Gjuha shqipe e reciprociteti mbi një marrëveshje me Turqinë
Në pranverë të 2007-ës në vizitë zyrtare në Ankara i kërkova homologut e mikpritësit tim, ministrit të arsimit Hysein Çelik, nëse do të mundë të parashikohej mësimi shqip në shkollat e Turqisë për fëmijët e komunitetit gati pesëmilionësh shqiptar në atë vend.
Bëhet fjalë për shqiptarë të Ballkanit, të cilët u detyruan të shpërngulen me dhunë ose me trysni nga koha e Luftës së Parë Ballkanike deri mbas Luftës së Dytë Botërore; nga Mbretëria greke sidomos nga Jugosllavia e Krajlit dhe më vonë e Titos; me gjasë grupi më i madh i diasporës shqiptare.
Hysein Çelik ishte një burrë i sjellshëm, i kultivuar dhe plot kujdes ndaj mysafirit. Me të nënshkruam disa marrëveshje bashkëpunimi që mbulonin fusha deri te financimi i kërkimit shkencor.
Por për kërkesën time të veçantë ai u tregua hazër xhevap: “Më vjen keq zoti ministër, por nuk mund ta bëjmë këtë. Ne po përpiqemi të fusim anglishten që në fillore dhe nuk kemi mundësi për gjuhë të tjera”.
Një arsye tjetër që Çeliku nuk e përmendi ishte se Ankaraja, nga koha e Ataturkut e deri në ditët tona, ka ndjekur politika asimiluese e homogjenizuese, që nuk linin shumë vend për të drejtat e pakicave (siç konceptohen ato nga konventat e Këshillit të Evropës).
Meqë e pashë që nuk bëhej gjë, vijuam me çështjet e tjera të bashkëpunimit.
Ky episod m’u kujtua teksa lexova në shtyp marrëveshjen shqiptaro-turke, e nënshkruar në Ankara në 6 janar 2021 nga ministrja Kushi e nga homologu i saj turk, si dhe e miratuar në qeveri më 24 shkurt. Përgjithësisht teksti duket standard e i ngjashëm me marrëveshjet e mëparshme.
Me përjashtim të pikës tre, sipas së cilës pala shqiptare do të vlerësojë kërkesat për mësimin e turqishtes si gjuhë e huaj, si lëndë me zgjedhje të lirë në provime, si dhe një program pilot.
Kushdo që do të supozojë se këto detyrime i merr simetrikisht edhe pala turke do të mbetej i zhgënjyer. Marrëveshja nuk parashiko asnjë detyrim të ngjashëm për Turqinë.
Edhe pse asimetria faktike është e dukshme: në Shqipëri nuk ka një pakicë turke në kuptimin historik dhe komuniteti i shtetasve turq është i vogël; ndërsa në Turqi komuniteti me origjinë shqiptare është disamilionësh siç përshkruam më lart.
Klauzola të tilla Turqia i ka arritur pas negociatash të gjata me shtete evropiane, ku komuniteti i emigrantëve turq (Gastarbeiter) ishte domethënës, por kjo nuk ka lidhje fare me situatën në Shqipëri.
Prandaj qeveria (nuk po them Kushi, mbasi duket se është bërë me porosi nga lart) duhet të sqarojë pse ka lëshuar po kot më kot e nuk ka përftuar atë që mundej.
Duhet thënë këtu se prej disa vitesh ka disa zhvillime pozitive për gjuhët e pakicave, duke përfshirë edhe shqipen; një lloj devijimi nga dogma kemaliste.
Por kjo mbetet për një shënim tjetër dhe gjithsesi është çështje e legjislacionit të brendshëm turk.
Marrëdhëniet ndërshtetërore ama udhëhiqen nga reciprociteti e dobia e ndërsjellë.
Sa herë që qeveritë përfaqësojnë interesat e popujve të tyre.
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK