Infektuar: 106914
Shëruar: 99628
Vdekur: 2225
Zërat
Ymer Avdiu & Anita Kadriu
Ymer
Avdiu
&
Anita
Kadriu

Program për Reformimin e arsimit dhe shkencës në Kosovë

Zërat April 22, 2021 - 12:09

Shkruajnë: Ymer Avdiu & Anita Kadriu

Formimi i njeriut human me edukatë dhe kulturë të mirë dhe profesionist, kultivimi dashurisë dhe respektit për njeriun, prindin, familjen, fëmijën, njerëzimin, atdheun, diversitetin, natyrën, botën, dijen, punën, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen etj., duhet të jetë synim i sistemit tonë të arsimit.

Duhet krijuar një sistem, një përmbajtje që e bën nxënësin ta dojë shkollën dhe mësuesi ta ndihmojë nxënësin, e kundërta e asaj që po ndodh tani. 

I.
Rënia e autoritetit të dijes (shkollës) në shoqëritë e sotme kërkon që t’i përgjigjemi një pyetjeje që ka lind si domosdoshmëri për ta shqyrtuar të gjithë: Sa na vlen arsimi sot në Kosovë?  Shpërfillja që ka bota e sotme moderne ndaj dijes dhe traditave i ka dhënë një dimension tjetër raportit me shkollën. Që në vitet ’70-ta, të shekullit të kaluar, njohës të arsimit kanë ngritur alarmin se sistemi shkollor (në vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim) po kalonte nga një vend edukimi në një vend gare dhe spektakli dhe se mësimi në shkolla është kthyer në një garë me pengesa, i mbështetur në një hierarki institucionale që, në vend të dijes, shpërndan kredenciale boshe, duke rrezikuar kështu t’i shërbejë vetëm gradimit të hapur të manipulimeve. 

Pikërisht në këto kallëpe dhe në formë tejet të vrazhdë, që i definojnë njohësit e arsimit në vitet 70-ta të shekullit të kaluar, pas luftës  shkolla shqipe në Kosovë është futur me ato reformat eksperimentale, të pa studiuara fare, duke u shkëputur plotësisht dhe menjëherë prej traditës arsimore dhe edukative që kishim si shkollë dhe si shoqëri dhe për tu dukur modern kemi kopjuar programe dhe plane shkollore (kurikula) dhe strategji nga vendet e ndryshme të botës, kryesisht shumë të zhvilluara me një sistem tjetër zhvillimi kulture, tradite dhe dije, pa e shikuar se a na përshtatet apo jo.

Me një fjalë reformën në arsim pas luftës e kemi filluar pa atë që thuhet vullnet, qëllim i mirë dhe aq më keq, pa e ditur se çka duam dhe synojmë prej sistemit dhe prej shkollës sonë. Pra, nuk kemi pasur si koncept se çka duam prej shkollës: a duhej që shkolla të shihej si fidanishte e votave dhe e prodhimit të militantëve partiak, apo edhe si bankë, prej nga mund të marrësh para të pa numëruara, si vend që trason rrugën për karrierë , apo si institucion që prodhon dije, shkathtësi dhe edukim njerëzor? 

A pasqyrohen në tekstet shkollore ndryshimet shoqërore dhe ndërthurjet mes traditës sonë kombëtare dhe nevojave për t’u integruar në shoqërinë globale? A e kemi vlerësuar ne dijen apo e kemi parë si një formalitet për të ngjitur shkallët e karrierës, duke i shkaktuar një dëm shoqërisë përmes karakterit fiktiv të shkollimit, një hap që më pas ka humbur jo vetëm dëshirën për shkollim, por edhe dinjitetin njerëzor?

Prandaj, rruga në të cilën e kemi futur shkollën tonë në këto dy dekadat e fundit i ka realizuar të gjithë komponentet e përmendura më sipër, përpos dijes dhe edukimit, madje kjo komponenta e fundit është hequr tërësisht nga shkolla. Pra, atë që e kemi mbjellë, tani po e korrim. Dhe e keqja sublime është se kemi krijuar një elitë fiktive (të rrejshme) intelektuale, që na udhëheq në të gjitha poret e jetës, nuk ka asnjë ide nga të shkojë, prandaj, e vetmja rrugë ku mund ta shpijnë ata shoqërinë, qoftë si komb, apo qytetaria është gremina.

Shoqëria shqiptare e Kosovës, që nga akademiku e deri te punëtori i krahut pajtohet se gjendja e shkollës sonë është alarmante. Por, kurrë dhe në asnjë nivel nuk jemi ulur dhe nuk kemi debatuar si shoqëri (e organizuar) se pse e sollëm shkollën në këtë pikë dhe si ta shpëtojmë, përkatësisht si ta bëjmë një sistem të mirë të arsimit. Njeriu tmerrohet kur i dëgjon edhe ministrat e arsimit, edhe pretenduesit për postet më të larta të institucioneve në vend, kur në raste të caktuara thonë se arsimi duhet te reformohet dhe si pikë të parë  dhe gati të vetme të reformës e shohin mësimin tërëditor, punë kjo që është pika e fundit e reformës dhe për të cilin akt Kosova duhet të përgatitet intensivisht së paku 3 vjet. Mësuesit si subjekti më i pafuqishëm i sistemit të arsimit janë ata që fajësohen më së shumti nga nivelet e ndryshme që kanë forcë politike e financiare, dhe janë pikërisht mësuesit hallka më e shëndoshë, në saje të të cilëve akoma qëndron në këmbë arsimi shqip në Kosovë. Për gjendjen e rëndë të shkollës në Kosovë flasin të gjithë, por preokupim e ka një numër shumë i vogël, madje tepër i vogël  i njerëzve.

II.
Para se të flasim për reformën shkollore që është e domosdoshme, së pari t’i identifikojmë pikat, që e sollën dështimin dhe ato, siç pajtohen pak a shumë njohësit  e shkollës ishin:

1-Eksperimentimi me shkollën në të gjitha nivelet pa një analizë paraprake dhe pa një qëllim dhe synim ku do të shpijmë sistemin arsimor dhe çka duam nga shkolla jonë si shtet dhe si shoqëri;

2. Kopjimi pa kriter i sistemeve të ndryshme të arsimit, kurrikulave, programeve dhe strategjive pa asnjë analizë dhe studim paraprak, por vetëm sa për t’u dukur modern, për t’ua bërë qefin të huajve dhe në shumicën e rasteve as autorët e këtyre dokumenteve pa e kuptuar materien , të cilën e kishin miratuar, që nënkupton se në ndërtimin e reformës ishin angazhuar diletantë dhe nuk ishin ftuar njohësit e arsimit, ose edhe më keq nuk ishte dëgjuar fjala e tyre dhe ka raste që janë imponuar edhe nga zyrtarë të huaj, pa njohje themelore të arsimit;

3. Botimin e teksteve shkollore pa kritere shkencore dhe pedagogjike-didaktike, por për përftime material dhe prestigj fiktiv të shumicës së autorëve;

4. Politizimi i skajshëm i sistemit arsimor, duke e shndërruar arsimin në fidanishte të votave dhe servis për prodhimin e diplomave, në të gjitha nivelet deri në titullin shkencor dr., për militantët e partive në pushtet dhe strehë për rehatimin e militantëve partiak;

5. Përdorimi i sistemit arsimor si aset fitimprurës në të gjitha format dhe në të gjitha nivelet për grupet e caktuara të pushtetarëve, militantëve dhe grupeve të caktuara të afërme me pushtetin;

6. Mosfunksionimi i hallkave të sistemit të arsimit, si pasojë e paqartësisë së përgjegjësive, përzierja e kompetencave, duke mos  ditur se ku nisin e ku përfundojnë përgjegjësitë e Ministrisë së Arsimit, komunës, shkollës dhe subjekteve të tjera arsimore;

7. Testi i arritshmërisë dhe testi kombëtar u shndërrua qëllim në vete dhe u përdor jo për matjen e mësimdhënies dhe mësimnxënies, por si mjet për përcaktimin e vazhdimit të shkollimit  të fëmijës-nxënësit, duke ndikuar te nxënësi që të mos mësojë për dije, por për kalimin e testit, nga i cili varet vazhdimi i shkollimit të tij;

8.  Shoqëria civile e shndërruar në grup interesi, e cila në vend se të hulumtojë dhe të gjejë pikat e dobëta të sistemit, janë shndërruar në argatë të të fortëve të arsimit dhe jashtë tij dhe përfitojnë tejet shumë, duke i kryer detyrat që marrin nga bosët e tyre dhe i sulmojnë në rastet më të shumta ata njerëz që mundohen të bëjnë ndonjë të mirë për shkollën;

9. Shuarja e Fakultetit të Mësuesisë dhe hapja e Fakultetit të Edukimit pa asnjë kriter, por vetëm për t’i rehatuar militanët;

10. Heshtja e institucioneve kredibile si ASHA e Kosovës, UP dhe fakultetet që shkollojnë kuadër arsimor, Institutit Albanologjik, Institutit  Pedagogjik, mungesa e inspektorit me kompetenca, mungesa e këshilltarëve pedagogjik, mungesa e analizave për gjendjen arsimore në mediet tona që nuk kanë gazetarë të specializuar për fushën e arsimit.

11. Dhe mbi të gjitha marrja e autonomisë së shkollës si në aspektin organizativ, profesional dhe financiar, madje deri në pikën e shndërrimit të drejtorit të shkollës në menaxher dhe veçmas menaxher të qendrës së votimit, etj.

III. 
Çka duhet të bëjmë? Arsimi sado që është dinamik në natyrën e tij, njëkohësisht është edhe shumë konvervator, nuk duron eksperimente dhe rezultatet e reformës në arsim shihen e prekën shumë më vonë sesa në veprimtaritë tjera, prandaj, nuk kemi asnjë minutë kohë për të humbur, nëse duam që sistemi arsimor të mos shembet krejt.
Sapo të formohen institucionet e reja pas zgjedhjeve të 14 shkurtit krerët e tyre duhet t’i mbledhin në një takim përfaqësuesit e të gjitha instituteve kredibile, njohësit e arsimit, intelektual nga diaspora, përfaqësues të shoqërisë civile, specialistë nga Shqipëria, ndonjë specialistë të huaj dhe fillimisht të bisedohet se çka duam dhe çka synojmë nga shkolla jonë dhe mbi këtë përfundim ta nisim ta reformojmë sistemin arsimor në Kosovë. 

Si individë, që jemi marrë një kohë të gjatë me arsimin nga kënde, pozita dhe kohë të ndryshme mendojmë se për një reformë të suksesshme, ose së paku për të vënë në binar normal shkollën shqipe në Kosovë duhet të ndërmerren këto veprime:

Ndryshimet sistemore

1.Sistemi i Arsimit të depolitizohet dhe të dematerializohet. Ministri i Arsimit të jetë nga fusha e arsimit që i njeh mirë përparësitë dhe të metat e sistemit tradicional arsimor në Kosovë dhe njëkohësisht i njeh mirë anët pozitive dhe dhe të metat e sistemit të arsimit evropiane botëror.  Ekipi i ministrit duhet të jetë i përzier me këshilltar vendor dhe me ekspertë shqiptarë nga diaspora, Kosova dhe së paku edhe një këshilltar nga Shqipëria;

2. Reforma duhet t’i përfshijë të gjitha nivelet e sistemit të arsimit dhe të gjitha institucionet që nga klasa e deri në universitete dhe në Ministrinë e Arsimit. Struktura organizative e Ministrisë së Arsimit duhet të ndryshohet rrënjësisht. Departamentet dhe divizionet profesionale, që të gjitha duhet të shndërrohen në agjenci profesionale ose institute ose drejtori në kuadër të Institutit Pedagogjik, (për të cilin pak kush në Kosovë di se ekziston dhe nuk e dimë nëse ka kryer ndonjëherë ndonjë punë)dhe në Ministri përpos stafit drejtues politik të ngelet një administratë efikase, diçka e njëjtë me modelin slloven;

3. Arsimi duhet të decentralizohet, shkollës t’i kthehen kompetencat dhe përgjegjësitë që i kishte më parë (dhe që i kanë shkollat në të gjitha vendet evropiane) si në aspektin organizativ, profesional dhe financiar. Drejtori i shkollës të jetë drejtor e jo menaxher (madje që të mos shkëputet nga praktika mësimore drejtori i shkollës duhet të mbajë së paku 4 orë mësimi në javë me nxënës) dhe në asnjë rast të mos jetë menaxher i qendrës së votimeve kur bëhen zgjedhjet. Të funksionalizohen këshillat profesionale të shkollës si këshilli i mësuesve dhe këshilli i shkollës, këshilli  i prindërve  dhe këto organe të marrin vendime për qeverisjen e shkollës, pranimin e mësuesve të rinj, zgjedhjen e drejtorit në bazë të Ligjit për Arsimin Parauniversitar që duhet ët ndryshohet dhe udhëzimeve administrative. Njëkohësisht shkolla duhet të qeverisë me buxhetin e saj me përjashtim të pagave të mësuesve;

4. Inspektoriati i Arsimit duhet të jetë agjenci kombëtare, që themelohet nga Kuvendi i Kosovës , ose së paku nga Qeveria e Kosovës dhe të ndryshohen rolet ndërmjet Kryeinspektorit dhe Ministrit të Arsimit, që nënkupton jo të kërkojë llogari ministri nga inspektori, por e kundërta inspektori të kërkojë llogari nga ministri dhe vartësit e ministrit;  

5. Ndërtesat e shkollave tona janë përafërsisht të njëjta me shumicën e shkollave të Bashkimit Evropian. Vetëm se kabinetet e tyre duhet të pajisen me mjete konkretizuese dhe nxënësi secilin mësim teorik ta zhvillojnë edhe në praktikë. Sikurse edhe në shkollat e Evropës në klasa mos të ketë më shumë se 24 nxënës, shkollat xhuxhe në fshatra malore, sidomos në ato kufitare duhet të vazhdojnë të funksionojnë për shkak të rëndësisë kombëtare të mjedisit dhe në rastet ekstreme ku ka fare pak nxënës ato mund ta bashkohen në një shkollë të një fshati afër. Përshtatja me standardet evropiane automatikisht kërkon rritjen e numrit të mësuesve dhe personelit profesional në shkolla për afër 10 mijë mësues dhe specialistë të rinj që nënkupton edhe shtim të buxhetit për shkolla. Transporti i nxënësve veçmas në fshatra duhet të vazhdojë siç është edhe tash; 

6. Kuadri mësimor duhet të jetë kompatibil me vendet e rajonit dhe me vendet e BE: Në shkolla përpos mësuesve duhet të jenë edhe asistentët e mësuesve, asistentët e mësuesit për nxënësit me nevoja të veçanta dhe çdo shkollë e Kosovës duhet të ketë pedagogun dhe psikologun. Fillimisht një psikolog për 800 nxënës dhe 1 pedagog për 150 mësues.  Ky ndryshim e rrit numrin e punëtorëve profesionistë përafërsisht për 10 mijë persona, që nënkupton edhe rritje të buxhetit në sistemin e arsimit.

7. Duhet të fillojnë përgatitjet shumë intensive dhe shumë profesionale nga ekspertë të fushave të ndryshme për mësimin tërëditor, që si pilot-projekt mund të fillojë në vitin shkollor 2023-2024 dhe të kryhet brenda një dekade. Mësimi tërëditor kërkon studim shumë të thelluar dhe shtim shumë të madh të buxhetit, sepse kërkon ndryshime të ambienteve shkollore brenda shkollës dhe në oborrin e saj, shtimin e profesionistëve të fushave të tjera përpos mësimdhënies, ushqimin, mjekun e shkollës , dentistin etj. Po ashtu stafi teknik duhet të jetë punëtor i shkollave dhe i Universitetit dhe jo ky shërbim t’i jepet kompanive private.

8. Por mbi të gjitha dhe parasëgjithash me Ministrinë e Arsimit duhet të bashkëpunojnë dhe t’i bashkërendojnë veprimet dhe kërkesat të gjitha institucionet e vendit për të shkolluar nxënës dhe studentë në drejtimet dhe profilet që i duhen tregut të punës në Kosovë dhe shkolla nuk duhet t’i lihet “gur mulliri rreth qafës” vetëm Ministrisë së Arsimit, siç ishte deri tash, pasi shkolla është interes, çështje, problem dhe dobi e të gjithë njerëzve të vendit tonë, nga i cili varet ardhmëria kombëtare dhe shoqërore e tij.

Ndryshimet përmbajtjesore

Pos ndryshimeve strukturore, reforma rrënjësisht të prekë edhe përmbajtjen edukativo-arsimore duke filluar nga dokumentet shtetërore e deri te mësimdhënia në klasë, sjellja e mësuesve dhe e nxënësve  dhe bashkëpunimi me prindër dhe me mjedisin.

Dokumentet të cilat përcaktojnë sistemin e arsimit në Kosovë (Platforma, Kurrikula, Ligji, Strategjia, udhëzimet administrative duhet të jenë të thjeshta, të qarta, me gjuhë të kuptueshme, të bazuara mbi specifikat tradicionale të arsimit në vend dhe të shoqërisë sonë dhe gjithsesi të jenë në frymën me kërkesat e kohës dhe me sistemet e Bashkimit Evropian, por gjithnjë të përshtatura me synimet, nevojat, aspiratat dhe idealet e shoqërisë shqiptare dhe minoriteteve të Kosovës;

Përmbajtja e librave bazë, teksteve alternative dhe mjeteve të tjera mësimore duhet të jenë në harmoni të plotë me të gjitha elementet e kurikulës dhe me dokumentet e tjera, që gjithsesi kanë saktësi shkencore, frymë edukuese, kombëtare dhe humane;
Reforma duhet të përfshijë të gjitha nivelet e sistemit të arsimit, që nga edukimi parashkollore e deri në studimet e doktoratës:

A-Arsimi Parashkollor

Arsimi parashkollor është mbase hallka jo vetëm themelore e edukimit dhe e arsimimit të fëmijës, por edhe hallka më e rëndësishme që duhet të vihet në sistemin tonë arsimor. Sistemi i institucioneve parashkollore duhet të masivizohet dhe të shtrihet në secilin vendbanim të vendit dhe secilit fëmijë t’i sigurohet pjesëmarrja në mësimin plotësues. Për këtë fushë fatmirësisht kemi ekspertë të rinj në vend, të cilët dinë ta hartojnë edhe kurrikulën, edhe strategjinë, edhe dokumentet e tjera të nevojshme si dhe hartimin e përmbajtës të punës së edukatoreve dhe të teksteve. Mundësia për këtë nivel edukimi është relativisht e mirë, nëse ka vullnet politik të institucioneve të vendit. Duhet synuar që të kemi sa më shumë institucione parashkollore publike dhe publiko-private dhe natyrisht edhe private, por që i nënshtrohen një kontrolli të rreptë institucional. Pasi nuk jemi njohës të këtij niveli shkollor, vetëm po konstatojmë se është fat i mirë se për këtë lëmi që Kosova ka specialistë të mirë, të shkolluar, që i njohin mirë praktikat e vendeve më të avancuara dhe duhet vetëm t’u krijohet mundësia të veprojnë.

B-Arsimi Fillor 

-Edukimi cilësor parashkollor është faktor shumë i rëndësishëm për përgatitjen e fëmijës për shkollë, prandaj, duhet përcaktuar me Ligj si mësim i detyrueshëm, siç është edhe arsimi fillor, dhe duhet krijuar kushte për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse për fëmijë në edukimin parashkollor.
-Shkolla fillore duhet të përfshijë dy nivele; Ciklin e ulët nga klasa e parë deri në klasën e pestë dhe ciklin e lartë nga klasa e pestë deri në klasën e nëntë. ( Me asgjë nuk ka mundur të argumentohet termi si shkollë e mesme e ulët per ciklin e lartë fillor siç është tash).

Cikli i ulët fillor

-Nxënësi në klasën e parë duhet të fillojë mësimin në moshën 7 vjeç dhe jo më pak se 6 vjet e 3 muaj.
-Në kurrikulën e këtij cikli duhet t’i kushtohet rëndësi parësore edukimit të fëmijës në raport me arsimimin.
Kurrikula duhet të përcaktojë së paku 10 fusha (parime) të edukimit për nxënësin:
-Edukimin moral;
-Edukimin social;
-Edukimin qytetar;
-Edukimin atdhetar-kombëtar;
-Edukimin estetik;
-Edukimin gjinor (seksual);
-Edukim shëndetësor dhe edukim fizik;
-Edukimin për ruajtjen e mjedisit;
-Edukimin fetar (njohje me vlerat shpirtërore dhe kundër dogmave)
-Edukimi për teknologji informative.

Natyrisht që edukimi i nxënësit me të gjitha këto komponentë të realizohet jo si mësim skolastik, por si mësim interaktiv në kuadër të lëndëve mësimore si gjuhë amtare me letërsi, matematikë, njohuri e natyrës, njohuri e shoqërisë, edukatë fizike, art figurativ, art muzikor, gjuhë e huaj dhe teknologji informative.
Nxënësi i këtij cikli duhet ta marrë një edukim të gjithanshëm dhe të krijojë bazë të qëndrueshme për formimin e personalitetit dhe të jetë i përgatitur për jetë. 

Në fund të këtij cikli nxënësit duhet të zotërojë në shkallë të lartë:

-Shkrimin dhe leximin (të zotërojë drejtshkrimin dhe ta shqiptojë atë sipas standardeve të gjuhës amtare; 

-Të dallojë gjinitë gramatikore dhe gjinitë letrare;

-Të përvetësojë bazat themelore të hartimit, përkatësisht të shkrimit eseistik, të recitimit dhe të aktrimit (kjo e fundit tu jepet si mundësi për shprehjen e talenteve);

-Njohjen elementare nga fusha e matematikës dhe e gjeometrisë (numrat, katër veprimet themelore-mbledhje, zbritje shumëzim, pjesëtim, ta mësoj tabelën e shumëzimit, të bëjë dallimin e numrave dhe njohjen themelore të gjeometrisë);

- Të marrë bazat elementare të njohurisë mbi natyrën dhe shoqërinë;

- Të marrë bazat themelore të edukimit estetik (në letërsi, muzikë, art figurativ);

- Të përfitojë shkathtësi fizike;

-Të njoh bazat e teknologjisë informative;

- Të zotërojë në një shkallë të kënaqshme mësimin e gjuhës angleze dhe bazat e një gjuhe të dytë të huaj (disiplinat e reja shkencore kanë vërtetuar se fëmija i kësaj moshe mund t’i mësojë deri në 7 gjuhë njëkohësisht).

Nxënësi të gjitha ato që i mëson duhet t’ i shohë dhe t’i prekë. Prandaj, për këtë cikël një pjesë e mirë e orëve mësimore (që e përcaktojnë ekspertët  e këtij niveli të shkollës) duhet të zhvillohet jashtë klasës (në oborr të shkollës, në afërsi të shkollës,në qytet, në fabrikë, në uzinë, në ordinancë, në palestër, në atelie, në bibliotekë, në muze, në arë, në mal, në furrë të bukës, në fabrikë të qumështit, në zyra shtetërore, në kazerma të ushtrisë, në poligone të policisë etj,

Nxënësi i këtij cikli nuk duhet të notohet në asnjë formë, prandaj detyrë parësore e mësueses (arsimtares së gjuhës së huaj), psikologes dhe pedagoges mbetet motivimi i nxënësve.

Librat shkollorë dhe mjetet e tjera mësimore duhet të jenë plotësisht të kuptueshme, të kapshme dhe tërheqëse për fëmijën, kurse në aspektin fizik në asnjë mënyrë nuk guxojnë ta rëndojnë çantën e nxënësit.
Me këtë cikël mësimit punon një mësuese, kurse për gjuhët e huaja angazhohet mësuesja e gjuhës së huaj.
Secili mësues apo mësuese duhet ta këtë asistenten që punon veçmas me nxënës me nevoja të veçanta. Një asistente mund të jetë në shërbim të dy e më shumë mësueseve.
Bashkëpunimi nxënës-mësues prind duhet të jetë gjithëpërfshirës.

Cikli i lartë 

Nxënësi i edukuar në ciklin e ulët të fillores që njeh bazat themelore të gjuhës, letërsisë, matematikës, shoqërisë, natyrës dhe artit adaptohet shumë lehtë në ciklin lëndor që nis me klasën e gjashtë dhe përfundon me klasën e tetë.
Në këtë cikël nxënësi duhet të thellojë njohuritë nga fusha e gjuhës, matematikës dhe arteve, kurse fillon me mësimet themelore  nga historia, gjeografia, astronomia, fizika, kimia, biologjia dhe fushat e tjera. 

Edhe në këtë fazë krahas fitimit të shkathtësive, duhet të vazhdohet me komponenten edukative në të gjitha fushat si në ciklin e parë.
Tekstet shkollore edhe për këtë fazë duhet të jenë të thjeshta, të kuptueshme dhe mbi të gjitha të përshkuara nga dimension humanist dhe saktësia shkencore.
Klasa e nëntë vazhdon të jetë orientuese dhe nxënësi duhet të thellojë njohuritë kryesisht në fushat që do ta vazhdojë shkollimin vijues. Me nxënësit e kësaj klase pos mësuesve lëndorë, duhet të angazhohen me cikël të ligjëratave edhe ekspertë të fushave të caktuara.

Testi i arritshmërisë duhet të të përdorët vetëm për nevoja studimore, të mos bëhet publik dhe të mos ketë asnjë ndikim për regjistrimin e nxënësit në shkollën e mesme.
Edhe në ciklin e lartë fillor, së paku një e pesta e mësimit duhet të mbahet jashtë klasës dhe për nxënës, përpos mësimit në klasë dhe në kabinet, duhet të realizohen edhe ekskursione mësimore-njohëse dhe mësim në terren, vizita mësimore gjithëpërfshirëse. 

Në këtë fazë duhet pasur kujdes që notimi të jetë nxitës dhe në asnjë mënyrë ndëshkues.
Për disiplinën e nxënësve dhe socializimin e tyre duhet të merren praktikat e shkollës austriake dhe asaj turke.
Një problem i theksuar që e përcjell shkollën tonë tash e sa kohë është se nxënësit tanë nuk e zotërojnë drejtshkrimin dhe drejtshqiptimin. Kjo është rrjedhojë direkte se mësuesit tanë në përgjithësi nuk e njohin drejtshkrimin dhe nuk e zotërojnë drejtshqiptimin. Prandaj, për të gjithë mësuesit, që nëpërmjet një testimi vlerësohet se nuk e njohin në shkallë të kënaqshme gjuhën shqipe, duhet të organizohen kurse speciale të gjuhës 3 herë nga 3 muaj.

Mësuesi, i cili as pas kursit të tretë nuk e zotëron së paku drejtshkrimin nuk mund të punojë më tutje me nxënës as në ciklin e ulët e as në të lartin, dhe as në shkollë të mesme.

Shkolla e mesme

  Për regjistrimin e nxënësve në shkollë të mesme duhet të zbatohen dy kritere:

- Suksesi në shkollën fillore me 60 për qind të pikëve;

- Rezultati nga provimi pranues me 40 për qind të pikëve.

Vendimi për regjistrimin e nxënësve duhet të nxirët nga Miniistria e Arsimit pasi të jenë studiuar të gjithë faktorët dhe nevojat për shkollimin e nxënësve.
Në gjimnaze, sipas treguesve të analizave të theksuara të regjistrohen 30-35 për qind e maturantëve, kurse në shkolla profesionale duhet të regjistrohen mbi 60-65 për qind e maturantëve.

Kurrikula e gjimnazit-drejtimi i përgjithshëm-duhet të jetë kurrikula e gjimnazit klasik, që nënkupton se përpos mësimit nga të gjitha fushat e tjera të futet mësimi i latinishtes dhe greqishtës së vjetër ose osmanishtes me zgjedhje. Ndërkaq, për shkollat profesionale duhet të merret modeli gjerman, që është treguar shumë i suksesshëm në disa nga shkollat tona si bie fjala në shkollën bujqësore të Prishtinës, apo në SHMP “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë etj.

Në shkollat profesionale plan-programet duhet të sigurojnë që në klasën e parë mësimi të jetë 70 për qind në klasë dhe 30 për qind në institucionin apo fushën që nxënësi përgatitet, në klasën e dytë  50 me 50 dhe në klasën e fundit nxënësi 40 për qind të mësimit e bën në klasë dhe 60 për qind në praktikë. Do ishte shumë e dëshirueshme që për punën praktike që bën nxënësi të ketë një pagesë, qoftë edhe simbolike.

Nxënësit e gjimnazeve dhe shkollave profesionale përpos mësimit në klasë, në kabinete, laboratore dhe në praktikë së paku një të pestën e mësimit ta realizojnë në terren në ekskursione dhe vizita mësimore njohëse.

Forma, përmbajtja dhe karakteri i tanishëm i eksursioneve duhet të ndryshojë tërësisht.

Edhe për këtë cikël tekstet mësimore duhet të plotësojnë të gjitha kriteret didaktike, profesionale dhe humaniste dhe saktësinë shkencore.
Nxënësi në fund të shkollës së mesme detyrimisht duhet ta njohë një gjuhë të huaj, kurse nxënësit e gjimnazit dy.
Nxënësit e shkollave profesionale që tregojnë të regjistrohen në universitet, në drejtime joadekuate nga shkollimi i mesëm duhet të japin provime shtesë në fund të shkollimit në gjimnaze, ose shkolla përkatëse për drejtimet ku synojnë të regjistrohen. 

Bibliotekave shkollore, sallave sportive e aktiviteteve kulturore duhet t’i kushtohet rëndësi e veçantë në shkolla fillore dhe të mesme. 

Shkollat private

Në ciklin e ulët të shkollave fillore nuk duhet lejuar asnjë shkollë private. Në ciklin e lartë të shkollës fillore mund të formohen vetëm shkolla specifike, siç janë ato të fëmijëve të diplomatëve të huaj, dhe shtetasve të huaj, fëmijëve të familjeve të përziera, fëmijë me nevoja speciale etj, apo edhe shkolla speciale me plan-programe të avancuara.
Ndërsa në shkollimin e mesëm mund të akreditohen shkolla private në bazë të ligjit dhe dokumenteve të tjera përcjellëse nga Ministria e Arsimit dhe me një mbikëqyrje serioze.
Edhe te Testi Kombëtar duhet të aplikohen të mjejtat kritere sikurse për testin e arritshmërisë, i cili nuk duhet bërë publik, nuk duhet të merret si kriter për regjistrim në Universitet, por vetëm për nevojat e institucioneve arsimore dhe shkencore. 

C- Mësimi plotësues i gjuhës amtare dhe i kulturës në diasporë

Mësimi plotësues i gjuhës amtare dhe i kulturës së atdheut duhet të jetë plotësisht i institucionalizuar. Kurrikula për mësimin plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe në mërgatë e miratuar në vitin 2018 nga ministria e arsimit e Republikës së Kosovës, dokument ky mjaft i avancuar, duhet të realizohet në tërësi, që nënkupton edhe pagën e mësuesve në diasporë, standarde për mësues të diasporës, organizimin e arsimimit jo formal, që nënkupton organizimin e aktiviteteve të ndryshme për nxënës dhe mësues nga diaspora siç janë furnizimi me libra dhe mjete të tjera mësimore, ekskursionet mësimore-njohëse në atdhe, organizimin e kuizeve të diturisë, shkollave verore dhe dimërore, ekspedita mësimore-njohëse në atdhe, festivali i fëmijëve të diasporës, seminare për mësues etj. Për zhvillimin e mësimin plotësues në diasporë është i hartuar një dokument shumë i detajuar “Zhvillimi i mësimit të Gjuhës shqipe dhe Kulturës Shqiptare” në Diasporë, i cili dokument nëse miratohet nga Qeveria dhe realizohet në praktikë e zgjidh, nëse jo plotësisht në shkallë shumë të kënaqshme mësimin plotësues në diasporë dhe në mërgatë.

Ç-Arsimi Universitar
(Te arsimi i lartë duhet kapitull në vete në të ardhmen me detaje sikurse në nivelet tjera)  

Arsimi universitar është aset kombëtar dhe duhet të trajtohet si  i tillë e jo si aset partiak qysh është tani, madje i konceptuar edhe me ligj dhe dokumentet e tjera., ngase  gati të gjitha kompetencat janë koncentruar në duar të ministrit të Arsimit dhe vartësve të tij që i emëron ministri.

Me Ligj duhet te përcaktohet: 

-Riorganizimi i të gjitha universitetet publike;

-Themelues të të gjitha universiteteve publike, private, kolegjeve, universiteteve publiko private duhet të jetë Kuvendi i Kosovës, kurse MASHT duhet të jetë vetëm hartues dhe propozues i organizimit të arsimit universitar. 

E njëjta procedurë duhet të vlejë edhe për themelimin e Agjencisë së Akreditimit, anëtaret e Këshillit Shtetëror te Arsimit të Lartë t’i emërojë Kuvendi ose së paku Qeveria dhe ata të mos jenë barrë të Ministrit të Arsimit, sikurse edhe Këshilli Kombëtar i Cilësisë. 

- Në asnjë universitet regjional të mos ketë drejtime që studiohen në Universitetin e Prishtinës. Bie fjala në Mitrovicë të hapet Universiteti i Xehetarisë dhe Metalurgjisë, në Pejë Universiteti i Arteve, në Prizren Universiteti i Bujqësisë dhe i Teknologjisë ushqimore, Turizmit etj.
Me Ligj duhet të garantohet autonomia e universitetit dhe autonomia akademike. 

Fakulteti i Edukimit, i themeluar më 2004 e ka dëmtuar rëndë sistemin arsimor në Kosovë dhe ai duhet të riorganizohet rrënjësisht. Duhet të shkollojë kuadër vetëm për mësues deri në klasën e pestë, kurse mësues për ciklin e lartë të fillores  dhe shkollat e mesme, të hiqen programet lëndore  dhe ky kuadër të shkollohet vetëm në kuadër të Fakultetit Filologjik, Filozofik dhe të  Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore të Universitetit të Prishtinës. Kurse kuadri për shkolla profesionale të merret nga drejtimet profesionale të fakulteteve të ndryshme me së 3 paku 2 semestra shtese nga fusha e didaktikes-mësimdhënies. Në Fakultetin e Edukimit të joshen të regjistrohen nxënës të shkëlqyeshëm dhe të stimulohen në forma të ndryshme. 

Planifikimi i regjistrimit të studentëve në çdo vend të botës konsiderohet detyrë me rëndësi kombëtare , kurse tek ne, ky planifikim për herë të fundit është bërë në vitin 1989-1990, prandaj, Plani i regjistrimit të studentëve në të gjitha institucionet e arsimit universitar  të miratohet nga Kuvendi i Kosovës pas propozimeve nga seksionet, degët, fakultetet, universitetet, Ministria e Arsimit dhe pas një diskutimi publikë me të gjithë sektorët relevantë të shoqërisë (ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, teknologjisë, sigurisë, bujqësisë, turizmit etj). Pra të mos shkollohen kuadro që nuk i duhen vendit dhe që nuk mund të gjejnë punë dhe nuk i duhen tregut të punës, në radhë të parë në vend e pastaj edhe në rajon dhe botë.

Komponentës shkencore-hulumtuese duhet dhënë peshë aq sa arsimimit

Në Fakultetin e Filologjisë të hapën katedra të reja të gjuhëve të huaja, apo grupe të gjuhëve të huaja, si katedra e sllavistikës, gjuhëve romane, gjuhës kineze, gjuhës japoneze. Ndërkaq në kuadër të degës së orientalistikës duhet më mësohen përveç turqishtes dhe arabishtes edhe persishtja e re dhe e vjetër dhe gjuha osmane. Kurse në katedrën e historisë duhet të futën me zgjedhje latinishtja, greqishtja, arabishtja, rusishtja, gjuhët sllave të jugut, persishtja e vjetër dhe osmanishtja.

Në asnjë institucion privat , ose publiko-privat të arsimit të lartë të mos akreditohet asnjë drejtim që studiohet në universitetet publike.
Orari i punës së profesorit, asistentit dhe punëtorit shkencorë në universitetet publike të jetë 8 orë dhe nga ora 9-17 të mos ketë të drejtë të punojë në universitete private ose tjera publiko-private.
Për marrjen e gradës doktor shkence impact-faktori, që është dëshmuar se ka krijuar shumë probleme , të zëvendësohet me recension e që pos fushave nacionale, një arecensentë të jetë profesor ndërkombëtar nga fusha e caktuar, ku bëhet doktorata.

D. – Riorganizim dhe Rishikim e Ndryshim në legjislacion në arsimin e lartë 

Statuti i Universitetit të Prishtinës duhet të rishikohet dhe ndryshohet sepse ai aktual, madje i përkthyer jo siç është versioni në anglisht e ka lehtësuar qasjen në Universitet të kuadrit jo profesional, politik dhe bazuar në grupet e interesit. Ky statut ka “legalizuar” shkatërrimin e universitetit, sidomos për shkak të zbrazëtirave që janë lejuar për t’u shfrytëzuar në raste të caktuar për qëllim jo akademik e institucional. Statuti duhet të rishikohet nen për nen. 

Shembull : Sipas statutit dhe sistemit të Bolonjës diploma e vlefshme është 3+2( 3 vjet bachelor + 2 master). Mirëpo, qasja në studime master nuk u lejohet të gjithë studentëve, por vetëm një numri të caktuar me konkurs të Universitetit nëpër degët e fakulteteve. Kështuqë shumica del se nuk kanë marrë diplomë sipas standardeve ndërkombëtare duke mos kryer master në publik ku kanë diplomuar dhe do duhej kompletuar studimet për thirrjen i/e diplomuar, por duke u detyruar që për të plotësuar këtë të mbarojnë nivelin 2 të studimeve për t’u pajisur me diplomë në ndonjë nga kolegjet private shkel e shko shumica prej të cilëve marrin thirrjen master, por nuk dinë shkrim dhe lexim. 

Duke filluar që nga zgjedhja e senatorëve në Senat të cilët kryekeput janë zgjedhur anëtar partiak dhe në shërbim të individëve e grupeve të interesit, pastaj Këshillat e fakulteteve kryesisht kanë qenë jo funksional dhe roli i tyre ka dal në pah vetëm në rastet për zgjedhjen e kandidatëve për dekan e që janë zgjedhur kryesisht ata që kanë marrë vota dhe jo meritorët, anëtarët e tyre duhet të zgjidhen me konkurs dhe jo sipas konkursit të brendshëm, pra duhet decentralizim i funksioneve menaxheriale në universitet që të krijohet hapësirë për kuadro profesionale në pozita që udhëheqin nga dija e shkenca fakutetet. 

Këshilli Drejtues i Universitetit që është autoriteti kryesor qeverisës duhet të zgjidhet me konkurs dhe jo të emërohet nga ministri 4 anëtar dhe 5 nga Universiteti. Por, të zgjedhën me konkurs publik dhe nuk duhet të nënkupton që patjetër të jenë të punësuar në Universitet si staf akademik. Ata mund të vijnë nga bota akademike dhe e shkencës si brenda ashtu dhe nga diaspora, madje të jenë të preferuar kuadri nga diaspora i shkolluar jashtë që sjellë përvoja dhe metodologji të re në mësimdhënie dhe shkencë në UP, si dhe krijon një frymë të re në universitetet publike në përgjithësi. 

Sikurse kandidimi i rektorit në konkurs publik duhet të bëhet zgjedhja edhe e dekanëve secili të ofrojë program zhvillimor për fakultetin, dhe po ashtu edhe prezentimi i programit të rektorit dhe dekanëve të jetë publik live të jepet në media. 

Për ndryshimin e statutit të UP-së duhet të merren modele të universiteteve perëndimore, dhe jo të vazhdohet me statutin e Daksner-it që ngulfat zhvillimin mësimor dhe shkencor në UP. 

Në përgjithësi në të gjitha nivelet e arsimit duhet të kthehet bashkëpunimi ndërkombëtar, si ; fonde të shumta dhe ofrimi i institucioneve arsimore e shkencore të shteteve perëndimore që përmes formave të ndryshme, përfshirë shkëmbim stafi, apo dërgim të të rinjve për shkollim e stafit akademik për përvojë në institucioneve me renome botërore, që deri tani për shkak të keqpërdorimit të projekteve apo mjeteve, si dhe mos dijes së kthimit të përgjigjes, efikasitetit të bashkëpunimit por tregimit të neglizhencës dhe mungesës së përvojës dhe dijes për t’iu qasur bashkëpunimit u ndërprenë me Kosovën nga stafi universitar dhe ai i Ministrisë së Arsimit, të rikthehen. 

IV

Shkenca

Hulumtimet shkencore në Kosovë janë lënë tërësisht anash që nga okupimi i Kosovës në vitin 1989. Prandaj, ky moment duhet të jetë pikë kthese për shkencën për të cilën shteti i Kosovës duhet të sigurojë buxhet e jo thërrime, siç ka ndodhur deri më tash.

Shteti i Kosovës me normativa urgjente ligjore duhet të marrë këto veprime:

Të gjitha universitetet publike (duhet të stimulohen edhe ato private), që krahas procesit mësimor të realizojnë edhe aspektin kërkimor-shkencor, pra profesorët e universitetit të merren edhe me hulumtime shkencore dhe në secilin fakultet të rikthehen edhe institutet shkencore dhe secili universitet të arrijë të rikthejë edhe botimin e revistave shkencore nga secila fushë që studiohet;

Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe Institutit të Historisë së Kosovës t’i sigurohet buxheti adekuat dhe tu mundësohet pranimi i kuadrove të reja, specializimi i tyre në fushat e ndryshme studimore dhe bashkëpunim me institutet shkencore dhe kërkimore në rajon dhe në botë;

ASHA e Kosovës, kështu siç është sot e mbushur me militantë partiak dhe individë të rastit, duhet të riorganizohet për të mos thënë të mbyllet fare. Financimi siç është tash duhet të ndërpritet, që nënkupton edhe pagat e akademikëve (paguhen vetëm punëtorët teknik dhe administrativ) dhe shteti duhet të financojë vetëm projektet që mund të paraqitën nga një individ, apo grup individësh. Dhe vetëm pasi të dëshmohen akademikët me projektet e vepra konkrete të riorganizohet Akademia e re dhe me njerëz të dëshmuar në fusha të caktuara të shkencës dhe arteve. 

(Ymer Avdiu gazetar dhe njohës i arsimit & Anita Kadriu zëvendëskryeredaktore në gazetën "Zëri")

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK