Infektuar: 55851
Shëruar: 49269
Vdekur: 1410
Zërat
Majlinda Bregu
Majlinda
Bregu

Bregu: Tregu i përbashket rajonal, një instrument që do të përshpejtojë anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE

Zërat December 08, 2020 - 17:00

Marrëveshja për Tregun e Përbashkët Rajonal është nënshkruar në Sofje, në 10 nëntor. Cili është qëllimi i kësaj marrëveshjeje?

Ballkani Perëndimor dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian (BE) por kjo kërkon kohë. Por në anën tjetër kemi humbur shumë kohë gjatë këtij rrugëtimi. Tregu i Përbashkët Rajonal (CRM) synon krijimin e një tregu për të gjithë Ballkanin Perëndimor, të njëjtë me tregun e vetëm të BE-së. Të jetë i lirë nga barrierat për të stimuluar rritjen ekonomike. Natyrisht, duke pasur parasysh gjendjen e vështirë socio-ekonomike me të cilën përballet i gjithë rajoni, sfidat janë të shumta. Pikërisht këtë synon edhe CRM, të kontribuojë në përmirësimin e situatës duke integruar rajonin. Thellimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor është thelbësor. Jo si një zëvendësim për anëtarësimin në BE, por si një mjet për të na afruar më shpejt drejt anëtarësimit.

Dhe shkurtimisht ja në ç`pikë ndodhemi tani- papunësi e lartë, situatë e pafavorshme ekonomike, përshkallëzimi i ikjes së trurit e të rinj që largohen nga vendet tona. Ky është realiteti i frikshëm i Ballkanit Perëndimor. 20 vjet më parë, shumë njerëz që kërkuan strehë nga gjendjet e luftës po ktheheshin drejt shtëpisë. Sot, 71% e të rinjve të Ballkanit Perëndimor mendojnë të shkojnë për të punuar jashtë vendit ndërsa 43% e tyre janë gati të largohen në kërkim të shpresës së humbur. Rajoni parashikon një rritje prej -5.1% . Rënia e PBB-së në tremujorin e dytë të këtij viti është goditëse, në disa raste deri në -20%, kryesisht për shkak të kolapsit në turizëm.

Pikërisht këtë duam ta ndryshojmë dhe ta përdorim në avantazhin tonë. Nuk do të jetë e lehtë të ecim përpara, por as nuk duhet ta komplikojmë më shumë jetën tonë; Duhet t`i japim vetes një shans për të zbatuar propozimet për të formësuar ekonomitë e BP6, të mishëruara në Tregun e Përbashkët Rajonal.

Fakti që plani i Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal është nënshkruar nga 6 udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Sofje, muajin e kaluar, na jep shpresë në zbatimin e tij. Një treg i integruar e që përfshin 18 milionë njerëz është më konkurrues në BE dhe skenën globale sesa mes 6 ekonomive të vogla. Prandaj, “Së bashku më të fortë" (Stronger Together)" është ajo që ne shpesh themi. Si ente të vogla e kemi të vështirë të bien të sy në arenën e madhe, por si një grup i sinkronizuar me interes të përbashkët dhe vendosmëri për veprime të përbashkëta ne do përfaqësojmë një lojtar të forte.

Një nga parakushtet për të formuar Tregun e Përbashkët Rajonal është qarkullimi i lirë i njerëzve, mallrave dhe kapitalit. Si do të arrihet kjo duke marrë parasysh që Bosnje & Hercegovina nuk e njeh Kosovën * dhe se midis tyre ekzistojnë ende vizat?

Pikërisht. Këtë kishim në mendje kur krijuan planin për Tregun e Përbashkët Rajonal. Për të gjetur një mënyrë dhe për të lejuar qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve, me Karta Identiteti në të gjithë rajonin. Dhe të 6-të ekonomitë e Ballkanit Perëndimor e nënshkruan atë, përfshirë Bosnja-Hercegovina dhe Kosova*. Tashmë të gjithë së bashku duhet të punojmë për ta cuar këtë deri në fund. Gjithëpërfshirja ka shumë rëndësi dhe Plani i Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal bazohet mbi gjithëpërfshirjen.

Ne kemi filluar negociatat për Lëvizjen e Lirë me Kartë ID dhe për të arritur Marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale. Duam të arrijmë krijimin e më shumë mundësive në rajon për njerëzit tanë dhe jam e lumtur të shoh angazhimin e qeverive të BP6 për ta bërë të mundur këtë.

Deri në çfarë mase është i lidhur Plani i Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor me CRM (Tregun e Përbashkët Rajonal?

Plani Ekonomik dhe i Investimeve i Komisionit Evropian e bën të qartë se duke rritur bashkëpunimin rajonal ekonomik dhe tregtinë, Ballkani Perëndimor do të jetë më afër me Tregun e Vetëm të BE-së dhe Plani i Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal është një pjesë integrale e procesit të anëtarësimit të rajonit në BE. Kështu që do të thoja se janë plotësuese dhe për më tepër demonstrojnë angazhimin e BE-së në këtë rajon, duke e parë atë si pjesë integrale dhe duke mbështetur veprimet e iniciuara nga rajoni. Thënë më thjesht - kur Evropa të bindet se Ballkani Perëndimor është vërtet i etur për të ecur përpara, ata do të ndihmojnë bujarisht përpjekjet e BP.

Ne jemi veçanërisht mirënjohës për mbështetjen e shpejtë të BE-së gjatë muajve të parë të pandemisë, pasi ishte një goditje e papritur që i dëmtoi të gjithë, duke përfshirë edhe vetë BE-në. Por edhe pse me problematikat e tyre, na zgjatën dorën për të na ndihmuar dhe më pas miratuan edhe Planin Ekonomik dhe të Investimeve për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike të rajonit. Kjo lloj ndihme nuk mund të jetë e mjaftueshme që ne të rimëkëmbemi dhe transformohemi. Ne kemi nevojë për të dhënë peshën tonë, aq sa duhet dhe madje me shpejtësi.

Si po e planifikoni zbatimin e CRM?

Nuk jemi ne që do ta zbatojmë, por secila prej Gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor, sigurisht me ndihmën e Bashkimit Evropian, ndihmën tonë (të RCC-së) dhe CEFTA, si organizata që do të lehtësojnë, mbikëqyrin, monitorojnë dhe raportojnë zbatimin e tij. Takimi i ardhshëm i Procesit të Berlinit do të mbahet në Gjermani, në vitin 2021. Kam besim se deri atëherë do të ketë disa rezultate konkrete dhe përfitime të drejtpërdrejta, aq sa edhe qytetarët të mund t`i raportojnë atje.

I gjithë koncepti i Tregut të Përbashkët Rajonal, si pjesë e Zonës së Përbashkët Ekonomike, duhet të zotërohet nga të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Pra, thënë ndryshe, ajo për të cilën ranë dakord është diçka që e panë të realizueshme dhe realiste për t'u zbatuar. Kjo periudhë është shumë e mirë, edhe pse ende shumë sfiduese. Pandemia nxorri në pah pikat e dobëta të Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër i nxiti ato të ndërmarrin hapa konkrete, për të bërë ndryshime të rëndësishme - duke parë drejt të ardhmes dhe interesave të përbashkëta, në vend të atyre tradicionale, Qasja Ballkanike - rishikim i diferencave historike.

Në çfarë konsiston CRM?

Qëllimi kryesor i Tregut të Përbashkët Rajonal është ta bëjmë Ballkanin Perëndimor më tërheqës dhe më konkurrues, më afër tregut unik të BE-së.

Së pari, parashikon krijimin e një zone të përbashkët të tregtisë rajonale. Që do të thotë, heqje të pengesave, shkurtim të kostove dhe kohës së nevojshme që mallrat, shërbimet, kapitali dhe njerëzit të lëvizin lirshëm në të gjithë rajonin. Përveç lëvizjes së lirë me karta identiteti në të gjithë Ballkanin Perëndimor, qëllimi është të zvogëlohet koha e pritjes në kufirin brenda Ballkanit Perëndimor dhe me vendet e BE-së me 30%, përmes korridoreve të gjelbra dhe pikave të përbashkëta të kalimit kufitar. Gjithashtu, ai parashikon heqje të pengesave të lejeve të punës për transferimet brenda ndërmarrjeve të mallrave dhe shërbimeve, përfshirë profesionet e përzgjedhura mes të gjitha ekonomive të Ballkanit Perëndimor, krijimin e tregut rajonal të tregtisë online, marrjen e diplomave/certifikatave dhe kualifikimeve profesionale që njihen kudo në rajon. Këto janë vetëm përshkrimet kryesore të Planit.

Së dyti, ai parashikon një Zonë Rajonale të Industrisë, d.m.th. promovimin e rajonit si një destinacion unik investimi, i cili duhet të çojë në politika më të mira investimi bazuar në standardet e BE-së dhe tërheqjen e më shumë investimeve të reja.

E treta është Zona Digjitale Rajonale, ose bashkimi i rajonit me zonën digjitale pan-europiane. Shkurtimisht, kjo do të thotë akses në internet me shpejtësi të lartë për shumicën e familjeve në Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2024, ulje të tarifave të Roaming me Bashkimin Evropian dhe qytetet industriale në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, të mbuluara me rrjetin 5G.

Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishmja është Zona Rajonale e Industrisë dhe Inovacionit. Në mënyrë që të kemi një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, ne kemi nevojë për të përmirësuar infrastrukturën tonë industriale dhe inovative, për të siguruar, mbështetje për SME-të (biznesi i vogël dhe i mesëm) dhe për të lidhur furnitorët me bizneset. Kjo do të mundësojë hyrjen në tregjet ndërkombëtare për SME-të rajonale. Ai parashikon gjithashtu tranzicionin nga ekonomia tradicionale industriale drejt ekonomisë së gjelbër dhe ciklike, inovacionet e Ballkanit Perëndimor të përfshira në zinxhirët e furnizimit evropian, zhvillimin e industrisë rajonale të automobilave dhe agro-ushqimore dhe rritjen e numrit të turistëve përmes promovimit të Ballkanit Perëndimor, si një destinacion rajonal turizmi.

Sidoqoftë, ndryshimet e parashikuara në Plan do të përfshijnë shumë aspekte të tjera të jetesës në rajon. Dhe pozitivisht, pasi kjo do të kërkonte rregullimin e të drejtave sociale (punë më të mira dhe të përshtatshme, përfshirje sociale, paga më të mira, etj.), llogaridhënie të zbatimit të ligjit, përmirësime të infrastrukturës - ndryshime në të gjitha aspektet.

Cilat janë dobësitë e CRM-së?

Ende nuk e dimë saktësisht se cilat do të jenë pasojat e rënda të pandemisë së koronavirusit. Humbjet numërohen çdo ditë, jo vetëm në aspektin më të rëndësishëm, atë të jetës njerëzore, por edhe në fushat financiare dhe ekonomike. Sapo pandemia të vihet nën kontroll, do të jemi në gjendje të shohim se sa biznese të mbyllura kemi, ose sa njerëz do të jenë të papunë, cila do të jetë PBB-ja jonë dhe sa mbrapa jemi me rritjen ekonomike, sa të rinj do të lënë shtëpitë e tyre në kërkim të një të ardhme më të mirë, ku do jemi me industrinë e turizmit që u godit më së shumti, ose si do jetë situata me sistemet tona shëndetësore. Askush nuk e di aktualisht me siguri. Gjatë rrugës, mund të na duhet të përshtatim procesin, dhe kjo kërkon kohë.

Sigurisht, ekzistojnë marrëdhëniet tradicionale, shumëngjyrëshe, politike midis Ballkanit Perëndimor, të cilat shpesh janë lakmus (ndikues) për të gjitha marrëdhëniet e tjera në rajon.

Por në fund të fundit, unë jam optimiste, duhet të jem! Vullneti politik i treguar në Sofje nga të gjashtë udhëheqësit nuk ishte thjesht për show, por një shprehje e vërtetë e një vullneti të mirë dhe mirëkuptimi se e ardhmja jonë më e mirë qëndron në thellimin e integrimit ekonomik rajonal.

A mund të presim që plani të zbatohet plotësisht deri në vitin 2024?

Ky është plani. Dhe ne e dimë që është e mundur që rajoni të punojë shpejt dhe të marrë rezultate. Do të kthehem te shembulli specifik nga izolimi në muajin prill, kur kufijtë u mbyllën dhe kamionët po prisnin në kufij për më shumë se 20 orë dhe çdo minutë e asaj pritjeje kushtonte 2 euro, ne filluam iniciativën, së bashku me Komisionin Europian, CEFTA dhe Sekretariatin e Komunitetit të Transportit për rajonin, për të hapur Korridoret e Gjelbra brenda Ballkanit Perëndimor. Na u deshën disa javë për ta bërë të mundur. Dhe nuk ishte e lehtë, megjithatë urgjencat për të pasur ushqim, ilaçe dhe pajisje mjekësore, u përmbushën në kohë.

Një shembull tjetër është Marrëveshja e re Rajonale e Roaming e nënshkruar prillin e kaluar në Beograd, në Samitin e Dytë Digjital të Ballkanit Perëndimor. Nuk ishte e lehtë për ta arritur, më besoni. BE-së iu deshën 10 vjet për ta bërë këtë dhe Ballkani Perëndimor e arriti në vetëm 2 vjet. Si rezultat, qytetarët tanë tashmë paguajnë deri në 96% më pak në çmimet e Roaming në të gjithë rajonin dhe që nga korriku 2021-shit kjo kosto do të jetë zero.

Pra, ka shembuj pozitivë që rajoni mund të arrijë çfarëdo që vendos me zemër ta bëjë. Tani, vazhdojmë qëndrojmë atje ku e lamë, në Zonën Ekonomike Rajonale - Korridoret e Gjelbra për 6 ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, por me BE-në, duke pasur kalime të përbashkëta kufitare mes BP mund të kursejmë deri në 800 milionë euro në vit. Sa i përket Roaming, hapi tjetër është ulja e çmimeve të tij me BE-në dhe ne po punojmë për këtë.

Kështu që po, është e mundur. Kur ka vullnet, vullnet politik, ekziston gjithmonë një mënyrë. Mund të mos jetë një udhëtim i lehtë, por padyshim që është ‘një mision i mundur’.

Çfarë rritje në PBB mund të presim me zbatimin e CRM-së?

Një nga përfitimet e mundshme të Tregut të Përbashkët Rajonal është se ai mund të sjellë një shtesë prej 6.7% të rritjes së PBB-së në rajon. Në realitet kjo do të thotë më shumë vende pune për njerëzit tanë, mundësi më të mëdha zgjedhjeje me çmime më të ulëta. Ne duhet të jemi në gjendje të udhëtojmë, të punojmë dhe të bëjmë biznes në rajon më lehtë, pa pengesa.

Domosdoshmëria e bashkëpunimit rajonal tregohet gjithashtu në faktin se 77% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor besojnë në të. Unë mendoj se kjo i ndihmoi politikanët të perceptojnë më mirë se transformimi i rajonit tonë, sado i vështirë, është i mundur me vullnet të mirë, përkushtim dhe gatishmëri për kompromis, respekt të ndërsjellë dhe një distancim i përbashkët ndaj konfliktit. Ne e dimë që ky plan nuk do ta transformojë rajonin brenda natës, ose me ritmin e shpresave tona. Por vendosja e qëllimeve të guximshme mund të ndihmojë dhe do të përshpejtojë ndryshimin, nëse punojmë të gjithë së bashku. Ky transformim nuk do të ketë viktima, por vetëm përfitues.

Marrëveshja që mundëson lëvizjen e lirë me karta ID është nënshkruar në 9 nëntor nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Kosova * e refuzoi atë. A e kanë pranuar gjatë kësaj kohe, apo jo?

Besoj se i jam përgjigjur kësaj tashmë kësaj pyetjeje - Plani i Veprimit për Tregun e Përbashkët është gjithëpërfshirës, i nënshkruar nga të gjithë në 10 nëntor, nga Sofje, përfshirë Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Kosovën*. Pra, pjesa "më e lehtë" është pas nesh, tani vendimi politik i demonstruar me nënshkrimin duhet të përforcohet me zbatimin e tij, dhe RCC është gati të ndihmojë rajonin ta bëjë të mundur këtë.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK