Lojërat (e rrezikshme) pa kufi rreth marrëveshjes finale Kosovë - Serbi
Të gjithë flasin, parashikojnë, caktojnë periudha se kur arrihet marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi, sado që pos popullit të thjeshtë dhe idealistëve shqiptarë të sinqertë dhe naiv, të gjithë të tjerët (shqiptarë që dinë pak politike dhe ndërkombëtarët) e dinë se një marrëveshje e tillë nuk duket askund në horizont dhe nuk do të arrihet për dekada me radhë e mbase edhe asnjëherë, sepse Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën, ndaj udhëheqësit tanë duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe të koordinohen me faktorin ndërkombëtar, veçmas me SHBA, në mënyrë që Kosovës të mos i mbetet përgjegjësia për dështim.
Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për marrëveshjen përfundimtare me ndërmjetësimin e Brukselit dhe lehtësimin nga faktorë të tjerë ndërkombëtar, janë lojëra pa kufi, në të cilin proces secili e ka interesin dhe përfitimin e vet afatshkurtër dhe afatgjatë, por që mbarsin pasoja me rrezik të madh dhe ky rrezik behët edhe më i madh duke u zvarritur.
Për Kosovën dhe qytetarët e saj ana e mirë është se tash e 21 vjet janë të lirë dhe nuk ballafaqohen me policin dhe me shtetarin e dhunshëm të shtetit serb, siç ballafaqohej në vitet 90-ta, kurse ana e keqe e kësaj gjendjeje pezull është se Kosova nuk mund të zhvillohet në asnjë aspekt.
Shteti dhe shoqëria e Kosovës pavarësisht kush është në pushtet , riciklon të njëjtat deviacione siç janë gjyqësia jofunksionale, korrupsioni, nepotizmi, arsimi, shëndetësia dhe ekonomia jofunksionale, media dhe shoqëri civile të shpifur, depresion shoqëror, pamundësi për demokratizimin e shoqërisë dhe largim i të rinjve dhe i popullatës aktive për punë jashtë vendit.
Kosova s’është e gatshme për kompromise e lëshime të reja
Diplomati dhe profesori britanik Timothy Less në një intervistë që i dha këto ditë një mediumi kosovar e shpjegon në mënyrë të përmbledhur dhe qartë se një marrëveshje e tillë “nuk është askund afër dhe se pala kosovare nuk është e gatshme për kompromise të reja, që nënkupton lëshime të reja për Serbinë, të cilat lëshime në vazhdimësi i kërkohen edhe nga bashkësia ndërkombëtare vetëm Kosovës si palë më e dobët dhe rrjedhimisht edhe palë më kooperative, më e moderuar, që i bie pale më e dëgjueshme”. Në pyetjen e medias se “(kryeministri i Kosovës) Kurti së fundmi ka thënë se Kosova është e gatshme për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë dhe se ajo do të arrihet gjatë mandatit të tij.
Por, sa është në të vërtetë e gatshme Kosova për kompromise të dhimbshme, si asociacioni apo shkëmbimi i territoreve me Serbinë?”- diplomati amglez Timothy Less përgjigjet: “Nuk mendoj se është e gatshme fare. Kjo është përgjigjja e shkurt për këtë pyetje. Unë nuk shoh asnjë evidencë se populli në Kosovë është i gatshëm të pranojë koncesione ose kompromise të dhimbshme, siç është formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe ose të shkëmbejë pjesën veriore të Kosovës. Nuk besoj se ekziston ndonjë gatishmëri nga ana e Kosovës për ato propozime. Nuk mendoj se populli i Serbisë do të pranojë të humbë Kosovën, në këmbim të formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe dhe as në këmbim të pjesës veriore të Kosovës. Në fakt, mendoj që Serbia dëshiron së paku atë që do ta pranojnë serbët - shkëmbimin e territoreve të Kosovës dhe Republikës Serbe (të Bosnjës), gjë që nuk është në agjendën ndërkombëtare momentalisht. Kështu që, momentalisht nuk besoj se ka ndonjë shans të vogël për ndonjë marrëveshje Kosovë-Serbi”.
Në këto rrethana të tilla, kur bisedimet janë kthyer në qëllim në vetvete e jo në arritjen e një marrëveshje të vërtetë, secili lëshim dhe kompromis që bën Kosova jo vetëm se është i kotë, por njëkohësisht është edhe shumë i dëmshëm, pasi që për secilin lëshim merr obligim ndërkombëtar vetëm Kosova, kurse Serbia vetëm përfiton pa dhënë asgjë dhe veçmas pa e nënshkruar marrëveshjen ndërkombëtare që përfshinë njohjen e Kosovës.
Kosova mund ta bëjë asociacionin e komunave serbe, me apo pa kompetenca ekzekutive, duhet ta njohë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dhurimin e 24 hektarëve tokë të dy ndërmarrjeve publike Manastirit të Deçanit, mund ta njohë edhe një autonomi të plotë apo me kompetenca ekzekutive për pakicën serbe, mirëpo, përkundër kësaj Serbia si kundërveprim nuk do i japë asgjë Kosovës dhe madje jo vetëm se nuk do ta njohë pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës, por as nuk do ta heqë Kosovën nga Kushtetuta e saj si pjesë e Serbisë. Prandaj, konstatimet e shumë individëve në Kosovë dhe Shqipëri se pa i dhënë diçka Serbisë nuk mund të këtë marrëveshje janë qëllimkëqija dhe në funksion të interesave serbe dhe në dëm të shtetësisë së Kosovës, kurse kërkesat e një grupimi tjetër të njerëzve në Kosovë, të cilët kërkojnë që për hatër të miqve ndërkombëtar, duhet hyrë në bisedime, duhet bërë kompromise, sepse nëse Kosova i dëgjon këshillat e miqve tanë ndërkombëtar dhe e bën asociacionin dhe bën lëshime të tjera, atëherë nëse Serbia nuk e nënshkruam marrëveshjen përfundimtare dhe nuk e njeh Kosovën si shtet, do tu nënshtrohet presioneve ndërkombëtare dhe madje ky presion ndërkombëtar i miqve të mëdhenj të Kosovës do të drejtohet edhe mbi 5 shtetet e BE që nuk e kanë njohur Kosovën, ta njohin atë, dhe kështu me automatizëm ta fusin Kosovën në BE dhe në NATO, duke mos ia pasur nevojën KS të OKB, ku ballafaqohet me veton e Rusisë dhe Kinës, është shumë pak e besueshme, madje naive. Serbia dhe Vuçiqi, në asnjë rrethanë , siç e thonë haptas ata vetë dhe pa ekuivokë nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës, sikurse nuk e ka njohur as Planin e Ahtisarit, Marrëveshjen e Vjenës dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Në Serbi duhet që fjalën kryesore e ka kisha dhe ushtria, që dirigjohen direkt nga Moska dhe qëllimet e tyre janë të qarta se çka duan për Kosovën. Prandaj, nuk do të ketë asnjë ndryshim pozitiv dhe me siguri nga OKB dhe BE do të kërkohet të hyhet në një cikël të ri të bisedimeve shterpë, si në këto që kanë nisur në vitin 2011 dhe do të zgjasin për dekada ose derisa të bëhet ndonjë ndryshim domethënës në gjeopolitikën ndërkombëtare dhe në rrethana të reja të krijohen realitete të reja. Ndaj, në këto kushte e rrethana tepër specifike dhe të ngatërruara udhëheqësit tanë duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe të koordinohen me faktorin ndërkombëtar, veçmas me SHBA, në mënyrë që Kosovës të mos i mbetet përgjegjësia për dështim, dhe njëkohësisht qeveria duhet ta krijojë kohezionin e faktorit shqiptar.
Serbia-tërhiq e mos këput
Serbia është në pozitë jashtëzakonisht të mirë dhe komode. Kosova në Kushtetutën e saj është pjesë e Serbisë dhe për këtë nuk e qorton kush. Ka zhvillim të hovshëm ekonomik, ka përkrahjen dhe madje edhe presionin e Rusisë që të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, ka përkrahjen e Kinës dhe përkëdheljen e të gjitha vendeve evropiane me përjashtim të Anglisë dhe aq më tepër tash ka edhe përkrahjen e qeverisë shqiptare nëpërmjet “Ballkanit të hapur” dhe kjo do t”i mjaftonte që të jetë “gazda” i Ballkanit Perëndimor në dyer të BE, anëtar i së cilës organizatë Serbia nuk është e interesuar të bëhet.
Serbia e përkrahur dhe e përkëdhelur fort nga bashkësia ndërkombëtare zgjatjen e bisedimeve për Kosovën në stilin tërhiq e mos këput jo vetëm se do ta shfrytëzojë për blerje kohe, por edhe për thithjen e investimeve dhe granteve të mëdha nga e gjithë bota dhe njëkohësisht për furnizim me armatim modern, siç po e bën. Njëkohësisht Serbia i shpreh haptas orientimet e veta për Kosovën, të cilat i ka qartësuar para opinionit të vetë, të Kosovës dhe atij ndërkombëtar që nga koha e Xhingjiqit se “Kosova më nuk do të jetë në Serbi, por Serbia në Kosovë, që Kosova do të njihet nga Serbia një subjekt “ më pak se pavarësi dhe më shumë se autonomi” dhe si përfundim që kufiri administrativ do të jetë ai në Merdar, por kufiri shtetëror me Shqipërinë do të jetë në Morinë.
Krahas kësaj vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për dhurimin e 24 hektarëve tokë të dy ndërmarrjeve publike për Manastirin e Deçanit, sipas një vendimi të dhunshëm të kohës së Millosheviqit, do ti hap rrugë Serbisë që të nisë ofensivën për përvetësimin e 52 për qind të tokës së Kosovës, e cila siç thoshte presidenti paraprak i Serbisë, Tadiq, janë pronë e shtetit serb , të kishës serbe dhe të qytetarëve serb, sipas kadastrave serbe. Ky vendim i Gjykatës s’ka mundësi tjetër përveç se të përmbushet, sepse sado që zvarritet vetëm se rëndon pozitën e Kosovës në raport me faktorin ndërkombëtar dhe këtë vonesë Serbia, po edhe Rusia po e shesin shumë shtrenjtë kundër Kosovës dhe përkrahësve të Kosovës, veçmas SHBA-së.
Prandaj, Serbia natyrisht se do ta vazhdoje këtë kurs, pavarësisht se kush do të jetë në pushtet në Serbi dhe është naivitet që nëse dikush pret që Serbinë prapë do ta bombardojë NATO apo do ta detyrojnë SHBA në një formë apo mënyrë që ta njohë Kosovën. Kështu që Serbia do të vazhdojë ta pres “Vidovdanin” e ri që në rrethana të reja të përshtatshme për të ta rikthejë më forcën e armëve Kosovën në territorin e saj si “Jerusalem” serb. Apo Kosovën do të njohë me një çmim shumë të lartë si ndryshimi i kufijve me c’ rast Serbia do ta merrte Veriun e Kosovës, do ta marre Republika Srpska-n në Bosnje dhe kështu do ta siguronte Sanxhakun brenda territorit të vet përgjithmonë , sikurse edhe presionin e përhershëm ndaj Malit të ZI. Në këto rrethana sigurisht se do ta favorizonte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe në rrethanat më të mira për shqiptarët shtetit shqiptar do t’ i bashkohej Presheva me disa katunde të Bujanovcit dhe Medvegjës.
Edhe nëse ndodh kështu,(nëse pajtohet faktori ndërkombëtar) Serbia do të synonte qëndrueshmërinë e “Open Ballkan”, sepse me këtë e rrumbullakon idenë pashiqiane dhe të politikës serbe (botës serbe) për dalje në bregdetin shqiptar. Mirëpo, tash për tash faktori ndërkombëtar nuk është i gatshëm për ndryshim të kufijve, siç thotë diplomati Less. Prandaj, çfarëdo lëshimi që do të bënte Kosova në bisedime me Serbinë Kosova nuk do të fitojë asgjë, as njohjen nga Serbia, as anëtarësimin në asnjë forum dhe institucion ndërkombëtar, as në BE, as në NATO, madje as liberalizimin e vizave, as zhvillim ekonomik, as demokratizim. Shqiptarëve të Kosovës e vetmja rrugë e hapur iu mbeten dyert e ambasadave të Evropës dhe ija nga vendi me viza që merren me mundime dhe me kosto të mëdha.
Politika e keqe shqiptare nga të gjitha aspektet pas vdekjes së presidentit historik, Ibrahim Rugova e ka sjell Kosovën midis “kudhrës dhe çekanit”, prandaj, në këto rrethana (kur na mungon forca dhe dija) duhet mbështetur fort dhe dëgjuar miqtë dhe se shpresë e vetme për ndonjë ndryshim eventual pozitiv mbetet SHBA dhe veçmas duhet shfrytëzuar këtë periudhë të presidentit Biden.
Sepse bazuar në zhvillimet e pasluftës ka rrezik shumë të madh që kjo gjendje do të vazhdojë me dekada, nuk do të ketë ndryshim të gjendjes aktuale dhe ky do të jetë çmim i lartë për banorët e Kosovës, që po vazhdojnë të jenë monedha kusuri për të gjithë. Të gjithë faktorët presin çastin e tyre dhe të gjithëve iu duhet qetësia në këtë pjesë të Evropës.
Por, historia na ka mësuar se Ballkani mund të eksplodojë edhe kur nuk pritet e edhe kur merren të gjitha masat për “ruajtjen e paqes në dëm të drejtësisë”(lordi Grej) siç ndodhi me Luftën e Parë Botërore, menjëherë pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër, ku dy të tretat e tokave shqiptare dhe dy të tretat e popullsisë shqiptarëve u ndanë nga trupi i shtetit amë-Shqipërisë, ndaj nuk është e pamundur që përsëri e njëjta histori të përsëritet nga statusi i pazgjidhur i Kosovës, ose i Bosnjës. Ndaj, shqiptarët vërtet janë para një përgjegjësie të madhe historike. Punët e mëdha nuk kryhen pa miq, po punët e shtëpisë nuk mund t’i kryejë as miku më i mirë, nëse nuk do e nuk di vetë. Aq më pak kur shqiptarët janë pikë e pesë si tani e që më armik e ka shqiptari shqiptarin sesa cilindo armik tjetër potencial.
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK