Zërat
Esad Ejupi
Esad
Ejupi

Ta luftojmë korrupsionin duke e parandaluar atë

Zërat December 10, 2021 - 15:43

Luftimi i korrupsionit asnjëherë nuk është proces i kryer. Përderisa ekzistojnë institucione dhe persona që menaxhojnë me paranë publike, është i mundshëm edhe keqmenaxhimi, për të cilin dikush tjetër do të kërkojë llogari edhe atëherë kur llogaridhënja mund të jetë e cunguar.

Tashmë kur pas vetes i kemi mbi 20 vjet në liri dhe gati 14 vjet me Kosovën - shtet të pavarur e sovran, s’paku si autor i këtij shkrimi nuk mund të shkruaj më për termin, nocionin, kuptimin apo historikun e korrupsionit në përgjithësi (sepse kemi shkruar shumë herë më parë). Por, tani duhet të themi diçka më shumë për metamorfozën e këtij fenomeni të dëmshëm për shoqërinë tonë dhe jo vetëm.

Pra, si ka evoluar lufta kundër korrupsionit në vendin tonë ? A është korrupsioni i njejtë si ka qenë, a është lufta kundër korrupsionit e njejtë. Një fjali e njohur e Albert Ajnshtajnit thotë; “Nuk mund të presesh rezultate të ndryshme kur lufton me mjete të njejta”.

Çka do të thotë kjo për neve tani? Kjo do të thotë se; nëse mënyrat e korruptimit në një vend ndryshojnë, e që në fakt është dëshmuar se ndryshojnë, sepse ato shkojnë krahas zhvillimeve të përgjithshme ekonomiko–sociale, natyrshëm se edhe lufta kundër këtij fenomeni duhet ndryshuar.

Duke qenë se, në përgjithësi hetimi dhe argumentimi i korrupsionit është proces bukur kompleks dhe i gjatë, fokusi duhet të drejtohet kah metoda tjetër, që do të thotë luftimi i korrupsionit të bëhet me parandalim.

Pra, edhe nëse kjo metodë është më e vështirë, duke e parë mungesen e rezultateve të deritashme të prokurorive dhe gjykatave, që ta argumentojnë dhe denojnë korrupsionin, atëherë opcioni më i mirë, tani për tani, mbetet që; luftimi i korrupsionit të bëhet me parandalim.

Natyrisht se për njohësit e kësaj problematike dihet që kjo është forma më e vështirë, por kjo metodologji vjen pasi që metoda e hetimit, argumentimit dhe gjykimit të korrupsionit kanë dhënë pak rezultate, për të mos thënë kanë dështuar fare.

Çka na ka mësuar kjo periudha e pas pavarësisë, në luftimin e korrupsionit në vendin tonë?

Nga kjo periudhë kemi kuptuar se korrupsioni nuk luftohet me deklarata, korrupsioni nuk luftohet me konferenca për shtyp, korrupsioni nuk luftohet me premtime elektorale, ose thjeshtë e përmbledhur; korrupsioni nuk luftohet nga jashtë, por korrupsioni duhet luftuar nga brenda.

Tashmë për studiues, hetues dhe hulumtues të këtij fenomeni është e ditur se korrupsioni kur arrinë nivelin e lartë mbi një shoqëri, ai bëhet një rrjet i degëzuar mirë, thënë figurativisht, që i ka rrënjet e forta dhe që është vështirë për t’i shkëputur një nga një, e për t’i ndarë nga trungu i fortë që ekziston diku në qendër.

Dhe, kur korrupsioni ka një shtrirje të tillë siç u përshkrua, atëherë edhe luftimi i tij nga jashtë është më i vështirë. Shpresëdhënëse dhe inkurajuese është fakti se kjo është parë edhe nga institucionet përgjegjëse që e luftojnë korrupsionin, përfshirë këtu edhe Agjencinë kundër Korrupsionit. Kjo gjendje ka bërë që të punohet në hartimin, miratimin dhe tashmë implementimin dhe fuqizimin e Ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve.

Ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve është mundësia më e mirë që korrupsioni të parandalohet dhe të luftohet nga brenda. Pra, tashmë çdo person ka mundësinë që të mos flasë vetëm si viktimë e korrupsionit, por të jetë pjesëmarrës aktiv në identifikimin sa më të hershëm të veprimeve dhe mosveprimeve që paraqesin kërcënim ose cenim të interesit publik dhe të bëjë adresimin e çdo tendence për aferë korruptive brenda institucionit të vet, në mënyrë që ajo të parandalohet dhe të evitohet me kohë.

Ta luftojmë korrupsionin duke e parandaluar ate.Mos hezito – sinjalizo!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK