Fjalimi i Stoltenbergut në KFOR: Stabiliteti i rajonit ka rëndësi për gjithë Evropën dhe NATO-n
Fjalimi i plotë i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s para trupave të KFOR-it gjatë vizitës së sotme, i përkthyer nga Zeri.info.
Gjeneral Federici.
Ushtarë.
Mirëdita të gjithëve.
Dhe faleminderit shumë që gjetët kohën për të më takuar.
Është kënaqësi për mua të kthehem në Prishtinë, të kthehem në Kosovë dhe përsëri të jem në gjendje të takoj KFOR-in dhe trupat nga kombet e ndryshme që marrin pjesë në misionin tonë shumë të rëndësishëm këtu.
Mund të nis gjithashtu duke uruar Kanadanë për Ditën e tyre Kombëtare. Pra, urime.
Fakti se jemi shumë kombe këtu nga shtetet aleate të NATO-s, por edhe nga disa kombe partnere, tregon fuqinë e misionit tonë. Demonstron përkushtimin nga shumë kombe ndaj stabilitetit dhe paqes në Kosovë dhe në këtë rajon. Dhe ju duhet ta dini se misioni i KFOR-it është i rëndësishëm jo vetëm për Kosovën e për rajonin, por është i rëndësishëm për NATO-n dhe për të gjithë aleatët e NATO-s, sepse kemi parë përgjatë historisë se stabiliteti i këtij rajoni ka rëndësi për të gjithë ne. Ka rëndësi për Evropën, ka rëndësi për NATO-n.
Pra, siç themi shpesh në NATO, kur fqinjësia jonë është më stabile, ne jemi më të sigurt. Dhe ju po na ndihmoni ta arrijmë këtë. Mesazhi im kryesor sot është të ju falënderoj të gjithë juve burra e gra që shërbeni në KFOR. Të gjithë burrat e gratë që e kanë bërë këtë të mundshme. Dhe dijeni gjithashtu se nuk keni ballafaquar vetëm me situatën e sigurisë, me sfidat politike në këtë rajon në Kosovë, por jeni gjendur edhe në një situatë ku keni qenë... ku është shfaqur nevoja të merreni edhe me pandeminë, të përballoni COVID-19. Dhe kjo gjithmonë është e vështirë por natyrisht është veçanërisht sfiduese në një operacion, mision ushtarak, sikurse KFOR-i.
E di që keni qenë në gjendje të përballoni në mënyrë të suksesshme pandeminë dhe të keni numër të limituar të personave të infektuar, dhe ju vlerësoj edhe për mënyrën se si keni qenë në gjendje të përballeni me pandeminë teksa e kryeni detyrën tuaj të rëndësishme në misionin e KFOR-it.
Më lejoni të them po ashtu se KFOR-i, siç e dini, është operacioni ushtarak më jetëgjatë i NATO-. Natyrisht se kemi aktivitet të ndryshme ushtarake, kemi aktivitet të NATO-s brenda territorit të NATO-s, dhe natyrisht këtë e kemi pasur në më shumë se 70 vjetët e fundit, prej se ka ekzistuar NATO-ja.
Por kur i shikojmë misionet dhe operacionet ushtarake jashtë NATO-s, nuk ka mision apo operacion që ka zgjatur më shumë se KFOR-i.
Për shumë, shumë vite, natyrisht se operacioni në Afganistan ishte më i madhi, por teksa ne po flasim, shpejt do ta përfundojmë misionin atje. KFOR-i jo vetëm që do të jetë më jetëgjati, por edhe operacioni më i madh ushtarak i NATO-s.
Pra, edhe një herë, faleminderit për këto që i bëni. Jemi jashtëzakonisht shumë falënderues.
Faleminderit për shërbimin tuaj. Është me rëndësi për të gjithë ne që ta bëni këtë punë siç e bëni, me përkushtim, me profesionalizëm, dhe me përkushtimin që ju të gjithë e tregoni dhe e demonstroni çdo ditë.
Pra, faleminderit shumë.
Dhe një herë, faleminderit juve, Gjeneral. Faleminderit. /Zëri
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK