Zërat
Emin Azemi
Emin
Azemi

Golgota e Bllacës në një mural kujtese

Zërat April 08, 2021 - 14:49

Ky monument kujtese po ngrihet mu në vendin ku para 22 viteve njeriu i shkulur kosovar ndodhej në paanësinë e një fushe të mbuluar me krrokama sorrash e vaje fëmijësh që u mungonte qumshti dhe ngrohtësia e një rrobe të terur. Në Bllacë ato ditë të ftohta marsi, 1999, takohej fryma e njeriut me asgjënë prej nga formohej një lëmsh absurdi, që i ngjasonte një topthii të akullt bore, teksa rrokullisej në shpinën e e kërrusur të të dëbuarve dhunshëm

Nga Emin Azemi

Më 10 prill 2021 (e shtunë), ora 13:00, në Qendrën përkujtimore “Bllaca ‘99” në Han të Elezit do të inaugurohet “Muri i Kujtesës” dhe parku “Hasan Prishtina”.
Kjo ngjarje përkon me 22 vjetorin e dëbimit masiv të shqiptarëve të Kosovës nga ana e forcave pushtuese serbe në muajt mars, prill të vitit 1999 si dhe me 100 vjetorin e Hasan Prishtinës-kryeministër i Shqipërisë.

Për shkak të gjendjes me pandeminë, ngjarja zhvillohet pa praninë e publikut, por vetëm me pjesëmarrjen e referuesve dhe mediave.

Qendra përkujtimore “Bllaca ‘99” është e ideuar nga ITSHKSH dhe drejtori Dr. Skender Asani, ku edhe ndodhet treni që barti të dëbuarit kosovarë, kurse bashkëorganizatorë në realizimin e projektit Muri i Kujtesës dhe Parku "Hasan Prishtina", përveç ITSHKSH-së është edhe Shoqata për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur nga Kosova, e drejtuar nga Jahja Lluka dhe studiuesi Mehmet Prishtina.

Muri i Kujtesës, nga vet emri na tregon se është ngritur për të shënuar në shiritin e kujtesës ngjarjet dramatike që kishin ndodhur në mars të 1999-tës, menjëherë pas bombardimit të forcave serbe nga ana e NATO-s. me ç'rast makineria pushtuese serbe kishte dëbuar mbi 400 mijë shqiptarë të Kosovës në drejtim të Maqedonisë, në shenjë të hakmarrjes ndaj bombardimeve.

Lajtmotiv i Murit të Kujtesës është një mural në formë mozaiku, ku në fokus ndodhet një grua, që ndodhej në krye të një kolone të dëbuarish, e cila mori vëemndjen e mediave botërore sepse ajo po simbolizonte aktin e sakrificës dhe të flijimit teksa po ecte e rraskapitur dhe po i jepte gji foshnjës së saj disamuajshme.

Gruaja në mural quhet Sherife Luta, kurse foshja e cila tani është një vajzë 22 vjeçare, quhet Besianë.
Në golgotën e Bllacës ato ditë të ftohta dimri ka pasur shumë fotoreporterë dhe kameramanë nga e gjithë bota, por ata gjurmonin rastet më të specifike. Aty ishin edhe gazetarët e FAKTI-t. Një prej atyre rasteve, që u bë edhe foto-lajm botëror ishte kjo grua me foshnjen në gji.

Në rrëfimet e mëpastajme për mediat Sherifja ka treguar se në momentin kur është fotografuar, i kishte 2 vjet.

Ditën e 8 marsit 1999, ajo u detyrua të largohet nga shtëpia me foshnjën dhe babanë e saj për t’i shpëtuar granatimeve të serbëve në fshatin Ivajë në Kaçanik. Bashkëshorti Mirvat Luta iu kishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare Kosovës. Ai familjen e tij e kishte takuar pas gjashtë muajsh në Tetovë.

Drama e kësaj gruaje kishte pasur një shtrirje kohore afro një muaj, për aq sa kanë zgjatur edhe vuajtjet e udhëtimit në këmbë bashkë me qindra të dëbuar të tjerë, të cilët ishin të detyruar të bënin udhë të vështirë nëpër male e kodra, për t'iu ikur pritave të serbëve, të cilët e kontrollin sidomos zonën kufitare me Maqedoninë. Ky udhëtim biblik kishte qenë i pakrahasueshëm me vuajtjet e mëhershme, për arsye se popullata civile po ballafaqohej me një gjendje krejt të re dhe me plot rreziqe, deri në datën 3/4 prill, kur u shkrep dhe fotografia nga fotoreporteri boshnjak Damir Sagolj, që hyri në histori dhe bëri xhiron e botës.

Sherife Luta ishte bërë personazh medatik global dhe ajo nuk e dinte se fotografia e saj kishte sensibilizuar botën me solidarizimin që u tregua ndaj të dëbuarve, të cilët u pritën dhe u sistemuan në disa shtete dhe në disa kontinente.

Muri i Kujtesës që inaugurohet të shtunën (11 prill) shpreh në mënyrën më besnike përkushtimin ndaj vuajtjeve të njerëzve tanë që padrejtësisht u zhvendosen nga vatrat e tyre. Kjo është dokumentuar edhe me dhjetra deklarata të burrshetasve të kohës, fjalët e të cilëve janë të gdhendura në këtë mur dhe ato manifestojnë jo vetëm kujdesin njerëzor e human, por edhe qëndrimin e botës së civilizuar kundrejt barbarisë serbe.

Ky monument kujtese po ngrihet mu në vendin ku para 22 viteve njeriu i shkulur kosovar ndodhej në paanësinë e një fushe të mbuluar me krrokama sorrash e vaje fëmijësh që u mungonte qumshti dhe ngrohtësia e një rrobe të terur. Në Bllacë ato ditë të ftohta marsi, 1999, takohej fryma e njeriut me asgjënë prej nga formohej një lëmsh absurdi, që i ngjasonte një topthi të akullt bore, teksa rrokullisej në shpinën e e kërrusur të të dëbuarve dhunshëm. Në shpinën e atyre që kishin mbartur pasojat e dhunës barbare serbe dhe tani në Bllacë po i drejtoheshin stacionit të radhës për t'u degdisur në drejtime të ndryshme, ku kujdesi vëllazërot e njerëzor po i pritte krahë hapur.
Ishte fillimprilli i 1999-tës dhe bota ende nuk po e kuptonte arsyen pse mu në në zemër të Evropës po ndodhte një gjenocid i paparë kundër një populli të pafajshëm. Por nuk vonoi dhe kjo u mor vesh, në saje edhe të fotografisë së Sherife Lutës, e cila atëherë ishte lajm, kurse sot është bërë histori vuajtjesh e gdhendur në mur.

Murali i Bllacës është modeli më i duhur institucional prej ku duhet të fillojë qasja e drejtë ndaj vuajtjeve kolektive të shqiptarëve, duke e zëvendësuar tabllon e triumfalizmit të luftëtarëve që pas luftës u bënë komandantë zhvatës, me tabllon e shqiptarëve si viktimë kolektive për çka edhe intervenoi bashkësia ndërkombëtare. Po ta dinte NATO se pas luftës në Kosovë shumë politikanë do të vishen deri në ekstrem me atributet abuzive të luftës heroike për të zhvatur të mirat që t'i jep pushteti i stërgjatur, sigurisht që do të mendonte dhe do të hezitonte para se të vendoste për të bombarduar Serbinë.
Por, ndodhi ajo që ndodhi dhe në Bllacë tash e tutje historia shkruhet ndryshe, jo me fjalamaninë boshe të rrahagjoksëve, por me mençurinë largapamëse për një rreshtim civilizues të shqiptarëve.

Shkup, 8 prill, 2021

Image

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK