Zërat
Blerina Kallaba
Blerina
Kallaba

Fuqia e fjalës në shoqërinë tonë

Zërat February 02, 2022 - 09:07

Pa dashur të zbërthej ngjarjet që në vendin tonë janë vetëm tri ditë aktuale e të furishme saqë, në njëfarë mënyre, të gjithëve na ngrenë në këmbë, megjithatë, më dhemb shpirti kur dëgjoj se sa shumë fyerje e inate kemi mes vete.

Një zonjë – deputete, mbase, pa e analizuar mirë situatën, për muzikën e përdorur nga profesori, që për qëllim kishte vallëzimin, ajo është shprehur, besoj, atypëratyshëm dhe ka shprehur indinjatën e vet ndaj profesorit, pasi, sipas saj, kjo qenka degjenerim i gjeneratave të ardhshme. Megjithatë besoj se qëllimi i saj ka qenë i mirë (të paktën do duhej të ishte ashtu).

Shikuar nga një aspekt duhet të gëzohemi që dikush po mendon për të ardhmen e fëmijëve tanë. Ndoshta kjo është një nismë e vogël, por duhet ndryshuar qasja dhe mënyra e trajtimit të së ardhmes së fëmijëve tanë…! Por, shikuar nga aspekti tjetër duhet të gëzohemi që kemi profesor që e ka gjithë atë energji pozitive dhe talentin apo pasionin e tij e ndan edhe me nxënësit, dhe kështu ai i argëton ata. Prandaj, gjithsesi duhet mbështetur edhe guximi i tij.

Për mendimin tim, për mua, janë shumë të rëndësishme, vallëzimi, muzika, pasi ne të gjithë i dimë të mirat që na i sjell muzika dhe ndikimi i saj në shëndetin tonë psikofizik, madje mund ta përdorim edhe si terapi në këto kohë të vështira që në të gjitha aspektet jemi të tej lodhur. Natyrisht duhet gjithmonë të kontribuojmë për muzikën me vlerë.

Brenda ditës e pashë se sa shpejt u çuan në këmbë të gjithë duke vallëzuar në mbrojtje të profesorit; me të drejtë, pasi të gjithë në mënyrën e vet deshën të dëshmonin që profesori s’bëri asgjë të gabuar. Përkundrazi, në këto ditë të vështira me pandeminë profesori, me vallëzimin e tij, i vuri në lëvizje të gjithë. Na disponoi të gjithëve.

Ç’është e vërteta, do ta shfrytëzoja këtë situatë për të diskutuar një temë tjetër, por që lidhet dhe fillon me këtë temë - Fuqia e fjalës

Sa të fortë mund të jemi nëse bëhemi bashkë. Sa shumë gjëra kishim mundur t’i ndryshonim sikur të ishim kështu të bashkuar edhe për probleme të tjera në Kosovë. Sa ndjenjë e mirë është kur sheh gjithë atë përkrahje për ta ndihmuar tejkalimin e kësaj situate me profesorin.

Profesorin e përgëzoj, pasiqë nga ish-nxënësit e tij kishte fjalë shumë të mira. Të gjithë mësimdhënësit duhet të kenë shumë dashni për nxënësit e tyre dhe të jenë model i mirë për ta, dhe të gjithë ne duhet të punojmë shumë në ngritjen e cilësisë në arsim.Përveç mësimdhënies, ata duhet t’u japin nxënësve shumë respekt dhe t’u ndihmojnë të krijojnë vlera të vërteta dhe gjithashtu mësimdhënësit duhet të punojnë shumë dhe të jenë shembull i mirë për nxënësit.

Ata nxënës janë e ardhmja e vendit, janë deputetë të ardhshëm, pushtetarë të ardhshëm, shkencëtarë të ardhshëm... Shtrohet pyetja: çka nëse probleme të shumta, të cilat nuk shfaqen asnjëherë dhe nuk njihemi me to, mund të shuajnë shumë ëndrra?!

Të gjithë e pamë sesa e madhe është fuqia e fjalës, kur një profesor me një përvojë të madhe dhe mjaft i pjekur u ndikua aq shumë saqë erdhi deri te përlotja e tij e besa edhe jona. Të gjithë e pamë sesi një fjalë ndikon shumë te njeriu.

Paramendoni fëmijët, të varfrit, pleqtë, grupet e margjinalizuara. Paramendoni sesa ëndrra zhduket pikërisht nga linçime të tilla. Pikërisht nga bullizmi. Mësimdhënësit bullizojnë nxënësit. Prindërit bullizojnë fëmijët. Shefat bullizojnë dhe keqpërdorin punëtorët. Të fortit bullizojnë të dobëtit. Mendojeni sa loti derdhet e ne s’e shohim; sa ëndrra shuhet!?

Deputetja dhe profesori, tamam si dy të rritur dhe të kulturuar, u pajtuan. Ajo i kërkoi falje publike dhe ai e pranoi faljen, edhe pse në kërkimfaljen e deputetes kishte prapë ofendim, duke thënë se qëllimi ishte të mbrojë nxënësit që do të thotë se prapë mendon se ajo çfarë bëri profesori ishte gabim dhe degjenerim. Nejse, ai ia fali.

Jam shumë e lumtur për përkrahjen që e mori profesori,. Vërtet e meritoi atë mbrojtje. Kështu ne shpëtojmë jetë. Ndihmojmë shoqërinë nga krizat që mund të shkaktojë bullizmi, sidomos ai publik.

Sikur ta ngrinim zërin kështu edhe për gjërat tjera në këtë vend, a thua do të kishim mundur të arrinim për të përmirësuar diçka? P.sh. për gratë që vazhdueshëm po vriten, dhe euforia po na kaplon të gjithëve dhe po ofshajmë e po vjellim vrer nëpër fb nja 3 ditë dhe prapë po vazhdon avazi i njëjtë. Gratë po vriten e vrasësit po shëtiten të lirë deri në gjetjen e një gruaje tjetër…., për t’u vrarë përsëri…. Po mallkojmë e po vrasim me fjalë e po e dënojmë vrasësin, por vetëm ne “publiku”, ndërsa gjykata po i liron!. Pas disa ditësh prapë dëgjojmë se është vrarë një grua… tashmë kanë filluar të bëhen vetëm numra...

Sikur ta përdornim gjuhën tonë, sidomos deputetët, por edhe të gjithë ne dhe të kërkojmë përgjigje dhe përgjegjësi: për lypësit në rrugë…, të cilët çdo ditë e më shumë po shtohen; për varfërinë; për të rinjtë që po e lëshojnë Kosovën; për personat me aftësi të kufizuara; për promovimin e kulturës sonë; për artin; për çerdhet ku fëmijët nuk trajtohen si e sa duhet; për ata që s’e kanë vendin aty ku janë; për ata që nuk janë aty ku e meritojnë vendin; për ata që japin shumë dhe marrin pak; për ata që marrin shumë e s’japin fare.

Hajde të bëhemi bashkë e t’i luftojmë këto dukuri që po e shkatërrojnë shoqërinë tonë! Hajde të fillojmë diku. Të fillojmë pikërisht te bullizmi, sepse me të vërtetë keq e ka kapluar shoqërinë tonë. Ta përdorim forcën e fjalën dhe unitetin tonë:

- Për mbështetjen e të rinjve, që me forcën dhe me talentin e tyre vazhdimisht mundohen të tregojnë suksese në botë, dhe na bëjnë krenarë;

- Hajde t’i nderojmë ata që lanë karrierën e tyre për të kontribuar në Kosovë dhe që aspak si vlerësojmë; ata që luftuan për të qenë ne sot këtu të lirë. Ata, që në heshtje vazhdueshëm kontribuojnë për shoqërinë dhe në promovimin e vendit dhe kulturës sonë, kështu duke punuar pa u ndalur për të treguar kush jemi ne.

Ta ngremë zërin për sistemin arsimor që ka nevojë rrënjësisht të rishikohet e riformulohet në të mirë të shoqërisë, sepse jemi katandisur keq me kurikulë pas kurikule….! për shëndetësinë, për nënat vetushqyese, për studentët që studiojnë mësuesinë edhe pse e urrejnë mësimdhënien dhe nxënësit; për studentët që studiojnë infermierinë veç sa për të shkuar për punë në Gjermani; për rrugët, për kaosin në kryeqytet, për ajrin e ndotur...!

Ta ngremë zërin: për mësimdhënësit që punojnë me shpirt dhe japin maksimumin për një shoqëri të shëndoshë; për mësimdhënësit që nuk duhet të jenë aty; për pyjet e dëmtuara; për turizmin dhe tërheqjen e turistëve për ta vizituar Kosovën; për krijimin e mundësive të reja për ta ndalur rininë këtu!

Dhe, kështu, shumë e shumë ndryshime të tjera pozitive që mund të bëhen, vetëm nëse bëhemi bashkë.

Sikur te mund të bëheshim bashkë e të promovojmë më shumë prodhimet vendore, edhe duke kërkuar që të rrisim cilësinë dhe thjesht ta duam shtetin tonë më shumë se gjithë të tjerët. Të tregojmë se vërtet jemi patriotë.

Sikur të bëheshim bashkë kështu për të kërkuar përgjigje për çdo të pagjetur nga lufta e të bëjmë presion deri sa të marrim përgjigjet dhe, njëherë e mirë, ata familjarë të pushojnë të qetë në jastëkun e tyre të lagur tashmë 20 vjet.

Këtë rast, nëse duam, mund ta marrim si mësim. Mësim për të gjithë ne që ngutemi të flasim pa u menduar. Natyrisht të gjithë gabojmë mirëpo duhet pasur kujdes e të mendojmë të paktën nja tri herë e pastaj të flasim, duke dërguar fjalën njëherë në zemrën tonë e pastaj te truri, dhe në fund ta nxjerrim nga gjuha jonë, gjithmonë nëse ka kaluar me sukses dy hapat e parë, pra, pa e lënduar zemrën dhe nëse truri e ka cilësuar si të nevojshme që të thuhet.

Fuqia e fjalës është shumë e madhe

- Ta përdorim atë për ta ndihmuar komunitetin rom, ashkali, që të integrohen në shoqërinë tonë?

- Ta përdorim forcën e përbashkët te presioni, te televizionet që të na servojnë gjera me vlerë; që të bëjnë pak censurë, dhe të mos promovojnë jovlera?

- Ta përdorim për pensionet e punëtorëve që kanë punuar e nuk po i marrin pikërisht pse kanë kundërshtuar të punonin për regjimin serb?

- Për gazetarinë që po zhvillohet tek ne; për pagat; për ata që punojnë e s’paguhen me muaj të tërë; për ata që s’paguhen as sa paga minimale prej nja 12 orë punë: Për ata që ndërtojnë ku t’u bie ndërmend e ku t’ua dojë qejfi!

Gjithsesi, ta përdorim fuqinë e fjalës për parandalimin e vetëvrasjeve. Me fuqinë e fjalës t’i ndihmojmë personat me aftësi të kufizuara, të cilët, megjithatë, kanë ndonjë aftësi për të punuar, e s’i merr askush në punë, madje as shteti, bazuar në kuotën: në 50 vende pune të punësohet një person me aftësi të kufizuar. Pastaj, për personat me aftësi të kufizuara që i marrin nga 100 euro e sapo t’i bëjnë 18 vjet atyre u ndalet ndihma (sikur tashmë të mos ishin me aftësi të kufizuara).

E po, ta fusim në funksion fuqinë e fjalës e të kërkojmë nga përgjegjësit e shkollave që ta mbajnë orën e edukatës fizike në sallat e tyre, e të mos u dështojë ora për shkakun se nuk ka kush ta pastrojë sallën?!

- Për shkollat që s’kanë asnjë instrument muzikor e s’kanë qysh të kënaqen me këngë e valle, në orën e muzikës;

- Për pushimin dimëror që duhet shfrytëzuar fëmijët, e pse jo të mësojnë për skijimin në kuadër të shkollës; po ashtu edhe notin;

- Për fëmijët që s’kanë transport për vajtje-ardhje në shkollë; për vaksinat; për mishin e Brazilit, për ilaçet...!

- Për sallën e koncerteve.

- Për numrin e madh të nxënësve në klasë....!

Eh, sa shumë ka për çka të flitet e me çka të merremi. Sa shumë kemi për të bërë e s’po ia nisim kurrsesi.

Dhe sërish po e përsëris - fuqia e fjalës është shumë e madhe.

Ta përdorim gjithherë për qëllime të mira: për të motivuar nxënësit, për të motivuar punëtorët e punëtoret, për ta motivuar njëri-tjetrin për bamirësi!

Ta përdorim për motivimin e mësimdhënësve që të mos dorëzohen për të dhënë më të mirën e mundshme në profesionin e tyre.

Ta përdorim për të ndikuar te të rinjtë që mos ta lëshojnë Kosovën.

Ta përdorim ketë fuqi, që kur bëhemi bashkë e rrëzojmë dhe prishim çdo mur që e dëmton të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.

Ne të gjithë e dimë se në vendin tonë ka shumë mangësi dhe në shumë aspekte duhet intervenuar sa më shpejt. Si popull i vogël që jemi, mund të jemi shumë të fortë vetëm nëse bëhemi bashkë kundër çdo të keqe qe e kaplon vendin tonë.

Pra, hajde të bëhemi bashkë e ta mposhtim çdo gjë që ndikon për keq në shoqërinë tonë. Hajde ta duam e ta respektojmë më shumë njëri-tjetrin!

Ne mundemi, prandaj të fillojmë që nga vetja, që nga sot! Ia kemi për borxh gjeneratave të ardhshme që ta vëmë tullën lidhëse të ndërtimit të kalasë.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK