Zërat
Ymer Avdiu
Ymer
Avdiu

Tingëllima e parullës “Polici fashiste”

Zërat December 10, 2021 - 15:37
Vërtet qytetari i Kosovës na qenkësh i rrezikuar nga policia e vet, e cila polici mision themelor dhe fondamental ka sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarit dhe po u kërkuaka ndonjë shpëtimtar prej saj? Në fakt një kërkesë e tillë, qoftë edhe në formën e shtuar si dilemë nënkupton që kjo policia duhet shuar dhe shkatërruar?!

Një protestë po zhvillohet tani në Prishtinë dhe pavarësisht se nuk e di për çka pikërisht, duket se është kundër dhunës ndaj grave dhe mbase edhe kundër dënimeve tepër të vogla që u kanë dhënë gjykatat në disa mjedise krimineleve dhe dhunuesve.

Përkrahje pa kufi secilit që ngre zërin kundër dhunës dhe kundër atyre gjykatësve dhe policeve qe i japin krah dhunës, të keqes dhe nuk e dënojnë atë në përmasat që duhet dhe ua përcakton ligji dhe secili kod moral e njerëzor.

Mirëpo, tri parulla që brohoriteshin si nga zëri i megafonit te zëdhënësit të protestës, ashtu edhe nga protestuesit në kor: "", Polici fashiste "Prokurori fashiste", "Kush na mbron nga Policia”, nuk i mora vesh për cilën polici e kishin fjalën: Cila na qenka ajo polici fashiste dhe cila na qenka ajo prokurori fashiste? A qenka fashizmi sistem ne Kosovë se paku në fushën e sigurisë dhe te drejtësisë? Jo nuk është! As nga aspekti formal juridik kushtetues, pasi Kosova është vend demokratik dhe me të gjitha letrat e shtetit garantohen te drejtat dhe liritë si në te gjitha vendet demokratike të botës, e as nga aspekti i funksionimit praktik.

Mund të ketë individ ose edhe grupit të interesit ( mund të ketë edhe shumë të tillë) faqezi që punojnë edhe ne polici, edhe ne prokurori, madje edhe në të gjitha nivelet e saj, por pa asnjë pikë dyshimi në polici dhe në drejtësi pra edhe në prokurori absolutisht ka profesioniste te mire,në të gjitha rangjet, ka njerëz me integritet qe e respektojnë ligjin, kodin moral, prandaj, po më duket shumë e rëndë që të përdoret shumësi i singularizuar "polici" dhe "prokurori", qe sipas çdo sistemi logjik e linguistik kjo e nënkupton tërë policinë e Kosovës dhe krejt prokurorinë, do me thënë krejt sistemin policor dhe prokurorial, që nënkupton rrjedhimisht edhe shtetin. Aq më e rëndë është parulla “kush na mbron nga policia”.

Vërtet qytetari i Kosovës na qenkësh i rrezikuar nga policia e vet, e cila polici mision themelor dhe fondamental ka sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarit dhe po u kërkuaka ndonjë shpëtimtar prej saj? Në fakt një kërkesë e tillë, qoftë edhe në formën e shtuar si dilemë nënkupton që kjo policia duhet shuar dhe shkatërruar. Do të ishte krejt në rregull sikur bartësit e përgjegjësisë, ata që kanë bërë zarare , apo i kanë shkelur rregullat dhe ligjin të emërtoheshin konkretisht me emër dhe mbiemër. Pse nuk i kanë emëruar pra konkretisht rastet dhe emrat e gjyqtareve, prokuroreve dhe policeve, por dalin e bërtasin "Kush na mbron nga policia". Nga cila polici. Natyrisht e Kosovës! Dhe (sic) kush po u dashka të vijë ta mbrojë qytetarin e Kosovës, apo kategori të caktuara të qytetarëve të Kosovës nga shteti i vet? Nuk është policia dhe nuk është prokuroria nga e cila duhet mbrojtur qytetari, por janë individët apo grupe individësh të kriminalizuar, që vërtet i bëjnë shumë dëm vendit dhe qytetarit të vendit, i bëjnë hije të keqe institucionit që përfaqësojnë dhe shtetit të Kosovës dhe ne të gjithë si qytetarë duhet kërkuar dënimin e tyre, e ritheksoj, si individ e jo si sistem.

Kjo polici është jona, ky shtet është yni. Ka shumë të meta, ka shumë të këqija, po është sistemi më i mirë, me popullor që ka njohur ky vend në historinë e vet. Këtë polici e këtë prokurori e kemi ndërtuar me shumë mund, me shumë sakrifica. A e kuptojnë mesazhin e këtyre parullave organizatorët dhe së fundi kjo shoqëria jonë civile a i kuptojnë nocionet "fashist" e "racist" që e kanë bërë inflatore. A e dine cfare porosie dhe çfarë fytyre shpalos para bote kjo “ fotografi fashiste” (sic)! A e dinë se duke kërkuar të largohet një e keq, po kërkojnë ta rrënojnë krejt sistemin , krejt shtetin, krejt kulturën dhe traditën, që thënë figurativisht kjo i bjen sikur doktori nëse do ta shërojë një tumor, të thotë hajt t ia heqim krejt kokën pacientit.

Edhe këtu ndër ne , sikurse në të gjitha vendet e botës ka kriminel, dhunues, psikopat, faqezi, në mos edhe më shumë, dhe ka po kaq faqezi e kriminel individ që mbajnë pozita në segmente të caktuara të shtetit. Po. Ata duhet të ndëshkohen, të dënohen dhe të hiqen sa më shumë që ka mundësi nga sistemi dhe të dërgohen per riedukim edhe në burgje.

E, kur i sheh e dëgjon këto parulla, nuk ka si të mos shkojë mendja dhe të humb shpirti, se a e kanë me shpirt këta organizatorët e protestave këtë veprim që vërtet ta mbrojnë njeriun e këtushëm nga dhuna dhe veçmas gratë e fëmijët, apo e bëjnë për pak apo për shumë para dhe per ti hyrë në hatër dikujt. A po edhe me keq, mos me apo pa qellim po ua bëjnë argatin pasardhëseve të Vlladan Gjorgjeviqit e bashkëmendimtarëve te tij aktual se shqiptarët nuk janë të aftë për shtet dhe shoqëri të organizuar, por janë anarkikë dhe rrënues të civilizimeve dhe kulturave për nga natyra e tyre biologjike? A është fashiste policia e Kosovës dhe Prokuroria, apo ata që e thonë këtë nuk e dinë çka thonë,(nëse është kështu fali o Zot) apo edhe më keq e thonë për ta rrënuar krejt këtë shoqëri dhe këtë shtet te brishtë, është mire ta thotë drejtësia, politika, mediat dhe shoqëria civile e këtij vendi.

Ndjehem i fyer si njeri i këtij vendi kur policia e shtetit tim dhe prokuroria emërtohen fashiste. Nëse dikush, cilido institucion mund ta vërtetoje këtë, atëherë besoj qe si unë edhe shume njerëz të këtij vendi do të ngitemi në këmbë kundër kësaj policie e prokurorie, sado që sensi qytetar nder ne është topitur fort. Po nëse kjo polici e prokurori nuk janë fashiste, atëherë ai, ose ata që i etiketojnë kështu publikisht këto segmente vitale të shtetit tonë duhet të tregojnë (natyrisht ne sallat e drejtësisë), pse kanë thënë kështu.....Fjala publike duhet të matet...ky rregull vlen prej se ekziston njerëzimi!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK