Zërat
Fadil Kajtazi
Fadil
Kajtazi

Argumenti i Selakoviqit në KS të OKB-së për bashkëpunim të shqiptarëve me nazistë, çka është dashur të dijë presidentja?

Zërat October 18, 2021 - 10:40

Selakoviqi nuk përmend faktin se të gjithë popujt shtetformues të Jugosllavisë mbretërore kishin “kolonën e pestë” kolaboracioniste me nazisët dhe marrë në tërësi, shqiptarët në raport me serbët më së paku i kontribuuan pushtimit dhe pushtetit nazist. Kontributin në ndihmën dhënë nazizmit Serbia e fillon para se të fillonte lufta; ajo më 1 mars 1941 iu bashkua paktit trepalësh Berlin - Romë - Tokio.

Edhe pse më 27 mars, gjenerali Dushan Simoviq bëri puq ushtarak, dhe e nxori Serbinë nga ky pakt, ajo menjëherë pas kapitullimit, formoi qeverinë kolaboracioniste me nazistët të quajtur “Qeveria e shpëtimit kombëtar” e udhëhequr nga gjenerali Millan Nediq, që organizoi formimin e Rojes Shtetrore Serbe (Srpska drëavna straëa) të njohur si “Nediqevci” me një efektiv nga 25 deri 30 mijë personave, si dhe, korpusin ushtarak prej mase 10 mijë personave të quajtur “Lotiqevci”, që i mbështetën nazistët në operacionet kundër njësive partizane në territorin e Serbisë.

Gjithashtu, pjesë kolaboracioniste serbe, e që ishte shumë aktive në mbështetje të nazistëve ishin edhe formacionet çetnike të Lëvizjes Ravna Gora (Ravnogodski pokret) të komanduara nga gjenerali Drazha Mihajlloviq, të organizuar në 52 korpuse të shpërndara në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje, me një efektiv njerëzor mbi 60 mije vetë, të njohur për krime monstruoze, kryesisht kundër popullsisë myslimane të Bosnjës dhe asaj shqiptare e myslimane të Sangjakut të Novipazarit, si dhe kundër pjesëtareve të lëvizjes partizane.

Një ndihmës të madhe, qeveria kolaboracioniste serbe, mes tjerash, e dha në identifikimin e hebrenjve dhe romëve, në arrestimin dhe dërgimin e tyre në kampet e përqendrimit. “Në territorin e Serbisë kanë qenë të hapura katër kampe të mëdha dhe të vogla. Më të njohurit kanë qenë kampet te Sajmishtja e vjetër te Zemuni, kampi në Shabac, kampi në Kryqin e Kuq në Nish dhe kampi në Batajnicë” (Sima Begovië, “Logor Batajnica”.

Këto kampe administroheshin nga qeveria serbe në bashkëpunim me gjermanet ku llogaritet së në “Batajnica kanë qenë të burgosur 100.000 presona, prej të cilëve 80.000 janë likuiduar, në Sajmishte 90.000 të burgosur, 40.000 të likuiduar dhe në kampin e Nishit kanë kaluar rreth 20.000 persona” (“Vojna Enciklopedija” Vll-4). Të gjithë këta persona, kryesisht hebrenj, “u burgosën nga pushteti kolaboracionist ku pos Policisë speciale, burgosjet i ka bërë xhandarmëria, pastaj formacionet Nediqevsat dhe Lotiqevcat, kurse nëpër fshatra komanda çetnike e Kosta Peqacit dhe Drazha Mihajlloviqit”( Sima Begovië, “Logor Batajnica”)

Në këtë pikë, nëse Selakoviq akuzon shqiptarët për kolonën e pestë të tyre, e që quheshin Ballist, ka të drejtë vetëm për atë se ata bashkëpunuan me fashizmin dhe nazizmin. Por faktet historike dëshmojnë se bashkëpunimi i tyre në krahasim me kolonën kolaboracioniste serbe ishte minor, dhe i imponuar për mbijetesë, për t’u çliruar nga një regjim më çnjerëzor dhe më antihuman, që ja kalonte fashizmit dhe nazizmit, siç ishte për shqiptarët Serbia-Jugosllavia, e viteve 1878-1912-1941.

Për ndryshe, kolona e pestë shqiptare, nuk ishte e përfshirë në gjenocid si ajo serbe. Ajo ishte e përfshirë në krime sporadike, kryesisht kundër kolonëve serb dhe malazez, njësive çetnike dhe grupeve komuniste, por jo në mënyrë të planifikuar dhe sistematike.

“Kolona e pestë shqiptare” nuk u morr dhe nuk organizoi identifikimin, arrestimin dhe zhdukjen e romëve dhe hebrenjve. Në territoret shqiptare të administruara nga fashistët dhe nazistët, hebrenjtë u ruajtën dhe u strehuan nga populli shqiptarë, kurse shqiptarët që ishin pjesë e pushtetit, nuk u bënë pjesë e gjuetisë kundër tyre.

Se cili ishte bashkëpunimi i shqiptarëve me nazistët, dhe cila ishte qasja e qeveris kolaboracioniste shqiptare ndaj çështjes së hebrenjve, si njëra nga atributet e ideologjisë naziste, dëshmohet në librin “Shpëtimi në Shqipëri” i autorit Harvey Sarner. Në libër konstatohet fakti se “Shqipëria ishte vendi i vetmi në Evropë në të cilin hebrenjtë nuk u ekzekutuan, dhe nuk ishin viktima të holokaustit të makinerisë vrastare naziste”( Harvey Sarner, “Rescue in Albania : One Hundred Percent of Jews in Albania - Rescued from Holocaust”).

Ky autori sjell një varg shembujsh se si shqiptarët i mbrojtën hebrenjtë, por edhe qeveria kolaboracioniste shqiptare. Një nga ta është ai i vitit 1943 kur “në Prishtinë, në kryeqytetin e territorit të aneksuar, autoritetet lokale ju nënshtruan kërkesave gjermane dhe i arrestuan 60 hebrenj meshkuj. Mjeku shqiptar Sporo Liti arriti ta bind kryetarin e komunës që nuk duhet të lejojë që gjermanët t’i dërgojnë këta 60 hebrenj në Poloni për t’i ekzekutuar.

Gjithashtu ai i bindi autoritetet gjermane që të burgosurit ishin të infektuar me tifo dhe duhet të drogohen në spital në Shqipëri për të shmangur epideminë. Hebrenjtë u dërguan në Berat, ku morën dokumente false dhe u shpërndanë në të gjithë Shqipërinë” . Gjithashtu ky autor dëshmon shmangien nga autoritetet kolaboracioniste shqiptare, për të mos zbatuar kërkesën e gjermanëve për të grumbulluar hebrenjtë: “Në pranverën e vitit 1944, nazistët i kërkuan zyrtarisht regjencës (autoriteteve vendase kolaboracioniste F.K) listat si dhe grumbullimin e hebrenjve në një vend... Babai i Josef Jakoelit, Rafael Jakoel dhe xhaxhai i tij Mateo Matalia... shkuan të takoheshin me Ministrin Deva (Xhafer, F.K). Për çudinë e tyre, nacionalizmi i Ministrit Deva e tejkalonte antisemitizmin e tij; ai pranoi që të protestonte tek gjermanët për rastin e tyre.

Deva ia doli që t'i bindë gjermanët që të tërheqin kërkesën për hartimin e listave të hebrenjve”( Harvey Sarner, “Rescue in Albania : One Hundred Percent of Jews in Albania - Rescued from Holocaust”).

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK