Zërat
Emin Azemi
Emin
Azemi

Privatizimi i kauzave!

Zërat July 07, 2021 - 16:16

Sot nuk e kemi dimensionin e heroit kolektiv, që ishte një popull i tërë i martirizuar, por

kemi heronj lokal, të cilët ngrihen në formë statujash më tepër për të shëruar egot individuale të politikanëve lokal, sepse ata më lehtë e kanë të identifikohen me heronjtë e vdekur, se sa me një popull të tërë-hero, që i mbijetoi gjenocidit të egër serb. Populli hebre nuk mbetet kampion i edukatës dhe kulturës së lartë të memorimit të së kaluarës nëse do të ishte përqendruar vetëm në raste individuale të heroizmave.

Asnjë shoqëri, e lëre më shtet, nuk mund të mbijetojë pa kauzat e veta sublime. Njerëzit zakonisht nuk shquhen vetëm me veprat dhe projektet që i realizojnë në momente të caktuara, por edhe me kauzat e tyre të cilat qëndrojnë si themele mbi ideale. Pra një kauzë mund të prodhojë efekt shumëfish më të madh nëse ajo karakterin mobilizues e shtrin në të gjitha kapilarët e një shoqërie. Me fjalë të tjera, kauzat mund të jenë të përjetshme, kurse veprat dhe projektet – e përkohshme.

Nëse i hedhim një sy historisë së shkurtër të Kosovës së 20 viteve të fundit, do të vërejmë se atje pati një proces mjaft aktiv në shtetndërtim, që u shoqërua me vendosjen e disa parametrave institucional e kushtetues, si atribute të domosdoshme të ngritjes së shtetit nga pozita zero, pas përfundimit të luftës dhe përzënien e forcave okupatore serbe.

Por sa ky shtetndërtim pati në themel kauzën e përjetësisë? Në fakt, kauza kishte ndodhur para se ajo të shndërrohej në akt kolektiv të mbamendjes, siç është, bie fjala, rasti me flijimin e familjes Jashari në Prekaz të Drenicës. Kjo sakrificë sublime që identifikohet me figurën emblematike të Adem Jasharit, me kalimin e kohës nuk e mori statusin që e meritonte, por mbeti në suaza të një shënimi të përvitshëm ceremonial, me aktivitete tash më klishe, ku shteti paraqitet më tepër si arbitër për të kryer obligimin e radhës ndaj heroit, se sa si një përkushtim permanent që duhet shtrirë në planin shumëdimensional të jetës publike e shpirtërore të Kosovës.

Kjo mënyrë ceremoniale e sipërfaqësore e skicimit të heroizmit në praktikën institucionale të Kosovës nuk arriti të ngre në kod kulturor një kauzë e cila me dinamikën dhe dramacitetin e vet kishte përmasat e një flijimi titanik.

Figura e Adem Jasharit në vend se të gdhendej në gravurën kolektive të heroizmit të popullit të Kosovës, ajo u fragmentua në ofiçinat e politikës së ditës. Për rrjedhojë ne sot nuk e kemi dimensionin e heroit kolektiv, që ishte një popull i tërë i martirizuar, por kemi heronj lokal, të cilët ngrihen në formë statujash më tepër për të shëruar egot individuale të politikanëve lokal, sepse ata më lehtë e kanë të identifikohen me heronjtë e vdekur, se sa me një popull të tërë-hero, që i mbijetoi gjenocidit të egër serb.

Kjo po ndodhë si pasojë e mungesës së sensit për të projektuar kauza mbi ngjarje që edhe sot vazhdojnë të prodhojnë efekte epike me përmasa kolektive. Populli hebre nuk mbetet kampion i edukatës dhe kulturës së lartë të memorimit të së kaluarës nëse do të ishte përqendruar vetëm në raste individuale të heroizmave. Holokausti sot mbetet model i kujtesës dhe kodifikimit të sakrificës sublime në dimensionin kolektiv. Një model të tillë edhe Kosova ka pasur nevojë ta ngre në kauzë, mirëpo atje ka mbisunduar prirja romantike për të projektuar heroizmin individual si vegël e legjitimimit të politikave ditore.

Dritë-hijet e kauzave në hapësirën mbarëshqiptare patën morfologjinë e tyre, ngjashëm me efektet finale që kishin disa aksione qytetare, ku rezultatet dolën të jenë tepër dëshpëruese. Në Kosovë, bie fjala, sakrifica sublime e Adem Jasharit nuk është shndërruar në një ikonë kolektive të heroizmit të popullit, dhe për rrjedhojë – sot më tepër flitet për komandantë zonash, e më pak për sakrificë kolektive të një populli të tërë.

Hiq më mirë nuk qëndrojnë edhe kauzat shqiptare në Shqipëri dhe Maqedoni, sepse edhe atje ka tendenca që të privatizohet heroizmi kolektiv dhe të futet në shishet e vogla të inkubatorëve partiak.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK