëri se që kemi krijuar historinë tonë.Është një listë e gjatë e shqiptarëve që kanë krijuar emër dhe famë duke shërbyer të tjerëve se që kanë shërbyer për popullin dhe vendin e tyre. Po ndalemi te historia më e re në Shqipëri dhe në Kosovë. Para luftës së dytë botërore historia e shqiptarëve dhe e Shqipërisë përshtatej me ata që ishin në pushtet të cilët fillimisht ishin patriotë kurse pasi Shqipëria u shndërrua dhunshëm në mbretëri , pa asnjë traditë mbretërore , patriotët që e shpallën Pavarësinë e Shqipërisë u ndoqën dhe u përndoqën nga Ahmet Zogu si tradhëtarë , një pjesë e të cilëve u vranë dhe u arrestuan , qoftë nga regjimi i Zogut ashtu edhe nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Me ikjen nga Shqipëria pas sulmit të Italisë fashiste edhe Ahmet Zogu u shpall tradhëtar. Pas luftës së dytë botërore e tërë historia e Shqipërisë u shkrua sipas standardit të Enver Hoxhës dhe Partisë së Punës së Shqipërisë , deri kur u shemb sistemi komunist. Pastaj historia e Shqipërisë shkruhej sipas rrethanave të reja përkatësisht sipas standardeve të demokracisë së pakonsoliduar dhe Sali Berishës , Fatos Nanos dhe tash sipas Edvin Ramës. Në këtë mënyrë historia e Shqipërisë u bë si lakërori me disa petë ku secili që vinte në pushtet e mbulonte petën e historisë paraprake me petën e vet të historisë së glorifikuar dhe pa asnjë mbështetje shkencore . Kjo ka shkaktuar shumë probleme në Shqipëri e që po shkakton edhe sot shumë probleme aq më parë që ka prodhuar shumë pasoja edhe në Kosovë dhe vendet tjera ku jetojnë shqiptarët.

As Kosova nuk bënë përjashtim : Sa i përket historisë , Kosova ishte në pozitë më të vështirë , në njërën anë ishte ndikimi i madh i Shqipërisë komuniste kurse , në anën tjetër ndikimi jugosllav dhe i Titos. Patriotët e vërtetë dhe nacionalistët midis përzgjedhjes për Enver Hoxhën apo Josip Broz Titon , përcaktoheshin për Enver Hoxhën prandaj thuaja të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë në ish – Jugosllavi , pavarësisht bindjeve politike nga regjimi jugosllav dhe serb cilësoheshin dhe dënoheshin si enveristë . Komunistët shqiptarë të Kosovës ishin rreshtuar në krahë të Titos dhe udhëheqësve të Serbisë dhe punonin , edhe kundër Shqipërisë sikur edhe kundër popullit shqiptar të Kosovës deri në pjesëmarrje aktive në krime kundër shqiptarëve si në Drenicë , Masakra e Tivarit , në Llap , në Anamoravë , në Prizren ku nënshkruan që Kosova të mbetej në Jugosllavi dhe krime të tjera të panumërta. Këta ishin kriminelë të komunizmit sllav dhe serb dhe për krimet e asnjëherë nuk dhanë përgjegjësi ndërkaq që të mirat më të mëdha i gëzuan në kohën kur do të duhej t’i nënshtroheshin përgjegjësisë administrative dhe penale , në kohën pas përfundimit të luftës së të Lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës . Se cila ka qenë historia e Kosovës nga viti 1945 e deri në vitin 1990 , të gjithë që kanë jetuar në atë kohë e kanë të qartë ; histori që glorifikon komunizmin jugosllav dhe serb dhe që e heshtë apo nëpërkëmb historinë e vërtetë të shqiptarëve të Kosovës. Ishin “ heronjë “ ata që e dëmtuan fort Kosovën shqiptarët , qoftë si politikanë të shitur , anëtarë të OZNS-së , të UDB-së , hetues që përgjakën duart me gjakun e patriotëve të vërtetë , prokurorë dhe gjykatës , intelektualë dhe historianë të shitur dhe llaskucë dhe të tjerë. Po cila ishte dhe është historia e sotme e Kosovës thuaja 23 vjet pas përfundimit të luftës dhe 14 vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ? Nuk ka ndryshime cilësore dhe nuk përmbanë historinë e vërtetë për faktin se shumica e atyre që e shkruan historinë e Kosovës pra vitit 1998 , tash , në rrethana të reja dhe përshtatëse e shkruan një histori që të bënë të vjellësh . Lufta e UÇK-së është në margjina , kontribuesit kryesorë si Baca Adem Demaçi , Shaban Polluzha , Fazli Grajçeci , Xheladin Rekaliu , Rexhep Mala , Nuhi Berisha , Hoxhë Idriz Gjilani , Gjon Serreçi dhe Marie Shllaku , Fehmi dhe Xhevë Lladrovci , Agim Ramadani dhe Salih Çekaj , Shaban , Adem dhe Hamëz Jashari dhe shumë të tjerë përmenden vetëm për qëllime politike , qoftë gjatë paraqitjeve publike për vota , ashtu edhe në librat e historisë . Realisht , definicioni i Kosovës si shtet multietnik , me , së paku 93% shqiptarë , llaskucëria ndaj ndërkombëtarëve dhe lufta kundër bartësve kryesorë të luftës së Lavdishme të UÇK-së e ka krijuar një perceptim se të jeshë patriot është diçka e keqe , të lidhin me hajni dhe krim të organizuar pikërisht nga ata që nuk kanë bërë asgjë për këtë vend dhe këtë popull , për më keq tërë kohën kanë qenë , edhe kundër luftës si dhe kundër popullit gjuhën e të cilit e flasin . Prandaj edhe nuk mund ta keni një histori tjetër , një histori kombëtare që pasqyron realisht ngjarjet , rezistencën , luftën dhe vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës , që nga viti 1945 e deri më sot. Historinë më të re dhe më të lavdishme të shqiptarëve dhe të Kosovës e shkruan këta që e bënë luftën e fundit në Kosovë , në rrethana dhe kushte jashtëzakonisht të pabarabarta kundër një shteti të fuqishëm , me një armatë të fuqishme dhe me armatim modern dhe të sofistikuar. E bënë kryesisht ish të burgosurit politikë apo edhe ata që u përndoqën nga regjimi jugosllav , serb dhe shqipfolësit e vendit . Shtetet që më vonë e përkrahën luftën ekzistonin me qindra vjet dhe , në shumë raste më shumë e dëmtuan popullin shqiptar se që e ndihmuan. Edhe NATO nuk ishte themeluar në vitin 1998 për të intervenuar në vitin 1999 . Po të mos ishte lufta e vazhdueshme dhe e vendosur çlirimtare e shqiptarëve dhe qytetarëve tjerë të Kosovës dhe të viseve tjera ku jetojnë shqiptarët , as nuk do të kishim përkrahje ndërkombëtare e as nuk do të kishte bombardim të NATO-së. Ata që e kundërshtuan dhe e luftuan luftën çlirimtare mendojnë ndryshe . Po këta , edhe sot janë përndjekësit më të mëdhenj të patriotëve shqiptarë dhe mohuesit më të mëdhenj të luftës çlrimtare të UÇK-së. Po këta sajuan dhe sajojnë dosje për ata që u keqtrajtuan nga Tribunali i Hagës , gjykatat e UNMIK-ut dhe EULEX-it dhe këta që brutalisht po dhunohen nga Gjykata Raciste Speciale në Hagë. Pasi u liruam nga llogoret e ish – Jugosllavisë shumica e vazhduan aktivitetin politik dhe patriotik . Nuk kishim përkrahje ndërkombëtare . Madje , në takimin që në vitin 1990 e patën në Beograd Baca Adem Demaçi , Ibrahim Rugova dhe Veton Surroi me sekretarin e Shtetit , Xhejms Bejker iu bë e ditur se SHBA –të e përkrahin integritetin territorial të Jugosllavisë dhe se shqiptarët e Kosovës duhet të kërkojnë zgjidhje dhe të drejta brenda këtij integriteti territorial duke e përjashtuar çdo ndarje nga ish – Jugosllavia. Veton Surroi është gjallë , ekziston edhe incizimi i atij takimi se çka folën Baca Adem Demaçi , Ibrahim Rugova dhe Veton Surroi. Zhvillimet pas Konferencës së Rambujesë janë kryesisht të favorshme për Kosovën , jo pse delegacioni i Kosovë e nënshkroi Marrëveshjen por pse Serbia dhe Millosheviqi , në saje të vlerësimeve të gabuara e refuzoi nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje . Merreni me mend po ta nënshkruante Serbia këtë Marrëveshje ?! Një Marrëveshje e tillë e nënshkruar do ta legjitimonte ndërkombëtarisht praninë e Serbisë në Kosovë dhe kjo më nuk do të zhbëhej. Shiheni , një Asociacion i komunave serbe në Kosovë çfarë problemi po na shkakton . E tash krahasojeni me Rambujenë ! Nga kjo situatë të gjithë bëhen të mençur , të gjithë bëhen trima dhe të gjithë janë patriotë , edhe ata që ishin pjesë e delegacionit të cilët me robë , me shtëpi e me qenë dhe me thi i kishin shërbyer Jugosllavisë dhe Serbisë. Dhe të gjithë morën të drejtën ta pushkatojnë publikisht Bacën Adem Demaçi që e kundërshtoi këtë Marrëveshje . Dhe , po të njëjtit sot e shkruajnë dhe e rishkruajnë historinë e Kosovës .

Shpallja e pavarësisë : Më së lehti dhe më përmbajtësore do të ishte shpallja e pavarësisë së Kosovës në muajin qershor 1999. Serbia ishte në nokdaun , gjendja në terren ishte fakti më bindës për përkrahësit e pavarësisë dhe po të bëhej në atë kohë , sot do ta kishim harruar problemin me Serbinë. Po ndërkombëtarët tirrnin lesh duke i dhënë kohë dhe duke ndihmuar Serbinë në konsolidimin politik , ekonomik , ushtarak dhe shtetëror . Në vitin 2008 përkatësisht me 17 shkurt 2008 u shpallë një pavarësi e mbikëqyrur e Kosovës , nën kujdestari të ndërkombëtarëve duke i lënë Serbisë hapësirë të ndërhyjë papengueshëm në punët e brendshme të kosovës përmes decentralizimit në baza etnike , zonave të mbrojtura , vendet e rezervuara dhe një ligji çoroditës diskriminues që quhej diskriminimi pozitiv . Të gjitha këto e minonin dhe e defunksionalizonin pavarësinë e Kosovës duke e rrezikuar integritetin territorial dhe duke mos e lejuar shtrirjen e sovranitetit brenda këtij integriteti territorial. E tash , kush do ta lexonte Deklaratën e Pavarësisë ? ! Në një vend normal ku vlerësohet sakrifica , integriteti i personalitetit dhe reputacionin vendor dhe ndërkombëtar , Baca Adem Demaçi do të duhej të ishte ai që do ta lexonte Deklaratën e Pavarësisë. Po këto nuk ishin kritere që vlerësoheshin andaj mbetën tre persona , kandidatë të mundshëm për ta lexuar Deklaratën e Pavarësisë ; Fatmir Sejdiu , president , Jakup Krasniqi , kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe Hashim Thaçi , kryeminster. Fatmir Sejdiu ishte përjashtuar menjëherë dhe ishte vendosur që këtë ta bëjë Hashim Thaçi sepse as Jakup Krasniqin nuk e lejuan . Këto janë fakte që nuk mund të mohohen nga askush pavarësisht rrethanave të reja. Çdo përpjekje për ta mohuar këtë fakt është përpjekje për rishkrim të historisë dhe falsifikim i të vërtetës. Është antinjerëzore , është antikombëtare dhe kundër çdo logjike të shëndoshë. Këto përpjekje nuk dallojnë aspak nga përpjekjet që po i bënë Gjykata Raciste Speciale për rishkrim të historisë së Kosovës dhe të shqiptarëve përme kriminalizimit të një lufte çlirimtare . Përralla janë pohimet se nuk po dënohet UÇK-ë por individët brenda saj për faktin se nuk ka mbetur udhëheqës politik apo ushtarak i UÇK-së që nuk është arrestuar , gjykuar apo dënuar nga Tribunali i Hagës , gjykatat e UNMIK-ut , EULEX-it , gjykatat e Serbisë dhe tash Gjykata Speciale Raciste . Sa më shumë mundosheni ta mëshehni këtë të vërtetë ajo bëhet më e madhe dhe më e lavdishme ! Albin Kurti , me më shumë se 50% të votave , në asnjë mënyrë nuk është dashur të anashkalojë kontributin e atyre që e krijuan dhe shkruan historinë dhe që e lexuan Deklaratën e Pavarësisë sepse nuk i bënë aspak nder , as si kryeminister , as si poltikan , as si njeri e as si shqiptar . As opozita nuk është dashur ta lëshojë seancën solemne të 17 shkurtit 2022 aq më parë që në mesin e opozitës ishin shumë personalitete që e krijuan dhe e shkruan historinë më të re të Kosovës . Kjo ishte e turpshme , ishte e papranueshme dhe e pafalshme , sikur mohimi i kontributit të atyre që po mbahen si pengje në Hagë , të tjerëve që kontribuan për këtë histori , qoftë edhe shumë gjysmake e që ishin edhe në radhët e opozitës dhe , në një numër më të vogël edhe të opozites. Dikush e feston mbrëmjen e matures edhe pas 50 vjetëve , të tjerët edhe përvjetorin e martesës pas gjithashtu 50 vjetëve por as të parët e as të dytët nuk mund ta rikthejnë ditën e matures dhe të martesës në dimensionin dhe emocionin e asaj dite , vetëm mund ta simulojnë këtë ditë. Edhe tani mund të simulohet Leximi i Deklaratës së një Pavarësie tjetër dhe në vend të Hashim Thaçit mund ta caktoni kend të doni i cili nuk e ka as emrin Hashim e as mbiemrin Thaçi. Por ky simulim nuk e ndryshon historinë dhe nuk e rikthen emocionin përveç se e mundëson një hakmarrje , qoftë edhe virtuale dhe të simuluar , si akt jashtëzakonisht i ulët njerëzor. Njeriu i pushtetshëm kur e ka pushtetin absolut duhet të tregohet modest dhe i papushtetshëm sikur që njeriu i mençur nuk e shpërdorë mençurinë për hakmarrje dhe ndëshkim të atyre që nuk kanë pushtet dhe nuk janë shumë të mençur . Kjo është ligësi dhe fundi asnjëherë nuk do të jetë i mirë. Mos u kënaqni me varfërinë e të tjerëve dhe mos u gëzoni në fatkeqësinë e të tjerëve . Sepse , edhe të parën si dhe të dytën do ta keni para dere . Albin Kurti duhet të merret me të tashmën dhe të ardhmën dhe në këtë kontekst duhet të kërkojë bashkëpunëtorë , si nga pozita që e ka 100 % nën kontrollë por edhe nga opozita që aktualisht më së paku i ngjanë opozitës por që Albin Kurti mund ta shndërrojë në opozitë të fuqishme nëse vzhdon ta shpërfillë aktualisht dhe historikisht. Proceset që e presin Kosovën nuk mund të mbulohen vetëm me kapelën e Albin Kurtit dhe përgjegjësia është e madhe dhe e padurueshme vetëm për një person. Pastaj , as Borrelli dhe Lajçaku përkundër simpatisë antologjike për një marrëveshje të favorshme për Serbinë e kanë të qartë se pa opoziten nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare . Albin Kurti , si kryeminister me më shumë se 50% të votave ka përgjegjësi që më shumë të punojë me opoziten se me poziten. Nuk ka rrugë tjetër ! Edhe një ditë nëse vonohet marrëveshja , për Kosovën do të jetë një ofertë më e keqe ndërkaq që marrëveshja nuk ka alternativë , nuk po na ofrojnë një alternativë tjetër !

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK