Infektuar: 35549
Shëruar: 21746
Vdekur: 939
Zërat
Ekrem Krasniqi
Ekrem
Krasniqi

Kosova e gjunjëzuar në kërkim lëmoshe nga BE

Zërat October 22, 2020 - 16:03
Përvojat e Maqedonisë së Veriut me Greqinë dhe Bullgarinë në rrugën e saj për anëtarësim në BE dëshmojnë për problemet e mëdha që Kosova do t’i ketë kur Serbia do të anëtarësohet dhe ta përdorë veton e saj, nëse do të ketë marrëveshje kompromisi në dialogun e ndërmjetësuar nga BE. E përvojat e klasës politike në Kosovë dëshmojnë se anëtarët e institucioneve të Kosovës pas krejt rezistencave deklarative ndaj presioneve dhe premtimeve, në fund vet nënshkruajnë dhe vet votojnë edhe në dëm të vet Kosovës, në emër të Kosovës dhe qytetarëve të saj shqiptarë.

Shembulli i  Maqedonisë së Veriut, me rregullat e tashme për zgjerimin e Bashkimit Evropian, përkatësisht për pranimin e shteteve në gjirin e saj me pajtimin e krejt vendeve anëtare, është dëshmi e përkryer se sa i komplikuar dhe i vështirë është procesi për ato vende që kanë mospajtime me vendet anëtare té bllokut evropian. 

Maqedonia e Veriut ka aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2004 dhe e ka marrë statusin e vendit kandidat në vitin 2005. 

Fuqia e vetos e vendeve anëtare për të bllokuar gjithçka për vendet aspiruese është dëshmuar në mënyrën më të vrazhdë në rastin e Maqedonisë së Veriut e cila nga Greqia u detyrua që të ndërrojë emrin kushtetues. 

Edhe 15 vite më vonë, vendi fqinj i Kosovës ende nuk po mund t’i hapë bisedimet e anëtarësimit në BE. 

Tash, është Bullgaria ajo e cila po e bllokon për shkak të, kryesisht, gjuhës maqedonase të cilën bullgarët nuk e njohin si të tillë. 

Nuk dihet edhe sa kohë do të kalojnë deri sa qeveria  në Shkup do të detyrohet për t’u gjunjëzuar, ashtu siç u gjunjëzua nga Greqia për çështjen e emrit. 

Fuqia e vetos e vendeve anëtare nuk ka ndonjë gjasë që të zhduket nga trakti i tashëm i BE-së, e as nga NATO. 

Përvojat e Maqedonisë së Veriut  me Greqinë për BE dhe NATO, dëshmojnë se me të njëjtat bllokada do të ballafaqohet edhe Kosova në rrugën e saj të premtuar për hyrje në BE, nëse ajo do të arrijë të ketë marrëveshje me njohje reciproke me Serbinë. 

Në kuadër të kësaj marrëveshje, Kosovës po i kërkohet që të bëjë kompromise të mëdha në çështjet e brendshme të saj. E kamufluara autonomi për dhjetë komunat serbe me emrin Asociacioni i Komunave Serbe (ASM) është goditja e parë e rëndë mbi supet e Kosovës në rrugën e premtuar për në BE. 

Por, kur qytetarëve të Kosovës dhe politikanëve të tyre do t’u thuhet se me këso lloj kompromisesh, pos se do të ketë njohje nga Serbia,  do t’u hiqen edhe vizat dhe se do të mund të vijnë edhe njohjet nga pesë shtetet e BE-së, e katër prej tyre të NATO-s, dyshimet lindin nëse do të ketë rezistencë institucionale në Kosovë ndaj zbatimit të ASM-së. 

Përvojat e deritashme, thonë se përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, me premtime dhe nën presione dorëzohen dhe nënshkruajnë dhe votojnë të kundërtën e asaj që flasin. 

Por, të njëjtit politikanë, por edhe njé pjesé e qytetarëve té Kosovës, do të duhej të mësojnë nga përvoja e hidhur e Maqedonisë së Veriut me Greqinë dhe Bullgarinë, se çka i pret ata dhe Kosovën, nëse do ta pranojnë krijimin e autonomisë serbe, përkatësisht Republikës së dytë serbe në Ballkan, nën krejt presionet dhe premtimet nga kryeqendrat e mëdha të BE-së. 

Në një skenar të këtillë, Serbia me këtë marrëveshje eventuale, do të anëtarësohej pas 4 apo 5 vitesh në BE, e Kosova do të gjendej e gjunjëzuar me të dy këmbët në situatën e Maqedonisë se Veriut dikur me Greqinë e tash me Bullgarinë. 

Ajo së pari do të presë dhe shpresojë në njohjet nga Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja. Do të kalojnë vite deri sa do të arriheshin këto njohje, sepse institucionet e Kosovës nuk kanë asnjë plan dhe kërkesë konkrete se si duhet që të garantohen këto njohje para se të nënshkruhej ndonjë marrëveshje kompromisi me Serbinë. 

Por, po supozojmë se këto njohje do të vijnë një ditë… 

Serbia kur të anëtarësohet në BE, do të ketë si edhe krejt shtetet e tjera të BE-së të drejtën e fuqisë së vetos për të bllokuar Kosovën për gjithçka dhe çfarëdo që t’i teket. 

E tash merreni me mend, se cilat do të ishin kushtëzimet që Serbia do t’ia bënte Kosovës që ajo të marrë statusin e kandidatit, pastaj të çelë bisedimet, të hapë apo të mbyllë ndonjë bllok kapitujsh të bisedimeve… 

Me fuqinë e vetos brenda BE-së, Serbia do të luajë me Kosovën si macja me miun deri sa të dërmojë plotësisht atë dhe ta gjunjëzojë qytetarët dhe politikanët e tyre për kompromise të reja për të njëjtën ASM dhe për të drejta të saj shtesë brenda Kosovës, në emër të të drejtave shtesë për pakicën serbe. 

Kosova, qytetarët e saj dhe politikanët e tyre tashmë ua kanë dërguar porosinë krejt vendeve perëndimore se ata u dorëzohen presioneve dhe premtimeve për kompromise në dëm të vet vendit dhe shtetit të tyre. 

Kosova, dhe një pjesé e qytetarëve té saj, janë shndërruar në lypsa lëmoshe në raport me BE-në. Me një trend të këtillë të shndërrimit të vetvetes në rast humanitar që kërkon lëmoshë përditë dhe pa ndonjë sinjal ndryshimi, Kosova edhe po trajtohet si e tillë tashmë e disa vite nga krejt vendet perëndimore dhe organizatat e tyre. 

E kur në disa raste politikanët dhe qytetarët dijë t’i thonë « JO » BE-së, atëherë ata ndërrojnë fjalët dhe vënë nënshkrime pasi që e njëjta kërkesë u bëhet nga zyrtarët në Washington. Pjesë të përmbajtjes së nënshkrimit të 4 Shtatorit është dëshmia më e fundit e këtij lloj trendi gjunjëzimi nga kjo klasë politike me ulëse në institucionet e Kosovës. Përvojat e njëjta në të kaluarën janë të shumta. 

E vendet perëndimore tashmë e kanë kuptuar këtë gjunjëzim dhe prandaj qasjen ndaj Kosovës e kanë ndërtuar mbi këtë përvojë tashmë e sa vite. 

 “Vetë e keni nënshkruar”, dinë të na thonë diplomatët dhe zyrtarët perëndimor për gjykatën selektive speciale për krime të luftës. 

“Vetë e keni nënshkruar”, dinë të na thonë diplomat e BE-së në Bruksel për kufirin me Malin e Zi. 

  

“Vetë e keni nënshkruar” po na thonë përsëri tash për nënshkrimet për ASM-në në 2013 dhe 2015. 

 

“Vetë e keni nënshkruar”, do të na thonë edhe për nënshkrimet të tjera në pritje në radhë.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK