Zërat
Piro AHMETAJ
Piro
AHMETAJ

Piro Ahmetaj: Urime Përparim Rama, fitove Prishtinën, zgjove shpresën për Kosovën dhe Shqipërinë demokratike

Zërat November 16, 2021 - 14:23

Së pari, rikthimi i frymës së shenjtë të Rugovës me fitoren e Prishtinës nga arkitekti i talentuar Përparim Rama do të skalitet në memorien e përpjekjeve të suksesshme për të rikthyer besimin te demokracia funksionale në Kosovë.

Urime vëllazërore Përparim Rama, na bëre të gjithëve krenarë me fushatën model, me fitoren e merituar, me vizionin dhe programin perëndimor: “për ta nxjerrë Prishtinën nga kaosi urbanistik dhe jo vetëm”!

Familja, shkollimi dhe integriteti Juaj sigurisht i bën nder Prishtinës por i jep shpresë edhe Kosovës, pasi me standardet e fushatës, rezultatet në kohë reale si dhe urimin fisnik nga kundërshtari ia dolët të zhvilloni zgjedhje dinjotoze si në të gjitha vendet demokratike!

Megjithëse zgjedhje lokale, jam i sigurt se kjo fitore, duhet dhe do të shërbejnë edhe një mesazh i fortë përkundër qasjeve populiste, patriotizmit folklorik, frymës antiamerikane si dhe zhgënjimit të kosovarëve për kapjen e shtetit nga korrupsioni, krimi i organizuar, shpërdorimi i pushtetit për interesat, agjendën dhe inatet primitivo-ballkanike.

Së dyti, me këtë rast e përsëris se Shqipëria ka 30 vjet që sipas raporteve të OSBE/ODIHR, etj: “bën një hap para por dy mbrapa” duke mbetur kështu i vetmi vend edhe në rajon që ka “dështuar me sukses” për të realizuar zgjedhje me standarde demokratike dhe të gjithëpranuara!

Për më keq akoma, besimi i qytetarëve te vota e lirë brenda edhe partive politike, shpresat te demokracia funksionale dhe harmonia e pushteteve janë të nëpërkëmbura!

Gjithsesi, shpresoj që zgjedhjet në Kosovës dhe fitorja e merituar e arkitektit të Prishtinës moderne, do të shërbejnë si model edhe për Ne/shqiptarët e gjysmës së përkëtej kufirit, se: “vetëm me fuqinë e votës se lirë dhe njerëzit mëndjehapur, do të mundemi të rikthejmë vendin në shinat e demokracisë funksionale si SHBA-ja dhe e gjithë BE-ja”!

Nuk do shpikim rrotën, s’ka nevojë fare as për udhëheqës të pazëvendësueshëm, as për dëshmorë, as për Komisione teatrale pas humbjes turpëruese të radhës, as për vulëhumbur dhe as për kamikazë të vulës, as për ofiqarë të emëruar dhe as për matrapazë të pushteteve.

Është fare e thjeshtë, do duhet vetëm që me fuqinë e votës së lirë të realizojmë zgjedhje të lira dhe demokratike brenda partive politike, në zgjedhjet lokale dhe ato kombëtare, ashtu si në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Bosnjë, Seri dhe në mbarë BE-në.

Mbetem shpresëplotë se kombi ynë do të përparojë dhe të dy shtetet (Shqipëria & Kosova) do të bëhen demokratike si SHBA-ja dhe e gjithë BE-ja edhe për inat të këtij sekti politikanësh zullumqarë që për 30 vjet pasi kanë deformuar votën e lirë, kanë pushtuar partitë politike dhe institucionet shtetërore, u kanë grabitur si kusarë pronat dhe u kanë vrarë shpresat e mbarë shqiptarëve!

Zoti e bekoftë Kosovën dhe Shqipërinë, Ret. Gen Piro Ahmetaj.

*Gjeneral Piro Ahmetaj, ish-Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD, Përfaqësues Kombëtar i Republikës së Shqipërisë në NATO!

Shkrimi origjinal i postuar në faqen e tij në Facebook!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK