Infektuar: 17009
Shëruar: 14716
Vdekur: 656
Zërat
Enxhi Nasto
Enxhi
Nasto

Ristrukturimi social prej COVID-19

Zërat September 06, 2020 - 12:43

Koha kovidiane është një e tashme e cila po ndikon tek individi në ridimensionimin e jetës së tij. Formacione të ndryshme sociale si familja, institucionet arsimore, fetare dhe jo vetëm, po rikonceptojnë përditshmërinë e tyre duke u bazuar në të vetmin prioritet, ruajtja e vetes nga e tjetrit.

Ky virus krijoi qëllimisht distancën në marrëdhënien frojdiane të etiketuar si Uni dhe Esi, e cila po proklamohet se është një mekanizëm funksional për të qënë parandalues në shpërhapjen e epidemisë. Shprehia emocionale që shërben si sistem sinjalizimi i komunkimit midis individëve është e maskuar, por nuk janë maskat mjetet e vetme të sigurisë, por edhe takimet virtuale janë metodat më të reja në kuadër të zhvillimit të punës dhe të një jete në distancë nga tjetri nën postulatin: “Jam përball teje, por shumë larg teje”.

Pra, koronavirusi mundësoi sakrifikimin e shumë të mirave (që dikur nuk i njihnim si të tilla derisa i humbëm) për t’i paraprirë të keqes.

Diçka është shumë e sigurt. COVID-19 është një përvojë jetësore e vlefshme për të gjithë ne, e cila do të magazinohet në një kujtesë afatgjatë të njerëzimit. Së pari, do të kuptojmë se sjelljet zakonore të vajtjeve dhe ardhjeve të shpeshta në evente të caktuara të një rrethi të gjerë fisnor, nuk janë më të rekomanduara kur ato bëhen në emër të detyrimeve dhe jo të respektit. Kjo pandemi është ndërgjegjësim dhe si e tillë njerëzit do të kuptojnë se respekti është ndjesi; nuk ka më “duhet”, por ka “unë dua” në çdo angazhim të ndërmarrë.

Së dyti, duhet kuptuar se kirurgjia plastike për të zbukuruar një tipar që nëna natyrë nuk ta ka falur aq bukur, nuk të shërben në përforcimin e sistemit tënd imunitar. Një nga zërat e shpenzimeve financiare duhet të planifikohet për analizat periodike, të cilat nuk janë gjë tjetër përveçse tregues i një kulture të mirëfilltë shëndetësore, të cilat të bëjnë të njohësh më thellë nivelin e fuqisë tënde të brendshme.

Ne jemi njohës të mirë të lëkurës tonë, por se çfarë mbështjell ky organ elastik, është me të vërtetë një e panjohur e madhe për ne. Atëherë sa e vështirë është të luftohet me një virus të panjohur që në gjenezën e tij, kur ne e kemi të panjohurën brenda vetes tonë?!

Mirëpo çfarë ndodh kur historia e pandemisë me emrin COVID-19 nuk përfshihet në sektorin e harresës? Ajo pashmangshmërisht mund t’i bëjë individët neurotikë. Dhe në kontekstin e përshtatjes së re, çështja shtrohet se si mundemi të ruajmë trurin dhe se si ky riorganizim i jetës tonë të ketë sa më pak efekte anësore në sistemin qendror.

Gazetari Joshua Foer (2011) shprehimisht thotë se: “në terma të energjisë, truri është organi “më i kushtueshëm” në trupin 2 tonë. Mund të themi se qëllimi përfundimtar i sistemit tonë nervor është të kuptoje se çfarë po ndodh në të tashmen dhe çfarë do të ndodh në të ardhmen, në mënyrë që të reagojmë në rrugën më të përshtatshme”.

Por e përshtatshmja është perceptim individual, ku secili prej nesh gjen rrugën e tij për t’u integruar në një realitet të ri të ndryshme nga ajo e mëparshmja. Është e vështirë t’iu modifikosh sjelljen njerëzve, por nxitja e mekanizmave ndëshkues e konformojnë masën popullore.

Në këto kushte, ruajtja e kontrollit të mendjes është sfida më e madhe me të cilën po përballen individët si qenie sociale, të cilët janë mësuar me shoqërizime sipas kodit të sjelljeve prosociale.

Diçka tjetër është po aq e sigurt, se COVID-19 ka prekur ndjeshëm afiliacionin dhe pandemia po i kthen njerëzit në qenie vetmitare.

Psikologu Edmond Dragoti e trajton nocionin e afiliacionit si një kusht të rëndësishëm mbijetese. “Njeriu konsiderohet si qenia sociale, vlerat e të cilit kushtëzohen nga aftësia dhe nevoja për t’u shoqëruar me të tjerët”.

Është mëse e qartë tashmë. Shoqëria njerëzore po pëson një metamorfozë duke kaluar nga faza e kontaktit në fazën e distancimit fizik ku teknologjia po bëhet faktori ndërmjetës në marrëdhëniet ndërpersonale. Njerëzit po harrojnë kuptimin e prekjes. Janë kthyer në të paprekshëm.

“Sipas studimeve, të paprekshmit janë më anksiozë se të tjerët, kanë tension dhe stres në jetë, përjetojnë më pak satisfaksion me trupin e tyre dhe dyshojnë më shumë për të tjerët. Ata janë më pak shoqëror dhe kanë potencialin për të qenë frenues dhe autoritaristë në mendimet e tyre”, citon profesor Dragoti në librin e tij.

Dikur një shtrëngim duarsh ishte pika e kthesës në raportet e Lindjes dhe Perëndimit përgjatë Luftës së Ftohtë, duke shënuar kohën e paqes. Ndërsa sot kontakti fizik është fillimi i një lufte të re me të panjohurin virus. Në arenën politike, vizualisht ne i vëzhgojmë liderët botërorë teksa takohen me njëri-tjetrin duke përdorur forma të tjera si grushtin apo bërrylin. Nëse dikur dëgjonim shprehimisht të thuhej se politika është luftë bërrylash e se grushti është sinjali i parë i dhunës, sot grushti dhe bërrylat janë forma ideale të komunikimit dhe të shprehjes së solidaritetit në një situatë aspak normale.

Ky virus dallohet nga epidemitë e mëparshme, pasi unifikoi të gjitha vendet e botës duke i gjunjëzuar bashkërisht. Tashmë vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim janë të njëtrajtësuar përball frikës dhe pasigurisë nga e paparashikueshmja. Por ajo çfarë të bën përshtypje është se ende nuk njihet prejardhja e saj e vërtetë, nëse i takon natyrës apo dashakeqësisë së njeriut.

Në pikëpamjen historike, kolonializmi njihej si fenomen shpërhapës i sëmundjeve infektive. Fakti që historia ka efekt përsëritës dhe në mënyrë ciklike regjistrohen ngjarje epidemike, do të thotë se njerëzimi do të vazhdojë të përballet me histori te tilla. Njeriu është projektuar për të qenë subjekt i ndryshimeve. Jeta e tij do të ndryshojë, por do të vazhdojë të ruajë të njëjtën vlerë.

Pas disa kohësh, kur do të harrojmë së kujtuari COVID-19?

Asnjëherë nuk harrohet një ngjarje kur personazhet jemi po ne, kur vetë ne i jemi atashuar mendimit se duhet të dalim negativ nga kjo pandemi për të qenë më pozitivë me njëri-tjetrin. Kujtesa e jashtme digjitale do të shërbejë si rrëfimtare e këtyre transformimeve sociale. Një ditë ajo do të flasë për ne!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK