Vidovdani si kod mashtrues i politikave ekspansioniste serbe
Vidovdani i sivjetmë mund të ketë një konotacion të posaçëm në atmosferën politike që po mundohet Beogradi ta instalojë, duke e përdorur si alibi, gjoja, rrezikimin e trashëgimisë fetare në dialogun e Brukselit. Bashkësia ndërkombëtare do t’i ketë lexuar tash më këto kode mashtruese te serbëve, kurse krerët shtetëror e politik të Kosovës nuk do të lejojnë që të bien në grackat e Beogradit, duke u futur në labirinthet e një dialogu ku mesjeta kishtare serbe projektohet si një Vatikan i ri që duhet të instalohet në tokën e Kosovës.
Festa e Vidovdanit, si gjithmonë, edhe sot do të shfrytëzohet nga propaganda Beogradit për të “dëshmuar” se Kosova është djepi shpirtëror i Serbisë.
Edhe në të kaluarën, edhe sot, Serbia nuk e ka hallin tek dimensioni shpirtëror e human që transmetohet përmes fesë, por tek instrumentalizimi i fesë për politikën e saj ekspansioniste.
Kisha ortodokse ka qenë në shërbim të hegjemonisë serbe dhe ky rol po manifestohet sidomos muajve të fundit. Në dialogun Kosovë-Serbi, Kisha serbe është përfshi si një palë që ka synim dizajnimin e politikave të Beogradit kundrejt Kosovës.
Serbët e Kosovës sot në Graçanicë dhe në Gazimestan janë mbledhur qysh në orët e mëngjesit për të festuar Vidovanin, datë kjo e cila festohet në kujtim të Betejës së Kosovës.
Patriarku serb Porfirije në liturgjinë e tij në Manastirin e Graçanicës, sot do të provojë edhe një herë të integrojë fatalitetin serb në relievin e zhubravitur historik të mbushur me triumfalizma të sforcuar e krejt artificial.
Vetëm serbët humbjet i kthejnë në festa. Edhe kremtimi i Vidovdanit ndërlidhet me përvjetorin e Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitoren shpirtërore të saj, pavarësisht një humbjeje të madhe të forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb Lazar.
Humbjet e serbëve në histori, nuk kanë qenë kurrfarë pengese që ato të shndërrohen në lajtmotiv vrastar për popujt tjerë. Kështu ndodhi edhe me kremtimin e përvjetorit të Betejës së Kosovës në vitin 1989, kur ish-presidenti serb Sllobodan Millosheviq, reinkarnoi shovinizmin serb në politikat shtetërore hegjemoniste. Kulmi i këtij shovinizmi u arrit me rrënimin e autonomisë së Kosovës, që ishte prologu i një fushate të përgjakshme kundër popujve tjerë të ish-Jugosllavisë, në fillim të viteve 90-të.
Vidovdani i sivjetmë mund të ketë një konotacion të posaçëm në atmosferën politike që po mundohet Beogradi ta instalojë, duke e përdorur si alibi, gjoja, rrezikimin e trashëgimisë fetare në dialogun e Brukselit.
Vuçiqi do të bëjë çmos që të aktroj rolin e viktimës, sepse ai është i vetëdijshëm se vetëm petku i viktimës ia mbulon trupin e agresorit të pandëshkuar për krimet e bëra nga pararendësit e tij, ku edhe ai ishte pjesë e të njëjtës falangë vrastare.
Bashkësia ndërkombëtare do t’i ketë lexuar tash më këto kode mashtruese te serbëve, kurse krerët shtetëror e politikës të Kosovës nuk do të lejojnë që të bien në grackat e Beogradit, duke u futur në labirinthet e një dialogu ku mesjeta kishtare serbe projektohet si një Vatikan i ri që duhet të instalohet në tokën e Kosovës.
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK