Mos eja shpesh në Bruksel Albin Kurti!
Kujdes Albin, mos eja shpesh në Bruksel se të kap tjetërsimi, mpirja nga pushteti e fotot e darkat me zyrtarët e BE-së dhe të qeverive të vendeve të tij siç i pat kapur të tjerët para teje, sepse rrezikon të kapesh pastaj edhe nga laku “Zajednicës”, shndërrimi i Kosovës në një Bosnjë të dytë në Ballkan, përkatësisht.
Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Avdullah Hoti erdhën në Bruksel për dialog me Serbinë, sa herë që ndërmjetësit e Bashkimit Evropian i thirrën. Ata nuk hezituan fare aspak të takojnë ish-zëdhënësin dhe ish-ministrin e kasapit të Ballkanit : Slobodan Milosheviqit.
Të dy të parët, Hashimi dhe Isa, ua lanë, pasardhësve të tyre kryeministra, në dorë një marrëveshje të rrezikshme – Asociacionin e Komunave Serbe (ASK) – cilën ti e quan « Zajednicë », e Ramush Haradinaj ‘Dodik Republikë », të cilën për fat të mirë e hodhi poshtë, por përkohësisht, Gjykata Kushtetuese e Kosovës në dhjetor 2015.
Tash kjo stafetë e rrezikshme, ASK-ja pra, të është bartur tek ti Albin dhe mbi supet 438.335 votuesve tuaj dhe të Vjosa Osmanit, përkatësisht, 23,66 % prej qytetarëve të Kosovës me të drejtë vote.
I ke dëgjuar edhe personalisht urimet që të erdhën nga krejt BE dhe shefat e qeverive të vendeve anëtare të saj për fitoren tënde dhe të Vjosa Osmanit në zgjedhjet e 14 Shkurtit.
Të njëjtit edhe dje ta uruan postin e kryeministrit. Të njëjtit edhe po të thërrasin që të vijsh në Bruksel, për të vazhduar e jetësuar atë që ua premtuan Serbisë dhe serbëve të Kosovës dhe e nisën homologët tuaj para teje.
Paralel me urimin, përkatësisht përkëdheljet dinake, po të njëjtit po të bëjnë presion dhe joshje në të njëjtën kohë, për dialog kompromisi me Serbinë që të jetësosh premtimin e tyre për pushtetin e dytë në Kosovë, midis atij qendror dhe komunal, për të bërë tre lloj pushtetesh, e që gradualisht do ta shndërrojë shtetin e Kosovës në një Bosnjë të dytë jofunksionale në rajon, e paralizuar gradualisht shtetin edhe ashtu të dërmuar e të gjunjëzuar të Republikës së Kosovës nga krejt ata që e gërryen deri në asht plot 22 vite prej se kaloi lufta për liri.
Krejt çka BE dhe vendet e saj duan nga ti është që të moderohesh, pra që të zbutesh e të bëhesh si Hashimi, Isa e Avdullahu, e që në shkëmbim të AKS-së të shpresosh ti dhe shqiptarët e Kosovën në njohje nga Serbia, e pastaj të shpresosh bashkë me qytetarët e Kosovës për njohje nga Qipro, Greqia, Rumania, Slovakia e Spanja në një të ardhme që askush nuk ia di fundin.
Të shpresosh pra, se ashtu do të të premtojnë ty dhe krejt qytetarëve të gjunjëzuar të vendit tonë, zyrtarët e vendeve që të po kërkojnë dhe po të thërrasin të vijsh në Bruksel për negociata kompromisi me Vuçiçin. Do të ta premtojnë edhe heqjen e vizave që ta jetësosh AKS-në dhe të bësh kompromisin me Vuçiçin.
Një ilustrim se si BE dhe shtetet anëtare të saj i ndryshojnë fjalët :
Dialogun në fjalë për çështje « teknike » e nisi BE-ja në vitin 2011 bashkë me qeverinë e Barak Obamës, kur kryetari i tashëm i SHBA-ve, Joe Biden, ishte zëvendës-kryetar.
E dinim se kjo është një mashtrim. Dhe ashtu ndodhi. Dialogu u shndërrua në dialog politik me kërkesën për kompromise. Kronologjinë prej 2011 deri me sot e di ti mirë, nuk kemi nevojë të ta përkujtojmë ne. As qëndrimet e tua plot 10 vite për këtë dialog nuk kemi nevojë të t’i përkujtojmë.
E ky transformim i dialogut u bë edhe nga shtetet e BE-së që e njohën Kosovën e pavarur, e dhe nga SHBA, dhe tash po u kërkojnë shqiptarëve të Kosovës që ende pa u njohur Kosova nga Serbia të bëhet kompromisi i rrezikshëm: AKS në shkëmbim të njohjes nga Serbia, përkatësisht boznjësim të Kosovës në shkëmbim të njohjes, me kushtin që Serbia do ta njihte Kosovën e pavarur, për të cilën Vuçiçi tha se është i gatshëm që të « vejë kokën mbi cung » e të mos e nënshkruajë.
Në këtë dialog, tash po të kërkojnë që edhe ti Albin të takohesh me ministrin e Kasapit te Ballkanit, Sllobodan Milloshevic, të jetësosh premtimet e mëhershme të Thaçit dhe Mustafës, duke ripaketuar vendimin e gjykatës kushtetuese për statusin e AKS-së, dhe paraqitur atë para publikut vendor në Kosovë si një strukturë jo të dëmshme për shtetin e Kosovës.
Ky është filmi që të pret këtu në Bruksel, nën skenarin e BE-së dhe përfaqësuesve të State Departamentit të SHBA-ve, pikërisht në kohën kur SHBA dhe BE po i ri-rregullojnë gradualisht marrëdhëniet e tyre të cilat u prishën sa ishte Donald Trump në pushtet, e i cili raportet e SHBA-ve me partnerët e saj të vjetër i bëri krejt lëmsh.
Krimet e luftës ndaj civilëve shqiptarë dhe gjykata speciale
Albin, të hënën nuk paralajmërove asnjë kusht që duhet plotësuar Serbia për krimet në Kosovë, para se të vijsh në Bruksel për të vazhduar dialogun e rrezikshëm me papagallin e Millosheviqit e të Sheshelit, Aleksandar Vuçiçin.
E di ti Albin, Vuçiçi ishte ministër i informatave/ propagandës së regjimit të Millosheviqit që masakroi afro 13,000 shqiptarë civil, përdhunoi 20,000 vajza e gra shqiptare, dogji 120,000 shtëpi, e plaçkiti shumë e krime të tjera të luftës.
Nga paraqitja e jote prej pak minutash në hënën në Parlament, nuk dëgjuam ndonjë kusht tëndin që duhet plotësuar Vuçiçi dhe shteti i tij, para se të nisesh në Bruksel për në takimet e dialogut.
Derisa sa ishe në opozitë, theksoje se duhet dialoguar me përfaqësuesit e pakicës serbe, e jo me Serbinë, sepse Kosova nuk ka çka t’i jap Serbisë.
Albin, nuk na tregove se para se do të futesh në dialog, nëse Vuçiçi dhe gjeneralët vrasës Serbë, e ushtarakët e policët e paramilitarët serbë, duhet të gjykohen në gjykatën speciale në Hagë, edhe pse BE në dy konkluzionet të takimeve të ministrave për çështje evropiane në Bruksel tha se gjykata paska juridiksion për të gjitha krimet, të bëra nga të gjithë pra.
Ka përplot shoqata që përfaqësojnë familjarët e të vrarëve shqiptarë gjatë luftës që kërkuan nga katër palë parlamente të Kosovës që nga vitit 2016 që të plotësohet ligji për gjykatën speciale, që të qartësohet dilema në këtë ligj, duke futur në tekst edhe një fjali për krimet e Serbisë, pra për të qartësuar nenin 9, pikën 2 të këtij ligji.
As ti Albin, as partia e jote, e asnjë parti tjetër në Kosovë e krerë të tyre nuk keni lëvizur fare për të qartësuar këtë ligj, për të detyruar Serbinë të dërgojë në gjykatën speciale kriminelët e saj të mbrojtur nga Vuçiçi, i cili si ish-ministër i Millosheviqit po ashtu do të duhej të thërritej nga kryeprokurori Jack Smith atje në Hagë. Keni heshtur që të gjithë në kërkesat e këtyre familjarëve dhe shoqatave edhe pse gojën plotë drejtësi para publikut e ke ti dhe krejt të tjerët si ti.
Drejtësia ka adresa Albin, ato janë gjykatat e jo mikrofonat e gazetarëve e tubimet elektorale. Në rastin e krimeve nga Serbia ato janë gjykatat e Kosovës, në Kosovë dhe Hagë pra.
Nëse ti Albin ende pretendon se nuk e njeh gjykatën speciale, atëherë e ke shumicën në parlament dhe shfuqizoje ligjin e gushtit 2015 për gjykatën.
Nëse e ke pasur me sinqeritet sa ishe në opozitë, se kriminelët e Serbisë duhet të dalin para drejtësisë, plotësoje dhe qartësoje e thjeshtësoje ligjin, dhe detyroje gjykatën speciale që të fillojë të merret me krimet e Serbisë, sepse ajo çka po thua për aktakuzë në ICJ (Gjukatën Ndërkombëtare të Drejtësisë) nuk ka të bëjë me ndëshkim të kriminelëve, ndërkohë wë do të duhej konsultuar rregullat e juriksionit të kësaj gjykate nëse vendet që nuk janë anëtare të OKB-së kanë apo nuk kanë të drejtë të ngrenë padi në këtë gjykatë.
Edhe nëse po, ICJ nuk është gjykatë penale, por ajo trajton kërkesat për gjenocide. E njëjta gjykatë ia hodhi poshtë Kroacisë dhe Bosnjës akuzat për gjenocid ndaj Serbisë, dhe nuk e shpalli fajtore Serbinë për gjenocide.
Prandaj, tash për tash e deri atëherë, duhet të përdoresh gjykatat në veprim për të ndëshkuar kriminelët e Serbisë për krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës, pra edhe ndaj më të dashurve të elektoratit të Vetëvendosjes.
Shpresojmë se nuk ke zgjedhur që të tjetërsohesh e të moderohesh edhe ti sikur edhe të tjerët para teje plot 22 vite rresht.
Referendumi për « Zajednicën »
Albin, shumë je thirrur në legjitimitet dhe në popull së fundi. Por gjatë fushatës, të njëjtit popull, nuk i ke premtuar të drejtën e tij për të vendosur me votë direkte të tij përmes referendumeve për asnjë çështje.
Po i thua elektoratit tënd se zgjedhjet ishin “referendum”, por mos harro se Kosova nuk ka ligj për referendum, sepse po të kishte, ai do të shpallej i pavrlefshëm, sepse referendumet janë të pavlefshme kur në të marrin pjesë më pak se 50% e qytetarëve me të drejtë vote. Zgjedhjet ishin 48,78 %, pra kushti i parë për referendum nuk u plotësua. Kot e ke, mos e keqpërdorë fjalën referendum por bëji ligjet për referendume të para në Kosovë, se lista për to është e madhe.
Demokracia i ka bazat tek e drejta e popullit për të vendosur, e pra edhe për çështje të brendshme të saj dhe të jashtme. Modeli i referendumeve në Zvicër është shembulli më i mirë i demokracisë përmes votës direkte të qytetarëve për çështje të ndryshme e jo nga parlamentet e qeveritë të cilat zgjidhen me më pak se 50% e popullit më të drejtë vote, se të cilat pushtete dhe parlamente pas zgjedhjeve heshtin dhe marrin vendime, nënshkruajnë ligje e ratifikojnë marrëveshje pa pyetur popullin fare.
Ekziston një çështje urgjente që t’i duhet ta thërrasësh në referendum. Së pari bëje ligjin për referendum e pastaj pa vonesë organizoje të parin.
Shpresojmë, se referendumi i parë në Kosovë që do të organizosh ti do të jetë për AKS-në, “Zajednicën” pra, për të pyetur popullin, në emër të cilit po flisni shumë ti dhe Vjosa Osmani, se a duhet pranuar apo refuzuar këtë “Zajednicë” , pra këtë marrëveshje të Thaçit dhe Mustafës të vitit 2013 dhe 2015, për të cilin Vjosa Osmani ka votuar kundër në prill 2013 e ti ke hedhur gazë lotsjellës në parlament kundër të njëjtës.
Nëse populli, me dalje me të madhe se 50% në referendum, do t’i thotë PO AKS-së, atëherë varet nga ti se a do dorëhiqesh apo jo nga pushteti.
E kemi disi të vështirë të të paramendojmë të vijsh në Bruksel e ta pranosh ASK-në për të cilin ti je kundër e populli në referendum të drejtpërdrejtë do t’i thoshte JO. Kundër AKS-së jemi edhe ne të dy që po të shkruajmë.
Në skenarin e dytë, nëse qytetarët, pra populli shumicë me të drejtë vote, do t’i thonë JO ASK-së, siç edhe po i thua ti dhe ne, atëherë ndërpritet dialogu dhe gjërat mund të marrin drejtim krejt tjetër për Kosovën në raport me BE-në, vendet anëtare të së cilës viteve të fundit e kanë zbehur shumë dëshirën për ta zgjeruar bllokun evropian edhe në rajon të Ballkanit.
E për këtë drejtim tjetër për krejt Kosovën, në shkrimin e ardhshëm. Ka të bëjë me modelin dhe rrugën e shteteve të cilat nuk janë anëtare të BE-së, ndër to është Norvegjia.
Prandaj, kujdes Albin, mos eja shpesh në Bruksel se të kap tjetërsimi, mpirja nga pushteti e fotot e darkat me zyrtarët e BE-së dhe të qeverive të vendeve të tij siç i pat kapur të tjerët para teje, sepse pastaj gradualisht mund të biesh në kurthin e “Zajednicës” dhe premtimeve për “integrimet evropiane”, në të cilin u ndodhën krejt të tjerët para teje e në të cilin për fat të keq ndodhen edhe një pjesë e madhe e popullit të Kosovës të gjunjëzuar dhe hutuar nga ata të cilët ti i munde bindshëm në zgjedhjet e 14 Shkurtit
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK