Zërat
Enxhi Nasto
Enxhi
Nasto

Historia e një skeme mashtrimi në rekrutimin e njerëzve me ide

Zërat February 09, 2022 - 11:46

Cili është perceptimi që ekziston për punën e tij një agjenti rekrutimi? A do të rezultojë në fund një bashkëpunim i frytshëm për të dy palët, që ndërlidhen mbi bazën e një komunikimi transparent? Apo do të rezultojë veçse një instrument oportunist për qëllime të pastra fitimi personal? A e njeh etikën një agjent rekrutimi? A e di një agjent rekrutimi që ka përgjegjësi të dyfishtë, si ndaj personit që merr në punë (punëmarrësit), por edhe ndaj punëdhënësit?

Këto ishin pyetjet që më vërtiten në mëndje, menjëherë pasi dëgjova rrëfimin e personazhit kryesor të kësaj historie, të cilit i premtova në mirëbesim se detajet që çojnë në identifikimin e tij do të qëndronin anonime, në respekt të privatësisë, por edhe në respekt të faktit se jemi një shoqëri e vogël, ku secilit i ndodh pashmangshmërisht gjatë jetës të ndeshet me dikënd që njeh, në rrethana jo gjithnjë komode. I bëra këtë premtim sepse e ndjej që detajet e këtij rrëfimi vlejnë më shumë sesa identiteti i atij që e ka përjetuar përfshirjen në një spirale mashtrimi. Ai mund të isha unë, ti që po e lexon tani, të gjithë ne që bëjmë pjesë në partinë “e shpatullave tona”, që mbështetemi tek vetja dhe aftësitë që kemi, që nuk njohim miq, tarafe, favoritizma apo rryshfete për të ngjitur shkallët e karrierës. Me këto kohë që jetojmë, jam e bindur që kjo “parti” ka pak ithtarë që ende jetojnë në Shqipëri.

E pra kjo është historia e A. Po e pagëzoj me një inicial. A si gërma e parëe alfabetit. A. si zanafilla e çdo historie që në këtë rrëfim nisi me një telefonatë. Duke qënë se A kishte kohë që ishte vënë në kërkim të një pune të re, nuk u habit atë mëngjes kur mori një telefonate nga një rekrutuese mbi ofertën e rradhës për punësim. Ai kishte marrë shumë oferta të tilla kohët e fundit, por kishte vendosur t’i shqyrtonte secilën me qetësi dhe maturi, pikërisht ashtu sikurse e karakterizonte tipin e tij. Duhet të ishte i matur edhe se rrethanat e kërkonin. Në familje ai ishte i vetmi burim të ardhurash.

Agjentja e rekrutimit: Përshendetje A. Si je? Tëkam marrë për të propozuar të jesh drejtor i Zyrës se një organizate të rëndësishme, me disa vite ekperiencë në treg sepse shefja e madhe më tha se ka nevojë për një njeri autoritar dhe të fortë që t’ia mbledhi vartësve dhe ekspertëve të jashtëm, sepse ajo nuk mundet dot, është gjithë kohës në lëvizje dhe në takime. Ndaj duhet një profesionist, një senior, që të organizojë gjithë zyrën dhe të vendosi disiplinën në punë”.

A: “Në fakt, unë kam kohë mjaftueshëm aty ku ndodhem dhe dua ta mendoj mirë kur të marr një vendim për t’u shkëputur, sepse mbaj familjen me pagën që marr dhe dua stabilitet financiar!”.

Agjentja e rekrutimit: “Po kjo nuk diskutohet. Sigurisht që do të ketë një takim përfundimtar me shefen e madhe…Por do jem unë ajo që do vendos veton për ty. Ti do marrësh aq sa merr aty ku je aktualisht. Nuk do të kesh rënie nga standardi yt. Në këtë situatë, jam e bindur që edhe shefja do të jetë dakort, sepse e di se sa shumë nevojë ka ajo tani për një profesionist si ti. Madje do të shtoja për të qënëe sinqertë, që ka ajo më shumë nevojë për ty, sesa ti për atë. E di që ti ke nevojë të ndryshosh mjedis, por më beso…asnjë vënd pune nuk krahasohet me këtë që po tëpropozoj”. – shtoi vrull edhe këtë fjali të fundit rekrutuesja.

A: ndjeu tek ajo njëlloj nxitimi që në ndjesinë e parë nuk i pëlqeu. Ndaj vendosi të marr kohë për ta shqyrtuar si duhet këtë propozim. Kur përdori shprehjen “vendosa të marr kohë” gjatë rrëfimit të tij, mendova me vete disa javë, maksimumi një muaj, sepse e di që afatet e rekrutimit janë të ngjeshura. Por jo në rastin e A., i cili kishte vendosur ta studionte nga afër këtë mundësi, madje duke i dedikuar edhe kohë për të parë sesi funksionin gjërat. Për këtë i duheshin 2 muaj e pak ditë. Angazhimi i tij kishte qënë optimal. Çdo fundjavë i kishte dedikuar Zyrës në fjalë 4 deri në 6 orë, edhe pse ende marrëdhënia kontraktore nuk ishte mbyllur. Puna po i pëlqente nga aq sa kishte mundur të vëzhgonte. Kishte ngarkesë sepse stafi ishte tejet i vogël, por multitasking ishte pika e tij e fortë, sikurse më rrëfeu. Gjithçka kishte mbetur tashmë në duart e shefes së madhe, e cila nuk po dukej në zyrë prej disa ditësh. Me përjashtim të herës së parë që ishin takuar, në kuadër të intervistës së punës që duhej të zhvillonte, A. nuk ishte takuar më, me shefen e madhe. Madje nisi të bezdisej nga fundi, kur çdo takim që rezervohej me të nuk kalonte dita pa u shtyrë. Sa herë i bënte një telefon agjentja e rekrutimit, ndjente sikletin e saj dhe nuk e kuptonte arsyen derisa një ditë ajo i dërgoi A. këtë mesazh, të cilin në mirëbesim, ai më dha lejen ta publikoj të plotë sepse vetëm kështu mund të kuptohet dinamika e kësaj historie mashtrimi që nisi të thurej pikërisht në këtë moment kur agjentja e rekrutimit i shkruan:

Rekrutuesja: “Mbase edhe nuk mund tëbëhet kjo punë. Asgjë nuk i dihet në këtë botë…E kanë propozuar për zëvëndës ministre dhe ka rënë në mendime të thella. Po këto janë biseda shumë të brëndshme dhe konfidenciale. Ajo nuk e di që të kam thënë. Kjo është midis nesh. Kur të takohemi nëse ajo vendos ta thotë mirë nëse jo, mos më vendos në siklet. I kam thënë fjalë shumë të mira për ty. I kam thënë që merr një pagë të konsiderueshme dhe ke benefite të tjera, po t’i them që të jemi në një fjalë bashkë. Do jemi prapë në kontakt!”.

A: Të kuptoj shumë mirë, por do të doja që në takimin e rradhës të qartësoheshin gjërat, që të di unë nëse ia vlen të investoj kohën time për të arritur një bashkëpunim konkret ose jo. – ishte përgjigjia e A.

I bindur që situata e krijuar ishte përtej vullnetit të rekrutueses, ai vendosi të priste edhe 1 javë. A. më pohoi se nuk ishte naiv dhe sigurisht që gjatë kësaj jave në mëndjen e tij bluante dyshime, hipoteza të ndryshme, por përshtypja e krijuar për agjenten e rekrutimit ishte ajo e një personi profesionist, të mirë-artikuluar me disa përvoja të mira pune administrative nësektorin publik dhe privat…Kurrësesi nuk mund të mendonte se në të vërtetë agjentja e rekrutimit ishte “kryearkitektja e njërekrutimi mashtrues”. Pas 7 ditësh, një ditë të diele, shefja e madhe u shpreh e disponueshme për takimin me A. Pritja e gjatë mori fund në mënyrën më të pabesueshme të mundshme. Gjithë stuhia e dyshimeve që përplaseshin me njëra-tjetrën në mëndjen djalit u fashit përball fjalive pompoze të shefes së madhe:

Shefja e Madhe: “O zotëri, urdhëro çelësat e zyrës dhe jepi drejtim atyre. Ti je drejtori i zyrës tashmë, duam që zyra të marri një tjetër arome, një tjetër formë. Duam që gjërat të bëhen të sakta dhe në kohë. Të kemi varur shumë përgjegjësi, por unë kam shumë besim tek ty. Paga do të merret sipas datës së kontratës. Unë jam e shlyer moralisht me punonjësit e mi. I kam paguar çdo muaj dhe s’kam asnjë detyrim ndaj tyre. Unë nuk heq njeri nga puna”.

Kur shpresa përzihet me ngjyresa të tilla entuziasmi dhe pozitiviteti, është e pamundur të mos “infektohesh”. E kuptoj pse A nuk nguroi të nënshkruante menjëherë kontratën me vetëbesimin se kishte bërëzgjedhjen e duhur dhe se fati këtë herë e kishte vlerësuar me “çmimin” e kurajozit, të njeriut energjik dhe kërkues nga vetja dhe njerëzit përreth. “Ja pra kaq ishte. Tani më pret një punë e madhe përpara” – ishin mendimet që lëviznin në kokën e tij, ditën e parë të punës, kur ngjiti shkallët që e çonin në katin e tretë të një pallati të ri, të pozicionuar në një nga zonat më të mira urbane të Tiranës. Vërtiti tre herë çelësin në bravë dhe dera u hap. Një qetësi olimpike. Kur je në majën e pushtetit, mesa duket vjen i pari në zyrë, të tjerët të mbërrijnë më pas. Të tjerët …dmth 2 punonjësit e tjerë të zyrës, ata tëcilët A. sipas kërkesës që i ishte bërë nga shefja, duhet që shprehimisht “t’ua mblidhte”. Ora 9:00 …heshtje ….ora 10:00 …pritje, zilja e një mesazhi…një nga 2 vartesit e njoftoi drejtorin e ri se ishte ende në rrugë për të mbyllur disa pagesa. Nuk vonoi edhe njoftimi i vartësit tjetër. “Jam në mësim”. “Epo mirë” – i foli A. vetes – gjëra që ndodhin. Nuk duhet ta marr me nxitim. Në fund të fundit është vetëm dita ime e parë e punës”. Kur sakaq merr një tjetër mesazh që ia përmbysi mendimet. Këtë herë ishte agjentja e rekrutimit, “kumbarja” e këtij punësimi.

Rekrutuesja: “Si je A.? Doja të vija në dukje që dokumenti i përshkrimit të punës e tregon shumë qartë se çfarë duhet të bësh. Kemi qënë shumë transparent dhe të sinqertë me ty, për pikat e forta dhe të dobëta. Je drejtor i zyrës, jepi…forca tani. Një sfidë e re dhe e bukur të pret. Vëri në brazdë që nga dokumentacioni që daton prej shumë kohësh dhe që është i paorganizuar e deri tek financierja e rrëmujshme!”.

E lexoi dy herë mesazhin. Ngriti kokën dhe pa rreth e rrotull. Mesazhi i kërkonte të fuste në brazda punën në zyrë, por ndërkohë ai ishte ende i vetmuar, brënda 4 mureve të zbrazta, ndërsa në dorë mbante çelësin e zyrës. “E zyrës së dështimit” , plotëson më tej rrëfimin e tij. Mjegulla e dendur e krijuar qëllimisht nga agjentja e rekrutimit, që me pritjen e tejzgjatur, emërimin hipotetik të shefes së madhe si zëvëndësministre, ankesat për 2 personat e punësuar që nuk janë sistematik dhe përtojnë të punojnë, ishin e gjitha për të fshehur në të vërtetë një zyrë krejtësisht të dështuar, madje A., shkon më tej dhe e quan të falimentuar, por jo si ekuivalent i një biznesi financiar por si një krahasim me skemat e frikshme piramidale të ’97-ës.

Çdo mëngjes, ai shikonte gropa të mëdha financiare në llogaritë bankare të organizatës. Jo vetëm që mungonte fondi i garancisë që duhet të qëndronte stok për çdo rast sigurie, por njëherësh mungonin fondet edhe për të shlyer detyrimet bazike sikurse fatura e dritave, uji, e deri tek pastrimi që kryhej vetëm një herë në muaj, nga sanitarja.

Se dyshemeja e zyrës nisi t’i lëvizte poshtë këmbëve…I gjori djalë! Kishte thurur kaq shumë pritshmëri dhe ishte përgatitur që me vullnet të çonte përpara detyrat e tij në këtë punë të re por kishte mbërritur në të vërtetë në një gjiriz…Ndoshta se ishte gjiriz, shefja e madhe nuk e thërriste asnjëherë në zyrë për të bërë mbledhjen e mëngjesit, por në parukerinë poshtë pallatit, ku ajo krihej çdo ditë. Nën zhurmën e tharëses së flokëve, A. përpiqej të ishte sa më i përqëndruar dhe i vëmëndshëm për të mbajtur shënime për agjendën e ditës. Takimet, i shkruante me orare fikse njëri pas tjetrit, për t’i fshirë më pas me gomë, pasi shefja e madhe i anullonte në minutë të fundit. Një ç’organizim i organizuar që e kishte bërë të humbiste fillin e situatës. Kërkonte informacion që të orientohej. Pyeste financiaren për tëkuptuar sesi e justifikonte ditën e saj të punës kur vetë ai nuk kishte gjetur asnjë buxhet të mbyllur, por ajo i përgjigjej se duhej të kalonin fondet njëherë pastaj të mbyllej buxheti për 2 dosje që kishin mbetur pezull. Pyeste pasaardhësin e tij se përse nuk kishte mbyllur dy dosje që i kishte marrë në dorëzim 1 vit më parë, por ai i përgjigjej se kishte në fakt 2 muaj e gjysëm pa paguar. A. ishte në një tunel, që sa vinte e po bëhej më i errët. I kishin mbaruar shkrepeset, nuk kishte më çfarë të bënte dritë për t’u orientuar brënda tij. Duhej të dilte! Menjëherë! Dhe dalja nuk vonoi. Ajo erdhi mëngjesin e 17 Nëntorit të vitit të kaluar, kur në zyrë u shfaq paraardhësi i tij në detyrë. Ishte errur në fytyrë dhe nofullat i kërcëllinin lehtë në anë të faqeve. Mesa duket ballafaqimi ishte pika e vlimit për paraardhësin, i cili nuk ia përtoi të ngrinte zërin disa tone më lartë se sa shefja teksa thoshte këto fjalë, të cilat A., më lejoi që t’i transkriptoja nga regjistrimi audio:

Paraardhësi: Të kam toleruar gjithmonë për çdo fjalë që ke thënë. Nuk kam si t’i detyroj njerëzit për të firmosur që të kemi faturime shpenzimesh. Nuk kam asnjë detyrim ligjor dhe asnjë detyrim moral ndaj teje. Je ti ajo që nuk je treguar korrekte ndaj meje. Ke 2 rroga e gjysëm pa më dhënë dhe pres deri ditën e Hënë të m’i japësh. Ndryshe do flas me avokatin tim dhe do ta shohim si do shkojë kjo punënë gjykatë”.

Ai u largua menjëherë pas këtyre fjalëve, duke përplasur derën me forcë. Pasi doli rrëmbimthi nga zyra, përpara A. u shfaq, shefja e madhe me një buzëqeshje të sikletshme të stampuar mbi fytyrë. “Duan punë, ndërkohë që më pas nuk punojnë. Ke parë ti kështu?” – iu drejtua ajo me këto fjalë A. si për të pritur një konfirmim mbështetës prej tij. Por ai e kishte tashmë të qartë se kishte mbërritur në fund të tunelit. Falë Zotit, brënda një kohë të shkurtër, sepse kalbësira ishte kaq e madhe saqë kishte mjaftuar vetëm “një gërvishtje” e vogël për të nxjerr në pah situatën e vërtetë. Me regjistrimin në celular për çdo rast eventual mbrojtje ligjore, nëse do të ishte në pozita të ngjashme me pasaardhësin, i vuri vetes një afat. Shtatë ditë, aq sa shefja e madhe kishte marrë për ta “torturuar” me pritjen e gjatë derisa vendosi ta merrte në punë. Shtatë ditë deri në gjetjen e një pune tjetër dhe në largimin e menjëhershëm nga gjirizi ku qe futur. Kudo do ishte mirë, mjafton të mos ndihej si lypësar për të kërkuar pagën në fund të muajit, ndërkohë që njëbatare me fyerje dhe sulme do të adresoheshin tek ai, si pretekst për vonesën në pagesë. Ishte futur padashur tek Zyra e “Sudes”…dhe e kishte kuptuar shpejt, atë që të gjithë kujtojmë se i përket vetëm një epoke historike të vështirë të vëndit. Në të vërtetë skema të tilla mashtruese ekzistojnë ende sot, jo vetëm në institucione me karakter financiar, por edhe në çdo sektor të jetës, sikurse ishte rasti i A. me rekrutimin e burimeve njerëzore. Në njëvënd ku drejtësia funksionon, kjo histori do kishte pasur një tjetër epilog. Atë në rrugë gjyqësore sigurisht, ndoshta edhe për ndjekje penale…por në një vënd si Shqipëria, ku drejtësia i përket pushtetit të parasë dhe influencës politike, historia e A., mund të mbyllej vetëm duke u larguar nga gjirizi dhe duke ma rrëfyer mua këtë përvojë, si e vetmja mundësi për të ndihmuar këdo që si ai kërkon një mundësi më të mirë në karrierën profesionale. Bëni Kujdes!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK