Zërat
Sadri Ramabaja
Sadri
Ramabaja

Republika përballë luftës hibride serbe dhe karteleve të krimit

Zërat November 26, 2021 - 20:01

Beogradi ka kohë që në raport me Kosovën po i aplikon skenarët modern të luftrave, duke  mbështetur sulmet e tij në kombinim të operacioneve të nduarnduarshme, por pa hequr dorë asnjëherë nga pregaditjet për një sulm masiv ushtarak. Meqë këtë aksion klasik ushtarak nuk e ndërmerr dot ndërkohë, për aq kohë sa trupat e NATOs janë të dislokuar në Kosovë, atëherë strategjia serbe është përqëndruar në aplikimin e të gjitha mjeteve që parasheh lufta hibride: duke filluar me luftën diplomatike, presionit në sferën e ekonomisë, sulmeve kompjuterike dhe madje edhe propagandës në media dhe rrjetet sociale. Kjo qasje njihet edhe si “taktika hibride” ose  “luftë hibride”.

Lufta hibride është lidhja e operacioneve të fshehta dhe të hapura, të gërshetuara me masat politike dhe ekonomike, e shoqëruar me operacionet e informacionit dhe propagandës, nga subversioni dhe sulmet kibernetike drejt ndihmës ushtarake dhe të fshehtë.

Të gjitha këto mjete hyjnë në kategorinë e forcave speciale të luftës hibride.

Prandaj Serbia e ka shndërruar veriun e Kosovës me kohë në një zonë gri, ku vepron shlirshëm pa pasë nevojë të vë në përdorim forcën, meqë ka njësitet e saj të kamufluara në terren nën petkun e OJQ-ve dhe mekanizmave të pushtetit legal politik. Këto forca, ajo projekton që, në një agim të veçantë, t’i urdhërojë të kalojnë në fazën e kryengritjes popullore. Vetëm kështu ajo pretendon se ka alibin në dorë, që në emër të “mbështetjes së minoritetit serb”, ta bëjë akt të kryer aneksimin e veriut.

Serbia duke mbajtur Kosovën në këtë gjendjeje – status-quo, synon jo vetëm të shkaktojnë dëme, por edhe ta destabilizojë shoqëritë dhe të ndikojnë në opinionin publik. Meqë Republika jonë po mëton të jetë shoqëri e hapur, pluraliste dhe demokratike, si e tillë,  i ofron shumë mundësi Serbisë që të aplikojë me shkathtësi elementë të shumtë të luftës hibride, madje edhe në thellësi të territorit, pa përjashtuar as kryeqytetin.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq në shumë intervista për mediat ruse ka vlerësuar bashkëpunimin e përgjithshëm ndërmjet Serbisë dhe Rusisë. Duket se në kuadër të këtij bashkëpunimi, përvoja dhe doktrina ruse që ka të bëjë me luftën hibride, është aplikuar pikëpërpikë.

Serbia nën udhëheqjen e Vuçiqit ka ushtruar hapur një lloj shantazhi ndaj Perëndimit. Ai po insiston që në rast se Perendimi pretendon ta ketë Serbinë në sferën e tij të interesit gjeostrategjik, atëherë ai duhet  ta mbështesë atë në rikthimin e hegjemonisë serbe në rajon, duke e sfiduar fillimisht me projektin “Ballkani i Hapur”, por edhe me format e nduarnduarshme të luftës hibride ndaj fqinjëve të saj, me theks ndaj Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi.

“Bezdisjet” e kësaj natyre për BE-në dhe NATOn ndërkohë janë shtuar . Në skenë ka defiluar si filorus i klasit të Vuçiqit edhe presidenti bullgar. Në Kosovë deri kohë më parë nuk kishte nevojë të promovohej hapur një figurë që publikisht promovon “aktin e kryer” të luftës hibride. Por, intenca për të promovuar kaos, është edhe më e dëmshme për Republikën tonë. 

Të veçantat e luftës hibride serbe të aplikuara brenda këtij viti, pas ndryshimeve të thella politike në vend (14 shkurt 2021), janë taktikat e saj që shkaktojnë pasiguri dhe turbullira.

Është fare e dukshme se kjo luftë, e orjentuar si kundër Qeverisë Kurti 2, por me intencën që të shndërrohet njëkohësisht edhe në një çarje e urrejtje brendakombëtare në raport me Shqipërinë politike, është e mbështetur me mjete financiare.

Këto veprime vazhdojnë të jenë jashtëzakonisht kreative dhe të koordinuara, por duke mbajtur nën rrogoz shpalljen si akt juridiko-politik e diplomatik të luftës zyrtare.

Kjo taktikë që po aplikon Serbia përmes aplikimit të luftës hibride ndaj Kosovës sot, shih për këtët, e bën të vështirë mbrojtjen kundër sulmeve të tilla që marrin karakterin e oponencës së brendshme, që në Shqipërinë politike në vitin 1997 qe degjeneruar në defunksionalizim të shtetit.

Kjo formë e luftës hibride ndërkohë po pritet të hedhë në frontin e parë elementët e katapultuar në krye të sindikatave tona nga kartelet e krimit që de fakto komandojnë një pjesë të mirë të opozitës sonë. Prandaj kryesindikalistët janë në garë për tu dëshmuar besnikërinë e tyre para bosëve të karteleve të krimit! Kaosi politik, sipas kësaj logjike, duhet të jetë produkti i këtij aksioni. Ky kaos i shkon për shtati vetëm Beogradit dhe Moskës. Në fakt Rusia dhe Serbia po planifikojnë të krijojnë shkase që arsyetojnë ndërhyrjen e tyre brutale që do ët rezultonin me krijimin e  “realiteteve të reja politike” në rajon”…
Ky “fenomen i rrezikshëm politik dhe diplomatik me origjinë ruse”, siç e cilëson me të drejtë  ambasadori Shaban Murati, tashmë po gjenë mbështetje edhe të disa shtete anëtare të NATO-s dhe të BE. Prandaj veprimet e ca segmenteve të opozitës sonë duhet të vështrohen me llupë.
 

Lëvizja Vetëvendosje! duke i dërguar në pension politik dy segmentet e establishmentit të vjetër politik: segmentin e parë, atë të eminencës titiste, që përfaqësohej nga pleqtë e LDK-së, dhe

segmentin e dytë, i njohur në Kosovë si PRONTOMAFIA, i ka bërë shërbim të madh Republikës.

Qeverisë Kurti 2 i mbeten edhe dy detyra imediate:

1. Çlirimi i TREGUT EKONOMIK dhe

2. Çlirimi i MEDIAS që dominohen e dirigjohen nga kartelet e krimit.

Në këtë betejë Qeveria Kurti 2 duhet ta ketë mbështetjen e gjithë forcave politike progresive e të qytetarisë së Repubikës.

                                                *          *          *

Njerëzit janë të lirë, ata mund të vendosin vetë se si duan të jetojnë. Kështu pohohet në Kartën e OKB-së dhe në një varg kushtetuash të demokracive liberale. Por liria ka edhe kufij. Këta kufij  jeni aty ku fillon liria e të tjerëve.

Filozofja dhe regjisorja e teatrit Mériam Korichi, përpiqet ta mbushë atë, pra hapsirën, me substancë, duke i dhënë kuptim lirisë. Ajo shqyrton ambivalencat e saj (lirisë), bën ndalesa teoriko-historike te Spinoza, Hobbes-i dhe Rousseau – dhe më në fund përfundon në rrugën drejt autonomisë. Këtë e mundëson vetëm mendimi, ideja mbi lirinë. E të menduarit për “autonominë individuale” mundëson kalimin nga politika (sfera e kolektivit) në atë etike (sfera e individit dhe ndërindividuales). Sipas M.Korichit çështja e lirisë është një çështje thelbësore. Ajo në vete, është gjithashtu një problem i madh. Përcaktimi i termit ‘liri’ është – për shkak se termi është jashtëzakonisht kompleks dhe i shumëanshëm – jo vetëm një ndërmarrje e vështirë, por gjithashtu mund të na çojë në disa rrugë pa krye për shkak të disa kontradiktave të pazgjidhshme etike dhe politike.

Kryesindikalistët tanë as që e kanë idenë se sa a lehtë manipulojnë bosët e karteleve të cilave ju shërbejnë, me fjalën Republikë,  “Liri” apo “Pavarësi”.  Prandaj ata duket e kanë të vështirë ta kenë të qartë  thelbin e këtyre termave. Prandaj tallen me lirinë! Në fund të fundit, ata  e bënë këtë meqë, janë ambivalent në thelbin e tyre. Dhe kjo ambivalencë lidhet kryesisht me kontradiktën midis aftësisë për vetëvendosje individuale dhe forcave sociale, ekonomike dhe politike që tok përcaktojnë shoqërinë në tërësi dhe interesat jetike të Shtetit. Këtë fakt e dëshmojnë dy dekadat pothuajse të humbura të Lirisë, që mund të cilësohen edhe si dy dekada të pengmbajtjes së Republikës.

Veprimet sindikale hyjnë në të drejtat elementare të shoqërive moderne. Por kryesindikalistët tanë duket se janë në shërbim të agjendave të karteleve të krimit dhe jo të punëtorisë që përfaqësonë formalisht! Ata duhet ta kuptojnë se liria e veprimit përfundon aty ku fillon detyrimi.
Kur nuk ka detyrim, ka liri. Punëtorët tanë mund të vendosin vetë se çfarë të bëjnë, vetëm atëherë ata janë të lirë. Liria i përket të drejtave themelore të njeriut në çdo demokracie moderne.

Megjithatë, liria e individit kufizohet nga dispozitat ligjore që duhet t’u përmbahemi të gjithë. Liria juaj përfundon më së voni aty ku liria e të tjerëve duhet të mbrohet.
Liria ime nuk duhet të kufizojë lirinë e njerëzve të tjerë. Kështu thuhet në Ligjin tonë Themelor, i cili quhet edhe “rendi themelor i lirë-demokratik”.

Gjithkush ka të drejtën e jetës dhe integritetit fizik. Liria e njeriut është e pacenueshme. Këto të drejta mund të cenohen vetëm në bazë të një ligji. Këto janë parimet bazë mbi tëcilat janë ndërtuar shtetet  moderne. Republika jonë mëton pikërisht realizimin e plotë të tij objektivi e vullneti politik që qytetarët e kanë artikuluar më 14 shkurt 2021. 

Të jetuarit në liri ishte për populin tonë një ëndërr për një kohë të gjatë. Këtë ëndërr tashmë  e ka bërë realitet UÇK-ja e vegjëlisë dhe mbështetja e miqëve tanë nga bota e demokracive liberale, që tashmë janë partner tanë në ndërtimin e Shtetit.

Në fokusin e politikës sonë janë dhe duhet të jenë tutje interesat nacionale, qytetarët tanë, jeta e tyre e dinjitetshme dhe Liria. Funksionalizimi i Republikës është garancioni më i mirë i Lirisë.
Qytetari ynë mund të ndihet i lirë, kur atij i garantohet puna dhe jeta e dinjitetshme në Atdhe. 
Çfarë ka bërë kjo opozitë (sa ishte në pushtet) për 20 vjet në këtë plan. Ka abuzuar me buxhetin e shtetit, ka kapur shtetin, rrjedhimisht edhe sindikatat, duke i shnëdrruar ato në instrument të karteleve të krimit. Prandja riciklimi i kësaj opozite tërësisht të pareformuar në pushtet, është ndesh me interesat e sindikalistëve, ndesh me dinjitetin e qytetarisë, kundër vet Republikës.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK