Lehtësia e ikjes nga shqiptaria
Për t’u bërë shqiptar një joshqiptar, duhet të mendohet në situatën kur ka de shqiptarizim në shtetet përreth, vendet e shtetet mike, në vendet ku shqiptarët migrojnë, ku strehohen apo ku tradicionalisht jetojnë e punojnë. Më shumë se kurrë, na duhet të kemi begati më të madhe, të bëjmë më shumë, të punojmë më shumë, të jemi më të mirë, më të dashur, më të drejtë, më të moralshëm, më fisnik, më punëtorë, më shqiptar!!!
Pse shqiptari ndërron komb për tokë, pasaportë apo interesa tjera, ndërsa ne nuk kemi krijuar mekanizma të lakmueshëm që kombet tjera të bëhen shqiptar. Trishtim. Në Greqi, nëse shohim historinë, substanca nacionale arvanitase, nuk u ruajt gjatë shekujve. Po të ruhej, nga viti 1821 e këndej, nuk do të kishte më pak arvanitas sot se më 1821.
Normalisht, një pjesë e arvanitasve, u greqizuan. Për fat të keq. Sot, ka shifra e numra të ndryshëm, por, 600 fshatra ku folët arbërisht, është numër i rrëgjuar në krahasim me vitin 1821, fuqinë ushtarake e politike të arvanitasve apo arbërorëve. Është rrëgjuar në krahasim me fuqinë ekonomike të asaj kohe sa arvanitasit në nivelin ndërkombëtar, janë të padukshëm, pa ndikim dhe plotësisht inferior para fuqisë centrifugale greke, të shovinizmit grek, Kishës Ortodokse, maksimalizimin e kulturës greke përball arvanitasve e deri te rrëgjimi i përdorimit të gjuhës, kulturës dhe qenies shqiptare, arvanitase.
Nuk njihet ndonjë grek të ketë ndryshuar kombësinë e vet. Shembuj kur arvanitasit deklarohen grek, janë me mijëra. Për fat të keq. Kjo ka ngjarë edhe me funksionarët e BE-së nga Greqia që ishin arvanitas dhe kurrë nuk e konfirmuan etninë e tyre të vërtetë, fshiheshin prapa shtetësisë.
E njëjta situatë është edhe situata në fqinjësinë tonë të afërt, Maqedoninë e Veriut. Madje, edhe më keq. Përqindja e shqiptarëve të maqedonizuar, është madje në përqindje më i madh se rikthimi në identitet, në gjurmët e veta, po ashtu, në përqindjen më të vogël. Kujtojmë këtu Republikën e Krushevës të ndërtuar e të mbrojtur nga shqiptarët, me po aq rëndësi gati sa Pavarësia e Greqisë dhe rilindësit e Rekës. Kujtojmë këtu me nderim akademikët që njiheshin si maqedonas, deklaruan se janë thjeshtë shqiptarë, nga prindër shqiptar, që prindërit e tyre dhe gjyshërit, nuk njihnin ndonjë gjuhë tjetër, pos asaj shqipe.
Por, nuk është dëgjuar në opinion se maqedonasit të jenë deklaruar shqiptarë, me origjinë të mirëfilltë maqedonase, bullgare apo thjeshtë sllave. Pra, shqiptarë që deklarohen maqedonas, janë me mijëra, e maqedonas të deklaruar shqiptarë, nuk është parë asnjeri.
Mali i Zi, është shtet i krijuar mbi zonat etnike shqiptare, me tokë e troje etnike shqiptare, ashtu sikur Greqia dhe Maqedonia e Veriut, por, duke pasur parasysh madhësinë e këtij vendi, dhimbja për Tivarin, Ulqinin, Malësinë, Plavë e Guci, është e pariparueshme në përpjekjet e vazhdueshme për të mbetur shqiptar.
Sot, në Tivar, Ulqin apo ndonjë vend tjetër, shqiptari deklarohet malazias. Mirë që deklarimi është liri e individit, por, me atë deklarim edhe bastardon mbiemrat, ashtu siç bastardohen mbiemrat me rastin e greqizimit, maqedonizimit, serbizimit, kroatizimit apo deklarimit malazias. Lehtas, Gashi bëhet Gashiq, Kelmendi bëhet Klimenta, Berisha bëhet Berishiq, Kola bëhet Koliq, e shembuj të pafund të mërgimit të pakthyeshëm nga shqiptar në malazias apo boshnjak.
Kjo sikur nuk ju mjafton shpirtshiturve, por edhe kishën katolike e ndryshon me atë ortodokse, duke u bërë më i zi se vet malaziasi ndaj shqiptarëve. Për më keq, e di se është shqiptar i ziu, por e thotë me gjysmë goje, apo kur ka interes, e kthen përkatësinë etnike reale. Këto deklarime, përgjatë një shekulli e gjysmë, janë të mjaftueshëm sa ta dimë edhe forcën e Malit të Zi, me malaziasit e konvertuar nga shqiptar në malazias.
Shtrohet pyetja, a ka malazias që deklarohet shqiptar. Malazias që përqafon kulturën, etnicitetin dhe shpirtin shqiptar si të vetin. Shembuj të tillë, nuk kishte në opinion, së paku jo në 50 vitet e fundit.
Po Serbia, a ka shqiptarë të deklaruar serbë në Serbi? S’do mend se ka. Nga Karagjorgjeviqët e teposhtë, nga Gjokoviqi e Ana Ivanoviq e teposhtë. Pra, më në numër janë në Serbi, për trojet ku jetuan shqiptarët, në Toplicë, Kralevë e teposhtë, më nuk janë. Kanë mbetur emërvendet, aty këtu edhe ndonjë gjurmë tjetër. Mbiemrat tradicional shqiptar, nuk mungojnë, por, origjinën nuk e pranojnë, por vetëm në rastet kur detyrohen nga përshkrimi i gjenealogjisë se janë ish arnaut apo arbanas, me mbiemra barlov, bardiq, gashiq, etj. Historia serbe është me heronj me origjinë shqiptare, sigurisht, ka të tillë që u shquan me masakra pikërisht kundër shqiptarëve.
I tillë është kasapi i Ballkanit, urrejtësi i shqiptarëve, Millosheviqi, i cili ka origjinë nga fshati me largësi 13 kilometra nga Vërmoshi, po aq larg nga Selca e Malësisë së Madhe. Origjina e tij, gjyshi dhe familja e madhe e tyre, janë të njohur për shpërngulje dhe të arritura, por edhe me aktet vetëvrasëse. Babai i tij ka jetuar edhe në zonën e Tuzit, për t’u shpërngulur më pastaj në Pozharevc. Origjina, nga zona që vinte, e bëri kundërshtar të shqiptarëve dhe kreu gjenocid ndaj shqiptarëve, sikur Karagjorgjeviqët, si dhe gjeneralët apo burrështetasit me shtetësi greke, turke, serbe, malaziase, maqedonase apo kundërshtuesi i origjinës arbëreshe, vet kryeministri italian, Françesko Krispi.
Shqiptarët e ikur më 1789 nga Kosova, Këlmendasit e transformuar në Kliment, arritën deri në Çeki e Sllovaki, tretja nga etniciteti ishte rruga e vetme e tyre, mbisundoi qenësia fetare. Ndërsa këta që mbeten si të shpërngulur nga Kosova sot në Serbi, të rrallë janë që e pranojnë se janë me origjinë shqiptare, shumica prej tyre u serbizuan.
Shqiptarët në Perandorinë Otomane, e pastaj Republikën e Turqisë, kodin e brendshëm e kanë të ruajtur si shqiptar, por, si turq, i kanë arritjet më të mëdha. Prandaj, procesi i turqizimit të shqiptarëve ndër shekuj, ishte i pandalshëm, ashtu siç u zhdukën shqiptarët e Egjiptit, Sirisë, Bagdatit, Jemenit apo edhe Libanit.
U tretën si kripa në ujë. Po që ishin të veçantë, por, nuk u mbajtën. Megjithatë, nuk mbahet mend ndonjë nga këto kombe ku jetojnë shqiptarët, të jenë deklaruar shqiptar. Njëjtë vlen për boshnjakët, kroatët, gjermanët, austriakët, zviceranët, amerikanët, francezët, anglezët, suedezët, argjentinasit, kilianët, në shtetet apo vendet ku jetojnë shqiptarët.
Shkon shqiptari nga vendi i vet aty diku, ndërron gjuhë, komb e doke, duke u shkrirë në kulturën vendore. Por, jo të gjithë. Arbëreshët e Zarës kanë rezistuar, ashtu si arbëreshët e Italisë, arvanitasit, arnautët në Turqi e Siri, arbëreshët në Amerikë, Argjentinë e Kili e ndonjë vend tjetër.
Çështja në këtë qasje është, çfarë disponojmë në etnosin tonë, etnologjinë tonë, etnopsikologjinë tonë me tendenca të ndryshojmë, të heqim dorë nga vetja. Po, përgjigjet janë të shumta.
Pyetja e thjeshtë është pse asnjë nga këto kombe me të cilat kufizohemi apo kanë arritur të na pushtojnë, të bashkëjetojmë për shkak të përkatësisë në ndonjë perandori apo mbretëri, nuk e pëlqejnë tek ne, thjeshtë, nuk duan të bëhen shqiptar, edhe në aspektin formal.
Vallë, dikush apo secili që rezonon për kombin, duhet t’ia vë gishtin kokës e të mendojë, pse nuk pëlqehemi nga popujt ku në mesin e tyre dhamë kontribut, si për grekët, turqit, maqedonasit, malazezët, serbët. Sipas kësaj që shihet, nuk pëlqehemi as nga gjermanët, zviceranët, amerikanët, as nga boshnjakët, apo kombet e shtetet ku kontribuuam si Egjipti, Italia, apo ndonjë shtet tjetër.
Hiç këtu Shabanin e Gjermanisë, Xhonin, e përkrahësit e dhjetëra të huaj që iu bashkuan UÇK-së, që e jetojnë dhe përjetojnë mrekulli në shekullin e tyre bashkë me kombin tonë.
Të mendohet se çfarë është në shekullin 21, e tepërt që të huajt nuk e pëlqejnë, sepse, nuk po ju pëlqen as vëllezërve tanë që japin dorëheqje nga shtetësia, nga kombi e gjuha. Pse?
Gjithsesi do studime të gjithanshme, pse ngjan kjo. Do të duhej të pavdekshmit, studiuesit e dijetarët të na tregonin më shpesh për dobësitë tona, për të hequr dorë nga to. Sepse, ne e dimë, edhe kush ishte Pirro dhe Justiniani, edhe Diokleciani edhe Teuta, edhe Flori edhe Shën Jeronimi, e dimë kush ishte Gjin Gazulli, Leonik Tomeu e Niketë Dardani, Gjergj Basta edhe Mikel Maruli edhe Papa Klimenti, Bubulina, Karpaçi, Mojsiu e Karl Gega, Stipçeviqi dhe Rela, Sami Frashëri, Krispi dhe Antonio Gramshi. Bota e njeh Skënderbeun, Adem Jasharin dhe Shenjtën Nënë Terezë. Po, na njohin, edhe me Majlindën, Ritën e Duan.
Si duket, për t’u bërë shqiptar një joshqiptar, duhet të kemi argumente. Më shumë se kurrë, na duhet të kemi begati më të madhe, të bëjmë më shumë, të punojmë më shumë, të jemi më të mirë, më të dashur, më të drejtë, më të moralshëm, më fisnik, më punëtorë, më shqiptar!!!
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK