KMDLNJ: Shtëpia e Xhafer Devës, muzika e Wagnerit dhe moda e Hugo Bossit
Pasi filloi restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës, të cilën Ministria e Kulturës e konsideron si një prej objekteve më të veçanta në Mitrovicë dhe vlerë e trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe popullit shqiptar, pati reagime të mediave të Serbisë se: “në Kosovë po ndërtohet shtëpia e Hitlerit”, duke e ndërlidhur Xhafer Devën me krime ndaj serbëve dhe hebrenjve në kohën kur në Serbi ishin vrarë ose internuar të gjithë hebrenjtë që jetonin atëherë në Serbi.
Ishte i njohur kampi famëkeq i Beogradit, ku ishin internuar hebrenjtë, të cilët ose vriteshin aty, ose transportoheshin me “trenat e vdekjes” në kampet e përqendrimit në Austri, Gjermani dhe Poloni.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, është shprehur i shqetësuar lidhur me fillimin e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, duke deklaruar se: “Kjo është kultura e kujtesës në mënyrë të gabuar…”. Veton Surroi gjithashtu e kundërshtoi restaurimin e shtëpisë përmes postimit që e diskrediton Xhafer Devën në një folografik të vitit 1941, ku Deva është së bashku me një oficer gjerman dhe Kosta Peçanac, një vojvodë çetnik.
Xhafer Deva sulmohet nga kundërshtarët e proveniencës komuniste ose sllavokumuniste si bashkëpunëtor i nazizmit ndërsa nga një pjesë jo e vogël e shqiptarëve ai konsiderohet si patriot që ka luftuar për çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve duke e udhëhequr Lidhjen e Tretë të Prizrenit.
Pas luftës, me ndihmën dhe përkrahjen pikërisht të lobit hebre dhe të aleatëve amerikanë, u vendosë në Palo Alto në Kaliforni, SHBA ku u sistemua si administrator në Universitetin me renome botërore të Stanfordit.
Është e padrejtë dhe e papranueshme të pengohet restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë sepse, në këtë mënyrë po mohohet një pjesë e trashëgimisë arkitektonike, kulturore dhe e historisë së shqiptarëve, si pjesë e pandashme e të drejtave të njeriut. Shtëpia e Xhafer Devës nuk duhet të lihet që të rrënohet për shkak të rolit të tij gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Krimet më të mëdha në Serbi kundër hebrenjve janë bërë (gjatë Luftës së Dytë Botërore) nga peshkopi Juraj Vetimiroviq, i cili në emër të Kishës ortodokse serbe i ka bekuar këto krime. Duhet të respektohet diversiteti politik duke pranuar të drejtën e refuzimit të një ideologjie që ka qenë e dëmshme për një popull; për dikë komunizmi në Jugosllavi ka qenë zgjidhje ideale sepse kanë përfituar me gjenerata. Ndërkaq shumica e shqiptarëve në Kosovë e kanë konsideruar si ideologji antikombëtare që ka vrarë, arrestuar dhe dënuar qindra mijëra patriotë shqiptarë, që nga koha para Luftës së Dytë Botërore e deri në vitin 1999 kur Kosova e përjetoi çlirimin.
Ndërkaq, KMDLNJ-ja ia përkujton ambasadorit Rohde se vetë Hitleri dhe Gjermania naziste ishte frymëzuar nga kompozitori i shquar Richard Wagner, sikur që edhe uniformën e ushtrisë naziste e kishte dizajnuar stilisti Hugo Boss, emër i shquar në botën e modës. A duhet tani ta ndalojmë muzikën e Wagnerit dhe ta ndalojmë gjithashtu veprimtarinë e Hugo Bossit për shkak të një të kaluare që e kanë pasur?!
Apo duhet të ndalojmë edhe librat e Gynter Grassit, gjithashtu për shkak të së kaluarës së tij? Le të përgjigjet ambasadori Rohde para se të kundërshtojë restaurimin e shtëpisë muzeale të stilit Barok të Xhafer Devës në Mitrovicë.
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK