Zërat
Koloneli akademik, Kristaq Xharo
Koloneli
akademik,
Kristaq
Xharo

Kambana alarmi në Hagë…a po i dëgjon kush?

Zërat February 12, 2022 - 22:25

Deklarata e avokatit, të një prej komandantëve të UÇK-së, tashmë në Hagë, ishte tronditëse. E tillë do të ish në çdo kohë dhe shtete normale në të dy anët e kufirit. Thjesht dhe shumë qartë avokati u shpreh se …atje në Hagë …po shkruhet një histori e deformuar e luftës… dhe kjo po bëhet me ndërgjegje të plotë. Në Gjykatën Speciale nuk janë duke u gjykuar individët, por historia, narracioni i luftës dhe e ardhmja e Kosovës. Populli i Kosovës duhet të ketë pronësi në këtë proces, duke u përfshirë, meqë ky proces do të përcaktojë të ardhmen dhe fatin e Kosovës. Kjo thirrje i drejtohet direkt Qeverisë së Kosovës, Bashkimit Evropian, Shoqërisë Civile dhe qytetarëve të Kosovës.

Avokati i famshëm Pierre Prosper, në tridhjetë vitet e fundit gjendet si ambasador i SHBA-së për krime lufte, ka marrë pjesë në krijimin e shumë Tribunaleve, Gjykatave Hibride në Hagë dhe në botë, dhe njihet për një bagazh të jashtëzakonshëm njohurish në sistemin e drejtësisë ndërkombëtare. Ky personalitet po ju bie kambanave jo thjesht për Thaçin, Veselin, Krasniqin e komandantët e tjerë, por për gjithë shqiptarët. Ai po tregon edhe përse po ju bie kambanave.

Por, larg Hagës, media dhe politika kalojnë kohën e paradokseve dhe në të dy kryeqendrat e shqiptarëve duket se nuk arrin të dëgjohet ky alarm. Më shumë se me zgjidhjen e krizës Rusi – Ukrainë, ata ndjeshëm janë mjaft të zënë me shtëpi-lindjen e kriminelit nazist Xhafer Deva, restaurimin e saj e për ta kthyer, sipas Radios Evropa e Lirë, ‘….në një qendër për komunitetet lokale, që të bashkohen, të eksplorojnë ide, të promovojnë ndërkulturalizmin, tolerancën dhe bashkëpunimin…’ Tërësisht një marramendje shqiptarësh, atje në Kosovë, megjithëqë ata në Tiranë, që përpiqen ti veshin figurës lakuriqe të nazistit, kostumin modern një krimineli lufte. A thua, në biografinë e Xhafer Devës kanë ‘gjetur’ këtë ëndërr të tij të hershme, ndoshta të filluar që nga 4 shkurt 1944..?

Zhvendosja e vëmendjes së publikut, nga të dy anët e kufirit drejt një krimineli lufte, ndërkohë që atje në Hagë po rishkruhet historia e luftës (Kosovës dhe e Shqipërisë) është angazhimi më i padëshiruar. Ky largim nga Haga është shërbimi më i mirë kundër vlerave kombëtare, por dhe fitorja e madhe, ende e padeklaruar e Serbisë. Asaj i duhet njohur zotësia që në bodrumet e thella të gatiste dosje, te stiste dëshmitarë e të molepste prokurorët e çoroditur të Hagës, me skenarë të vjedhur nga Ruanda, Somalia, Kongo apo Kolumbia.

Përse ajo që po ndodh në Hagë është alarm? Mund të jepen 100 arsye, por tashmë është më buçitëse kur vjen nga personi, që njeh sistemin e drejtësisë ndërkombëtare dhe Hagën 1 000 herë më mirë se çdo kush në botë, përfshirë edhe analistët tanë gjithologë, që për çudi, për këtë rast nuk e kanë afruar as si lajm, në asnjë nga mediumet e televizioneve ‘kombëtare’.

Gjykimi në Tribunalin e Hagës për drejtuesit më të lartë të UCK, por edhe pjesëtarë të tjerë shqiptarë të luftës është i mbushur me paradokse, por edhe me parodi. Prokurorë e gjyqtarë, anëtarë të tribunalit, nga vende që kanë më shumë se 200 vite, pa luftë në trojet e tyre, e kanë aq të vështirë të kuptojnë realitetin shqiptar në Kosovë dhe kauzën e luftës kundër kolonializmit serb. Rastet analoge, që ata zgjedhin me ‘ndërmarrje kriminale’ me ‘asgjësim të komuniteteve të tjera’ me ‘heqje organesh’ me ‘tregti narkotikësh’ më tepër i i përngjasohen kontinentit afrikan apo edhe atij latin. Ndërkohë që sipas avokatit Prosper fshehin dokumente të rëndësishme që çfajësojnë totalisht komandantët. Parodia dhe paradoksi vazhdon…Ndiqni në media gjyqe të mëparshme. Përballë pyetjeve naive të gjyqtarëve dhe parodive të dhimbshme me dëshmitarë, ndodhen djem me bindje të qarta humane dhe patriotike, që rrëzojnë qetësisht akuzat dhe i bëjnë ato ‘nul’ për çdo normal.

Shenjat për absurdin e Hagës dhe zhvendosjen e akuzave të tyre nga e drejta juridike për nga ngjyrimet politike dëshmoheshin nga kryeneçësia pa sens e prokurorëve dhe e gjyqtarëve kur refuzohej dhënia e lirisë së përkohshme. Në dëliret e absurdit, ata nuk njihnin asnjë garanci që jepte Kosova për sigurinë, por edhe asnjë nga një vend të tretë, prej 106 shtetet, që kanë njohur Kosovën. Logjikë më kontradiktore vështirë se mund të kërkosh…

Në thelb të thirrjes së avokatit të famshëm Pierre Prosper, një nga njohësit më të shquar në sistemin e drejtësisë ndërkombëtare, është fakti se prokurorët dhe tribunali po dalin jashtë sistemit normal të drejtësisë, duke ‘fshehur’ dokumente dhe duke deformuar rëndë historinë e vërtetë të luftës UCK. Historia e luftës është vetë historia e Kosovës dhe e Shqipërisë. Deformimi i saj është njolla më e rëndë e vlerave kombëtare, thënë më saktë interesave kombëtare. Është ajo që Serbia ka mbi 20 vjet që po e kërkon. Deformimi i saj, tashmë nga Haga, është objektivi më i lartë i fqinjit kundër shqiptarëve.

Në garë për të justifikuar zhurmën dhe kohën për pseudo-akuzën e ngritur kundër drejtuesve të UCK, tribunali i Kosovës me qendër jashtë Kosovës po krijon një kontekst historik absurd ku të gjejnë strehë ngjarje, data dhe aktorë të stisur, më tepër të krijuar në fantazinë e tribunalit. Edhe vetë Beogradi, pjella e gjithë akuzës, do ta ketë zili këtij tribunali për mënyrën se si po vendos në skenë një teatër kaq të qepur keqas, por tragjik-komik. E ndërsa Beogradi po e moleps dhe e përdor tribunalin duke u vendosur në një front dhe me sukses, Kosova dhe Shqipëria qëndrojnë në heshtje, duke i lënë në vetminë e tyre komandantët dhe avokatët. Ushtria shqiptare e mbrojtjes ndodhet e paorganizuar e shpartalluar keqas dhe tashmë kambana e avokatit është një klithmë përpara….

Ndaj, thirrjen e Pierr Prosper, qartas është kambanë që ajo çka po ndodh në Hagë duhet të jetë edhe pronësi e popullit shqiptar, të marr pjesë në këtë proces, tashmë më shumë politik, që do të përcaktojë të ardhmen dhe fatin e Kosovës. Më thjesht asnjë udhëheqës apo medium shqiptarë nuk ka arritur ta ndjej dhe ligjëroj. Tani është koha, për veprim… Kjo çështje bëhet një nga prioritetet e shqiptarëve, shteteve dhe shoqërisë civile. Ajo çka po ndodh në Hagë, më pak se asnjëherë është individuale, ajo është politike dhe po aq kombëtare, në të dy anët e kufirit. Çdo rezervë e mëhershme ndaj drejtuesve të UÇK, nga partitë politike në Kosovë dhe Shqipëri, le të mbetet apo anashkalohet, sepse ato nuk kanë asnjë lidhje me akuzën e Hagës. Në të kundërt çdo përdorim i Hagës për përfitime të brendshme nuk ka asnjë dallim nga Beogradi dhe i rreshton në të njëjtin front…Zgjedhja nuk është opsion..

Në Hagë po gjykohet lufta, kauza, aktorët dhe jo individët apo veprime individuale. Parlamentet në të dy anët, shoqëritë civile (nëse ekzistojnë) komitetet e Helsinkit, por edhe komunitetet fetare nëse do i referohen akuzës kanë objekt për të ngritur kauzën e tyre. Simpatitë apo antipatitë ndaj drejtuesve të UÇK atje në Hagë mund të jenë më se normale, por fronti për të rrëzuar një akuzë antikombëtare kërkon kontribut nga të gjithë. Si individë, atje në Hagë, le të përgjigjen për gjithë kohën, edhe pse përgjegjës e sigurisë në periudhën që gjykohet ishin dhe ende vazhdojnë të mbeten NATO dhe EULEX.

Harroni ndarjen partiake se dëmi do të jetë mbarëkombëtar dhe i pariparueshëm. Ky do të jetë suksesi më i madh i Serbisë, por edhe një rikuperim i humbjeve të mëdha: të qershorit ’99, të shkurtit 2008 apo të Hagës në korrik 2010. Në rast fitoreje, ofensiva serbe kalon në një nivel tjetër. Këtë nuk e dallojnë vetëm ata që sytë, veshët dhe mendjen e kanë të dyllosur…

Faleminderit zoti Prosper, që ju bije kambanave për rrezikun e goditjes së vlerave dhe interesave të mëdha kombëtare duke na zgjuar nga letargjia për të na bërë pjesë të historisë.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK