Zërat
Skender Berisha
Skender
Berisha

Pse s’ka vaksina për Kosovën, së paku rrihni kambanat dhe lutuni për ne si në kohën e Skënderbeut!

Zërat February 25, 2021 - 13:21

Shtetet e QUINT-it, që kujdesen për sundimin e ligjit, respektimin e normave ndërkombëtare, qeverisjen e mirë tek ne dhe detyrat tjera, apo mrekullia e qeverisjes në Republikën e Kosovës, ende nuk kanë publikuar ndonjë opinion apo qëndrim rreth furnizimit me vaksina anti covid për Republikën e Kosovës.

As që pritet. Sikur po i lihet hapësirë e re Serbisë të luaj rrolin e shpëtimtarit, ashtu sikur për testet në fillim të shfaqjes së virusit. Nuk pritet të kenë qëndrim për vaksinat, sepse, shtetet nga vinë, ndonjë nga to kanë dyfishuar e trefishuar sasinë e porositur. Nuk e kanë lehtë, jo.

Çfarë mund të bëj Republika e Kosovës që të furnizohet me vaksina. Perëndimi ka rregulla ndërsa ndjenja për këtë gjendje nuk është prioritet. Kjo shihet nga aeroplani, por, ka edhe rrugë tjera, mos qoftë ashtu por sikur po e testojnë durimin tonë, të përkulemi sërish para Serbisë, apo të shtrijmë dorën nga Rusia, Kina, Turqia, Arabia apo edhe India. Këtë, dihet, nuk e bëjmë edhe të gjithë po vdiqëm nga covidi.

Besoj fort se shtetet e QUINT-it, e kanë hall të madh se si të furnizohemi ne me vaksina anti-COVID. Jam i bindur fort se qeveritë e vendeve prej nga vinë, nuk po i respektojnë qëndrimet e tyre, as kërkesat e shumta për një donacion apo shitje të sasisë së limituar për personelin shëndetësor të Republikës së Kosovës. E besoj.

Vërtetë Kosova është shtet sui generis, por, kam frikë e qofsha i gabuar, edhe sjelljet e miqve tanë, shtetet e fuqishme që na ndihmuan të jemi shtet, në kohë pandemie, duken sikur janë sui generis. Madje, për fat të keq, makiatot tona ua kanë zvjerdhur standardet dhe tashmë janë përshtatur me mendësinë dhe mundësitë e shtetit tonë.

Vërtetë, nuk mbetet gjë tjetër pos biznesmenët tanë të dalin në skenë. Të prishin matematikat dominuese të pandemisë dhe të paguajnë nën tavolinë, ashtu siç ditën të paguajnë kur e kishim më së vështiri për të kthyer rrethanat në favorin tonë.

Ashtu e ashtu, do të jemi sërish në teh si shtet me korrupsion të lartë, por së paku, personeli shëndetësor, duhet të ketë mbrojtje me prioritet. Ndryshe, lamtumirë humanizëm. Jeni të njëjtit e epokës skënderbejane. Bëni lutje dhe rrihni kambanat për ne në kohë pandemie. Mbase, as kjo nuk është pak!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK