Infektuar: 73048
Shëruar: 61986
Vdekur: 1649
Zërat
Emin Azemi
Emin
Azemi

Jerusalemi, Kosova dhe vendimmarrjet pragmatike

Zërat February 04, 2021 - 14:54

E ndodhur në mes të një Evrope cinike e shumëstandardëshe, në mes të një OKB-je që ende e mban Ballkanin peng të ndikimeve ruse dhe të një administrate të re në Washington, Kosovës, gjegjësisht lidershipit të saj, i bie që sa më shpejt të bëjë një konsultim shtesë me administratën e presidentit Joe Biden, dhe varësisht nga kjo të merr një qëndrim lidhur me vendosjen e ambasadës në Jerusalem

Bashkimi Evropian ka reaguar pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit si dhe pas paralajmërimit të Kosovës për ta hapur ambasadën në Jerusalem. Qëndrimi i BE-së është që ambasadat e vendeve të BE-së të vendosen në Tel Aviv.
Ata pak politikanë të arsyeshëm që kanë mbetur në Kosovë duhet të mbajnë llogari se çfarë qëndrimesh do të mbajnë në ditët në vijim, duke demonstruar pjekuri e fleksibilitet maksimal në projektimin e politikave të jashtme kundrejt BE-së dhe SHBA-ve.


SHBA për Kosovën është partneri strategjik që nuk ka alternativë, ndërkohë që BE është familja integruese, së cilës Kosova i përket, ndonëse brenda BE-së ka qëndrime konfuze e aspak parimore mbi të ardhmen e Kosovës.


Brukseli është treguar një prind i keq ndaj Kosovës, duke përkëdhelur hapur Serbinë, edhe atëherë kur kjo e fundit ashiqare ka shprehur anime ndaj Rusisë e Kinës.
Brukseli është treguar hileqar ndaj Kosovës kur ka kërkuar demaskimin e kufirit me Malin e Zi në këmbim të liberalizimit të vizave. Mirëpo klasa politike e Kosovës është ndjerë e tradhtuar dhe e zhgënjyer nga ky qëndrim hermafrodit i burokratëve të Brukselit, të cilët Kosovën më tepër e përdorën si sallon diplomacie ku duhej të stërviteshin muskujt  e tyre për betejat e paqarta në mes të shteteve anëtare të BE-së.


Në dialogun në mes të Kosovës e Serbisë, Brukseli mbajti qëndrim neutral më shumë se sa që i takonte dhe asnjëherë nuk i kërkoi me këmbëngulje Beogradit zyrtar që ta heqë Kosovën nga Kushtetuta serbe. Për pasojë, Brukseli gjithmonë Kosovën e shikonte si një barrë që duhet t’ia heqë nga shpina Serbisë, në mënyrë që këtë të fundit ta bëjë sa më të lehtë me obligime për t’u integruar në BE. Madje edhe ato marrëveshje që u nënshkruan në prani të zyrtarëve të BE-së, asnjëherë nuk u zbatuan me përpikëri nga Serbia, por çuditërisht ko e fundit nuk pati kurrfarë pasojash nga ky qëndrim refuzues dhe joevropian.


Deputeti i Parlamentit Evropian,austriaku Lukas Mandl, ndoshta më së miri e ka shprehur qëndrimin jokoherent brenda shteteve-anëtare të BE-së ndaj Kosovës. Duke komentuar në profilin e tij zyrtar në twitter vendosjen marrëdhënieve diplomatike në mes të Republikës së Kosovës dhe Izraelit, Mandl ka shkruar se kjo njohje është një mesazh i qartë për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.


“Shteti i Izraelit do të njohë Republikën e Kosovës që është shteti më i ri në Evropë. Kjo do të thotë shumë për mua meqë e ndjej miqësinë mes Austrisë, Izraelit dhe Kosovës. Është një sinjal i qartë për të gjithë shtetet anëtare të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.
Gjeneza e divergjencave në mes të BE-së dhe SHBA sa i përket qëndrimeve ndaj Kosovës janë më të hershme, qysh në vitet nëntëdhjetë, por ato u bënë më dalluese në prag të intervenimit të  NATO-s në vitin 1999. Pati shumë kundërshtarë brenda BE-së që ishin në një linjë me qëndrimet ruse e kineze, që kërkonin miratimin në Këshillin e Sigurimit të çfarëdo lloj intervenimi ushtarak ndërkombëtar në Kosovë. Vetëm SHBA ishte kundër një ideje të tillë, prandaj edhe ndërhyrja e NATO-s nuk do të ndodhte, sikur të ndiqeshin rekomandimet e disa vendeve të BE-së.


Tani vijmë te pyetja një milion dollarëshe: Si duhet të veprojë Kosova në këto rrethana kur BE dhe SHBA kanë qëndrime diametralisht të kundërt sa i përket Jerusalemit si kryeqytet i ardhshëm i Izraelit, ide kjo e favorizuar nga ish-administrata e Tumpit dhe e kundërshtuar nga Rezoluta e OKB-së?
Sikundër dihet, në vitin 2017, Shtetet e Bashkuara i vunë veton një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-s, e cila hedh poshtë njohjen nga Presidenti i SHBA, Donald Trump, të Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit.


Teksti i rezolutës shprehte “keqardhje të thellë” për deklaratën e Donald Trumpit që njihte Jerusalemin si kryeqytet dhe njoftonte fillimin e zhvendosjes së ambasadës amerikane nga Tel Avivi për në Jerusalem.
Ky qëndrim i Trumpit pat shkaktuar debat në qarqet diplomatike dhe shkencore ndërkombëtare. Profesori i historisë së Kolegjit Randolph-Macon, Michael Fischbach, i pat thënë Zërit të Amerikës se vendimi i zotit Trump përmbyste politikën e mëparshme të SHBA që kishte vazhduar prej dekadash, si dhe “konsensusin global” kundër njohjes së Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit.


“Që nga viti ’67 Izraeli kontrollonte tërë qytetin, por në bashkësinë ndërkombëtare ekzistonte konsensusi që derisa konflikti arabo-izraelit të zgjidhej përfundimisht dhe paqësisht, asnjë vend nuk do ta paragjykonte rezultatin e asaj që do të ndodhte me Jeruzalemin, sepse vendimi origjinal i OKB-së ishte që kjo të mbahej si një zonë ndërkombëtare,” kishte thënë Fischbach.
Bashkimi Evropian ka përsëritur qëndrimin se një zgjidhje realiste midis izraelitëve dhe palestinezëve është formula e dy shteteve, me Jerusalemin si kryeqytet të të dyjave, ndërkohë që Rezoluta që u votua edhe nga Shqipëria më 21 janar 2017, thotë se Jeruzalemi “është një çështje e statusit përfundimtar” dhe riafirmon 10 rezoluta të mëparshme të Këshillit të Sigurimit dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, mbi Jerusalemin, që datojnë nga 1967, duke përfshirë kërkesat që statusi përfundimtar i qytetit duhet të vendoset në negociatat e drejtpërdrejta midis Izraelit dhe palestinezëve.


Pra Kosova, sa i përket çështjes së Jerusalemit,  i ka dy rrugë të ndjekë: njëra është legaliste, që i referohet rezolutës së Këshillit të Sigurimit dhe tjetra  – etike/morale, që i atribuohet miqësisë së përhershme me SHBA-të.


Çdo shtet që nuk është në pozitën e Kosovës, përfshi edhe Shqipërinë, e ka më lehtë të vendosë mbi këtë çështje, sepse mund ta ketë si pikëmbështetje Këshillin e Sigurimit, si referencë e një vendimmarrje pragmatike dhe legaliste, me pasoja minimale në procesin e shtetndërtimit të mëtejmë.
Por, Kosova nuk e ka këtë luks, sepse edhe çlirimi i saj nga okupatori serb, me sponzorim të drejtpërdrejt amerikan, ndodhi duke i shkelur disa ligje e rregulla të politikës ndërkombëtare, përfshi edhe intervenimin e NATO-s në muajt mars – qershor 1999.


Në anën tjetër, Kosova ende vuan pasojat e një politike të ngathtë të Kombeve të Bashkuara, për arsye se Rezoluta 1244, e cila ende nuk është shfuqizuar, iu ka hapur udhë shumë proceseve dezintegruese e destabilizuese ndaj Kosovës, ku hijet e stepave ruse shtrihen edhe mbi Urën e Ibrit , ku elementi serb(lexo: shteti i Serbisë) qartësisht dhe forcërisht refuzon çdo prerogativë shtetërore të Kosovës që nuk është, gjoja, në frymën e Rezolutës 1244. Është pikërisht kjo rezolutë që po e pengon Kosovën të ushtrojë të gjitha kapacitetet e shtetndërtimit, përfshi edhe shtrirjen e autoriteti të saj kushtetues e ligjor në tërë territorin e saj.


Pra, e ndodhur në mes të një Evrope cinike, të ngathtë e shumëstandardëshe, në mes të një OKB-je që ende e mban Ballkanin peng të ndikimeve ruse dhe të një administrate të re në Washington, Kosovës, gjegjësisht lidershipit të saj, i bie që sa më shpejt të bëjë një konsultim shtesë me administratën e presidentit Joe Biden, dhe varësisht nga rrjedha e këtyre  konsultimeve të merr një qëndrim lidhur me vendosjen e ambasadës në Jerusalem. Sepse, fundja edhe ideja që Jerusalemi të bëhet seli e ardhshme e ambsadës së Kosovës, ishte e administratës së Trumpit, e cila, siç dihet në të kalaurën kishte prodhuar shumë ngjarje me efekte kontraverse, përfshi edhe të ashtuquajturën Marrëveshje të Washingtonit, e cila më tepër u ideua si merketing parazgjdhor i stafit të ish-Presidenti amerikan, se sa që vërtetë do të zgjidhte përfundimisht mosmarrëveshjet në mes të Kosovës dhe Serbisë.


Fundja, askush nuk e ka të qartë se si do të sillet adminstrata e re në Washington ndaj çështjes së Jerusalemit dhe a do të ketë një përgjigje ndaj dilemës nëse kjo administratë do të respektojë vendimin e administratës paraprake ndaj kësaj çështjeje?


Çdo veprim tjetër që ndërmerret pa konsultim me administratën e re të presidentit Biden, mund të shkaktojë efekte të pakthyeshme në dëm të raporteve dhe aleancave euro-atlantike, teksa diplomacia serbe e ndihmuar nga ajo ruse do ta shfrytëzojë maksimalisht periudhën në vazhdim që të krijojë huti e kaos, duke futur pyka të reja në mes të Kosovës dhe miqve të saj në Europë dhe Amerikë.

(Autori është botues i Gazetës "FAKTI")

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK