Zërat
Dr. Xhevahire Dukaj
Dr.
Xhevahire
Dukaj

Higjiena në kohë pandemie

Zërat October 07, 2020 - 15:53

Nga OBSH-ja do ta nënvizoja këtë fjali: Higjiena i referohet kushteve dhe praktikave që ndihmojnë në mirëmbajtjen e shëndetit dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjeve. Dhe, do të vazhdoja me konceptimin tonë tradicional dhe bashkëkohor për higjienën.

Kur nuk ka pasur shkencë të zhvilluar e arritje bashkëkohore, as njohuri madje elementare nga mjekësia shkencore për origjinën e sëmundjeve të ndryshme dhe ndikimet e tyre anësore, në mjediset ku ka frymuar jeta e popullit tonë në kushte të rënda, megjithatë në edukimin tonë tradicional, ka pasur respekt e vëmendje për këshillat e bartura në breza nëpër familjet tona, për kujdesin ndaj higjienës në përgjithësi dhe veçanërisht për higjienën e kavitetit oral dhe për higjienën e duarve.

Këshillimet e para janë mësuar nga prindërit autodidakt. Ka ekzistuar një vetëdije edukative në popullin tonë, se kaviteti oral nuk është vetëm kontakti i parë me faktorët jetësor, por nëse nuk mbahet i pastër është edhe një burim i mundshëm sëmundjesh dhe deponi me kushte perfekte për t’u shndërruar në një mekanizëm prodhues të infeksioneve të pa imagjinueshme. Ndërsa në kohën e apoteozës së drithërave, ka qenë vështirë i shërueshëm çdo infektim, sidomos me terapinë e atëhershme popullore, si industri e vetme e farmacisë që ka ekzistuar.

Ndërsa ndërhyrjet kirurgjike as që kanë mund të mendohen, as në gingivat e kavitetit oral, për të parë shkallen e infeksionit të mishrave të dhëmbëve e për t’i shëruar ato. Sepse anatomia e njeriut ka qenë e pa njohur atëherë, edhe më shumë se sa sistemi galaktik sot. Dhe jo në pjesë të brendshme e të panjohura në funksionimin e anatomisë së njeriut, por edhe ndonjë ndërhyrje në forma primitive në gjymtyrë të jashtme, nuk ka pasur ndonjë traditë të shquar.

Por kanë pasur njohuri që pastrimi i dhëmbëve e higjiena dentare është preventivë e sëmundjeve infektive, kardiovaskulare, pulmonare etj. Prandaj kujdesi për masa preventive ka qenë mësim i përcjellë në breza. Kjo është praktikuar në mënyrë të thjeshtë dhe me shumë intelekt disiplinor është përvetësuar duke e bartur deri edhe në brezin tonë. Si narracion në çfarë do forme të tregohet dhe si praktikë në cilën do mënyrë që të përshkruhet, është tejet e dobishme dhe mjaft e admirueshme.

Të gjithë ne, që nuk kemi njohur çerdhe dhe kopshte, por jemi edukuar nga prindërit tanë, të cilët pa ndjekur ndonjë kurs shëndetësor, pa ekzistuar Covid-19, por vetëm nga edukata tradicionale e ruajtur në breza, na është rekomanduar që para çdo ushqimi është e domosdoshme higjiena e duarve dhe pas çdo shujte higjiena e kavitetit oral. Mundësisht edhe pas çdo ngrënieje të përmbajtjeve ushqimore të prodhuara nga familja e drithërave. Pa pasur njohuri që sëmundjet e mishit të dhëmbëve ndikojnë në sistemin kardiovaskular përmes qarkullimit të gjakut. Gjithashtu edhe në inflamacionin pulmonar në mushkëri, implikacione te njerëzit obez dhe ndikime të ndryshme në imunitetin e diabetikëve e të të moshuarve me sëmundje tjera shoqëruese.

Me gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme shqip, edukimi tradicional ka qenë: pastro duart me ujë gjithmonë para se të ushqehesh me çka do qoftë dhe pastro gojën me ujë pas çdo ushqimi të shujtave kurdo qoftë! Kështu është vepruar në të gjitha familjet e popullit tonë, pa pasur arsimim profesional, por vetëm nga edukimi tradicional në çdo vendbanim në etninë tonë. Ky leksion aq i artë është përcjellë, pa u vlerësuar gjithherë me ndërgjegje, por është përvetësuar si imponim i duhur nga respekti për edukatën prindërore. Rëndësinë e këtyre mësimeve e shohim tani kur po përballemi me fushatën mediatike për ndërgjegjësim dhe kujdes nga pasojat e pandemisë Covid-19.

E solla këtë shembull ilustrativ për ta lartësuar një përvojë të njohur për higjienën individuale që është praktikuar në traditën e ndritur të popullit tonë, pavarësisht shkallës së arsimimit. Më qëllim për ta krahasuar me analogjinë e rekomandimeve shkencore e profesionale që bëhen sot në gjithë rruzullin tokësor për higjienën personale nga leksionet e ekspertëve shëndetësor për të pastruar duart dhe gojën, si preventivë për Covid-19, i cili po sulmon imunitetin me sëmundje të diagnostikuara apo ato ende të pa zbuluara në anatominë e njeriut, pothuaja edhe të çdo moshe dhe në çdo meridian të globit, pavarësisht distancave të ngrohta me diellin apo me polin e veriut, në klima të ftohta!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK