Një enciklopedi e marrëdhënieve kulturore dhe letrare shqiptaro- anglo-amerikane, similitudë e katedrales gotike
(Një vëzhgim mbi monografinë Skënderbeu dhe shqiptarët në kulturën e anglosferës të Prof. Dr. Refik Kadijës)
Monografia Skënderbeu dhe shqiptarët në kulturën e anglosferës e Prof. Dr. Refik Kadijës është një libër i rrallë, i cili trajton një temë dhe problem tejet interesant dhe aktual, me dobi të shumëfishtë shkencore, akademike dhe filologjike. Ky libër para së gjithash është me interes dhe i dobishëm për studentët, gazetarët, publicistët, studentët, studiuesit, intelektualët dhe dashamirët e historisë, gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, angleze dhe amerikane. Pikërisht këtu konsiston edhe vlera kryesore e këtij studimi, ngase ndonëse dihet që tema dhe motivet shqiptare janë paraqitur dhe trajtuar që në fillet e letërsisë angleze dhe amerikane, megjithatë fort pak studime të mirëfillta dhe gjithëpërfshirëse, të nivelit akademik janë shkruar për to. Libri i ka 381 faqe, që i paraprinë një parathënie e ngjeshur dhe gjithëpërfshirëse e studiuesit, dijetarit dhe profesorit të mirënjohur, Dr. Mokiom Zeqo. Libri Skënderbeu dhe shqiptarët në kulturën e anglosferës është ndarë sipas një renditje kronologjike, duke u bazuar në shkrimet dhe veprat letrare të shkruara për Skënderbeun dhe shqiptarët nga shkrimtarët e spikatur të periudhave të ndryshme të letërsisë angleze dhe amerikane. Ky studim është e organizuar (ndarë) në kapituj si në vijim: 1. Tema dhe motive shqiptare në letërsinë e traditës; 2. Katër autorë amerikanë të shekullit XIX për Skënderbeun; 3. Temat shqiptare në letërsinë angleze të periudhës viktorine; 4. Temat shqiptare në vepra të autorëve anglezë dhe amerikanë të shekullit XX; 5. Diaspora shqiptare në kulturën anglofone dhe 6. Pesë shkrime për Skënderbeun, shqiptarët dhe Shqipërinë. Do thënë që në krye të herës se, jam plotësisht dakord me vlerësimin e Dr. Moikom Zeqos, i cili konsideron se në këtë libër ka zbulime dhe argumente kulturore, por unë do të thosha edhe akademike dhe shkencore, të bëra publike për herë të parë për publikun e gjerë shqiptarë.
Fushëveprimtari e gjerë dhe talent i shumëfishtë
Autori i librit Prof. Dr. Refik Kadija ka lindur në Shkodër të Shqipërisë në vitin 1941. Gjatë karrierës së tij të begatshme pedagogjike, akademike dhe shkencore është marrë jo vetëm me mësimdhënie, por ka shkruar edhe libra, monografi, punime shkencore dhe profesionale, ka përkthyer disa vepra të letërsisë angleze, si dhe ka marrë pjesë në një mori kongresesh, simpoziumesh dhe konferencash shkencore jashtë vendit. Profesor Kadija është një ndër anglistët e parë dhe më të shquar në botën shqiptare dhe një ndër themeluesit e Departamentit të anglishtes në Universitetin e Tiranës. Thënë shkurt, Profesor Refik Kadija është nga ato talentet shumëfishe që kanë fushëveprimtari shumë të gjerë, të begatë dhe që veprimtarinë e tyre e shprehin në forma të nduarduarshme shkencore dhe akademike. Ndaj, s’është e rastit që këso veprash të rralla, të veçanta dhe me vlera gangullore shkencore, akademike dhe kulturore dalin vetëm nga pena e personaliteteve kaq të shquara dhe kaq të veçanta si prof. Refik Kadija.
Gjatë hartimit të kësaj kryevepre shkencore profesor Kadija është orientuar dhe mbështetur në konceptet, qasjet dhe metodat e historisë së letërsisë kombëtare, nga një anë dhe të metodave të letërsisë krahasimtare dhe të gjithmbarshme, nga ana tjetër. Duket sheshit se, profesori i është përmbajtur definicionit të Van Tigemit, sipas të cilit është e vërtetë se letërsia kombëtare duhet të jetë objektiv i historisë së letërsisë kombëtare, por sipas tij, letërsia e gjithmbarshme interesohet për ato lëvizje, dukuri dhe tendenca letrare që i kapërcejnë caqet kombëtare, kurse letërsia e krahasuar merret me marrëdhëniet midis dy a më shumë letërsive. Në këtë rast është fjala për marrëdhëniet historike, letrare dhe kulturore midis tri kombeve, d.m.th. shqiptarëve, anglezëve dhe amerikanëve.
Kryevepër shkencore- Mrekulli e botës shqiptare
Në botë ekzistojnë shtatë mrekulli, ndërkaq për këtë libër mund të them me gojën plot se është mrekulli e botës shqiptare. Është një enciklopedi e marrëdhënieve letrare dhe kulturore shqiptaro- amerikane dhe një margaritar, xhevahir dhe perlë e filologjisë shqiptare. Për më shumë, kjo vepër është edhe një similitudë e katedrales gotike, ngase i ka tiparet formale të gotikës, stili artistik dhe shprehja madhore e të cilit janë katedralet. Ruskini vëren se ndërtimet gotike paraqesin një përbashkim të vazhdueshëm stolisjesh, harkoresh, majash, të cilat u japin katedraleve gotike një pamje madhështore dhe të rëndë. Ndërkohë, pikërisht prej këtij grumbullimi të këtyre elementeve, të njëjtat ndërtime duket sikur nuk do të mbarojnë kurrë, ngase ato duken gjithnjë të gatshme për shtesa të saj, ndryshime, domethënë gjithnjë të pafundme, të pasosura dhe të përjetshme. Edhe libri dhe hulumtimet shkencore të prof. Refik Kadijës, ashtu si stili gotik me të cilin merret Ruskini, i ngjasojnë njëfarë sendërtimi të “katedrales gotike” që është e pafundme dhe e pambaruar dhe e përjetshme.
Trajtimi i detajuar i temave dhe motiveve shqiptare nga shkrimtarë anglo- amerikanë
Që në fillim të librit të tij prof. Kadija vë në dukje se, temat dhe motivet shqiptare, që nga koha e Ilirisë së lashtë e deri në ditët tona, i gjejmë të trajtuara gjerësisht në vepra historike dhe se ato më vonë bëhen objekt trajtimi në ditarët dhe shënimet e udhëtimit të misionarëve, turistëve dhe udhëtarëve të huaj, si dhe në veprat shkencore albanologjike të studiuesve të huaj, përfshirë dhe ata anglezë e amerikanë. Kështu, sipas prof. Kadijës, përveç Bajronit e miqve të tij udhëtarëve anglezë bashkëkohës me të, pati mjaft anglezë të tjerë të shquar që treguan interes për Shqipërinë e shqiptarët dhe e trajtuan temën shqiptare gjatë shekullit XIX dhe XX, si Eduard Liri, Benxhamin Dizraeli, E. Durham-i, M. Hasloku, B. Aldisi. Pati edhe disa autorë amerikanë, të cilët e trajtuan me ndjeshmëri të veçantë temën shqiptare, si H. H. Longfellou, Xhejms Ludllow etj., disa prej të cilëve e prekën fizikisht realitetin shqiptar si gazetarja dhe udhëtarja e famshme amerikane Rouz Uilder Lejn, romancierja amerikane me origjinë shqiptare Loreta Çejs, etj. Në vijim, Dr. Kadija sqaron se, shkrimtarët që trajtuan motivet e temën shqiptare u ndikuan e u frymëzuan nga vepra letrare, por më shumë nga vepra historike, si nga historianët e lashtë, ashtu edhe nga historianët e mëvonshëm, si: Marin Barleti, Jaques de Lavardin, Richard Knolles (The Generall Historie of the Turkes, London, 1603), Edward Gibbon (The Decline and Fall of the Roman Empire), etj.
Veç këtyre, prof. Kadija bën të ditur se drejtimet dhe fushat kryesore të trajtimit të temës dhe motiveve shqiptare në letërsinë angleze të traditës dhe në letërsinë amerikane përfshijnë: portretizimin e figurave të shquara, si: Aleksandri i Madh, Skënderbeu, Ali Pashë Tepelena, Mehmet Ali Pasha, Ahmet Zogu, Nëna Terezë, etj., përshkrimin e zakoneve dhe traditave të shqiptarëve, evidentimin e cilësive morale dhe të psikologjisë së shqiptarit në përgjithësi, përshkrimin e natyrës shqiptare, përdorimin e toponimeve shqiptare, etj. Ndërkaq, në fund konstaton se, autorët e shkrimeve mbi Shqipërinë dhe shqiptarët u mbështetën në histori, në gojëdhëna të lashta, në legjenda, në vepra letrare pararendëse dhe në mbresa vetjake nga udhëtime nëpër fise të ndryshme shqiptare.
Vlerësime të autorëve anglo-amerikanë për kryetrimin tonë
Mirëpo, padyshim figura e kryetrimit tonë, Gjergj Kastriot Skënderbeut, trajtohet më së shumti dhe dominon në mesin e temave dhe motiveve shqiptare në veprat e shkrimtarëve të periudhave të ndryshme letrare të letërsisë angleze dhe amerikane, si: Edmund Spenser, William Havard, George Lillo, Thomas Wincop, Benjamin Disrael, Clement Clark Moore, H. Longfellow, Agnes Repplier, Lord Byron. Sipas prof. Kadijës, figura e Skënderbeut ka zënë një vend të veçantë dhe të merituar në historinë dhe letërsinë angleze dhe amerikane. Mijëra vëllime historike dhe qindra vepra artistike letrare kanë përjetësuar me shkronja të arta kohën e paraardhësve tanë dhe emri i Skënderbeut është bërë sinonim i virtyteve morale dhe udhëheqjes superiore ushtarake, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e vlerave më të çmuara të njerëzimit: nderin dhe lirinë, atdheun e tij, pavarësinë e tij dhe civilizimi evropian. Shumë poezi, romane dhe drama për Skënderbeun janë shkruar në gjuhën e Shekspirit dhe emri i heroit kombëtar shqiptar është përmendur është lavdëruar dhe lartësuar nga studiuesit dhe shkrimtarët më të shquar anglezë dhe amerikanë.
Gjatë fazës së parë, e cila fillon në shekullin e 16-të, shkrimtarët anglezë që kanë shkruar vepra letrare me temën e Skënderbeut janë: Edmund Spencer, Christopher Marlowe, Richard Lovelace, etj. Më pas, gjatë një periudhe prej rreth 130 vjetësh nuk u shkrua ndonjë vepër e veçantë letrare në letërsinë angleze dhe amerikane përveç një poezie epike "La Scanderbeide" ose në anglisht "Skcanderbeide-The Heroic Deeds of George Scanderbeg, King of Epirus" nga Margherita Sarrocchi (1560- 1617) dhe një roman me titull: "Le Grand Scanderberg" ose në anglisht "The Great Scanderbeg", nga romancieri francez Anne de la Roche Guilhem (1644 - 1707/1710). Veç këtyre, gjatë fazës së dytë, e cila zgjati nga shekulli i 17-të deri në të 19-të, ka mjaft autorë që e kanë trajtuar temën e Skënderbeut në veprat e tyre letrare midis tyre më të dalluarit janë: Sir William Temple, William Haward, George Lillo, Thomas Wincop, George Gordon Byron, Benjamin Disraeli, etj.
Ndërkaq, vlen të vihet në pah se, veprat letrare për Skënderbeun u shkruan kryesisht sipas dy modeleve artistike: modeli i parë që glorifikonte historinë dhe bëmat e Skënderbeut, ndërsa i dyti kishte një qasje më realiste. Shkrimtarët anglezë dhe amerikanë, me pak përjashtime, nuk e përshkruan dhe e portretizuan Skënderbeun vetëm si një hero të shqiptarëve, por si pjesë të historive dhe kulturave të tyre kombëtare, duke i paraqitur dhe konsideruar bëmat e tij që synonin jo vetëm mbrojtjen e krishterimit, por edhe mbrojtjen e gjithë civilizimit evropian. Është interesant se, ndonëse pavarësia shqiptare kishte mbaruar pas vdekjes së Skënderbeut, megjithatë Skënderbeu vazhdoi të përshkruhej dhe konsiderohej si një nga udhëheqësit kryesorë, personalitetet dhe dëshmitë më të fuqishme të identitetit shqiptar në kontinentin evropian. Shkrimtarët anglezë dhe amerikanë kanë artikuluar në veprat e tyre përmes figurës së Skënderbeut botën e trazuar shqiptare, preokupimet dhe përpjekjet e saj për të dalë nga zgjedha e pushtuesit osman dhe burrërinë, guximin, vizionin, vendosmërinë e Skënderbeut dhe shqiptarëve për t’i mbrojtur vlerat e krishterimit evropian. Prandaj, pa dyshim që Skënderbeu ka frymëzuar dhe nxitur historianë dhe shkrimtarë anglezë të shkruajnë për bëmat e tij të lavdishme kryesisht për shkak të veprimeve të tij, strategjisë së luftës, qëllimeve dhe angazhimit për të mbrojtur atdheun, lirinë dhe vlerat e kulturës, civilizimit dhe krishterimit evropian. Në përgjithësi, Skënderbeu në veprat letrare të shkruara nga autorë anglezë dhe amerikanë u përshkrua si një shtetar, diplomat dhe ushtarak gjenial për rolin e tij në shpëtimin e Evropës Perëndimore nga pushtimi osman, dhe kështu veprat e tyre letrare u pritën kryesisht me ngrohtësi dhe entuziazëm, duke bërë që Skënderbeu të konsiderohej si një prej udhëheqësve dhe figurave historike më të njohura në letërsinë angleze dhe më vonë edhe amerikane nga shekulli i 16 deri në fund të shekullit të 19-të.
S’ka pike dyshimi se, kjo vepër jo vetëm që i hedh dritë, analizon dhe shqyrton të dhëna, fakte dhe argumente relevante historike dhe kulturore në përgjithësi, po edhe i thellon relacionet kulturore shqiptare angleze dhe amerikane në kohën tonë.
Ndërkaq, afër mendsh këtë vëzhgim do të doja ta përfundoja me vlerësimin që i bën kësaj kryevepre të marrëdhënieve shqiptaro-anglo-amerikane në fund të parathënies së këtij libri studiuesi dhe profesori i madh, Dr. Mokiom Zeqo: “Niveli i lartë studimor i këtij libri është një ndihmesë e patjetërsueshme, për studentët, për vetë Elitën Kulturore të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, studiuesit e rinj, të cilët e kuptojnë se njohja globale kulturore është një dukuri e pashmangshme dhe e pamohueshme dot dhe në këtë njohje globale, kultura e anglosferës është gati një lloj postulati i kohërave moderne”.
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK