Zërat
Ivan Sascha Sheehan
Ivan
Sascha
Sheehan

Bideni duhet ta rikthejë autoritetin amerikan në Ballkan

Zërat November 04, 2021 - 16:32

Katërmbëdhjetë muaj më parë, Kosova dhe Serbia nënshkruan Marrëveshjen e Washingtonit në Shtëpinë e Bardhë.

Ishte një hap i madh përpara për paqen dhe prosperitetin në Ballkan pas një dekade të mungesës efektive të SHBA-së – ndërhyrja e fundit amerikane ishte në mbështetje të shpalljes së një Kosove të pavarur në vitin 2008, ndoshta i vetmi projekt i suksesshëm komb-ndërtues i udhëhequr nga SHBA-ja në tridhjetë vjetët e fundit.

Gjatë dekadës së fundit, nën të ashtuquajturën “udhëheqje” të Bashkimit Evropian (BE), marrëdhëniet midis vendeve në rajon janë përkeqësuar dhe, gjatë presidencës Biden, autoriteti i SHBA-së në rajon është rrafshuar.

Marrëveshja e Washingtonit është traktati i parë dhe i vetëm real i nënshkruar ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ai përfshinte bashkëpunimin ekonomik, demarkacionin e kufirit dhe planet për të ndërtuar lidhje transporti midis dy vendeve. Ekzekutimi i marrëveshjes dukej se ishte një shenjë e qartë se Amerika ishte kthyer në Ballkan; ishte një tregues se Washingtoni po merrte përsipër një proces paqeje të neglizhuar nga autoritetet evropiane, të cilat bënë pak për të avancuar marrëdhëniet pozitive midis kombeve.

Ndërsa Serbia pretendonte se nënshkrimi i marrëveshjes nuk do të thotë se ata e njohin Kosovën si një shtet të pavarur dhe sovran – kjo është pikërisht ajo që nënkuptonte. Askush nuk nënshkruan një traktat me një vend që nuk ekziston.

Një vit më vonë, dhe me Amerikën askund në horizont, marrëveshja duket se ka qenë një mirazh. Prania dikur thelbësore e Amerikës është zhdukur; ndikimi evropian është në rritje.

Sot, Serbia, prej kohësh agresore, ka kthyer trupat në kufirin midis vendeve të pavarura dhe patrullon kufirin nga qielli me avionë luftarakë të prodhuar nga Rusia – kjo është një pamje shqetësuese.

Nëse provokimet kufitare të Serbisë ishin të pamjaftueshme për të nxitur tensionet, një ndërtesë e qeverisë së Kosovës në një pjesë etnike serbe të Kosovës u dogj qëllimisht në një sulm të dyfishtë me granatë, që rrodhi nga këmbëngulja e Kosovës për reciprocitetin në targat e regjistrimit të automjeteve për kalimet kufitare.

Ajo që është edhe më shqetësuese, është se ndikimi evropian ka mbushur vakumin e pushtetit që rezulton nga mosinteresimi i përgjithshëm i Amerikës në rajon.

Mbikëqyrja e BE-së ka dëshmuar një rrëmujë të pazbutur për sundimin e ligjit në Kosovë. Dhe një paragjykim mbizotërues evropian që favorizon Serbinë – e cila gjithnjë e më shumë i ngjan një shteti autoritar njëpartiak – mund të pritet të gërryejë më tej besimin dhe rrjedhimisht të dëmtojë demokracinë e pavarur dhe shumëpartiake të Kosovës në vitet në vijim.

Se sa larg janë të përgatitur të shkojnë evropianët kur bëhet fjalë për ndërhyrjen në qeverisjen e Kosovës është e qartë për ata që ndjekin ngjarjet që nga ekzekutimi i Marrëveshjes së Washingtonit.

Në Hagë të Holandës, ku BE-ja financon gjykatat ndërkombëtare, kanë filluar gjykimet e para në “Dhomat e Specializuara të Kosovës” (DSK).

Ndaj Hasim Thaçit, heroit të çlirimit të Kosovës dhe ish-presidentit, dhe të tjerëve u ngritën akuza për krime të dyshuara lufte. Në një rast tjetër, dy veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) u akuzuan për bërjen publike të dokumenteve të supozuara konfidenciale të rrjedhura nga zyra e Prokurorit Special të DSK-së, pikërisht entiteti që tani i vë ata në gjyq.

Nuk ka pasur asnjë hetim se si, pse, apo kush ka nxjerrë informacione të ndjeshme dhe as nuk ka pasur një hetim të mediave kosovare që kanë publikuar përmbajtjen e tyre. Ish-veteranët e UÇK-së, të cilët po ndiqen penalisht, i pranuan dokumentet e rrjedhura. Kësaj i vjen era si diçka e planifikuar më parë.

Kjo situatë nuk është befasuese duke pasur parasysh se BE-ja ka sfida serioze të brendshme për sundimin e brendshëm të ligjit; ndoshta nuk arrin të mbështesë praktikat normale ligjore në një gjykatë ndërkombëtare që financon.

Por kjo nuk ka të bëjë me ligjin; ka të bëjë me ndikimin e BE-së në Ballkan. Kjo u bë e qartë në përmbledhjen e presidentes bullgare të Gjykatës së Kosovës gjatë një takimi të ambasadorëve të BE-së, ku ajo shpjegoi jo vetëm se cilat akuza do të ngriheshin, por edhe kur mund të parashikoheshin dënimet për ata që ishin në bankën e të akuzuarve. Të them të drejtën: BE-ja duket se po përdor DSK-në për të çrrënjosur liderët çlirimtarë të Kosovës nga politika e kombit të tyre.

Evropianët nuk japin asnjë justifikim përse duhet t’u besohet atyre në Ballkan dhe administrata e Bidenit nuk tregon shenja të ri-angazhimit në rajon, por zyrtarët amerikanë duhet të angazhohen edhe një herë.

Ajo që zyrtarët amerikanë duhet të kuptojnë është se Amerika jo vetëm që e futi Kosovën në ekzistencë, por gjithashtu solli një demokraci shumëpartiake në një rajon pa histori të tillë.

Duke ripërkushtuar veten në Ballkan, Shtetet e Bashkuara mund të shpëtojnë suksesin e tyre të vetëm në shtet-ndërtim në tridhjetë vitet e fundit, përpara se të dorëzohet para indiferencës amerikane dhe paligjshmërisë evropiane.

Prof. Ivan Sascha Sheehan është drejtor ekzekutiv i Shkollës së Marrëdhënieve Publike dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Baltimores. (Burimi: The National Interest) /Zëri

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK