Zërat
Mariana Mazzucato
Mariana
Mazzucato

“Time”: Jemi në vitin 2023. Kështu e rregulluam ekonominë globale

Zërat January 12, 2021 - 17:45

Shkruan: MARIANA MAZZUCATO / TIME – Përktheu dhe përshtati: ZERI.INFO

Jemi në vitin 2023. Pandemia COVID-19 ka marrë fund, dhe ekonomia globale është në rrugë drejt rimëkëmbjes. Si arritëm këtu? Si evoluoi ekonomia dhe shoqëria jonë për të tejkaluar krizën më të madhe të epokës sonë?

Të nisim me verën e vitit 2020, kur përhapja e pandërprerë e sëmundjes po paralajmëronte një pamje gjithnjë e më të tmerrshme për ekonomitë dhe shoqëritë. Pandemia kishte ekspozuar dobësitë kritike në të gjithë botën – punëtorë thelbësorë të paguar dobët, një sektor financiar i parregulluar dhe korporatat kryesore duke neglizhuar investimet në favor të çmimeve më të larta të aksioneve. Me tkurrjen e ekonomive, qeveritë e kuptuan se si shtëpitë ashtu edhe bizneset kishin nevojë për ndihmë – dhe shpejt. Por me kujtimet e krizës financiare të vitit 2008 ende të freskëta, pyetja ishte se si qeveritë mund të strukturorin paketat e shpëtimit në mënyrë që nga ato të përfitonin shoqëria, në vend se të rritnin fitimet e korporatave dhe të një sistemi të dështuar.

Duke i bërë jehonë “epokës së artë” të kapitalizmit – periudha pas 1945 kur kombet Perëndimore orientuan financat drejt pjesëve të duhura të ekonomisë – u bë e qartë se duheshin politika të reja për të adresuar rreziqet klimatike, për të stimuluar huadhënien e gjelbër, për të rritur institucionet financiare që trajtojnë synimet sociale dhe mjedisore dhe për të ndaluar veprimtarinë e sektorit financiar që nuk i shërbente një qëllimi të qartë publik. Bashkimi Evropian ishte i pari që ndërmori hapa konkretë në këtë drejtim pasi ra dakord në gusht për një paketë historike rikuperimi prej 1.8 trilionë eurosh. Si pjesë e paketës, BE-ja e bëri të detyrueshme për qeveritë që marrin fonde për të zbatuar strategji të forta për adresimin e ndryshimeve klimatike, zvogëlimin e dallimeve digjitale (të atyre që kanë qasje në kompjuterë e internet dhe atyre që nuk kanë) dhe forcimin e sistemeve shëndetësore.

Në fund të vitit 2020, ky plan ambicioz i rimëkëmbjes ndihmoi euron të stabilizohej dhe mbrojti një rilindje të re Evropiane, me qytetarët që ndihmonin në caktimin e agjendës. Udhëheqja evropiane përdori politika të orientuara nga sfidat për të krijuar 100 qytete neutrale ndaj karbonit në të gjithë Kontinentin. Kjo qasje çoi në një ringjallje të ndërtesave të reja me efiçiencë të energjisë; transport publik të rinovuar i krijuar për të qenë i qëndrueshëm, i arritshëm dhe falas; dhe një ringjallje artistike në sheshet publike, me artistë dhe dizajnerë që rimendojnë jetën e qytetit me qytetarinë dhe jetën qytetare në zemër të saj. Qeveritë përdorën një revolucion digjital për të përmirësuar shërbimet publike, nga shëndeti digjital te kartat elektronike, dhe për të krijuar një shtet të mirëqenies që qytetarin e ka në qendër. Ky transformim kërkoi si investime nga ana e ofertës, ashtu edhe tërheqje nga ana e kërkesës, me prokurimin publik që u bë një mjet për të menduarit inovativ, i cili kaloi nëpër të gjitha degët e qeverisë.

SHBA-ja nisi të ndryshonte qasjen e saj pas 3 nëntorit 2020, kur Joe Bideni mundi Donald Trumpin në zgjedhjet presidenciale dhe Demokratët mbajtën shumicën në të dy dhomat e Kongresit. Pas inaugurimit të tij në janar 2021, presidenti Biden lëvizi shpejt për të rindërtuar lidhjet e dobëta midis Amerikës dhe Evropës, duke krijuar një forum për të ndarë inteligjencën kolektive që mund të informonte një formë më të zgjuar të qeverisjes. Qeveritë evropiane ishin të etura të mësonin nga strategjitë e investimeve të përdorura nga qeveria amerikane – si ato të udhëhequra nga agjencia kërkimore e mbrojtjes DARPA – për të nxitur kërkimin dhe zhvillimin në teknologjitë me rrezik të lartë. Dhe SHBA-ja ishte e etur për të mësuar nga Evropa se si të krijojë qytete të qëndrueshme dhe të ringjallë pjesëmarrjen qytetare.

Me COVID-19 ende jashtë kontrollit, bota u zgjua me nevojën për t’i dhënë përparësi inteligjencës kolektive dhe për të vendosur vlerën publike në qendër të inovacionit shëndetësor. Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera hoqën dorë nga kundërshtimi për një grup të detyrueshëm patentash të drejtuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë që parandaloi kompanitë farmaceutike të abuzonin me patentat për të krijuar fitime monopoli. Kushte të guximshme u vendosën për qeverisjen e pronës intelektuale, çmimet dhe prodhimi i trajtimeve dhe vaksinave për COVID-19 për të siguruar që terapitë të ishin të përballueshme dhe të arritshme në të gjithë botën.

Si rezultat, kompanitë farmaceutike nuk mund të vendosnin çfarëdo çmimesh që dëshironin për ilaçe ose vaksina; qeveritë e bënë të detyrueshme që çmimi të pasqyrojë kontributin thelbësor publik në kërkimin dhe zhvillimin e tyre. Kjo shtrihej përtej terapive COVID-19, duke ndikuar në çmimin e një sërë ilaçesh, nga terapitë e kancerit te insulina. Vendet më të pasura gjithashtu u angazhuan për të rritur aftësitë e prodhimit globalisht dhe duke përdorur prokurimin masiv global për të blerë vaksina për vendet më të varfra.

Më 11 shkurt 2021, Administrata amerikane për Ushqim dhe Barna (FDA) miratoi vaksinën më premtuese për COVID-19 për prodhim në SHBA. Prodhimi në masë filloi menjëherë, nisën planet për shpërndarje të shpejtë globale dhe qytetarët e parë morën vaksinat e tyre brenda tre javësh, falas. Ishte zhvillimi dhe prodhimi më i shpejtë i një vaksine të regjistruar ndonjëherë, dhe një sukses monumental në inovacionin shëndetësor.

Kur vaksina ishte gati për shpërndarje, autoritetet kombëtare të shëndetit punuan në mënyrë konstruktive me një koalicion të aktorëve të shëndetit global – të udhëhequr nga OBSH-ja, Fondacioni “Bill dhe Melinda Gates” dhe të tjerë – për të hartuar kolektivisht një plan të barabartë global të shpërndarjes që mbështeste qëllimet e shëndetit publik. Vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme, së bashku me punonjësit shëndetësorë dhe punëtorët tjerë thelbësorë, u është dhënë përparësi e qasjes në vaksinë, ndërsa vendet me të ardhura më të larta zhvilluan paralelisht programet e imunizimit.

Fundi ishte në horizont për krizën tonë shëndetësore. Por në qershor 2021, ekonomia globale ishte akoma në një gjendje depresive. Ndërsa qeveritë filluan të debatojnë mbi mundësitë e tyre për paketat e reja stimuluese, një valë protestash publike shpërtheu, me taksapaguesit në Brazil, Gjermani, Kanada dhe gjetkë duke kërkuar shpërblime të përbashkëta në këmbim të shpëtimit të gjigantëve korporativë.

Me Bidenin në detyrë, SHBA-ja i mori seriozisht këto kërkesa dhe i shtruan kushte të forta valës tjetër të shpëtimit të korporatave. Kompanive që merrnin fonde u kërkohej të mbanin listat e pagave dhe t’ua paguanin punëtorëve të tyre një pagë minimale prej 15 dollarë në orë. Firmave iu ndalua përgjithmonë të angazhohen në blerje të aksioneve dhe iu ndalua të paguanin dividentë ose shpërblime ekzekutive deri në vitin 2024. Nga bizneset kërkohej të siguronin të paktën një vend në bordet e tyre të drejtorëve për punëtorët, dhe bordet e korporatave duhet të kishin të gjitha shpenzimet politike të aprovuara nga aksionarët. Marrëveshjet e negociatave kolektive mbetën të paprekura. Dhe CEO-të duhej të vërtetonin që kompanitë e tyre ishin në përputhje me rregullat – ose përballeshin me ndëshkime penale për shkeljen e tyre.

Globalisht, shpëtimet me standarde ari ishin ato që mbronin punëtorët dhe mbanin bizneset e qëndrueshme që i ofronin vlerë shoqërisë. Ky nuk ishte gjithmonë një ushtrim i qartë, veçanërisht në industritë, modelet e biznesit të të cilave nuk ishin kompatibile me një të ardhme të qëndrueshme. Qeveritë ishin gjithashtu të etura për të shmangur rreziqet morale të mbajtjes së kompanive të paqëndrueshme. Kështu që sektori i argjilës në SHBA, i cili nuk siguronte përfitime para krizës, kryesisht u lejua të dështonte dhe punëtorët u ritrajnuan për industrinë diellore me rritje të shpejtë të “Permian Basin” (“Permian Basin” është një pellg i madh sedimentar në pjesën jugperëndimore të Shteteve të Bashkuara).

Në verën e vitit 2022, kriza tjetër e madhe e epokës sonë mori kthesën për apokalips. Prishja e klimës më në fund ‘aterroi’ në botën e zhvilluar, duke testuar qëndrueshmërinë e sistemeve sociale. Në pjesën Mes-Perëndimore të SHBA-së, një thatësirë ëe rëndë zhduku të korrat që furnizonin një të gjashtën e prodhimit të drithërave në botë. Njerëzit u zgjuan nga nevoja që qeveritë të formonin një përgjigje të koordinuar ndaj ndryshimit të klimës dhe të drejtonin stimulimin direkt fiskal global në mbështetje të një ekonomie të gjelbër.

Megjithatë, kjo nuk kishte të bënte vetëm me Qeverinë e Madhe, por me Qeverinë e Zgjuar. Kalimi në një ekonomi të gjelbër kërkonte inovacion në një shkallë të madhe, që përfshin sektorë të shumtë, zinxhirë të tërë furnizimi dhe çdo fazë të zhvillimit teknologjik, nga hulumtimi dhe zhvillimi, deri te shpërndarja. Në nivele rajonale, kombëtare dhe mbikombëtare, programet ambicioze “Green New Deal” u ngritën me rastin, duke kombinuar skemat e garantimit të punës me strategjinë e përqendruar industriale. Qeveritë përdorën prokurime, grante dhe huadhënie për të stimuluar sa më shumë inovacion që të ishte e mundur, duke ndihmuar me fonde zgjidhje për të pastruar oqeanin nga plastika, për të zvogëluar dallimin digjital dhe për të trajtuar varfërinë dhe pabarazinë.

Një koncept i ri i një Marrëveshjeje të Gjelbër të Shëndetshme u shfaq, në të cilën objektivat e klimës dhe objektivat e mirëqenies u panë si plotësuese dhe kishin nevojë si për politikat e furnizimit ashtu edhe të kërkesës. Koncepti i “infrastrukturës sociale” u bë po aq i rëndësishëm sa infrastruktura fizike. Për tranzicionin e energjisë, kjo nënkuptonte përqendrimin në një të ardhme të strategjisë së lëvizshmërisë dhe krijimin e një platforme ambicioze për transportin publik, shtigjet e çiklizmit, shtigjet e këmbësorëve dhe mënyra të reja për të stimuluar një jetë të shëndetshme. Në Los Anxhelos, kryetari i Bashkisë Eric Garcetti ktheu me sukses një korsi të autostradës 405 në korsi biçikletash dhe në fund të vitit 2022 nisi një sistem të metrosë nëntokësore me zero-karbon, falas në pikën e përdorimit.

Duke u ngritur në rolin e “shtetit sipërmarrës”, qeveria amerikane më në fund ishte bërë një investitor i mundësisë së parë që bashkë-krijoi vlerë me sektorin publik dhe shoqërinë civile. Ashtu sikurse në ditët e programit “Apollo”, të punosh për qeverinë – në vend se për “Google” ose “Goldman Sachs” – u bë ambicie për talentet kryesore që dilnin nga universiteti. Vendet e punës në qeveri u bënë aq të dëshirueshme dhe konkurruese, në fakt, sa që u formua një kurrikulë e re për një gradë globale magjistër i administratës publike për njerëzit që dëshironin të bëheshin nëpunës civilë.

Dhe ja ku jemi në vitin 2023, të njëjtit njerëz por në një shoqëri tjetër. COVID-19 na bindi se nuk mund të kthehemi në biznes si zakonisht.

Bota ka përqafuar një “normalitet të ri” që siguron që bashkëpunimet publiko-private drejtohen nga interesi publik, jo nga fitimi privat. Në vend që t’i japin përparësi aksionarëve, kompanitë vlerësojnë të gjithë aktorët e interesuar dhe financimi i ka lënë vendin investimeve në punëtorë, teknologji dhe qëndrueshmëri.

Sot, ne pranojmë që qytetarët tanë më të vlefshëm janë ata që punojnë në shëndetësi dhe kujdes social, arsim, transport publik, supermarkete dhe në shërbime “delivery”. Duke i dhënë fund punës së pasigurt dhe duke i financuar si duhet institucionet tona publike, ne po vlerësojmë ata që mbajnë shoqërinë tonë të bashkuar dhe duke forcuar infrastrukturën tonë qytetare për krizat që do të vijnë.

Pandemia COVID-19 mori kaq shumë nga ne, në jetët e humbura dhe jetesën e shkatërruar. Por gjithashtu na paraqiti një mundësi për të riformuar ekonominë tonë globale dhe ne kapërcyem dhimbjen dhe traumën tonë për t’u bashkuar dhe për të shfrytëzuar momentin. Për të siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë, ishte e vetmja gjë që duhej bërë. /Zëri

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK