Byrek, kafe dhe shëtitje në bulevardin e Klintonit
“Good morning, burek s mesom? / (Good morning, byrek me mish?)
– Da, da. / (Po, po)”.
Hëngra byrek me mish në qendër të Prishtinës. Prita byrek fantastik, por më doli fenomenal. Ardhja ime e parë në Kosovë u shënua me borë në prill, e këtë nuk e prisja. Për shkak të motit të keq, na u desh të anulonim udhëtimin tonë në mal, për çka më erdhi keq, por as shëtitja në mëngjes nëpër qendër të kryeqytetit nuk ishte një zëvendësim i keq. Shiu dhe dëbora po binin me erë, në të njëjtën kohë, duke prishur një plan tjetër për mua, dhe ai është të bëj disa fotografi të mira nën diell.
A kam pritur se do të jem në gjendje të flas serbisht normalisht në qendër të Prishtinës? Nuk e di. Ndoshta unë po, por të tjerët më thanë që të kisha kujdes. Sidoqoftë, kur arrita në qytet, ishte e qartë për mua që gjuha serbe është shumë e dukshme në një pjesë të mirë të hyrjeve nëpër institucione, e përse jo? Mbi të gjitha, në vitin 2021 do të ishte shkatërruese si për mua ashtu edhe për vendasit nëse nuk do të mund të merreshim vesh në gjuhët tona, të paktën të flisnim për komunikimin themelor e të nevojshëm, ndërsa byreku është sigurisht një domosdoshmëri dhe një nevojë si për mua ashtu edhe për ata. Udhëhequr nga ajo logjikë, unë hëngra byrek në serbisht, dhe pastaj piva kafe.
– Turska? Nema. / (Turke? Nuk ka.)
– Da da, hvala, dueli espreso (osmeh) / (Po, po, faleminderit, espreso të dyfishtë (buzëqeshje).
Vizitova disa lokale të tilla, duke dashur të sigurohem që vërtet mund të them disa fjalë në gjuhën time, në Prishtinë. Sidoqoftë, në një rast, nuk e bëra, dhe vetëm sepse kishte disa djem që bisedonin me kamarierin për të cilët vlerësova (ndoshta me të vërtetë gabueshëm) se sjellja ime do të mund të kuptohej si provokim. Atëherë fola në anglisht dhe u sigurova se si t’i lidhja disa fjali me theks të mirë të mbledhura në gjysmë të rrugës midis Londrës dhe Birminghamit.
Një natë më parë, isha në një performancë të një këngëtari vendas në një restorant në të njëjtin qytet. Të gjithë përreth meje këndonin në një gjuhë që unë nuk e di akoma, por unë isha i lumtur që isha atje, si për shkak të atmosferës së shkëlqyer, si për shkak të mundësisë që ishte vërtet unike, duke pasur parasysh se për më shumë se një vit ka qenë gati e pamundur të kesh mundësinë për të dëgjuar muzikë në një restorant ku, në të njëjtën kohë, respektohen masat e miratuara ndaj pandemisë së virusit.
Atë pasdite, Kosova po përballej me një raund të ri përpjekjesh për të zgjedhur presidentin. Më dukej se njerëzit ishin të gatshëm për fazën e ecjes përpara (move on), ndërsa vullneti politik ishte sigurisht një dimension tjetër. Pas byrekut dhe kafesë, eca nëpër bulevardin “Bill Clinton”. Kam mësuar një fjalë të re në shqip: bulevardi. Në vizitën time të radhës ndoshta do të mund të jem në gjendje të falënderoj me mirësjellje kamerierin për komplimentin, në gjuhën e tij. Dhe mbase këndoj me këngëtarin.
Byreku është byrek. “Bulevar” është “bulevard”. Njerëzit flasin lehtë kur dëshirojnë.
Igor Besermenji është gazetar nga Novi Sadi, i cili ka qëndruar disa ditë në Prishtinë, ndërsa ka shkruar këtë vështrim për kryeqytetin tonë, të botuar në një ndër të përditshmet e pakta të pavarura serbe, “Danas”. /Zëri
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK