Shteti e ka emrin tënd
Nëse liria e ka emrin burrë, shteti e ka emrin grua. Shteti e ka emrin Majlindë, Dua, Blerta, Rrita, Era, Distria. Shteti e ka emrin tënd, luftën tënde për arsimim, punësim, trajtim dhe përfaqësim të barabartë. Shteti e ka emrin Xhevë, Ferdonije, Vasfije, Besartë, Blerinë, Sarandë, Fahrije.
Kujtojeni cilëndo sakrificë dhe arritje të grave në cilëndo sferë dhe do ta gjeni këtë emërues të përbashkët: luftën. Jo luftën e Trojës për Helenën e bukur as luftën për “megjë”, por luftën për ekzistencë, për një vend nën diell. Kujtojeni ndryshimin e 14 shkurtit, i cili ka emrin grua. Kujtojeni secilën grua aktive në sport, kulturë e politikë, ato e kanë emrin shtet!
Ne të gjithë jemi dëshmitar të kampanjave denigruese dhe sulmeve të vazhdueshme ndaj kandidates për Presidente të Kosovës, zonjës Vjosa Osmani. Lufta dhe përpjekja e saj ka vetëm një emër- grua. Angazhimi konsistent i saj ka vetëm një emër- shtet.
Sulmet ndaj saj s’kanë të bëjnë me qëndrime a ideologji politike, por sulme të vazhdueshme verbale dhe fizike në Kuvend me shpifje e tendenca denigruese në drejtim të dukjes, e dokrra të tjera krejt jorelevante. Përkundër kampanjave të tilla të orkestruara kundër saj si nga një pjesë e madhe e mediave, ashtu edhe nga opozita, ajo arriti t’i marrë mbi 300.000 vota apo përkthyer popullorçe: “Më shumë vota se Ibrahim Rugova”.
Aristoteli thotë se njerëzit janë kafshë politike, por që dallohen prej kafshëve të njëmendëta duke qenë se dinë ta bëjnë dallimin në mes të mirës dhe të keqes, të drejtës dhe të padrejtës. Nëse nisemi prej këtij parimi, nëse jemi njerëz me vetëdije për të mirën dhe të keqen, atëherë duhet të ndjejmë edhe përgjegjësi për veprimet tona. Populli e ka kuptuar tashmë këtë gjë dhe është treguar i përgjegjshëm përmes kutive të votimit. Nëse vlerësimi përfundimtar i njeriut të mirë nuk bëhet në bazë të qëndrimeve të tij në momentet e rehatisë, por qëndrimeve në kohë sfidash e polemikash”, siç thotë Martin Luther King Jr., atëherë gratë udhëheqëse të botës kanë treguar guximin e tyre.
Statistikat globale na tregojnë se vendet me reagimet më të efektshme kundër koronavirusit kanë një emërues të përbashkët - një grua në krye. Nga Presidentja e Tajvanit Tsai Ing-wen, e cila përkundër të gjitha parashikimeve mori vlerësime ndërkombëtare për përgjigjen e saj agresive ndaj pandemisë me vetëm shtatë viktima; Kryeministrja Daneze Mette Frederiksen, e cila e futi vendin në izolim me kohë; Kryeministrja Islandeze Katrín Jakobsdóttir që ofroi testime falas për të gjithë qytetarët; Kancelaria Gjermane Angela Merkel duke komunikuar me qetësi dhe duke u bazuar në shkencë; reagimet e shpejta të Kryeministres së Zelandës së Re, Jacinda Ardern ndaj koronavirusit si rezultat i të cilave ky shtet numëron veç 22 viktima. Kryeministrja Jacinda Ardern, konsiderohet edhe si udhëheqësja më e mirë në planet ngase pas sulmit terrorist që la 50 viktima brenda dy xhamive në Christchurch vitin e kaluar. Ajo u duartrokit jo vetëm për reagimin e saj me ndjeshmëri dhe dhembshuri, por edhe për miratimin e shpejtë të ndryshimeve legjislative rreth armëve të zjarrit. Pra, statistikat tregojnë se udhëheqëset gra në të gjithë botën u treguan inovative dhe vendimtare në veprimet e tyre edhe në kohë krizash siç është tash rasti me pandeminë.
Sovrani e ka thënë fjalën e tij. Zgjedhjet na treguan se gratë e bënë diferencën dhe vota e grave ishte vendimmarrëse për përcaktimin e fituesit të këtyre zgjedhjeve. E kemi një grua që ka marrë më shumë vota se sa presidenti i parë i vendit - Ibrahim Rugova. Ata që nxisin dyshime për aftësinë udhëheqëse të grave më nuk janë populli, ata janë pjesë e “elitës politike”, që fshihen nën petkun e opozitarizmit, përderisa në realitet udhëhiqen prej interesave të ngushta meskine dhe veprimeve primitive.
E di që nuk është detyrë e opozitës t’i krijojnë institucionet, por e di që “Gratë për gratë”, nuk është veç slogan parazgjedhor, është mendësi politike, është mënyrë jetese, është përpjekja e fundit drejt një shoqërie të shëndosh. Jam shumë e sigurt, se gratë deputete të opozitës, besojnë në vizionin politik dhe aftësitë udhëheqëse të znj. Osmani. Jam shumë e sigurt që në një vend normal ato do të qëndronin në Kuvend dhe do të votonin për znj. Osmani, sepse jam shumë e sigurt që veç falë angazhimit të grave tona ne nuk jemi asimilu si komb.
Andaj, gra deputete, vota juaj është emblema juaj, është arma juaj, është liria juaj, është shteti. Vota jonë për ju ka kaluar male të thepisuna, çmojeni atë. Bëjeni shtetin tonë një vend normal, ngase jetojmë në kohën e mashtrimit universal, siç shprehej Martin Luther King. E, në kohëra të tilla të thuash të vërtetën është akt revolucionar. Në kohëra të tilla të votosh për një Presidente grua është akt revolucionar, është privilegj, por edhe detyrim, sepse shteti e ka emrin tënd.
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK