Zërat
Sadri Ramabaja
Sadri
Ramabaja

Avokatët e olhokratëve dhe frika

Zërat November 22, 2021 - 18:00
Në Kosovë ka shumë analistë dhe një dyzinë deputetësh që me kohë janë shndërruar në avokatë të oligokratëve e olhokratëve. Ata këtë mision po e vazhdojnë tutje si në studiot televizive edhe në Parlamentin e Republikës.

Në konfuzionin e muajve të fundit në Republikën tonë kanë marrë shtrirje të gjerë, dominuese dy ndjesi: ajo e shpresës dhe frikës. Këto ndjesi po diktojnë vendimet politike, favorizojnë disa palë në vend të të tjerëve, dhe po ndikojnë në përcaktimin e kontureve të reja të plitikës nacionale. Shpresa ka filluar të mbytet nga zhurma e të friguarve gjithandej në debatet televizive, por së fundmi edhe në Parlament. Frika është ndjesia emocionale e një kategorie të gjerë ish pushtetarësh dhe klientelës së tyre, që po përballen me zhvendosjen e pushtetit tek një brez i ri, e që po e detyron establishmentin e vjetër të rishqyrtojë ambiciet, projektet dhe madje edhe vet identitetin politik.


Pas miratimit në parim në Qeveri të koncept-dokumentit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, që pritet të shndërrohet në ligj, duket se ca deputet/e kanë humbur logjikën. 

Studjuesi Dario Ronzoni potencon me të drejtë se “Frika është çelësi i vërtetë, për të kuptuar ekuilibrin e ri të gjeopolitikës.” 

Duket se Frika si ndjesi e emocion, duhet të jetë arsyeja pse një lagje deputetësh ka humbur ekuilibrin dhe regon irracionalisht deri në absurd…

Frika është më e rëndësishmja nga të gjitha pasojat psikologjike të ndryshimit që sollën zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 për këtë lagje deputetësh si puna e BD, AT…  Prandaj kemi këtë lukuni reagimesh gjithandej në studiot tona dhe në Parlamentin tonë. 


Manlio Graziano është autori i librit me titullin sinjifikativ “Gjeopolitika e frikës: Si ankthi sociali orienton zgjedhjet politike”.  Ai është profesor dhe ligjëron mbi gjeopolitikën dhe gjeopolitikën e feve në Shkollën e Shkencave Ndërkombëtare të Parisit dhe në Universitetin e Sorbonës. Sipas tij  frika është më e rëndësishmja nga të gjitha pasojat psikologjike të ndryshimit në boshtin gjeopolitik global.

“Ka analistë që do të donin të ishin gjithashtu avokatë të politikave. Ata shpresojnë të ndikojnë tek ngjarjet. Unë preferoj të ndalem tek e para. Siç e shpjegoj edhe në librin tim, midis gjeopolitikës – me të cilën merrem – dhe politikës ka të njëjtin ndryshim si midis matematikës dhe inxhinierisë. E para ka të bëjë me llogaritjet dhe analizat, e dyta me veprimet. Unë nuk kam receta të gatshme. E shumta mund të formuloj disa hipoteza”,- theksoi ai, tek u pyet për këtë ndjesi emocionale, pra frikën dhe ndikimin e saj tek gjeopolitika.

Në Kosovë një dyzinë analistësh e deputetësh janë shndërruar me kohë në avokatë të olhokratëve. Të tillë ata zvarriten e krekosen nga një studio në tjetrën, por edhe nga një legjislaturë në legjislaturën psuese të Kuvendit, pothuajse për njëzetë vite me radhë. Ata nuk prajnë as sot, kur duket se ju ka perenduar dielli. Kjo lagje “avokatësh të djallit” tok, duke zhvilluar axhenda politike të huaja, nuk po prajnë së afishuari tezat mbi rënjen e shpejtë të Qeverisë Kurti 2, duke i përcaktuar herë vjeshtën e 2021-ës e herë pranverën e 2022-ës si afate maksimale. Në ndihmë kanë ftuar edhe sindikatat e krimit. Por, pavarësisht përqëndrimit dhe mbështetjes që gëzojnë gjithandej, analizat dhe veprimet e tyre janë të destinuara të mbesin shprehje e dëshirave.
Axhendat e atyre që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe Kombit tonë tashmë kanë për kundërshtarë të rreptë edhe qeveritë e miqëve tanë real: SHBA-ve, Gjermanisë, Kroacisë… Supremacia serbe në Ballkan ka kohë që ka perënduar. Epoka e rikthimit të eshaloneve serbe për të rrëzuar qeveri demokratike (si atë të Nolit në dhjetorin e 1924-ës) ka perënduar kaherë. Atë, pra supremacinë serbe, nuk e rikthen dot as projekti i koduar me emrin tërheqës “Open Ballkan”! Edhe neofashistët e tipit të Donald Tramp-it dhe sançopanqove të tij me emrat Grenell nuk riciklohen dot. Mundet që pikërisht tek ky konkluzion kanë ardhur edhe kjo lagje analistësh e deputetësh, prandaj i ka kapluar frika. 

“Ne ndodhemi në një fazë tranzicioni historik, njësoj si të gjitha fazat e historisë, vetëm se kjo është më e theksuar se të tjerat për shkak të zhvendosjes së pushtetit. Në kohë të tilla si këto që po jetojmë aktualisht, trazirat janë gjithmonë prezente. Por për t’u orientuar, duhet të kuptojmë se ku jemi dhe çfarë po ndodh realisht. Sa më shumë që e gënjejmë veten se disa gjëra mund të shmangen, aq më shumë përfundojmë të jemi peng i frikës”- shprehet Graziano.

Në Republikën tonë, që pas shpalljes së pavarësisë (17 shkurt 2008), po provohej të promovohej rendi i demokracisë liberale. Për fat të keq, olhokratët e oligarkët që kishin uzurpuar Republikën, e kishin shndërruar atë në peng personal për 20 vjet rresht, prandaj demokracia nuk kishte si të mos rrëshqiste drejt iliberalizmit (neofashizmit), ku pasuria është përqendruar në duart e pak njerëzve. 

Miratimi i shpejtë i koncept-dokumentit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe shndërrimi i tij në ligj, ndërkohë po ua kallë datën jo vetëm ish establishmentit politik. Prandaj klasa politike, olhokratët, oligarkët dhe sejmenët e tyre janë shqetësuar keq; prandaj ata po bëjnë çmos që ta pengojnë intencën progresive të kësaj qeverie për ta rikthyer Republikën në Shtet normal, Shtet të së drejtës…

Krejt ky teatër absurd, me përmasa tragjiko-komike, po ndodhë në kohën kur  bota po ecën me shpejtësi marramendëse drejt një periudhe të re të ndërgjegjes njerëzore, krejt njejtë si dikur kur brezat e iluminizmit po kalonin nga feja tek arsyeja. Ndërkaq sot një armatë e tërë e teknologëve po na dëshmojnë për lidhjen e arsyes me intelegjencien artificiale.  

Në këtë rrafsh implikimet me karakter gjeoekonomik e gjeopolitik në raport me ndikimin e intelegjencies artificiale, janë tepër të qarta. Këtë fakt ca “studentë të dobët të juridiukt”, e ca aktorë e aktore të dobëta të teatrit tonë absurd të politikës, të veshur me petkun e deputetëve, nuk e akceptojnë dot, meqë për nga mendësia i përkasin de fakto epokës feudale.

Larg kësaj kakofonie të injorancës, është detyrë e klasës sonë të përgjegjshme politike, që të krijojë ekipe pune, të kthejë trurin nga jashtë e të hartojë vizione reale, që ta funksionalizojmë shpejt Republikën dhe të ecim edhe më shpejt drejt arritjes së bashkëjetesës sonë kombëtare, rrumbullaksimit të procesit të ndërtimit të shtetit-komb.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK