Zërat
Philip Kosnett
Philip
Kosnett

Në tentim të nderimit të UÇK-së, mos e minoni trashëgiminë e saj të lirisë

Zërat August 07, 2020 - 11:08

Sot Kuvendi i Kosovës pritet ta shqyrtojë Ligjin e propozuar për Vlerat e UÇK-së. Besoj se ligji, pavarësisht qëllimeve të tij, nuk është konsistent me përkushtimet për liritë themelore në thelb të Kushtetutës së Kosovës. Kalimi i ligjit në këtë formë do të dobësonte demokracinë e Kosovës. Që kur Ambasada nisi në fillim të ngrinte zërin për këto brenga – fillimisht në diskutime private me liderë politikë dhe me përfaqësues të veteranëve të UÇK-së, e së voni edhe përmes mesazheve publike – disa kanë shprehur habinë e tyre rreth qëndrimit të SHBA-së.

A janë amerikanët anti-UÇK?

Çfarë të keqe ka nderimi i përpjekjeve dhe sakrificës së veteranëve? Më lejoni t’ua sqaroj qëndrimin tonë dhe të ofrojë sugjerime për të shkuar përpara. Së pari, SHBA-ja nuk është “anti-UÇK”. Përkundrazi, ne e pranojmë se Kosova nuk do të ishte shtet i pavarur sot pa përpjekjet e UÇK-së dhe organizatave tjera të rezistencës. Sa më përket mua, për herë të parë jetova në Kosovë vetëm katër vjet pas përfundimit të konfliktit, kur shenjat e betejës ishin ende të dukshme ngado dhe vendi sapo kishte nisur t’i merrte këmbët. Kam takuar veteranë të luftës, me anëtarë të personave të pagjetur, me të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës. Është e pamundshme të jetosh mes popullit të Kosovës pa e kuptuar realitetin e betejës dhe pa i respektuar ata që e çliruan këtë vend, përfshirë luftëtarët dhe civilët që vuajtën bashkë me ta. Ne mbështesim në parim iniciativat për të ofruar asistencë financiare, mundësi punësimi dhe kujdes shëndetësor për veteranët dhe për të mbijetuarit e dhunës seksuale, ndonëse qëllime të tilla duhet të kenë parasysh realitetin buxhetor me të cilin përballet Kosova – përfshirë nevojën për prioritizim të kërkesave të menjëhershme për reagim ndaj COVID-19.

Pra, ku qëndron problemi me Ligjin për Vlerat e UÇK-së?

Çështja themelore që rrezikohet është se minon lirinë e shprehjes. Ndonëse do t’i lihej në dorë Gjykatës Kushtetuese për të përcaktuar nëse ky ligj shkel Kushtetutën e Kosovës, unë besoj se ky ligj së paku shkel frymën e atij dokumenti. Ta kthesh në vepër penale kritikën ndaj klasave të caktuara të njerëzve, organizatave dhe interpretimeve të historisë, siç propozohet në ligj, atëherë kjo do të prodhonte një efekt rrëqethës mbi lirinë e shprehjes. Do të frikësonte qytetarët – të çfarëdo etnie – që duan të ofrojnë pikëpamje apo interpretime përtej të zakonshmes, do të shkaktonte hije frike dhe pasigurie për fjalimet politike dhe do të çelte derën për ngritje tekanjoze ose selektive të akuzave. Privatisht, shumë qytetarë të Kosovës – politikanë, gazetarë, akademikë – i kanë thënë ambasadës se edhe tani nuk ndihen të qetë për të folur publikisht për këtë ligj, për shkak të atmosferës shumë emocionale që përcjell diskutimin publik për UÇK-në dhe vitet e luftës. Paramendojeni sa më të ndrydhur do të ndihen qytetarët nëse ligji miratohet. Për më tepër, ligji do t’ia çelte rrugën legjislacionit që do të penalizonte edhe format e tjera të lirisë së shprehjes, duke vënë precedent të rrezikshëm. Penalizimi i kritikës ndaj çfarëdo grupi apo individi është hap i rrezikshëm, edhe nëse nuk është me atë qëllim, drejt autoritarizmit. Ka vende që p.sh. penalizojnë kritikën ndaj një presidenti në detyrë ose ndaj prijësve të tjerë politikë – shprehje që është pjesë e diskursit të përditshëm në Kosovë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në demokracitë e tjera. Ligji i propozuar gjithashtu do të mund të minonte përpjekjet për të siguruar drejtësi. Dëshmitarët, pa marrë parasysh prejardhjen e tyre, do të hamendeshin se a do mund të dënoheshin për shkak të dëshmisë për krimet e supozuara të individëve të ndërlidhur me UÇK-në, madje edhe nëse ata individë janë akuzuar se kanë vepruar të vetëm e jo në emër të grupit. Për më tepër, Kosova tashmë ka ligje kundër shpifjeve dhe fyerjeve. Nëse njerëzit bëjnë pretendime që vërtetohen lehtë se janë të rrejshme kundër veteranëve të UÇK-së, atëherë duhet të zbatohen ato ligje. Madje, ligji i ri i propozuar do të vinte një barrë të panevojshme mbi sistemin e zbatimit të ligjit dhe atë të drejtësisë. Do të ishte e pamundshme të zbatohej. Do të ofronte mundësi të lehtë që rivalët të hidhnin akuza mbi njëri-tjetrin, duke pritur që menjëherë do të pasonin hetimi dhe ndjekja penale. Kjo do t’ia hapte derën manipulimeve të ardhshme politike. Për njëzet vjet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përkrahur Kosovën në rrugëtimin e saj për t’u bërë shtet tërësisht i pavarur, i njohur dhe i integruar plotësisht në strukturat evropiane, Perëndimore dhe ndërkombëtare, njëkohësisht i lidhur ekonomikisht me të gjitha shtetet fqinje. Për ta përmbushur këtë qëllim, Qeveria e Kosovës duhet të demonstrojë se është e përkushtuar për t’i mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj dhe për ta respektuar sundimin e ligjit.

Pra, cila është alternativa?

Ka aspekte në nismën për legjislacionin e ri që do të mund të luanin rol konstruktiv si në nderimin e UÇK-së ashtu edhe në shërimin e plagëve ende të pashëruara të vendit. Edhe njëherë, legjislacioni që do të ofronte mundësi të duhura arsimore, të punësimit dhe kujdesit shëndetësor për ata që janë përpjekur dhe kanë vuajtur gjatë luftës – duke përfshirë, por jo vetëm, veteranët e UÇK-së – meriton të shqyrtohet. Kam diskutuar me liderët politikë dhe të veteranëve për vlerën që Kosova të investojë në një muze për luftën e Kosovës drejt pavarësisë. Në vendin tim dhe në vende të tjera, muzetë bashkëkohorë të luftës i nderojnë luftëtarët e së kaluarës, por shërbejnë edhe si bazë për hulumtime, reflektime të brendshme dhe hetime. Një muze i tillë në Kosovë do të mund të kontribuonte jo vetëm në edukim, por edhe për t’iu ndihmuar qytetarëve që të pranojnë dhe ta kuptojnë më mirë atë, që pa dyshim është histori e vështirë dhe e dhimbshme. Nëse bëhet siç duhet, do të mund të ishte instrument që i bashkon qytetarët, duke ndërtuar të ardhmen, duke u ballafaquar me të kaluarën me çiltërsi. Luftëtarët e UÇK-së kanë luftuar për t’i hapur liritë për popullin e Kosovës, jo për t’i kufizuar ato. Në përpjekje për të shfaqur respekt për UÇK-në, Kuvendi i Kosovës nuk do të duhej që padashje të minonte trashëgiminë e saj.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK