Zërat
Xhavit Çitaku
Xhavit
Çitaku

Përse iu mohua e drejta e votës mijëra mërgimtarëve?

Zërat February 06, 2021 - 11:37

Një anëtari të familjes i pranohet aplikimi, tjetrit jo!

Si asnjëherë më parë, mërgata shqiptare ishte shumë e interesuar që kësaj radhe të marrë pjesë dhe të kontribuoj me votën e saj në zgjedhjet nacionale që po organizohen gjatë këtij muaji në vendin tonë. Mirëpo, siç është pritur, mërgimtarët tanë janë shumë të zhgënjyer me tretmanin që po iu bëhet nga institucioni përkatës kompetent lidhur me këtë të drejt elementare të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në fakt, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bashkatdhetarëve tanë ua mundësoi aplikimin për të realizuar këtë të drejt, të cilën gjë e bënë mijëra sish, por problemi lindi pas aplikimit, ngaqë, kinse, pë të evituar manipulime të mundshme, Zyra për regjistrim do të kontaktoj me të gjithë aplikuesit nëpërmjet të telefonit. Sipas zyrtarëve të kësaj zyreje ata kanë arrtur që mbi 100 mijë mërgimtarë të kontaktohen dhe të regjistrohen si votues të barabart me të tjerët në Kosovë.

Megjithatë, jashtë këtij regjistri mbetën edhe mijëra të tjerë ngaqë, me gjasë, për shkak të mungesës së kapaciteteve logjistike, apo të problemeve tjera rreth organizimit më të mirë të përfshirjes të këtij numri kaq të madh të mërgatës shqiptare. Pa dyshim se mund të këtë patur ndonjë gabim në fletaplikime e shkaktuar nga aplikuesi, që gjithësesi janë minore, mirëpo e vërteta është se të tjerët, mijëra sish, fare nuk u kontaktuan nga zyra për regjistrim pranë KQZ dhe kësisoj pa fajin e tyre mbetën jashtë këtij procesi.

Njërit bashkëshort i pranohet aplikimi, tjetri nuk e ka këtë fat!

Nga shumë kontakte që kam pasur me bashkatdhetarë tanë, shihet qartë se çfarë padrejtësie e kundëligjshme iu është bërë nga zyra për regjistrim mijëra familjeve , anëtarët e të cilave ishin të interesuar që të marrin pjesë në votime edhe pse jetojnë e punojnë jashtë atdheut.

Në të vërtetë, është për t’u habitur fakti se si është e mundur që një anëtari të një familjeje t’i pranohet aplikimi, ndërsa tjetrit jo. Apo shembulli i një familjeje pesëantarëshe në Shutgart të Gjermanisë tregon se sa joserioz ishte puna e Zyrës për Regjistrim: babait dhe vajzës i pranohet aplikimi, ndërsa nënës e dy vajzave tjera iu mohohet e drejta për të votuar. Në Geteborg të Suedisë njërit bashkëshort i pranohet aplikimi, tjetri nuk e ka këtë fat.


Në një familje tjetër gjashtë anëtarëshe vetëm njëri arrin të drejtën për të votuar. Këso laramanie dhe shembuj të keq të punës së kësaj zyreje ka me mijëra sosh. Do theksuar vetëm një gjë se arsyetim për këtë shkelje të të drejtës për të votuar edhe mërgimtarët tanë nuk mund të gjenden përveç se trillime nga më të ndryshmet, ngaqë këto familje bashkë i kanë plotësuar fletaplikimet dhe i kanë dërguar nga e njëjta post elektronmike. Që “ mëkati” të jetë edhe më i madh mijëra bashkatdhetarëve tanë iu mohua e drejta për të realizuar të drejtën e garantuar për të votuar, për shkak se ata fare nuk u kontaktuan nga Zyra për Regjistrim, që në esencë është në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën, apo thënë konkretisht kjo është një vepër penale.

Një vështirësi tjetër që u evidentua dhe që do t’i kushtoj mërgimtarëve, ka të bëj me afatin e shkurtër të dërgesave të fletëvotimeve aq më shumë kur të merret parasysh fakti i pandemisë që ka përfshi tërë globin dhe që në masë shumë të madhe ka vështirësuar transportin e njerëzve dhe të mallrave në të gjitha shtetet e botës.

Këtë gjë është dashur ta evidentoj me kohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe kësisoj të zgjas afatin e arritjes së fletëvotimeve nga mërgata shqiptare. Do të jemi dëshmitar se mijëra vota nga mërgata nuk do të kenë fatin për të arritur me kohë dhe gjithë ai mund e dëshirë e madhe për t’ia dhënë votën atij kandidati që mërgimtarët mendojnë se do të bëjnë përpjekje për ndryshime pozitive në Kosovë, do të hudhen në shporta si të pavlefshme.


Mërgimtarët janë të mirë vetëm atëherë kur ndihmojnë materialisht?!

Temë dominante që aktualisht shtrohet e bisedohet pothuajse në çdo familje dhe në ndeja mërgimtaresh është preokupimi dhe një ndjenjë se ky etnitet po lihet anash nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Zgjedhjet nacionale të këtij viti dhe kushtëzimi i mërgimtarëve tanë për të marrë pjesë në to, është argumrnti më i fuqishëm që ky komunitet numërikisht shumë i madh dhe po ashtu mjaft i rëndësishëm, me të drejt fajëson të gjithë ata që po i trajtojnë kaq keq, jo vetëm kësaj radhe.

Mërgata jonë e vyer e kontribuese në të gjitha proceset e rëndësishme që ka kaluar vendi ynë nuk ka forcë, mundësi e mekanizem për të ndryshuar këtë gjendje të pafavorshme dhe diskriminuese, por ajo nuk e humb shpresën e besimin se qeveria e re do të ndryshon shumëçka në të mirë edhe të këtij komuniteti. Sepse nuk është njerëzore që mërgata të vlerësohet e mirë vetëm atëherë kur ndihmon materialisht, të cilën gjë është duke e bërë në vazhdimësi.
Dhe krejt në fund. Dikush po i frikësohet votës së mërgatës shqiptare.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK