Reforma e administratës publike është thelbësore për integritetin e shërbimit publik
Diskutimi në Kosovë rreth korrupsionit dhe abuzimit të qeverisë shpesh është i përqendruar në sektorin e prokurimit publik. Kuptohet dhe është e qartë se mënyra se si qeveria shpenzon paratë publike është e një rëndësie jetike për luftën kundër korrupsionit. Është punuar shumë nga shoqëria civile, Bashkimi Evropian dhe vetë qeveria në Kosovë për të adresuar disa nga problemet kryesore me prokurimin publik, megjithëse mbeten ende sfida serioze.Lëvizja FOL ka qenë një nga organizatat e para që përqendroi vëmendjen e saj në sektorin e prokurimit publik dhe lidhjet e tij me korrupsionin, njëmbëdhjetë vjet më parë, pra në vitin 2010, me krijimin e një qasje sistematike për monitorimin e këtij sektori.Sot ka një numër organizatash që përqendrojnë kapacitetin e tyre të monitorimit në këtë sektor, dhe kjo është pozitive sepse është mekanizëm parandalues i keqpërdorimeve si dhe rrit kërkesën për llogaridhënie.
Sidoqoftë, një sektor tjetër thelbësor për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies së qeverisë ka qenë kryesisht jashtë radarit të shoqërisë civile.Ky është shërbimi publik ose administrata publike në përgjithësi, e cila shpesh shihet nga shoqëria civile si komplekse për tu kuptuar dhe tepër teknokratike.Sidoqoftë, administrata publike është shtylla thelbësore e përpjekjeve për të çrrënjosur korrupsionin dhe abuzimin me autoritetin publike, dhe ka pasur zhvillime të rëndësishme pozitive në këtë sektor gjatë viteve të fundit. Një nga zhvillimet më të fundit ka qenë miratimi i Ligjit të ri për Zyrtarët Publikë, i cili duhet të ndryshoj deri në një masë që të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sidoqoftë, ligji dhe legjislacioni sekondar që e përcjell krijojnë ndryshime të mëdha në procesin e rekrutimit në shërbimin publik, i cili ka qenë një burim kryesor i mangësive dhe problemeve për Kosovën.
Ligji bën disa ndryshime të rëndësishme në rritjen e transparencës në mënyrën se si kandidatët që aplikojnë për një vend pune në shërbimin civil testohen dhe vlerësohen. Sipas ligjit të ri testimii kandidatëve për shërbim civil do të realizohet në formë elektronike, sikurse edhe vetë aplikimi. Kjo redukton mundësitë për keqpërdorim, pra nuk i eliminon. Zbatimi i mirëfilltë i këtyre dispozitave do të varet edhe nga niveli i monitorimit të zbatimit të ligjit. Krahas kësaj ligji krijon një sistem të rekrutimit të centralizuar, ku vendet e lira nuk mund të shpallen për pozita apo tituj të caktuar. Një aspekt tjetër i rëndësishëm që ligji adreson është edhe çështja e punësimit me “Marrëveshje të veçantë” apo “Kontratë mbi vepër” që konsiderohet si forma më e përhapur e keqpërdorimit në procesin e punësimit në shërbimin civil.
Konsiderohet se kontratat mbi vepër janë një instrument kryesor që parandalojnë konkurrencën dhe pengojnë një proces të bazuar në meritë për rekrutim në shërbimin civil. Ky lloj i punësimit në shërbimin civil është jo-transparent dhe ka shkelur shpeshherë kufizimin ligjor prej 6-muajsh për kohëzgjatje të kontratës. Fenomeni i kontratave mbi vepër ka qenë i shpërndarë në tërë administratën publike. Për shembull, raportet e ish-Ministrisë së Administratës Publike tregojnë se “për vitin 2018, numri i punësimeve në shërbimin civil me marrëveshje për shërbime të veçantë është më i madh krahasuar me numrin e punësimeve me procedura të rregullta të rekrutimit. Institucionet gjatë vitit 2018 kanë bërë 1073 punësimi me marrëveshje të veçantë, ndërsa 887 janë punësuar përmes procedurave të rregullta të rekrutimit.” Ligji i ri për Zyrtarët Publik eliminon këtë problem. Bazuar në Ligjin e ri për Zyrtarët Publikë, gjatë vitit 2021, qeveria do të duhet të krijojë Departamentin për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë, i cili do të jetë institucioni i ngarkuar për të zbatuar rekrutimin e centralizuar për shërbimin publik. Ky është një institucion i rëndësishëm që duhet të mbështetet, por edhe të mbrohet nga ndërhyrjet politike.
Përveç ndryshimeve ligjore, një zhvillim tjetër i rëndësishëm pozitiv që nuk ka marrë shumë vëmendje, është vendosja e marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian për reformimin e administratës publike. Më konkretisht kjo i referohet Kontratës së Reformës së Sektorit për Reformën e Administratës Publike, ose instrumentit të Mbështetjes së Buxhetore të Sektorit në kuadër të fondeve IPA të BE-së. Kontrata përkatëse në shumë prej 25 milion Eurove u nënshkrua në 2017 dhe filloi zbatimin në vitin 2018.
Kjo kontratë përmban caqe të prekshme dhe konkrete për reforma që qeveria duhet ti arrijë çdo vit. Në varësi të nivelit të përmbushjes së caqeve përkatëse, Komisioni Evropian deponon një shumë të drejtpërdrejtë financiare në thesarin e Kosovës. Qeveria e Kosovës mund të përfitojë deri në 5.5 milion Euro çdo vit nëse arrin të përmbush caqet e rënë dakord. Secili vit ka rreth tetë tregues, dhe ato përfshijnë për shembull, përqindjen e zbatimit të masave afatshkurtra nga programi kombëtar për zbatimin e MSA-së, përqindja e dokumenteve të miratuara nga qeveria, të tilla si rregulloret dhe strategjitë, që kanë respektuar standardet minimale për konsultimin publik, ulja e barrës administrative, racionalizimin e agjencive, etj.Departamenti për Reformën e Administratës Publike dhe Integrimin Evropian, tani në Ministrinë e Punëve të Brendshme, dikur në Ministrinë e Administratës Publike, dhe institucionet e tjera të përfshira në proces kanë bërë një punë të përgjithshme pozitive në koordinimin e zbatimit të reformave, por shpesh kanë qenë në pamundësi për të arritur potencialin e plotë për shkak të mungesës së vullnetit politik ose mbështetjes së nevojshme politike për të zbatuar reformat, si në rastin e racionalizimit të agjencive.
Është shumë e rëndësishme që shoqëria civile të luajë një rol aktive në mbështetjen e procesit të reformës së administratës publike. Kjo mund të nënkuptojë angazhim të drejtpërdrejtë me institucionet publike, ose monitorim dhe aplikim të presionit konstruktiv për të nxitur qeverinë të ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe të duhur.
Autorja është Drejtore Ekzekutivee Lëvizjes FOL.
Ky artikull është përgatitur në kornizën projektit të organizatës për monitorim të reformës së administratës publike të mbështetur nga KFOS.
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK