Kualifikime të sëmura për të minimizuar kontributin e atdhetarëve
Kur debatet politike synojnë të devalvojnë personalitete dhe historinë tashmë të krijuar, është nivel i rëndë i sëmundjes së fallxhorëve.
Është e rëndë të dëgjosh sot kualifikime të sëmura për të minimizuar kontributin e atdhetarëve, me një pyetje të thjeshtë, çfarë kontributi ka dhënë filan atdhetari në ilegale? Çka arriti me ilegale? Çka arriti me qëndrimin në burg? Çka arriti me UÇK-në, kur NATO ishte me aeroplanë! Çka arriti në liri? Çka bëri për shqiptarët? Asgjë nuk ka arritur, asgjë nuk ka bërë...ky lloj mashtrimi, ky lloj minimizimi i kontributit të atdhetarëve, është neveritës.
Për të qenë edhe më keq, këta gojështhurur, marrin nëpër gojë, personalitetin që krijoi histori për popullin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, për liderin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmetin.
E kuptoj pse sulmohet Ali Ahmeti, sepse, ata që janë kundër tij në emisione, vijnë nga çerdhet që e luftuan Ali Ahmetin nga Kosova për 20 vjet. Për 20 vjet jo vetëm se e sulmuan në fushata e media nga Kosova, por edhe duke i dhënë mend për realitetin që ai vet e kishte ndërtuar, me gjak e djersë. Nuk çuditem pse sulmohet Ali Ahmeti, sepse, është lumë që nuk njeh brigje sa demagogët e debateve, nuk arrijnë ta kuptojnë. Këta demagog nuk kanë qenë moti në Maqedoninë e Veriut për të parë ndryshimin dhe të arriturat. Jo vetëm praninë në NATO por edhe barazinë e gjuhëve, praninë në institucione të shqiptarëve apo investimet dhe të arriturat tjera që për shqiptarët gjatë shekullit XX, ishin të ndaluara madje të paarritshme.
Këtë histori nuk e krijoi Ali Ahmeti as me fjalë as me debate. Këta demagogë që ka kohë po e korruptojnë ambientin dhe duan të krijojnë realitet të ri për ideologun e vet në ardhje edhe në Maqedoninë e Veriut, marrin të drejtën të flasin për ato që nuk i dinë, nuk i njohin dhe nuk duan ta njohin as gjendjen e shqiptarëve dje, as sot e as nesër. Këta demagogë duhet ta dinë një herë e mirë se dimensionin e Ali Ahmetit nuk mund ta mbajnë as brigjet e Drinit as Vardarit. Ali Ahmeti nuk u mor me debate, as me shpjegimin e veprimeve se çka është mirë për shqiptarët apo me demagogjinë e librave të lexuar.
Ai e krijoi historinë e re të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke e bërë faktor dhe kreator të historisë në shtet, ai e nxori shqiptarin në dimensionin që kurrë më herët nuk e pati atje, jo vetëm si ushtar por edhe si oficer, si administrator dhe kreator të së ardhmes së vet në ekonomi, arsim, universitet, kulturë, sport e çdo fushë tjetër të jetës. Ai e krijoi realitetin të cilin e jetojnë shqiptarët por edhe të gjithë qytetarët në Maqedoninë e Veriut.
Prandaj, jo xhepat po as brigjet e lumenjve nuk e mbajnë dimensionin e Ali Ahmetit. Ai nuk bëri as do të bëj garë për lexime, as për poza politike, as për njohje të gjuhëve të huaja, as për Kantin e mendimtarët tjerë, sepse ai vetë është filozof atdhetarie, lirie e çlirimi. Qytetari, me votën e lirë ia ka treguar dhe ia tregon vendin secilit, për programin, profilin e liderit, të kaluarën e tij dhe çka përfaqëson.
Nuk është xhepi vend për oponentin. Lidhja e xhepit me politikën, janë kombinim i keq dhe pa shije. Ali Ahmeti për 40 vjet e fundit i dha rrugë historisë atdhetare e çlirimtare në Kosovë, Luginën e Preshevës dhe Maqedoninë e Veriut. Prandaj, këtë dimension të atdhetarit, veprimtarit e çlirimtarit, nuk ka birë nane që i jep dimension, as sot e as nesër. Vendi i tij moti është shënuar dhe i rezervuar në historinë e re të kombit. Fallxhorë, nëse nuk dini më mirë, mos prodhoni mjerim për opinion!
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK