Infektuar: 107497
Shëruar: 104054
Vdekur: 2245
Zërat
Fatmir Seferi
Fatmir
Seferi

Letër e hapur për udhëheqësit e Republikës së Kosovës

Zërat June 01, 2021 - 13:28

E nderuara presidente e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani,

I nderuari kryeministër i Republikës së Kosovës, zotëri Albin Kurti,

I nderuari kryekuvendar i Republikës së Kosovës, zotëri Glauk Konjufca,

I nderuari ministër i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, zotëri Arben Vitia,

I nderuar ministër i Brendshëm i Republikës së Kosovës, zotëri Xhelal Sveçla,

E nderuara ministre e Jashtme dhe e Diasporës, zonja Donika Gërvalla,

“Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë”, thoshte Albin Kurti.

Para afro dy javësh dëgjuam thirrjet tuaja drejtuar mërgatës që ta vizitojmë Kosovën. Ashtu edhe bëmë dhe me familje arritëm në Kosovë. Në kufi paguam sigurimin për makina, që për pak kohë ishte hequr. Pas 9 ditësh deshëm t’i kalojmë 3 ditë në Shqipëri. Me t’u kthyer nga atje, rreth orës 2:00 të mëngjesit, polici në kufi kishte fjetur. Si i vetmi kalimtar u detyrova ta zgjoj nga gjumi policin në Vërmicë. Ai m’u drejtua i shqetësuar, duke më thënë se duhet të karantinohem për 10 ditë sepse kam nënshtetësi gjermane.

Pastaj më tha: “bashkëshortja juaj dhe fëmijët nuk kanë nevojë për karantimim, pasi kanë nënshtetësi kosovare”.

Si ka mundësi që ne si çift njëri të karantinohet e tjetri jo, vetëm se kemi pasaporta të ndryshme? Kush e ka menduar këtë rregull, që për mua është ide idiote? COVID-i i kursen ata që kanë pasaportë të Kosovës? Po ne me pasaporta të huaja nuk qenkemi shqiptarë?! Nuk jemi kosovarë, llapjanë, drenicas e dukagjinas?

Pikërisht ne diaspora ishim ata që vendosëm fatin e Kosovës përgjatë luftës. Bile ishim edhe ata që vendosëm që ju të vini në pushtet tani. Harruat?!

Ju zonja Gërvalla, a e karantinoni burrin tuaj sepse ka pasaportë gjermane? Apo ky është falënderimi juaj për mërgatën? Kjo është mirëseardhje? Po pse na ftoni ta vizitojmë Kosovën? Të paktën kemi shpresuar në Donikën e mërgatës.

Ju pritëm, ju ushqyem, ju financuam, ju votuam që të veproni kundër mërgatës? Kush i bëri këto rregulla? Rregulla diskriminuese janë këto, zotërinj!

Aman, trajtojeni mërgatën sa më keq, sepse nuk “e meritojmë” t’u përmbahemi rregullave që ju i keni vendosur, rregulla utopike. Prandaj po e përmirësoj pak kryeministrin: “Kur padrejtësia bëhet rregull, kundërshtimi është i pritur”.

Me nderime,

Fatmir Seferi

Skenderaj

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK