Infektuar: 55851
Shëruar: 49269
Vdekur: 1410
Zërat
Peter Lucas
Peter
Lucas

Peter Lucas: A do ta shpëtojë Bideni ‘George Washingtonin e Kosovës’?

Zërat November 25, 2020 - 17:44

Njeriu që dikur Joe Bideni e cilësoi si “George Washingtoni i Kosovës” tani qëndron i ulur në një qeli ndalimi në Hagë nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

A do ta ndihmojë presidenti Joe Biden, i cili ka lidhje të ngrohta me Kosovën?

Bëhet fjalë për Hashim Thaçin, 52-vjeç, presidentin pro-amerikan të Kosovës, i cili dha dorëheqje më 5 nëntor. Ai u arrestua dhe u dërgua me aeroplan në Hagë, Holandë, për të dalë para një gjykate speciale të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian për veprimet gjatë një lufte të shkurtër, por të ndyrë. Thaçi i ka mohuar të gjitha akuzat.

Thaçi pretendohet t’i ketë kryer ato krime kur komandoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës të ngritur kundër Serbisë më 1998-2000, të cilën SHBA-ja e mbështeti. Në atë kohë, ai u pa si hero që luftoi për liri dhe kundër tiranisë.

Armiqtë e tij, veçanërisht serbët, paralajmëruan se një Kosovë e shkëputur nga Serbia përfundimisht do të bashkohej me Shqipërinë fqinje për të formuar një Shqipëri "të madhe". Kjo nuk ka ndodhur dhe mund të mos ndodhë tani që Thaçi, i cili e favorizoi atë, është dëmtuar.

UÇK-ja u formua pasi diktatori i ndjerë serb, Slobodan Milosheviq, deshi të spastronte etnikisht Kosovën me shumicë shqiptarësh myslimanë, duke vrarë shumë dhe duke detyruar me qindra mijëra të largohen nga shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar vdekjes për në shtetet fqinje Shqipëri, Maqedoni Veriore dhe Mal të Zi.

Isha atje duke raportuar kur aeroplanët amerikanë fluturuan nga Shqipëria për të bombarduar Serbinë. Isha po ashtu në kufij kur mijëra gra, fëmijë e pleq të frikësuar ikën në Shqipëri nga serbët që po avanconin. Dukej si diçka nga Lufta e Dytë Botërore.

Tani, pas vitesh në paqe, populli i Kosovës së izoluar sërish po shkon në turma në Shqipëri, por se kësaj radhe ata po shkojnë si turistë nëpër plazhet e Shqipërisë përgjatë Detit Adriatik.

Vendimi i Milosheviqit për t’i dëbuar kosovarët nga atdheu i tyre çoi në bombardimin e Serbisë nga Presidenti Bill Clinton përmes NATO-s së dominuar nga SHBA-ja, vendim të cilin Bideni e përkrahu. Bideni, aso kohe në Senat, bashkë-sponsorizoi një rezolutë për autorizimin e sulmeve ajrore mbi Serbi.

Bombardimi, dhe kërcënimi i forcave luftarake amerikane se do të hyjnë në përleshje – helikopterët amerikanë “Blackhawk” dhe “Apache” ishin renditur nëpër pika të ndryshme në Shqipëri – e gjunjëzuan Milosheviqin dhe Kosova doli si një entitet i pavarur, sikurse ish-provincat tjera jugosllave, transmeton Zeri.info.

Milosheviqi u arrestua më 2001 dhe u akuzua për krime lufte në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë. Ai vdiq në një qeli burgu në Hagë më 2006 gjatë gjykimit të tij.

SHBA-ja atëherë e konsideronte Thaçin dhe UÇK-në si “djemtë e mirë” në luftën kundër Milosheviqit.

Nuk ka asnjë dyshim se krime janë kryer nga të dyja palët.

Kritikët kanë theksuar se aktakuzat janë përpjekje për të rishkruar historinë duke barazuar Kosovën viktimë me Serbinë agresor. Është sikur të fajësosh edhe SHBA-në edhe Japoninë për sulmin tinëzar në Pearl Harbor.

Thaçi, që jetonte në Zvicër, u kthye në Kosovë kur nisën luftimet për herë të parë dhe përfundimisht u bë komandant i UÇK-së. Pas përfundimit të luftimeve, ai u bë kryeministri i parë i Kosovës së pavarur. Ai u zgjodh president më 2006.

Bideni, që e njeh mirë Kosovën, lidhjet e tij të mëhershme i forcoi edhe më shumë kur vizitoi vendin e shkatërruar nga lufta bashkë me djalin e tij Beau Biden më 2001, kur edhe e takoi për herë të parë Thaçin. Familja Biden shkoi në Kampin Bondsteel, bazën kryesore amerikane nën KFOR.

Beau Biden ishte paraqitur vullnetarisht për të shërbyer si këshilltar i sistemit gjyqësor të sapolindur të Kosovës dhe Joe Bideni, atëherë në Senat, e shoqëronte atë.

Bideni si zëvendëspresident u takua sërish me kryeministrin Thaçi në Washington më 2010. Ishte pikërisht ky moment kur Bideni e cilësoi atë si George Washingtoni i Kosovës.

Pastaj më 2016, Bideni, ende në postin e zëvendëspresidentit, vizitoi Kosovën për një ngjarje emocionale kur iu vu emri një autostrade që çon drejt Kampit Bondsteel me emrin e Beau Bidenit, i cili vdiq nga kanceri në tru më 2015.

Thaçi, si president, luajti një rol kyç në riemërtimin e autostradës dhe ndërtimin e një monumenti ngjitur për Beau Bidenin.

Me komente prekëse, Bideni lavdëroi Thaçin për tregimin e “guximit të madh” në sjelljen e demokracisë në Kosovë.

Tani Bideni niset për në Shtëpinë e Bardhë e Thaçi për në gjykim.

Peter Lucas është një reporter veteran i politikës dhe kolumnist që ka mbuluar politikën në Massachusetts dhe atë nacionale për 40 vjet për “Lowell Sun”, “Boston Herald” dhe “Boston Globe”. Ai ka mbuluar luftën në Vietnam, trazirat në Irlandën Veriore, luftimet në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën, si dhe ngjarjet në Amerikën Qendrore dhe në Kubë. Ai ka botuar pesë libra.

Përkthyer nga Zeri.info

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK