Infektuar: 55851
Shëruar: 49269
Vdekur: 1410
Zërat
Ymer Avdiu
Ymer
Avdiu

Zgjedhjet i fiton Koalicioni LVV-Lista Vjosa, po institucionet kush i bën?

Zërat January 09, 2021 - 14:43

Gjatë kësaj fushatë zgjedhore dhe pasi të dalin rezultatet e tyre do të ishte mirë e ndoshta e domosdoshme që ata njerëz të Kosovës që vendosin për fatin e saj dhe të njeriut të këtij vendi ti kujtojnë dy vargje të një vjershe poetit tonë të madh, tashmë të ndjerë, Arif Demollit: “Ky Atdhe pa ne-do të mbetët vetëm dhe”

Zgjedhjet dihet se mbahen me 14 shkurt. Zgjedhjet dihet se i fiton koalicioni LVV-Lista Vjosa. LDK dhe PDK dihet se do të marrin më pak vota sesa në zgjedhjet e kaluara, kurse AAK mbetët aty-aty sa kishte fituar edhe më herët. Anëtarët, militantët dhe simpatizuesit e koalicionit fitues, dihet se do të festojnë.

Deri në këtë pikë dihet saktë si zhvillohen ngjarjet. Mirëpo, pas këtyre tre hapave më nuk dihet çka ndodh, së paku tash për tash është zor të parashikohet me saktësi të plotë.

Rezultati zgjedhor mund të definojë dhe qartësojë rrjedhat e mëpastajme, por edhe mund ti komplikojë dhe ti bëjë fare furtuz.

Nëse koalicioni LVV-Lista Vjosa arrijnë të marrin 61 për qind të ulëseve në Kuvend, (pak e besueshme) atëherë shtohen mundësitë që ky koalicion ti formojë institucionet: Konstatimin e Kuvendit, zgjedhjen e Presidentin dhe të formojë Qeverinë.

Mirëpo, mbase duhet ti paguhet një harraq i lartë Listës “Srpska”, ose duhet të kërkojë ndihmë për koalicion edhe me një subjekt tjetër shqiptar, mirëpo, cilido nga këta subjekte (LDK, PDK apo AAK) do të kërkojë kulaç koxha të madh, gjithsesi postin e Kryetarit të shtetit, kurse LDK e PDK edhe hise, mbase koxha të trashë, edhe në qeveri.

Por, përtej këtyre secili subjekt (pos AAK) do të kërkonte edhe ndryshimin e programit qeverisës të fituesit të zgjedhjeve, që do të jetë vështirë e kapërdijshme për koalicionin fitues (tejet kryeneç LVV-Lista Vjosa.

Po nëse koalicioni fitues LVV-lista Vjosa nuk arrin ti marrë 40 ulëse në Kuvend, (edhe kjo pak e besueshme) atëherë institucionet, pos kryetarit të Kuvendit i formojnë subjektet tjera që hyjnë në Kuvend, megjithëse edhe ndërmjet tyre (LDK, PDK, AAK) do të plasë sherri për postin e Kryetarit të Shtetit dhe mbase do të jenë të detyruar LDK dhe PDK, që postin e të parit të vendit t’ ia lënë kandidatit të partisë së vogël –AAK-së, Ramush Haradinajt dhe postet në qeveri ti ndajnë në bazë të fuqisë politike që marrin në zgjedhje.
Mirëpo, çdo analizë paksa serioze thotë se rezultati zgjedhor është diku në mes këtyre dy hamendësimeve që u theksuan më sipër.

Nëse koalicioni fitues LVV-Lista Vjosa fiton më shumë se 41 ulëse në Kuvend (që është tejet e besueshme), atëherë gjendja ngurtësohet, për mos me thënë, se krijohet patpozicion, sepse subjektet tjera nëse nuk i kanë 80 ulëse në Kuvend, nuk mundë ta zgjedhin Kryetarin e Shtetit dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja. 

Nëse koalicioni fitues LVV-Lista Vjosa fiton 50-55 ulëse në Kuvend, atëherë ka mundësi që të merret në koalicion ndonjëra nga dy partitë e mëdha (LDK apo PDK që mund të kenë rreth 20 ulëse në Kuvend) dhe ti bëjnë numrat për zgjedhjen e Kryetarit të Shtetit.

Mirëpo, këtu pritet një çarje, ngase po u ftua PDK në koalicion, Lista Vjosa pritet të tërhiqet nga koalicioni me LVV pasi ajo është larguar nga LDK pikërisht pse nuk ka pranuar bashkëpunim me PDK dhe mbi këtë premisë e ka krijuar kauzën.

Kështu që mbetet pak më shumë i besueshëm koalicioni me LDK, përkundër tensioneve të larta që kanë tash për tash. Mirëpo, edhe koalicioni me LDK varet se kush nga ky subjekt bëhet deputet.

Po, nëse koalicioni fitues LVV-Lista Vjosa fiton 55-60 deputetë, atëherë është një mundësi (tejet e vogël) që koalicioni të bëhet me AAK dhe me minoritetet, natyrisht duke i paguar çmim tejet të lartë Listës “Srpska”. 

Kur shikohet ky mozaik tejet pa shpresë, atëherë shkalla e probabilitetit që këto zgjedhje nuk prodhojnë stabilitet institucional dhe politik në vend, është shumë e madhe: vendi do të hyjë në rrethin e mbyllur të riciklimit të zgjedhjeve pa mundësi të formimit të institucioneve, duke e thelluar edhe më shumë krizën, e cila edhe kështu siç është, na tepron.

Fatkeqësisht vendi është në krizë institucionale dhe politike. Dhe, kjo krizë e riciklueshme jo vetëm se po e vret shpresën e qytetarëve, të cilët kaherë fatin e kërkojnë jashtë atdheut, por ka ndikuar edhe te perceptimi i ndërkombëtarëve, veçmas i atyre që janë përkrahës të shtetit të Kosovës.

Për qytetarin e Kosovës këto zgjedhje mbase janë shpresa e fundit “që të nis të bahet mirë në këtë vend”.

Zgjedhjet do të mbahen, por kriza dhe procesi i vështirë politik e presin Kosovën dhe partitë politike për ta zgjedhur Kuvendin, Qeverinë dhe Presidentin, ka shumë rrezik se do të mbesin. Është shumë e besueshme se do të shkohet zgjedhje pas zgjedhjeve në pafundësi pa pasur mundësi të krijimit të institucioneve, të cilin kaos e ka ushqyer bajagi mire edhe Gjykata Kushtetuese që nga viti 2014. 

Nëse ky këndvështrim (tejet ogurzi) që e shohin shumë analistë kokëftohët (jo ata analistët klientelistë (shumica e tyre)  të televizioneve nacionale dhe te rrjeteve sociale) dhe nëse këto zgjedhje nuk prodhojnë stabilitet politik dhe hyhet në procesin e riciklimit të zgjedhjeve, atëherë pasojat për Kosovën dhe qytetarët e saj janë të riparueshme, sepse do të forcohet ngërçi i statusit përfundimtar të Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe Serbia me miqtë e saj këtë do të kapitalizojë për interesa të veta këtë ngërç, kurse qytetarët e vendit dhe veçmas të rinjtë dhe profesionistët e të gjitha fushave do të gjejnë mundësinë t ‘ ia lënë “lamtumirën” këtij vendi, ndryshe nga ata të viteve 90-ta pa urimin :”Mirupafshim në Kosovën e lirë”!

Nëse vendi do të gjendet para këtij kolapsi edhe zgjedhjeve që nuk mund të prodhojnë institucione stabile, atëherë, subjekte politike dhe veçmas krerët e tyre, shoqëria akademike, deputetet dhe deputetët e zgjedhur , shoqëria civile etj., nëse ka mbetur një pikë atdhedashurie dhe qytetarie në këtë vend, është edhe një mundësi: që të formohet një qeveri të ekspertëve e që më së miri do t’ i shkonte emri “Qeveri e Shpëtimit Kombëtar” dhe një president konsensual nga shoqëria akademike, apo edhe nga meset akademike të mërgatës.

Në të kundërtën, nëse vazhdohet kështu: “Ky Atdhe pa ne-do të mbetët vetëm dhe”, siç na e tregonte me një grishje poetike (ishalla jo profetike) poeti ynë i madh, tashmë i ndjerë Arif Demolli, me dy vargjet e fundit të një poezie të tij.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK